Reforma territoriale/ Të premten opozita prezanton 4 modele, varianti final, më dy korrik. Basha: Gati për dialog

0
148

Gëzim Saliu

takimi i autonomise vendoreZgjerimi i autonomisë vendore: Parësore decentralizimi, jo varianti “Enver Hoxha plus”

 “Qeveria po rikthen komitetet ekzekutive, të reflektojë ose protesta me Kushtetutë në dorë”

 Partia Demokratike dhe opozita nisën dje konsultimet për reformën territoriale, ku pritet që ditën e premte të prezantohen katër modelet e ndarjes së re, në të cilat do të bashkëngjitet edhe ndryshimi ligjor për decentralizimin me synim rritjen e kompetencave të pushtetit vendor. Ndërkaq, më 2 korrik, opozita do të përzgjedhë variantin final për reformën territoriale, i cili më pas do t’i përcillet Kuvendit. Në takimin me shoqatat e të zgjedhurve vendorë, kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, njëkohësisht kryebashkiaku i Tiranës, i bëri thirrje qeverisë për negociata, duke kërkuar anulimin e variantit të paracaktuar për reformën territoriale, për të miratuar një të përbashkët. Sipas Bashës, opozita dhe të zgjedhurit e saj lokalë janë të gatshëm të dialogojnë me qeverinë për reformën administrativo-territoriale, nëse ajo heq dorë nga produkti i saj i deritanishëm, në hartimin e të cilit Partia Demokratike nuk pranoi të merrte pjesë, pa disa garanci politike. “Në qoftë se ka hapësirë për reflektim, dua të shpreh vullnetin tim si kryetar i Shoqatës së Bashkive dhe në emër të Shoqatës së Komunave dhe në emër të Shoqatës së Qarqeve, në emrin tuaj, në emër të opozitës, në emër të qytetarëve që përfaqësojmë, se ne jemi gati. Jemi gati t’i përvishemi punës ashtu siç duhet me transparencë të plotë, me debat, me diskutime, me shkëmbim pikëpamjesh. Tentativa që nisi, jo keq, me katër studimet e katër organizatave përfundoi mjerueshëm. Mjerim më të madh sesa të komisionosh katër studime dhe të mos të dëgjosh asgjë që kanë për të të thënë, por të shkosh përpara me variantin “Enver Hoxha plus”, që kishin në mendje që në fillim, nuk ka”, – theksoi Basha.

 

Takimi

Në konferencën me temë “Zgjerimi i autonomisë vendore, reformë e qëndrueshme territoriale”, ku merrnin pjesë të zgjedhurit vendorë, në thelb të diskutimit ishte decentralizimi. Pasi vuri në dukje refuzimin e qeverisë për të marrë pjesë në këtë takim me ekspertë dhe të zgjedhurit lokalë, Basha tha se kjo vjen për shkak të faktit se mazhorancës i mungojnë argumentet për të mbrojtur një model të vjetër, që nuk ka prioritet qytetarët. “As i ngarkuari me këtë pjesë në qeverinë e z. Rama, që u ftua të merrte pjesë nuk denjoi të ishte i pranishëm këtu. Nuk denjoi apo kanë frikë, kjo është çështje e tyre. Ne kemi një vullnet të palëkundur për të forcuar decentralizimin, për të konsoliduar demokracinë vendore, dhe natyrisht për të konsoliduar si pjesë e kësaj edhe reformën territoriale. Nëse duam një reformë të vërtetë e të qëndrueshme dhe afatgjatë për pushtetin qendror, le të merremi me problemet e vërteta. Ta lëmë të paktën në këtë rast konfliktin politik dhe dëshirën “të kapim çfarë të kapim”, tha ai. Duke u ndalur tek modeli, Basha bëri të ditur se faktet dhe argumentet nuk flasin në favor të njësive të mëdha por se sipas tij performancë më e mirë është aty ku organet e qeverisjes vendore kanë krijuar përmes zbatimit të atyre kompetencave të dhëna me ligj praktikat më të mira në raport me transparencën, llogaridhënien, me shërbimin 24 orë ndaj qytetarit. “Një gjë është e sigurtë, kjo skemë nuk do të funksionojë për qytetarët. Kjo skemë nuk do të funksionojë për shqiptarët. Kjo skemë nuk është e qëndrueshme. Kjo skemë nuk kursen para, do të hajë më shumë para. Por jo për ti kthyer në investime por për ti hedhur graso dinozaurëve të rinj të skemave të vjetra të komiteteve ekzekutive. Ndaj le ta ndalim sa nuk është vonë. Le ta ndalim me forcën e arsyes”, – deklaroi kreu i PD-së. Në fund të fjalës së tij, duke i bërë thirrje qeverisë që të nisë dialogun me opozitë dhe përfaqësuesit vendor për një reformë transparente dhe të thelluar, Basha theksoi se në rast se kjo nuk ndodh, PD së bashku me qytetarët do të zbresë në sheshet e Shqipërisë. “Do t’i presim me Kushtetutë në dorë në sheshet dhe rrugët e qyteteve dhe komunave tona, jo për të mbrojtur ngjyrat e Partisë Demokratike apo të opozitës shqiptare, por për të mbrojtur ngjyrat e patjetërsueshme të lirisë që kanë qenë dhe mbeten burim i mirëqenies dhe vlera më e çmuar për shqiptarët tash e 23 vite”, – theksoi kryedemokrati, njëherësh kreu i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha.

 

Drafti i qeverisë: Në fund të javës mbyllen konsultat, Parlamenti, 1 muaj kohë për të votuar

Pasi ka mbyllur dy variantet për ndarjen e re territoriale të vendit pa pjesëmarrjen e opozitës, qeveria parashikon që në fund të javës të përmbyllë edhe konsultat publike. Sipas kësaj axhende, Parlamenti ka 1 muaj kohë për të miratuar njërin prej projekteve. Ndërkaq, më parë komisioni i posaçëm për reformën zgjodhi dy variante për reformën territoriale-administrative, atë me 39 njësi dhe ai me 47 njësi. Në variantin me 39 njësi, Himara nuk parashikohet njësi më vete, ndërsa në variantin me 47 bashki, parashikohet që Tirana nuk do të ketë njësi bashkiake, ku do të përmbledhë shumë komuna si Kashari, Ndroqi dhe Petrela. Po ashtu në variantin 47 njësi parashikohet që edhe Himara e Kamza të jenë njësi më vete.

 

1 vit qeverisje/ Basha: Me Ramën, vetëm përkeqësim, hoqi dorë nga premtimet që e sollën në pushtet

Një vit pas zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare në vend, kryetari i PD-së, Lulzim Basha, deklaroi dje se Kryeministri Rama duhet t’u kërkojë falje shqiptarëve pasi deri më tani nuk ka mbajtur asnjë nga premtimet me të cilat erdhi në pushtet. “Një vit më pas, me Edi Ramën vetëm përkeqësim. Një vit pas 23 qershorit, do të kishte qenë e ndershme që Edi Rama t’u fliste shqiptarëve përse nuk i mbajti, por hoqi dorë nga premtimet me të cilat erdhi në pushtet para një viti. Do të kishte qenë e ndershme t’u shpjegonte se pse legalizimi nuk është falas, por më i shtrenjtë se më parë. Përse shëndetësia nuk është falas, por është në gjendje skandaloze. Pse janë përkeqësuar të gjithë treguesit e rendit dhe pasiguria e jetës së qytetarëve është rritur. Pse nuk ka hapur qoftë edhe një investim të vetëm publik, qoftë edhe një vend të ri pune, madje shqiptarët kanë humbur mijëra vende pune në muaj gjatë qeverisjes së tij”, – tha kryedemokrati. Sipas tij, një vit pas 23 qershorit, Kryeministri ka thelluar gjuhën e tij të urrejtjes dhe të konfliktit me opozitën, në vend që, theksoi Basha, të ofronte kompromis dhe bashkëpunim për hir të interesave të larta të vendit. “Nuk ishte vendi sot për Edi Ramën të shkëmbente medalje trimërie me ministrin e tij dhe aq më pak të shpifte duke u fshehur pas tymnajës propagandistike, kundër opozitës. Një vit pas rrotacionit paqësor të pushtetit, Kryeministri i vitit zero, që ka rënë në gropën e vitit zero, duhet së paku t’u kërkonte falje shqiptarëve për mashtrimet, për dështimet në qeverisje, për përkeqësimin e ekonomisë dhe të rendit, për emërimet kriminale në administratë. Nuk bëri asgjë nga këto. E vemja gjë me vend që tha, është që nuk keni parë asgjë akoma. Dhe kjo është e vërtetë. Me Edi Ramën kryeministër gjërat do të shkojnë e po shkojnë keq e më keq”, – pohoi kreu i PD-së.

 

Mesazhi në Fier e Patos/ Kreu i PD-së: Zgjedhjet që bëjmë sot në opozitë, tregues i cilësisë nesër në qeverisje

 “Bashkimi i heshtur s’është bashkim. Bashkimi i vërtetë, ai që bubullin përmes debatit e diskutimit të lirë”

 Kreu i PD-së: Demokratët kanë folur e po flasin për përgjegjësi dhe po nxjerrin mësime

Kryetari i PD-së, Lulzim Basha, deklaron se demokratët kanë marrë përgjegjësinë që meritojnë për të zgjedhur njerëzit e duhur që do ta çojnë forcën më të madhe opozitare në fitore. Duke i cilësuar zgjedhjet e brendshme si thelbësore për të nesërmen e PD-së, Basha pohoi dje në kuvendin zgjedhor të degës së Fierit dhe Patosit se drejtuesit e rinj do të jenë në lartësinë e duhur për të përfaqësuar alternativën e lirisë, zhvillimit, sundimit të ligjit, respektit dhe dinjitetit të personit. Sipas Bashës me votën e tyre, demokratët në mbarë Shqipërinë po zgjedhin dhe do të zgjedhin drejtuesit më të mirë të cilët do të jenë në lartësinë e duhur. “Do të zgjedhim njerëzit, burrat dhe gratë, të rinjtë dhe të rejat që nesër Fieri dhe pasnesër mbarë Shqipëria, të thotë që këta që dinë të zgjedhin më të mirët në krye të familjes së tyre politike sot në opozitë, do të dinë të vënë në krye të shtetit dhe në postet publike njerëzit më të mirë nesër si shumicë dhe si qeveri”, – tha Basha.

 

Analiza

Në kuvendet zgjedhore të Fierit dhe Patosit, kreu i PD-së tha se demokratët kanë folur e po vazhdojnë të flasin për çfarë është bërë mirë e për çfarë duhej bërë më mirë. Duke theksuar se ata po flasin me përgjegjësi, duke nxjerrë edhe mësime lideri i demokratëve shprehu bindjen se vetëm duke debatuar e diskutuar, PD do të ecë e sigurtë në rrugën e ringritjes, ribashkimit dhe rikthimit te fitorja në zgjedhjet e ardhshme. “Askush nuk mund t’ju mbyllë gojën demokratëve, askush nuk mund t’ju mbajë dorën apo t’ju tregojë se për kë të votojnë e për kë jo. Nëse mbajmë gojën për shkak të frikës, indiferentizmit, konformizmit, servilizmit, nëse nuk i themi hapur gjëra që kemi për t’i thënë, nëse nuk i shkëmbejmë këto pikëpamje me besim të madh tek vlerat e debatit të lirë, nuk do të dalim më të bashkuar nga kjo sallë. Bashkimi i heshtur nuk është bashkim. Bashkimi i vërtetë është ai që flet, bubullin përmes debatit të lirë, përmes diskutimit të lirë ku nuk mbetet asgjë pa u thënë por asgjë që nuk vlen”, – pohoi Basha. Në zgjedhjet e degës së PD-së në Fier u shpall fitues kandidati Luan Baçi me 209 vota, ku përballë tij kandiduan Ervin Llakatura, Vasil Ndreko dhe Ilir Hila. Ndërkaq, në Lezhë është zgjedhur kryetar i ri i PD-së Paulin Marku me 31 vota më shumë se sa kandidati rival Pashk Ndoci. Në raundin e parë, për postin e kreut të ri të degës së Lezhës merrnin pjesë 10 kandidatë e ndërsa në raundin e dytë, Marku dhe Ndoci dolën si më të votuarit. Pas votimit mes këtyre dy kandidaturave, u shpall fitues kandidati Paulin Marku.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency