Konferenca / Dixhitalizimi i Noterisë, së shpejti edhe në 10 rrethe të tjera

0
122

Sonila Mesareja

Sistemi dixhital për momentin i shtrirë vetëm në Tiranë dhe Durrës. Gjatë vitit 2013 janë krijuar dy regjistra kombëtarë online, si dhe portali online i regjistrit të noterisë

 

mmw_LAWYER_articleDixhitalizimi i sistemit të noterisë nuk do të jetë i përqendruar vetëm në dy qytete, siç është aktualisht, por parashikohet që shumë shpejt të shtrihet edhe në 10 rrethe të tjera të vendit. Ky angazhim u është bërë i ditur të gjithë noterëve të Shqipërisë nga ministri i Drejtësisë, z. Nasip Naço, gjatë konferencës së mbajtur ditën e djeshme me temë “20 vjet noteri profesion i lirë”, të zhvilluar në Tiranë. Duke e vlerësuar si një reformë shumë të rëndësishme krijimin e regjistrit noterial dixhital, ministri garantoi se ky sistem do të shtrihet shumë shpejt edhe në 10 rrethe të Shqipërisë, veç Tiranës dhe Durrësit ku funksionon aktualisht. “Dixhitalizimi i sistemit të noterisë është një reformë e rëndësishme për qytetarët. Është një reformë që rrit transparencën e shërbimeve për qytetarët. Në këtë kuadër, siç e dini gjatë vitit 2013 janë krijuar dy regjistra kombëtarë online si dhe portali online i regjistrit të noterisë. Por sot, dua t’iu bëjë me dije se dixhitalizimi i sistemit të noterisë shumë shpejt do të shtrihet edhe në 10 rrethe të Shqipërisë”, – nënvizoi Naço. Ministri i Drejtësisë vijoi më tej duke vlerësuar rëndësinë e sistemit noterial në një vend. Por, ministri u drejtoi edhe një apel noterëve që të kenë kujdes gjatë lëshimit të akteve noteriale, pasi disa transaksione mund të jenë të rëndësishme për krimin ekonomik. “Gjej rastin t’ju kujtoj rëndësinë e transaksioneve të cilat mund të jenë pjesë e krimit ekonomik, prandaj tërheq vëmendjen e sistemit të noterisë të tregohet kujdes në lëshimin e akteve të noterisë. Dixhitalizimi i sistemit të drejtësisë dhe atij noterial në veçanti është me rëndësi për qytetarët”, – tha Naço, i cili kujtoi edhe marrëveshjen e nënshkruar para pak ditësh mes Dhomës Kombëtare të Noterisë dhe Zyrës së Regjistrimit të Hipotekave.

 

Sistemi, vetëm në dy qytete

Sistemi dixhital aktualisht funksionon vetëm në dy qytete, Tiranë dhe Durrës. Duke parë sesa efikase ka qenë kjo reformë, Ministria e Drejtësisë po shikon mundësinë e realizimit të shtrirjes së dixhitalizimit në gjithë vendin. Për momentin noterëve u është dhënë premtimi nga ministri se do ta shtrijë dixhitalizimin e sistemit noterial edhe në 10 rrethe të tjera. “Aktualisht, sistemi noterial funksionon vetëm ne Tiranë dhe Durrës, por së shpejti do të shtrihet në 10 rrethe të tjera. Gjatë vitit 2013 u krijuan dy regjistra kombëtarë, të dy këta janë nën mbikëqyrjen e sistemit noterial, duke i dhënë akoma më rëndësi këtij sistemi”, – bëri me dije ministri. Më pas ai shtoi se “qeveria, ka ngritur portalin online të regjistrit të noterisë, ku tashmë të gjithë noterët mund të hedhin aktet e tyre online, dhe këto mund të jenë të aksesueshme nga të gjithë. Qeveria mirëpret dhe mbështet çdo ndryshim legjislativ në të mirë të qytetarëve”.

 

 

 Greqi

I akuzuar për përdhunimin e vajzës, vetëvaret në paraburgim shqiptari

Një shqiptar i moshës 35 vjeç është gjetur i vetëvarur dje në qelinë e policisë së Kallamatës, në Greqi, ku kishte shkuar i akuzuar për përdhunimin sistematik të vajzës së tij. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në Trikorfo të Komunës Mesina, ku babai dyshohet se prej 3 vitesh përdhunonte të bijën, që kur ajo kishte qenë 12 vjeç. Herën e fundit të abuzimit, në shtëpi ka ndodhur një përleshje mes babit dhe nënës, e cila u përpoq ta pengonte aktin mizor dhe kërcënoi se do të vetëvritej. 15-vjeçarja e pranoi abuzimin nga babai përpara psikologut, ku sqaroi se ai e kishte kërcënuar vazhdimisht për të mos treguar. Sipas burimeve nga mediat online greke, 35-vjeçari shkoi dy ditë më parë në prokurori, i akuzuar për incest, joshje dhe përdhunimin e një të mituri. Pasi vajza u ekzaminua nga një mjek ligjor dhe gjinekologu, pritej që i ati të përgjigjej para hetuesve të Kallamatës, por mesa duket ai vendosi t’i japë fund jetës së tij. Policia ka nisur tashmë hetimet për vdekjen e 35-vjeçarit shqiptar.

 

 

Greqi

Sherri mes çiftit për xhelozi, burri ther me thikë gruan 45-vjeçare

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur dy ditë më parë në shtetin fqinjë, Greqi ndërsa protagonist janë një çift shqiptarësh. Mediat greke raportojnë se një emigrant shqiptar ka vrarë me thikë bashkëshorten e tij. Gjithçka mësohet të ketë ndodhur pas një sherri mes tyre. 53-vjeçari shqiptar pas krimit të rëndë brenda familjes ka zgjedhur të vetëdorëzohet në polici, ku ka deklaruar se pas zënkës për motive xhelozie me gruan, e ka qëlluar këtë të fundit me thikë duke i shkaktuar vdekjen. Autoritetet greke ende nuk kanë zbardhur identitetin e viktimës 45-vjeçare dhe autorit të ngjarjes. Ndërkohë që bëhet me dije se polica po heton për zbardhen e shkaqeve që çuan në këtë krim të rëndë. Paraprakisht, nisur edhe nga deponimet e 53-vjeçarit, zënka dyshohet se ka filluar për motive xhelozie.

 

 

Tiranë

I dënuar për mashtrim, 46-vjeçari ekstradohet nga Italia

Ekstradohet në Shqipëri nga zyra e Interpolit Romë një 46-vjeçar shqiptar, i dënuar me 4 vjet burgim për veprën penale të mashtrimit, si dhe i shpallur në kërkim ndërkombëtar. Sipas policisë, ditën e sotme është kryer ekstradimi nga Italia i shtetasit Vidi Ocelli, 46 vjeç, nga Devolli. Policia e Shtetit bën me dije se 46-vjeçari është dënuar më 22 maj të vitit 2013 nga Gjykata e Korçës me 4 vjet burg për veprën penale të “Mashtrimit”. Po sipas uniformave blu, i ekstraduari Vidi Kocelli, gjatë periudhës 2007 – 2008, ka mashtruar persona të ndryshëm, duke ju marrë shuma nga 1000-3000 euro, me pretendimin se do tu siguronte viza pune për në Itali. Pasi u merrte shumat e tilla, ai zhdukej duke humbur çdo lidhje me ta. Ndërkaq si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tirana me Interpol Romën, 46-vjeçari u arrestua nga autoritetet policore Italiane më 4 shkurt të këtij viti, me qëllim ekstradimin drejt vendit tonë. Ndërkohë, në aeroportin “Nënë Tereza” ai iu dorëzua përfaqësuesve të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.

 

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency