Prokuroria/ Vodhën karburantin, në Gjykatë 2 ish-efektivë rrugorë

0
156

 Anxhela Tato

gjykateAbuzimi në vleftën financiare prej 5 mln lekë, përvetësuan tollonat e naftës të destinuar për automjetet e Policisë Rrugore

Kërkesa për gjykim: Gjergj Koliqi dhe Altin Kallari nën akuzë për shpërdorim detyre

Prokuroria dërgon në Gjykatë dy ish-efektivë rrugorë, të cilët përfituan në mënyrë të paligjshme tollonat e karburantit të automjeteve, duke i shkaktuar shtetit një dëm prej 5 milionë lekësh. Organi i akuzës ka përfunduar hetimet ndaj Gjergji Koliqit dhe Altin Kallarit, nën akuzë për shpërdorim detyre. Dosja është hedhur në shortin ne gjykatës dhe pritet që brenda pak ditësh të përzgjidhet trupi gjykues dhe relatori i procesit gjyqësor. “Nga hetimi, i nisur në dhjetor të vitit 2013, ka rezultuar se shtetasit Gjergj Koliqi, ish-shef i seksionit të Shërbimeve Mbështetëse në Policinë Rrugore Tiranë dhe Altin Kallari, ish-specialist në këtë sektor, janë përgjegjës për mungesën e dokumentacionit lidhur me destinacionin e një vlere prej rreth 3.364.726 lekë karburant dhe 1.573.906 lekë pjesë këmbimi për automjetet gjatë vitit 2011 dhe 2012”.

 

Hetimet

I pandehuri Altin Kallari më datë 28.6.2011 është emëruar n/specialist llogaritar në seksionin e Shërbimeve Mbështetëse në njësinë rajonale të Policisë Rrugore Tiranë, duke u caktuar për mbulimin e shërbimit të transportit në këtë njësi. Gjatë vitit 2011 dhe 2012 eprori i drejtpërdrejtë i të pandehurit Altin Kallari ka qenë i pandehuri tjetër Gjergj Koliqi, i cili ka ushtruar detyrën e shefit të seksionit të Shërbimeve Mbështetëse dhe specialistit të financës, i emëruar me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit. Gjithashtu Gjergj Koliqi ka pasur dhe detyrën e nëpunësit zbatues për këtë njësi shpenzuese. Nga hetimi ka rezultuar se gjatë vitit 2011 dhe 2012, KRQRR është furnizuar me tollona karburanti nga Qendra e Furnizimit të Materialeve Teknike Mullet (shkurt do te citohet “QFMT”). Në kuadër të hetimit mbi këtë procedim janë këqyrur dhe marrë në cilësinë e provës materiale dokumentacioni që pasqyron mënyrën e administrimit të karburantit nga KRQRR për vitin 2011 dhe 2012, duke filluar që nga furnizimi, hyrjet dhe daljet nga magazina, regjistrimi i këtyre sasive në librin e magazinës dhe librin e llogarisë, si dhe çdo dokumentacion që pasqyron mënyrën e shpërndarjes së karburantit dhe destinacionin përfundimtar të tij dokumentacion ky i ndodhur si pranë Njësisë ashtu dhe pranë pikave të karburantit. Në kuadër të hetimit të faktit nëse ka diferencë në sasi dhe vlerë midis furnizimit dhe shpërndarjes së karburantit është marrë vendim për kryerjen e ekspertimit ekonomik dhe referuar aktit të ekspertimit rezulton ndër të tjera se QFMT e Ministrisë së Brendshme për periudhën 2011-2012, ka furnizuar me karburant Njësinë Rajonale të Komisariatit të Policisë Rrugore, Tiranë, gjithsej me 200340 litra benzinë me vlerë 32,053,085 lekë dhe 2350 litra naftë me vlerë 413,927 lekë.

 

Abuzimi

Bazuar në listë-shpërndarjet që ndodhen në dosjen hetimore, të cilat rezultojnë me mangësi si me korrigjime, të pakonfirmuara dhe pa data. Nga ana e ekspertit janë marrë në konsideratë, furnizimi për konsum mjetet e Njësisë Rajonale të Komisariatit të Policisë Rrugore gjithsej me 140304.2 litra benzinë, nga të cilat për periudhën nga data 14 qershor–dhjetor 2011 janë shpërndarë 70658.2 litra benzinë dhe për periudhën janar-dhjetor 2012 janë shpërndarë 69646 litra benzinë. Eksperti ka konkluduar se bazuar në dokumentacionin që ndodhet në dosjen hetimore, paraqiten diferenca në sasi e në vlerë, të analizuar si më poshtë: Për periudhën nga data 14.6.2011 deri më datë 31.12.2012, Njësia Rajonale e Komisariatit të Policisë Rrugore është furnizuar me benzinë tollon, në sasi gjithsej me 159540 litra për të cilën është konfirmuar si marrës Altin Kallari dhe për sasinë 8000 litra në vlere 1,320,240 lekë është konfirmuar si marrës shtetasi Gjergj Koliqi. Për periudhën nga data 14.6.2011 deri me 31.12.2011, sasia e benzinës së furnizuar dhe konfirmuar nga të dy shtetasit, është e justifikuar me listë-shpërndarje. Për vitin 2012, janë shpërndarë 69646 litra benzine ose 20894 litra më pak se furnizimi. Vlera e sasisë së benzinës e pajustifikuar është në shumën 3,364,726 lekë.

 

Kontrolli

Nga kontrolli në zyrën e financës në Komisariatin Rajonal të Policisë Rrugore në datë 26. 2.2014, në prezencë të shtetasit Gjergj Koliqi, në këtë zyrë janë gjendur dhe sekuestruar të gjithë dokumentet që kishin lidhje me mallrat karburant, pjesë nderimi dhe shërbime autotransporti, ku ka rezultuar se të gjitha urdhrat e shpenzimeve për shërbimin e transportit për vitet 2011-2012 nuk kishin asnjë dokument justifikues si urdhër prokurimi, procesverbal mod 3,4, fletë hyrje-dalje, përveçse dokumenteve Fatura Tatimore shitje të subjekteve, të cilat ishin pa nënshkrimet e komisionit të blerjeve të vogla (blerës) pa data dhe pa vula të thesarit për urdhër-shpenzimet e vitit 2012. Rezultojnë të pajustifikuar me dokumentacion: Goma 36 copë në vlerë TVSH 480.000 lekë, nuk justifikohet me dokument hyrje dhe dalje nga magazina; Bateri 64 copë në vlerë me TVSH 566.380 lekë, nga të cilat janë justifikuar me dokumentacion 22 copë, ndërsa 46 copë bateri në vlerë 407.086 lekë nuk justifikohen; Riparime të mjeteve në vlerën 686.820 lekë; Gjithsej vlera e pajustifikuar me dokumentacion është në shumën 1.573.906 lekë. Për sa më sipër argumentuar rezulton e provuar se shtetasi Gjergj Koliqi me veprimet e tij të kryera me dashje ka përvetësuar një sasi pjesësh këmbimi në vlerën 1.573.906 lekë.

 

 Farkë/ Shpërthim me lëndë plasëse tek varrezat, mister autorët

 Një shpërthim i fuqishëm ka ndodhur mesnatën e së shtunës në Farkë të Vogël, ndërsa motivet janë ende mister. Si pasojë e shpërthimit është dëmtuar gardhi rrethues i varrezave, ndërsa ngjarja ndodhte vetëm 400 metra larg banesës së kryetarit të Komunës së Farkës, Fatbardh Plaku, gjë që edhe ka alarmuar policinë. Burimet policore përjashtuan në ketë prova apo informacione se objekt i sulmit të ketë qenë ndonjë kërcënim ndaj Plakut. Banesa e këtij të fundit ndodhet në një largësi në vijë ajrore rreth 400 metra larg vendit të shpërthimit. Në fakt, banesa e Plakut ka qenë më parë objekt i një sulmi me kundërtank, dhe disa javë më vonë, dy djemtë e kryekomunarit u sulmuan me armë në rrugicat e Farkës së Vogël teksa ktheheshin në banesë. Në ngjarjen e mesnatës të së shtunës, sipas policisë, ka shpërthyer një kallëp tritol, i cili mund të ketë pasur për qëllim vetëm asgjësimin e lëndës eksplozive. Policia është duke hetuar dyshimet se ngjarja mund të jetë nga elementët e ndonjë grupi kriminal, të cilët kryejnë testime të shpërthimeve me eksploziv për t’i përdorur më pas në ngjarje të mirëfillta kriminale.

 

Mirditë/ Grabitën kasafortat e pikës së karburantit, gjendet i braktisur automjeti i autorëve

Katër persona të maskuar dhe të armatosur kanë grabitur dje në mesditë një pikë karburanti në Reps të Mirditës, ndërsa janë larguar në drejtim të Kalimashit. Mësohet 4 personat e armatosur dhe me maska kanë grabitur dy kasaforta me para në një pikë karburanti në Rrugën e Kombit, ndërsa pas kësaj janë larguar në drejtim të Kalimashit. Deri më tani nuk dihet ende se sa është shuma e grabitur. Ndërkaq policia ka gjetur mjetin, të cilin 4 personat e maskuar kishin braktisur, ndërsa janë vënë në ndjekje të tyre.

 

Milot/ Përplaset makina me motorin, aksidentohet çifti

 Një aksident me pasojë plagosjen e dy personave ka ndodhur mesditën e djeshme në Milot. Nga përplasja e një makine me një motor kanë mbetur të plagosur një çift bashkëshortësh. Të dy të plagosurit ishin nisur në varrimin e Mujo Zenelit, personi i cili humbi jetën sot në mëngjes në një tjetër aksident. Policia e mbërritur në vendngjarje ka nisur hetimet për të zbardhur shkaqet e aksidentit, ndërsa të plagosurit janë nisur për në spital.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency