Pronat e lira, bashkëpronësi të detyrueshme mes banorëve dhe shtetit

0
149

Florenc Drizari

 -butrinti_538647371Mospagimi i çmimit nga subjektet e interesuara, penalitete 10% të çmimit total të truallit për çdo muaj vonesë

 Komisioni i Ligjeve miratoi në tërësi projektligjin “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 10.186, datë 5.11.2009 “Për rregullimin e pronësisë mbi truallin shtetëror në zonat me përparësi turizmin” të ndryshuar””. Ndryshe nga drafti fillestar i ardhur nga qeveria pak kohë më parë në Kuvend, në seancën e ardhshme plenare do të shkojnë propozime të reja që do të ndryshojnë pronësinë në zonat e lira bregdetare, kryesisht në fshatrat turistike. Më konkretisht, pas nenit 7 të projektligjit, shtohet neni 8, ku thuhet se trualli që mbetet i lirë brenda kufirit të zonës së stimuluar e përcaktuar nga plani i rilevimit, i tillë si: Sheshe, troje funksionale, pishina, sipërfaqe të gjelbëruara, rrugë apo truall tjetër, me destinacion të ngjashëm, kalon në bashkëpronësi të detyrueshme dhe të patjetërsueshme në favor të subjekteve të interesuara dhe personit të stimuluar. Afatet dhe procedurat e kalimit të bashkëpronësisë së detyrueshme të truallit të lirë përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrat. Mënyra e administrimit dhe e rregullimit të bashkëpronësisë mbi këtë truall, do të kryen në përputhje me ligjin për administrimin e bashkëpronësisë në ndërtesat e banimit dhe aktet nënligjore të dala në zbatim të tij.

Po në pikën 2 të këtij neni, thuhet se në rast se subjektet e interesuara dhe personat e stimuluar nuk kërkojnë kalimin në bashkëpronësi të detyrueshme të truallit të lirë sipas përcaktimeve të bëra në pikën një të këtij neni, ky truall mbetet me titull pronësi e shtetit. Personi i stimuluar i cili ka përfunduar ndërtimin e njësive deri në hyrjen në fuqi të këtij ligji dhe nuk e ka ndryshuar destinacionin e tyre, ka të drejtë të kërkojë blerjen e të gjithë truallit të lirë në të brenda zonës së stimuluar bazuar në planin e rilevimit.

Ndërsa në pikën 4 të këtij neni, thuhet se në çdo rast trualli i lirë, brenda zonës së stimuluar, pavarësisht nëse ka kaluar apo jo në pronësi, konsideruar zonë e rëndësisë kombëtare në planifikimin e territorit në përputhje me ligjin për planifikimin dhe zhvillimin e territorit.

Gjithashtu ndryshimet e tjera të miratuara në Komisionin e Ligjeve, kanë parashikuar edhe penalitete në rastet kur nuk do të bëhen shlyerjet e detyrimeve brenda një afati prej 6 muajsh nga dita e lajmërimit të subjekteve. Pika 2 e nenit 12 sugjeron: Mospagimi i çmimit nga subjekti i interesuar ose personi i stimuluar brenda 6 muajve nga njoftimi me shkrim sipas pikës 3 të nenit 10 të këtij ligji, sjell penalitete në masën 10 për qind të çmimit total të truallit për çdo muaj vonesë, me kusht që masa e penalitetit të mos kalojë çmimin total të truallit.

Në mbledhjen e djeshme, kryetari i Komisionit, Fatmir Xhafaj, bëri të ditur se ka pasur dhe një konsultë paraprake me përfaqësuesit e qeverisë ku është arritur një konsensus lidhur me ndryshimet e propozuara. Ndryshimet synojnë të rregullojnë marrëdhëniet e pronësisë mbi truallin dhe objektet e ndërtuara në zonat e stimuluara me përparësi turizmin, që janë dhënë për realizimin e veprimtarive të stimuluara, sipas ligjit në fuqi. Duke qenë se ligji në fuqi përjashton një numër të konsiderueshëm subjektesh, propozohet të ndryshohet dhe përkufizimi i termit “person i stimuluar”.

 

Ndërtimet në Velipojë/ Debate mes Tom Doshit, Artan Lames e Fatmir Xhafajt

 Tom Doshi: Tek neni një nuk shoh nëse është parashikuar për zonat e ndërtuara në bregdet. Çfarë do të bëhet më konkretisht në rastin e Velipojës? Nuk diskutohet se si do të bëhet legalizimi i kësaj zone. Dikush ka tokë që e ka zaptuar private e dikush tjetër shtetërore, por aty janë rreth 4000 mijë ndërtime pa leje që ia kemi premtuar se do t’ia legalizojmë në fushatë dhe nuk shoh me këto projekte që keni bërë nëse është parashikuar.

Artan Lame: Në ligjin që kemi përpara nuk ka të bëjë me legalizimin, por me shitjen e trojeve ne fshatrat turistike, personat e stimuluar.
Tom Doshi: Neni 2 të sqarohet më në detaje nga drejtori i ALUIZNI-t.
Artan Lame: Ka të bëjë me përfshirjen e dy kategorive të ndërtimeve, që ligji i 2009 nuk i përfshinte. Jo për arsye politike, por meqë u bë shumë shpejt, harruan dhe i lanë jashtë. Bëhet fjalë për ndërtimet e bëra nga personat e stimuluar që nuk kishin arritur të lidhnin marrëveshjen e qirasë.
Tom Doshi: Çfarë do bëhet me qytetarët e Velipojës, si do të veprohet për ndërtimet e tyre të bëra në 22 km plazh në tokë shtetërore apo private?
Fatmir Xhafaj: Ky nen ka të bëjë vetëm me ata që janë fshatra turistike. Nëse në Velipojë, në Sarandë, do të ketë fshatra të tillë, do t’i nënshtrohen këtij ligji. Pas dy javësh ai ligj tjetër do të vijë në komision.

 

Anëtarët e Gjykatës së Lartë, Nishani mbledh sot krerët e grupeve parlamentare

Presidenti Bujar Nishani do të zhvillojë takime këtë të martë me krerët e grupeve parlamentare për çështjen e emërimit të dy anëtarëve të Gjykatës së Lartë.

Lajmi bëhet me dije nga zyra për shtyp e Presidencës e cila ka zbardhur edhe axhendën e këtyre takimeve. “Më 24 qershor 2014, Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, do të zhvilloje takime këshillimore me krerët e grupeve parlamentare për përcaktimin e kritereve konkrete për emërimin e dy anëtarëve të Gjykatës së Lartë”, – bëhet me dije në njoftimin Presidencës.

Pas mosdhënies së pëlqimit nga Kuvendi për emërimin e Alaudin Malajt në postin e anëtarit të Gjykatës së Lartë, Presidenti i Republikës njoftoi disa ditë më parë nisjen e procedurave ligjore për plotësimin e vendit vakant në trupën e kësaj Gjykate. Takimi me krerët e grupeve parlamentare nga ana e kreut të shtetit, duket se është bërë një rutinë për sa i përket plotësimit të vendeve vakante në gjyqësor. Me herët Presidenti ka zhvilluar takime me krerët e grupeve për disa kandidatura për anëtar në Gjykatën e Lartë dhe atë Kushtetuese. Edhe pse kreu i shtetit është konsultuar me krerët e grupeve parlamentare për kandidaturat në gjyqësor, ka pasur raste kur kandidaturat e propozuara prej tij janë rrëzuar nga mazhoranca në Kuvendin e Shqipërisë.

 

Axhenda e takimeve me krerët e grupeve parlamentare

-Ora 10:00 me zotin Gramoz Ruçi, kryetar i grupit parlamentar të Partisë Socialiste;

-Ora 10:45 me zotin Edi Paloka, kryetar i grupit parlamentar te Partisë Demokratike;

-Ora 11:30 me zotin Petrit Vasili, kryetar i grupit parlamentar të LSI-së;

-Ora 12:00 me zotin Shpëtim Idrizi, kryetar i grupit parlamentar të PDIU-së;

-Ora 12:30 me zotin Fatmir Mediu, kryetar i grupit parlamentar të PR.

 

Shifrat e ALUIZNI-t, rreth 15 mijë apartamente të blera në bregdet në 100 fshatra turistike

 Aktualisht janë rreth 15 mijë persona që kanë blerë apartamente në 100 fshatra turistike, pa marrëveshje të lidhur me shtetin. Nga të dhënat e ALUIZNI-t rezultojnë që fshatrat turistike me marrëveshje qiraje janë 52, me 6-8 mijë njësi banimi. Në shifrën prej 6-8 mijë përfshihen (ka fshatra të tjerë që nuk kanë aplikuar ende dhe kjo bën që shifrat të mos jenë të sakta sipas përfaqësuesve të ALUIZNI-t), familje që kanë blerë apartamente në këto fshatra turistik.

Përveç fshatrave turistike me marrëveshje sipas përfaqësuesve të ALUIZNI-t, ka edhe fshatra turistike pa marrëveshje qiraje. “Është kategoria që ka marrë lejen e ndërtimit dhe kur kanë shkuar në ministri për të lidhur marrëveshje, për një arsye burokratike nuk u është lidhur marrëveshja. Këto sot rezultojnë pa marrëveshje qiraje dhe të tilla janë 63 fshatra me 3-4 mijë banimi, por mund të jenë rreth 100 fshatra. Aktualisht 63 fshatra kanë aplikuar tek ALUIZNI. Kjo kategori nuk përfshihej fare në ligjin ekzistues dhe kjo për shkak të një nxitimi që u bë në 2009. Kategori tjetër janë veprimtaritë që nuk përfitonin as truall apo as iniciativat shtetërore apo doganore, por janë të ndërtuara në fshatra turistik me ministrinë. Tani janë paraqitur rreth 10 deri tani, por duhet të jenë rreth 40 veprimtari të tilla me 1000 apartamente”, – shpjegoi dje para deputetëve të Komisionit të Veprimtarisë Prodhuese, kreu i ALUIZNI-t, Artan Lame. Sipas tij, rezulton vetëm një rast përplasjeje me AKKP-në, veprim që nga ana juridike ka qenë i palejueshëm, sepse sipas tij, AKKP nuk lejohej të vepronte mbi zonat turistike. “Ka vetëm një vendim nga AKKP që prek 6 subjekte, fshatra turistik, me rreth 130 banesa. Për këtë arsye është përfshirë një nen më vete sesi do të trajtohet kjo kategori”, – ka thënë kreu i ALUIZNI-t.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency