Helena Kadare kujton: Si u njohëm me çiftin Pinter

0
122

RUSHDIE_2947807bNga “Kohë e pamjaftueshme”, Kujtime, Onufri, 2011

Çmimi PEN Pinter/ Autori i vargjeve satanike, Salman Ruzhdie, fiton

“Është shumë prekëse të marr një çmim që mban emrin e mikut tim”, – tha shkrimtari përpara se të bëhet prezantimi në Bibliotekën Britanike më 9 tetor.

Salman Rushdie do të marrë çmimin “PEN Pinter” për vitin 2014, duke ecur në gjurmët e Tony Harrison-it, Hanif Kureishi-it, David Hare-it, Carol Ann Duffy-it dhe Tom Stoppard-it.

Çmimi është themeluar në vitin 2009 nga grupi English PEN në kujtim të dramaturgut Harold Pinter. Ky çmim i jepet çdo vit një shkrimtari që, e shprehur me fjalët e Pinterit në fjalimin e mbajtur kur mori çmimin “Nobel”, hedh një vështrim “të vendosur, të qëndrueshëm” mbi botën dhe tregon “vendosmëri të paepur intelektuale… për të përkufizuar të vërtetën reale të jetëve dhe shoqërive tona”.

Shkrimtarit Rushdie do t’i jepet çmimi më 9 tetor, në Bibliotekën Britanike.

Në një deklaratë, Rushdie u shpreh se si PEN-i ashtu edhe Pinteri kanë qenë aktivë për ta mbrojtur kur ai kishte nevojë për këtë. “Është shumë prekëse të marr një çmim që mban emrin e mikut tim, Harold Pinter, pasioni i të cilit për drejtësinë sociale ishte po aq i madh sa gjenia letrare e tij letrare”.

Rushdie u zgjodh nga juria e përbërë nga Antonia Fraser, Kamila Shamsie dhe Michael Billington e Simon Jenkins të “Guardian”-it.

Kryetari i panelit të jurisë ishte shkrimtari Maureen Freely, i cili u shpreh: “Ky çmim është mënyra e English PEN-it për të falënderuar Salman Rushdien jo vetëm për librat e tij dhe për vitet e shumta që ka ngritur zërin e vet për lirinë e të shprehurit, por, gjithashtu, veprat e panumërta vetjake të mirësisë. Kur ai sheh shkrimtarë të denigruar padrejtësisht, që persekutohen ose dëbohen në internim, ai e bën këtë çështje të interesave personale”.

Çmimi PEN Pinter u themelua në vitin 2009 në kujtim të dramaturgut Harold Pinter, fitues i çmimit “Nobel”. Çmimi i jepet çdo vit një shkrimtari britanik ose me banim në Britani, për merita të jashtëzakonshme letrare, i cili, e shprehur me fjalët e Harold Pinterit në fjalimin e mbajtur kur mori çmimin “Nobel”, hedh një vështrim “të vendosur, të qëndrueshëm” mbi botën dhe tregon “vendosmëri të paepur intelektuale… për të përkufizuar të vërtetën reale të jetëve dhe shoqërive tona”.

Së bashku me fituesin, çmimi i jepet edhe një shkrimtari ndërkombëtar me kurajë, i zgjedhur nga shkrimtarët e English PEN në Komitetin e Riskut (Risk Committee). Kjo gjysmë e çmimit i jepet dikujt që është persekutuar për shkak se ka ngritur zërin e tij për bindjet e veta.

Fituesi i çmimit PEN Pinter për vitin 2013 ishte Sir Tom Stoppar. Ai e mori çmimin, më 7 tetor, në një event të zhvilluar në Bibliotekën Britanike dhe zgjodhi gazetaren Iryna Khalip nga Bjellorusia për të ndarë me të çmimin si Shkrimtare Ndërkombëtare me Kurajë.

 

Fituesit e mëparshëm

Viti                  Fituesi britanik          Fituesi ndërkombëtar

2013               Sir Tom Stoppard     Iryna Khalip

2012               Carol Ann Duffy       Samar Yazbek

2011               Sir David Hare          Roberto Saviano

2010               Hanif Kureishi          Lydia Cacho

2009               Tony Harrison           Zarganar (Maung Thura)

 

 

Helena Kadare për Harold Pinterin

Si pas çdo stuhie, me fillimin e mijëvjeçarit të ri ndodhën ndryshime në lidhjet tona shoqërore. Ishte një gjë që pritej. Pas artikullit që bëri aq shumë bujë të Bernard-Henri Levy-së kundër Regis Debray-së, artikull i titulluar “Lamtumirë”, Regis dhe që ishte vetëm njeri nga shembujt e ftohjeve që ndodhën për shkak të Kosovës, merrej me mend që të tilla do të ndodhnin, sidomos me ne. Një afrim i porsafilluar me Peter Handke-n, pas një darke intime tek ambasadorja e Austrisë në Paris, ku ata të dy, Peter me të shoqen franceze, na lanë përshtypje shumë të mirë, u ndërpre, natyrisht, si rrjedhojë e qëndrimit të tij tepër të habitshëm proserb. E njëjta gjë ndodhi me Harold Pinter-in, nobelistin e ardhshëm. Me çiftin Pinter u njohëm në një pritje të ngushtë miqsh të përbashkët në Paris. Midis gjallërisë së përgjithshme, rasti e solli të njihem nga afër me gruan e Pinter-it, Antonia Fraiser, shkrimtare dhe historiane gjithashtu e njohur, dhe nuk u deshën veç disa minuta të krijonim një simpati të ndërsjellë. Ato kohë ajo ishte duke u marrë me biografinë e Marie-Antoinette-ës, që, pas botimit në “Flammarion” u bë film aq i njohur i Sofia Coppola-s. Nuk di se si ndodhi, por atë natë ne nuk u ndamë asnjë çast deri në fund të mbrëmjes. Antonia, me një çiltërsi të pabesueshme, më tregoi me detaje jetën e saj tejet interesante; si e kishte njohur Pinter-in në një darkë, darkë që kishte kthyer përmbys tërë jetën e saj. Tek e dëgjoja, e kuptoja fare mirë se ç’e kishte shtyrë Harold Pinter-in të linte mendtë pas saj, duke ia marrë një tjetri, edhe pse me gjashtë fëmijë. E bukur, sykthjellët, me të folurën e saj të veçantë, të butë e të përzemërt, ajo u takonte atyre grave të rralla që s’mund të harrohen kurrë. Por, ndërsa ne të dyja u morëm vesh aq mirë, me “burrat” nuk ndodhi e njëjta gjë. M’u krijua përshtypja se ata, edhe pse në një ambient të ngushtë, në shtëpinë mikpritëse të botueses Cynthia Liebov, bënin ç’bënin dhe i shmangeshin njëri-tjetrit. Më vonë, kur nëpërmjet Cynthia-s Haroldi i dërgoi Is librin e tij të fundit, një përmbledhje poezish krejtësisht për luftën në Irak, u bë e qartë për mua edhe arsyeja e mosafrimit të tyre. Is nuk e pëlqeu librin. Ashtu siç nuk i kishin pëlqyer mendimet e tij të shprehura andej-këndej në shtyp. Për librin më tha se i kujtonte vëllimet me vjersha të realizmit socialist, ku nga fillimi në fund shkruhej parulla, e famshme për të keq: “Janki, kthehuni në shtëpi!”

Shpeshherë, pikërisht për shkak të antiamerikanizmit, disa njerëz të artit e të publicistikës bëheshin kundër Kosovës, madje kundër shqiptarëve në përgjithësi. Më kujtohet se si në një miting të gjerë për Kosovën, një mikeshë e ngushtë e vajzës sonë, Besianës, që kishte ardhur aty në shenjë solidariteti me të, iku menjëherë nga manifestimi, porsa pa diku mes demonstruesve një flamur amerikan!

Sikurse Is i dinte mendimet e Pinter-it për këtë çështje, besoj se edhe Pinter-i i dinte mendimet e Is, ngaqë ai i kishte shprehur publikisht disa herë.

Në një pritje tjetër, këtë radhë te producenti Georges Fernandez, që banonte në “Place d’Alma”, Cynthia më lajmëroi se do të vinin edhe Pinter-ët, kështu që do të ishte mirë që Is t’i thoshte dy fjalë se ç’mendonte për librin e tij. Kur unë i thashë se ai nuk e kishte pëlqyer librin, Cynthia u vu në siklet. Is u mërzit në pritje, gjë që po i ndodhte shpesh e më shpesh, dhe pa ardhur ende Pinter-ët, shkoi të pinte një kafe në “Fouquet’s”, që nuk ishte larg, duke më thënë se do më priste atje. Kështu që Pinter-ët i takova vetëm unë. Takimi me Antonia-n, si gjithmonë, ishte një kënaqësi e llojit të veçantë.

Rasti tjetër ndodhi në Londër. Is ishte i ftuar për një konferencë dhe ambasadori i Francës shtroi një drekë me këtë rast. Midis të ftuarve ishin Pinter-ët, por kishte ardhur vetëm Antonia. Is nuk u habit fare, ngaqë vetë ambasadori i Shqipërisë, jo vetëm nuk kishte ardhur, por as e kishte njoftuar mospjesëmarrjen e tij, as në drekë, as në konferencë. Dhe ky nuk ishte as rasti i parë e as i fundit. Tanimë vetë Is ishte mësuar si me luajalitetin, ashtu dhe me ftohtësinë e ambasadorëve shqiptarë dhe, meqenëse kjo ndodhte me qeveritë e majta po aq sa dhe me të djathtat, ai s’e vriste më mendjen të gjente logjikën e sjelljes së tyre.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency