Pas provimeve/ Formulari A2, ja si do të plotësohet nga maturantët

0
132

Provime1Gjatë plotësimit online, kandidatët do të zgjedhin vetë se si do t’i rendisin 10 preferencat e tyre dhe mund t’i ndryshojnë degët, deri në momentin që nuk kanë bërë konfirmimin

 Pas mbarimit të provimeve të Maturës Shtetërore nis faza e konkurrimit për në universitet. Pas marrjes së notave të provimeve me zgjedhje, Agjencia Kombëtare e Provimeve do të publikojë formularin A2. Ky formular do të përmbajë të gjitha programet e studimit dhe kandidatët duhet të zgjedhin 10 preferenca e tyre. Ashtu si një vit më parë, plotësimi do të bëhet online dhe konfirmimi i degëve të zgjedhura do të bëhet pranë shkollës, ku çdo maturant ka përfunduar shkollën e mesme. Gjatë plotësimit online, kandidatët do të zgjedhin vetë se si do t’i rendisin 10 preferencat e tyre dhe mund t’i ndryshojnë degët, deri në momentin që nuk kanë bërë konfirmimin pranë shkollave. Pas plotësimit të A2-shit, Ministria e Arsimit do të publikojë Librin e Transparencës, ku çdo kandidat do të ketë të renditura 10 degët e zgjedhura, së bashku me pikët e llogaritura nga specialistët e MAS. Në fillim të shtatorit, do të bëhet publikimi i fituesve paraprakë dhe deri në 30 shtator do të zbardhen emrat e fituesve përfundimtar për në universitet.

 

Degët me konkurs

Një sërë kandidatësh do të përballen dhe me një tjetër testim. Bëhet fjalë për ata kandidatë që do të konkurrojnë në degët me konkurs. Të gjitha programet e studimit të Universitetit të Arteve, të Akademisë së Arteve Shkodër dhe të Universitetit të Sporteve të Tiranës, programet “Arkitekturë (Arkitekt)” dhe “Arkitekturë (Urbanist)” të Universitetit Politeknik të Tiranës, programet “Edukim Fizik dhe Sporte” të Universitetit “Luigj Gurakuqi” Shkodër, programi i studimit “Edukim Fizik dhe Sporte” të Universitetit “Aleksandër Xhuvani” Elbasan, programet e studimit të Fakultetit të Studimeve të Integruara me Praktikën (FASTIP) të Universitetit “Aleksandër Moisiu” Durrës, programet e studimit të Akademisë së Arteve Shkodër u nënshtrohen konkurseve të pranimit. Për këto programe studimi në procesin e llogaritjes së pikëve të maturantit kandidat merren parasysh dhe rezultatet e konkurseve të pranimit.

 

Pse dështuan maturantët në provimin e Matematikës? MAS:Nuk ka rikorrigjim

Numri i të ngelurve në provimin e Matematikës, si asnjë vit më parë, ka kapur shifrën e 25%. Specialistë të arsimit shprehen se kjo është një shifër tejet e lartë dhe këto nota flasin për një situatë alarmuese. Sipas specialistëve, faktori i parë për këtë gjendje janë mësuesit e gjimnazeve, të cilët nuk u kanë dhënë njohuritë e mjaftueshme maturantëve për lëndën e Matematikës që është një ndër bazat e shumë fushave në Shqipëri. Sipas tyre, kjo mospërgatitje bën që në universitet të vijnë studentë të dobët. Nga ana tjetër Ministria e Arsimit nuk ka ndërmend të bëjë rikorrigjim të testeve. Interesimit të gazetës zyrtarë të MAS kanë theksuar se nuk mund të ndryshohen rregullat për shkak se ka një numër të lartë të të ngelurve. MAS thekson se të gjithë të ngelurit mund të rijapin provimin në muajin shtator.

 

 Bisedimet/ Gjermani-Shqipëri, marrëveshja për njohjen e viteve të punës

Emigrantët që jetojnë dhe punojnë në Gjermani, do të mund të përfitojnë nga marrëveshja e re që po diskutohet mes dy vendeve. Marrëveshja ka si synim njohjen e viteve të punës dhe pensionet, duke u dhënë mundësi emigrantëve që kontributet e paguara në Shqipëri të njihen dhe në Gjermani. “Sapo nisëm procesin e negociatave për njohjen e pensioneve të emigrantëve shqiptarë në Gjermani. Jam i lumtur për këtë hap të rëndësishëm që hodhëm sot, nga i cili do të përfitojnë rreth 20 mijë shqiptarë. Sigurimi i mbrojtjes shoqërore për emigrantët shqiptarë dhe transferimi i kontributeve të tyre të fituara në Shqipëri dhe anasjelltas”, – tha ministri i Mirëqenies Sociale, Erion Veliaj, pas takimit me homologen gjermane, Andrea Nahles. Nga ana e saj, ministrja Nahles mirëpriti kërkesën e ministrit Veliaj dhe shprehu mbështetjen e saj maksimale për ngritjen e një grupi pune në nivel teknik për njohjen e pensioneve të emigrantëve shqiptarë dhe anasjelltas. Ajo shtoi se është një mbështetëse e fortë për eksplorimin e të gjitha fushave të bashkëpunimit me vendet aplikuese në Bashkimin Evropian, duke theksuar punësimin në fushën e infermierisë dhe ndihmën që mund të japë Gjermania për zhvillimin e arsimit profesional në Shqipëri. Sipas Veliajt, me Gjermaninë po negociohet edhe për punësimin e shqiptarëve në fushën e infermierisë dhe shërbimet sociale.

Rritet numri/ Qeveria shton punonjësit me kontratë të përkohshme

Numri i punonjësve me kontratë të përkohshme për vitin 2014 në njësitë e qeverisjes qendrore është 765. Vendimi më i fundit i qeverisë shton gjashtë punonjës me kontratë të përkohshme për Ministrinë e Shëndetësisë. “Koha mesatare ditore e punës për punonjësin sanitar në aparatin e Ministrisë së Shëndetësisë bëhet 6 orë në ditë, ndërsa periudha kohore e kontratës për punonjësit e Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik Kombëtar bëhet 15 korrik 2014 deri më 15 dhjetor 2014”, – përcakton vendimi i qeverisë.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency