Robert Shvarc/ Si e kujton Remark ne shqip

0
282

shvarcDitelindja e Remarkut/ Shtëpia botuese Onufri kujton shkrimtarin e epokës së zymtë, përmes përkthyesit Robert Shvarc, me rrefimin nga shqipërimet e romaneve të Erih Maria Remark

 Romani i Erih Maria Remarkut “Tre shokë” u botua për herë të parë në shqip në vjeshtë të vitit 1961. Ishte koha kur shoku im i rinise, Drago Siliqi, drejtor i N.Sh. Botimeve “Naim Frasheri”, me guximin e tij prej intelektuali, u hapi lexuesve shqiptarë një dritare të madhe për të njohur letërsinë botërore. Kur iu futa punës për të përkthyer romanin “Tre shokë”,isha 27 vjeç dhe nga ky autor kisha lexuar vetëm librin e tij të parë “Asgjë e re nga fronti i perëndimit” i cili më pat lënë një përshtypje të thellë. Pra, nuk dija shumë gjëra as për Remarkun, as për librat e tij. Kisha lexuar vetëm se nazistët ia patën hequr nënshtetësinë gjermane dhe ia kishin djegur veprat publikisht me 1933. E kisha fjalën, pra, si e përktheva romanin “Tre shokë”. E mora librin dhe lexova 2-3 faqet e para. Fillonte me nje ditëlindje, me atë të heroit kryesor, që i rrëfente ngjarjet në vetën e parë. Edhe kësaj radhe me mahniti stili tepër i ngjeshur dhe tej mase i kursyer i këtij shkrimtari, që komunikonte kaq bukur dhe kaq natyrshëm me lexuesin. I përpiva ato 2-3 faqet deri në fund dhe sakaq mora një vendim: nuk do ta lexoja librin deri ne fund, por do t’i futesha punës menjëhere dhe do ta përjetoja gjithë romanin rresht per rresht, ashtu siç e kishte perjetuar autori në procesin e tij të krijimit. Ishte nje vendim paksa i çuditshëm, por mua më ndihmoi jashtëzakonisht shumë pa ditur as vete, u futa në shpirtin e autorit, hyra si të thuash nën lekurën e tij, i provova të gjitha ndiesitë, emocionet, problemet, gëzimet dhe tronditjen e tij dhe them se arrita t’ia përçoj besnikërisht lexuesve mesazhin e tij. Të paktën nuk e dëgjova asnjëherë akuzën aq të njohur, që përkthyesi qënkej tradhtar i autorit… Me romanin “Tre shokë” me lidhin kujtimet më të bukura të punës sime si rikrijues; por më lidhin edhe disa nga ato rastësitë e çuditshme që ndodhin në jetën e njeriut. Autori e kish botuar këtë vepër ne vitin 1938, në emigracion, si refugjat dhe si shkrimtar që, megjithëse mjaft i famshëm në të gjithë botën ishte pa identitet, i përzënë nga atdheu. Dhe pikërisht, atë vit, më 1938, unë, ende femijë, erdha nga vendlindja ime,Sarajeva, në atdheun e nënës sime, në Shqipëri, ku gjithashtu gjeta mbrojtje dhe shpëtova kokën nga murtaja naziste. Isha pra, një çun i vogël, që në atë kohë nuk dinte asnjë fjalë shqip dhe asnje fjalë gjermanisht. Dhe kush mund ta parashikonte atëherë që, plot 23 vjet më vonë, do t’i jepja lexuesit tonë një libër të tillë në gjuhën time amtare!…Perkthimi dhe suksesi që pati “Tre shoket “pas botimit ne shqip, më dhanë shtysën që të vazhdoja të merresha me perkthime letrare. Edhe sot e kësaj dite takoj shokë e miq të brezit tim, të cilët këtë libër të Remarkut e mbajnë dhe e ruajnë si Bibël, sepse jo vetëm që mbahet si himn kushtuar miqësisë së sinqertë, fisnike e pa asnjë lloj interesi midis shokësh, por konsiderohet edhe një nga historitë me të bukura e më mallëngjyese të dashurisë. Romani i dytë që përktheva ishte “Shkëndija e jetes”. Edhe kjo vepër me ngjiti menjëherë, jo vetëm për faktin se lidhej edhe me diçka personale, por më tepër nga forca e penës së këtij shkrimtari, i cili, pa qenë kurrë në një kamp përqendrimi nazist, arriti, vetëm përmes shfrytëzimit të një dokumentacioni, sa të pasur aq edhe ngjethës të na japë një dëshmi të tillë të një vërtetësie të mahnitshme historike, duke ia kaluar plot e plot shkrimtarëve të tjerë që e trajtuan këtë temë. I treti roman i këtij autori ishte “Asgjë e re nga Fronti i Perendimit”. Ky roman, i cili qe botuar edhe një herë tjetër në shqip në vitin 1936, më vuri përpara një përgjegjësie te madhe. Ai ishte një roman kujtimesh autentike dhe tronditëse, i njohur në të gjithë botën, ishte, sic shkruan Kadare ne hyrjen e tij- një libër i qetë e modest, por edhe një kambanë alarmi kundër histerisë se luftrave;brenda nje kohe të shkurtër ai u bë thesar i tërë njerëzimit…Por pikerisht thjeshtësia e këtij libri ishte aq e veshtire per t’u ridhënë. Dhe përsëri u futa në lëkurën e atij maturanti 18-vjecar, e atij ish-ushtari të frontit të Luftës së Parë Botërore, që e rrëfente aq prekshëm historinë e vet dhe moshatarëve te vet, historinë e rinisë së vrarë nëpër llogoret e një lufte të çmendur e të kotë. Romani i katërt i Remarkut, “Harku i Triumfit, që doli në qarkullim në prill të vitit 1988, mbahet nga kritika si kryevepra e tij e dytë. Ai, natyrisht, më hapi më shumë punë dhe telashe; e kam mbajtur pothuajse 7 vjet ndër duar, duke i vënë vetes si detyrë që ta perktheja vetëm në ato periudha kohe ku mund t’i kushtohesha plotësisht atij. Dhe me që censura e bekuar nuk ma lejonte botimin e këtij libri aq human e aq të shtrenjte për mua, mu desh ta mbaja për 20 vjet rresht në sirtar.

Këto ishin pak a shume kujtimet e mia për këtë shkrimtar kaq njerëzor dhe të dashur për lexuesin, i cili me atë gjerdan vezullues të librave që shkroi u la një dëshmi të trishtueshme, por jashtëzakonisht bindëse dhe tronditëse të dukurive më të egra të shekullit tonë.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency