Kreu i PD-së në Kuçovë / Basha: S’pranojmë pushtetarë që çnderojnë vartësit dhe poshtërojnë bashkëpunëtorët

0
191

Gëzim Saliu

 Kreu i PD-së: Forca e demokratëve: janë më të mirët, më të vendosurit, më të përkushtuarit

 “Fre pushtetarit që kërkon pilula antidepresive për vendin para se depresioni i tij të kthehet në depresion gjithëkombëtar”

 

timthumbKreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, e konsideroi dje si të papranueshme gjuhën dhe sjelljen e përdorur vazhdimisht nga Kryeministri i vendit Edi Rama, duke iu referuar njëkohësisht edhe debatit të fundit mbi përjashtimin e ish-kryeministrit Berisha për 10 ditë nga seancat parlamentare. Nga qyteti i Kuçovës, ku mori pjesë në kuvendin zgjedhor të kësaj dege, ai tha se qytetarët shqiptarë duhet dhe do t’i vënë fre, sipas tij, depresionit të kreut të qeverisë para se ta kthejë depresionin e tij në depresion gjithëkombëtar. “Ne nuk do të pranojmë pushtetarë që çnderojnë vartësit, poshtërojnë bashkëpunëtorët, dhunojnë fizikisht gazetarët dhe diplomatët. Kjo nuk është Shqipëria që duam. Kjo nuk është Shqipëria që ëndërrojmë. Lideri është simboli që reflekton Shqipërinë, e një kombi që krijon modelin e sjelljes së bashkëpunëtorëve të vet. A na përfaqëson ne një njeri që përdor gjuhën më të ulët ndaj grave, ndaj zonjave, që prek dinjitetin e familjeve të tyre, që i lë me orë në pritje për t’i sfiduar aleatët, apo që ju mban leksione fyese evropianëve. Përmes transparencës, ne do t’i vëmë fre këtij tipi pushtetari që kërkon pilula antidepresive për vendin dhe do ta bëjmë këtë para se depresioni i tij të kthehet në depresion gjithëkombëtar”, – deklaroi kreu i PD-së.

Zgjedhjet në PD

Duke e përqendruar fjalën e tij tek procesi zgjedhor brenda forcës më të madhe opozitare, kryedemokrati vlerësoi votën e anëtarësisë së PD-së. Sipas Bashës, duke zgjedhur përmes votës më të mirët për t’i drejtuar strukturat e Partisë Demokratike, sot, dhe në qeverisjen e vendit nesër, PD do të ringrihet më e fortë dhe do t’i përgjigjet më mirë pritshmërive të qytetarëve të cilët sot kanë kthyer shpresën drejt kësaj partie. “Edhe në vitet apo ditët më të errëta të opozitës ne kemi dalë para shqiptarëve kryelartë dhe jemi kthyer si shumicë morale, pastaj politike, jo duke u matur se kush e ka bashibozukun më të fortë se kush ka bërë më shumë burg e kush ka qenë më i fortë në atë burg, por duke u nxjerrë këtyre kriminelëve, këtij llumi të shoqërisë, forcën e vërtetë të demokratëve që janë më të mirët, më popullorët, më të vendosurit, më të përkushtuarit, më të sinqertë me qytetarët”, – pohoi kryetari i PD-së. Në zgjedhjet e zhvilluara në degën e PD-së në Kuçovë u shpall fitues kandidati Vebi Luzi, ndërsa në degën e PD-së në Mirditë u zgjodh kryetar Bardhok Filopati. Kreu demokrat, Basha, do të marrë pjesë në të gjitha kuvendet zgjedhore në degët e PD-së në qytetet e vendit, ku më parë ka nënvizuar rëndësinë e votës së anëtarësisë dhe përgjegjësinë që do të përçojë ajo tek drejtuesit e rinj. Një pjesë e mirë e degëve të PD-së kanë zgjedhur tashmë kryetarët e tyre, duke nisur nga Mati, Saranda, Lushnja, Tropoja, Hasi, Librazhdi, Peqini, Kuçova e së fundmi Mirdita. Pritet që ky proces të mbyllet brenda dy javësh e ndërsa për degën e Tiranës, e cila vetëm prej tre ditësh ka nisur zgjedhjet, pas fazës së anëtarësimeve, në bazë të udhëzimit të kryetarit Basha, pritet të përfundojë brenda një muaji.

 

Kryetarët e PD-së në Kuçovë e Mirditë

Dega e PD-së në Kuçovë – zgjidhet kryetar kandidati Vebi Luzi

Dega e PD-së në Mirditë – zgjidhet kryetar kandidati Bardhok Filopati

 

 

Ndarja e Tiranës në 15 degë

Bumçi: Mënyra e vetme për të ndjekur elektoratin, rritet autoriteti i të zgjedhurve

Ish-kreu i PD-së së Tiranës, Aldo Bumçi, vlerësoi dje ndarjen e re të kryeqytetit në 15 degë, duke e cilësuar atë si zgjidhjen e duhur. Sipas tij, në këtë formë elektorati do të jetë lehtësisht i kontaktueshëm dhe krerëve të çdo dege do t’u jepet autoriteti i duhur. “Nuk kishim njohje terreni, më saktë ishte njohje e mangët, pasi trupa zgjedhore ndryshon shumë shpejt. Ishte e pamundur që të ndiqje jo vetëm kryeqytetin, po Kamzën qyteti i 6-të i Shqipërisë, Paskuqani brenda 12 të parëve. Është bërë gjëja më e mirë për ta ndarë këtë degë të stërmadhe, duke u rritur autoritetin të zgjedhurve. Do të kenë tjetër peshë në parti. Mënyra e vetme për të ndjekur elektoratin”, – tha ai. Ndërkaq, veç 11 minibashkive që do të jenë secila nga një degë, Kamza, Paskuqani, Vora dhe Kurora e Dajtit do të jenë 4 degët e tjera. “Qytetarët duhet të ndiqen si zgjedhës dhe nuk mund të bëhej kjo vetëm me një kryetar dege”. Lidhur me vonesën në procesin e zgjedhjeve të brendshme, deputeti demokrat deklaroi se po të ishin zhvilluar më parë nuk do të kishin rezultatin pozitiv që kanë sot. “A ishim në të njëjtat raporte në shtator-tetor? Jo. Ishte pika jonë më e ulët. Sot jemi në të tjera pozita, njerëzit krahasojnë çfarë ka bërë qeveria, vlerësojnë ndryshe opozitën, por dhe produktin real të qeverisjes para 23 qershorit, nuk do kishim këtë fluks anëtarësimesh, nëse do ta kishim nisur më parë”, – theksoi Bumçi.

 

 

Nesër vendos Këshilli i Ministrave të Jashtëm

Barroso viziton Shqipërinë pas marrjes së vendimit të statusit

Presidenti i Komisionit Evropian, Jose Manuel Barroso, pritet që të vizitojë Shqipërinë në fund të këtij muaji, më 30 qershor. Pritet që vizita e tij të vijë në një moment, kur BE-ja do të ketë vendosur për statusin e vendit kandidat për Shqipërinë. Barroso drejton prej vitesh Komisionin Evropian, institucion që ka rekomanduar 3 herë rresht që Shqipërisë t’i jepet statusi i vendit kandidat. Ndërkaq, ditën e nesërme mblidhet këshilli i Ministrave të Jashtëm të BE-së, i cili do të vendosë nëse Shqipëria do të marrë ose jo statusin e vendit kandidat. Duke marrë parasysh raportin pozitiv të KE-së, si edhe ndryshimin e qëndrimit disa vendeve skeptike, pritet që ministrat e Jashtëm të votojnë pro statusit kandidat për Shqipërinë. Vetëm pak ditë më parë Holanda bëri të ditur votën e saj mbështetëse për statusin, kur kujtojmë se ishte vendi kryesor që në dhjetor loboi edhe teke vendet e tjera të BE-së për t’i thënë “jo” Shqipërisë. Ndërkaq, edhe Gjermania me Danimarkën janë të bindur për të votuar pro, kur të vetmet vende që mbeten ende në pikëpyetje janë Franca dhe Britania e Madhe.

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency