Mitrovicë: Policë e protestues të lënduar në protestën e dhunshme

0
134

perleshjePolicia e Kosovës dhe ajo e EULEX-it kanë përdorur gazin lotsjellës për të shpërndarë turmën e protestuesve, të cilët kishin dalë në jug të qytetit të Mitrovicës për të kundërshtuar rivendosjen e barrikadës në urën qendrore mbi lumin Ibër, nga ana e autoriteteve komunale të Mitrovicës së Veriut, në praninë e zyrtarëve të Qeverisë së Serbisë.

Raportohet se nga përplasjet ndërmjet protestuesve dhe policisë, janë lënduar  të paktën 13 policë. Përderisa nuk ka konfirmime për numrin e të lënduarve nga protestuesit, por sipas policisë, besohet se janë mbi 10 veta. Zëdhënësi i Policisë së Kosovës nga komanda në jug të Mitrovicës, Avni Zahiti, ka thënë për Radion Evropa Lirë  se përveç lëndimeve, si pasojë e dhunës janë shënuar edhe djegie të automjeteve të policisë.  “Si pasojë e protestës të së dielës, 13 pjesëtarë të Policisë janë të lënduar. Po ashtu, nga përdorimi i  mjeteve ndezëse nga protestuesit, janë djegur katër vetura, dy të policisë së Kosovës, një e EULEX-it dhe një e UN-it (UNMIK-ut) “, ka konfirmuar Zahiti për Radion Evropa e Lirë. Sipas tij, policia ka arrestuar të paktën pesë  persona. Në anën tjetër, nuk është konfirmuar edhe numri i protestuesve të lënduar, por, sipas policisë, raportohet se më shumë se 10 persona kanë kërkuar ndihmë mjekësore në spitalin e qytetit. Këtu mund të shikoni fotogalerinë me forca të shtuara të sigurisë, që në orët e para të pasdites të së dielës. Protesta ka filluar rreth orës 15:00, kur masa po drejtohej drejt urës së Ibrit, që ndan jugun dhe veriun e qytetit në dy komuna.

Por, gjendja ka eskaluar pak minuta më vonë, kur një grup i protestuesve provoi të çajë kordonin e policisë me synimin që të shkojë drejt urës së Ibrit. Mbi urë, në pjesën jugore shiheshin pjesëtarët amerikanë  të KFOR-it, kurse në veri, karabinierët italianë.

Ndërsa, Policia e Kosovës dhe ajo e EULEX-it kanë përdorur gazin lotsjellës, KFOR-i kryesisht ka qëndruar në gjendje gatishmërie. Me brohoritjet “UÇK, UÇK”, “S’duam barrikadë – duam urë”, “Liri e lëvizjes” e të tjera, protestuesit u ndanë disa herë nëpër grupe duke e sulmuar policinë me gurë. Në mbështetje të Policisë së Kosovës është vënë edhe ajo e EULEX-it, e cila ka përdorur gazin lotsjellës. Gjatë gjithë kohës, KFOR-i ka qëndruar në gjendje gatishmërie. Në orët e mbrëmjes, situata në Mitrovicë është qetësuar, ndërkohë që janë vërejtur patrullime të shtuara të organeve të rendit, si nga ato vendore ashtu edhe ndërkombëtare.

Protesta e së dielës, fillimisht ishte thirrur nga një grup i qytetarëve që kishin paralajmëruar të protestonin qetë. Por, më pas të njëjtit kishin alarmuar organet e rendit se ka grupe që do të infiltroheshin për të përshkallëzuar situatën. Në bazë të këtyre informacioneve, Policia e Kosovës, ajo e EULEX-it dhe KFOR-it vepruan në bazë të një plani të përbashkët.

Ndërsa, në jug të Mitrovicës po protestohej, janë vërejtur tubime të qytetarëve serbë  edhe në veri. Por, ata vetëm i kanë përcjellë qetë këto zhvillime. Sipas komandantit të KFOR-it, gjeneralit Salvatore Farina, përpjekja kryesore ishte që të evitohet përleshja ndër-etnike dhe eskalimi i dhunës.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency