Kosta Rika godet Italinë dhe shpallet surpriza e radhës

0

itali-kosta rikaLatinët arritën të mposhtnin Italinë me golin e Ruizit në minutat e fundit të pjesës së parë, duke arritur kështu në kuotën e 6 pikëve që i çon në kualifikim të sigurt

Loading...

 Ekipi i vogël tregoi edhe një herë se është një skuadër e rrezikshme dhe mund të shkojë larg

 Surpriza tjetër është Kosta Rika. Skuadra, pas disfatës që i shkaktoi Uruguait, ruajti surprizën tjetër edhe për Italinë. Ndeshja nis me një ritëm normal. Janë italianët ata që mundohen që të zotërojnë fushën, duke tentuar të kalojnë në sulm për të provuar. Një sfidë në të cilën axurrët u nisën si të favorizuar, duke parë edhe diferencat në emra midis ekipeve. Skuadra e Kosta Rikës është e bazuar te një lojë shkatërruese dhe formacioni me pesë mbrojtës e tregon më së miri këtë. Ndërsa Prandeli ka bërë ndryshime nga sfida e parë me futjen e Abates dhe Tiago Motës. Një ndryshim i cili duket se do të sillte më shumë freski, por që rezultoi e kundërta. Skuadra italiane provon sulmin në mënyrë horizontale me një Pirlo dhe Markizio që tentojnë të çojnë topin drejt Balotelit. Sulmuesi i Milanit është në dyluftim të përhershëm me mbrojtësit e Kosta Rikës, të cilët duket se nuk e kanë të lehtë. Një lojë e cila ka shumë ritëm. Kosta Rika ka menduar që të godasë nëpërmjet kundërsulmeve ose goditjeve nga këndi. Është Baloteli ai që ka dy raste të arta përballë portës, por në të dyja rastet është gardiani i Kosta Rikës që e ndalon. Ndërkohë, Italia nuk duket se është ajo e ndeshjes me Anglisë. Kjo, pasi loja e ndërtuar është e një mënyre tjetër dhe nuk ka aksione të shpejta nga krahu, por tentohet të ndërtohet me vertikalizime. Por ky eksperiment duket se nuk funksionon më së miri dhe duket se gjërat nuk shkojnë mirë, pasi italianët do të pësojnë. Pas disa aksionesh radhazi nga ana e latinëve do të vinte edhe goli i epërsisë. Italia do të pësonte kështu një goditje shok. Do të ishte kapiteni i amerikanojugorëve, Brajan Ruiz, ai që do të arrinte të gjuante me kokë duke mposhtur kështu Bufonin. Një gol i cili i jep një hap të sigurt Kosta Rikës dhe çon në festë ekipin, që e mbyll pjesën e parë në epërsi. Një goditje e madhe për skuadrën e Prandelit, që nuk priste një rezultat të tillë dhe në një moment të pafavorshëm. Pjesa e dytë do të niste edhe me më shumë ritëm nga italianët që do të vihen në kërkim të golit. Sfida do të kishte lëvizshmëri dhe loja po bëhej edhe më interesante. Italianët janë ata që mundohen të krijojnë lojë, por është e vështirë që të finalizohet, pasi mbrojtja e Kosta Rikës ka ndërtuar një mur mjaft të mirë dhe ndalon çdo top. Kurse nga ana tjetër latinët ndjekin politikën e pjesës së parë, duke provuar kundërsulmet. Një mënyrë për të mbajtur larg kundërshtarët dhe për të shtyrë minutat sa më shumë që të jetë e mundur. Një model që sjell një lojë më të shëmtuar, pasi ajo është e ndërtuar me shumë faulle teknike dhe nuk shikon një lojë të hapur në të dy krahët. Minutat kalonin dhe për italianët duket se gjërat nuk po funksiononin. Prandeli bëri tri zëvendësimet, duke hedhur në fushë Kasanon, Insinjen dhe Çerçin, mirëpo asnjë gjë nuk duket se i jep zgjidhje ndeshjes. Mesfusha me Pirlon dhe De Rosin duket se as nuk zgjidh punë dhe as nuk krijon lojë. El Maestro nuk arrin të bëjë punën e tij siç bën gjithmonë, pasi është gjithnjë i mbuluar nga dy lojtarë, ndërsa në sulm duket se është edhe ngërçi më i madh. Baloteli duket se i janë fikur bateritë dhe më shumë ecën në fushë sesa rrezikon kundërshtarët. Edhe në momentet kur ka topin, i merret shumë shpejt. Ndërkohë, as Kasano nuk arrin të ndihmojë siç duhet dhe nuk ka fuqinë e duhur për të ndryshuar gjërat. Zëvendësime “patatinash” duket se janë edhe Çerçi me Insinjen, që më shumë sesa rrezikojnë, gabojnë. Një lojë e cila nuk ka bukuri, edhe pse deri në minutat e fundit pritej që axurrët të bënin diçka, po pa rezultat. Kështu, ndeshja mbyllet me golin e shënuar të Brajan Ruizit, i cili është dhe heroi i sfidës. Me këtë triumf, Kosta Rika siguron kualifikimin për në raundin tjetër. Një surprizë shumë e madhe e grupit. Kjo pasi u nis si skuadra më pak favorite dhe arriti t’ia dilte atëherë kur nuk pritej. Latinët duket se janë edhe një nga surprizat e mëdha të këtij kompeticioni, i cili nuk njeh skuadra të mëdha ose të vogla.

 

Barcelona tenton Luis Suarezin

 Luis Suarez mund të bëhet goditja e madhe e Barcelonës në merkaton e verës. Lajmi është publikuar nga e përditshmja katalanase “El Mundo Deportivo”, që citon se është pikërisht sulmuesi i Liverpulit objektivi i madh i Barçës në këtë sesion merkatoje. Blaugranat me marrjen e drejtimit nga Luis Enrike janë vënë në ndjekje të një sulmuesi me peshë për të përforcuar repartin e avancuar dhe, me sa duket, është bomberi uruguaian i përzgjedhuri i trajnerit asturian. Dhjetorin e kaluar Suarez nënshkroi një kontratë të re me Liverpulin deri në verën e vitit 2018. Në marrëveshjen e re drejtuesit e të kuqve përfshinë një klauzolë që kap shifrën e 85 milionë eurove për largimin tij dhe, sipas të përditshmes katalanase, Barça është gati të ofrojë 65 milionë euro plus kartonin e Aleksis Sançezit për të transferuar Suarezin në “Camp Nou”. Për yllin e Liverpulit është interesuar edhe Reali i Madridit me presidentin Florentino Perez, që është i gatshëm të ofrojë plotë 100 milionë euro për ta shndërruar 27-vjeçarin uruguaian në një “El Blanco”. Me futjen edhe të Barcelonës në garë i sigurt është fakti se do të kemi një betejë mes dy gjigantëve spanjollë për ta transferuar në Gadishullin Iberik.

 

Kaka, afër akordit me Orlando Sitin

Sipas asaj që bëjnë të ditur mediat braziliane, 32-vjeçari ka arritur tashmë akordin me klubin amerikan të Orlando Sitit. Megjithatë, përpara se të transferohet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kaka do të ketë një eksperiencë disamujore me Sao Paolon, klub ku ai u bë i njohur si futbollist. Orlando Siti do të regjistrohet në Major League Soccer në mars të 2015-ës dhe deri në këtë periudhë drejtuesit e klubit amerikan do ta huazojnë fantazistin brazilian te klubi paulist, në mënyrë që Kaka të jetë në formën optimale kur të nisë sezoni në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Largimi i 32-vjeçarit vë në pozita të vështira Milanin, që duhet të fillojë nga puna për të gjetur zëvendësuesin e tij. Sipas mediave italiane, klubi kuqezi ka hedhur sytë nga sulmuesi i Veronës, Huan Manuel Iturbe.

 

Hoxhson nuk largohet nga Anglia

Hoxhson nuk do të japë dorëheqje nga posti i trajnerit, edhe pse përfaqësuesja që drejton, është shumë pranë eliminimit të hershëm nga Kampionati Botëror. “Tre luanët” pësuan me rezultat 2-1 nga Uruguai dhe pas dy xhirosh nuk kanë fituar asnjë pikë. Nëse Italia do të mposhtte Kosta Rikën dhe në ndeshjen e fundit luajnë baras me Uruguain, atëherë e nxjerrin Anglinë nga turneu. Hoxhson e ka bërë të qartë se çfarëdo që të ndodhë ai nuk do të largohet nga puna. “Nëse FA mendon se unë nuk jam njeriu i duhur, atëherë do të jetë vendimi i tyre, jo imi. Jam i kënaqur me mënyrën si e kanë transmetuar në fushë lojtarët atë që kemi bërë në stërvitje” -, ka deklaruar trajneri. Anglia në drejtimin e tij ka bërë një punë mjaft të mirë, pasi kanë ardhur shumë elementë të rinj. Por pavarësisht nga kjo, akoma nuk po arrijnë të marrin rezultate.

 

Murinjo: Myler e provoi përballë një mbrojtjeje të fortë

Murinjo dëshiron ta shohë Mylerin në situata më të vështira se ajo në fitoren prej 4-0 ndaj Portugalisë. Futbollisti gjerman shënoi het-trik në takimin, në të cilin Pepe u përjashtua me karton të kuq. “Do të doja ta shihja Mylerin duke luajtur kundër një mbrojtjeje më kompakte. Kjo do ta testonte. Portugalia ishte shumë e dobët. Ka shumë skuadra në Kampionatin Botëror që mbrohen shumë më mirë, i mbyllin hapësirat dhe janë më të organizuara”, – ka deklaruar 51-vjeçari për “Yahoo Eurosport”. Megjithatë, portugezi e ka lëvduar instinktin golashënues të futbollistit të Bajernit të Mynihut dhe aftësitë e tij kur gjendet para porte.

Mandzukiç: Song më goditi me qëllim

Mario Mandzukiç, ka akuzuar mbrojtësin kamerunas, Aleks Song, se ai e ka goditur me qëllim në ndeshjen e zhvilluar në Manaus të mërkurën. Incidenti ndodhi në fillim të ndeshjes kur Song e goditi me bërryl në shpinë Mandzukiçin. Song pas këtij veprimi u ndëshkua me të kuq, por Mandzukiç nuk ia ka falur këtë veprim mesfushorit të Barcelonës. “Ky veprim ishte i çuditshëm. Të dy po vraponim dhe unë rastësisht e ndjeva bërrylin. Unë mendoj se kjo ishte qartë e bërë me qëllim”, – ka thënë Mandzukiç për “ZDF”.

 

Federata Spanjolle, pro Del Boskes

Federata Spanjolle e Futbollit, pavarësisht nga dështimi i skuadrës, dëshiron që Visente del Boke të vazhdojë në postin e trajnerit të kombëtares. Sekretari i Federatës, Horge Perez, ka konfirmuar se përkundër dështimit në Botëror, ata duan që trajneri të vazhdojë punën e tij. “La Roja” u eliminua herët nga turneu i sivjetmë pas dy humbjesh në fazën grupore. Megjithatë, tekniku iberik i ka sjellë sukses të madh kësaj përfaqësueseje në të kaluarën. “Nuk kemi folur me Del Bosken. Është mirë që t’i marrim gjërat me qetësi dhe të flasim në Madrid. Unë dua që ai të vazhdojë”, – ka deklaruar sekretari i Federatës.

 

Loading...