Banka Botërore/ Shqipëria, e rrezikuar nga huamarrja masive jashtë vendit

0
190

Ervin Kaduku

bb –  Si Banka Botërore, ashtu dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar, paralajmërojnë në dy raporte të veçanta për brishtësinë e vendit në drejtim të nevojave të larta të huaja për financim, teksa deficiti i llogarive korente është i lartë, së bashku me financimin e jashtëm fiskal

Banka Botërore ka publikuar raportin e qershorit “Perspektiva Ekonomike Globale”, ku për Shqipërinë parashikohet një rritje prej 2.1% në vitin 2014, për t’u përshpejtuar më pas në 3.3% në 2015-n dhe 3.6% në 2016-n. Ndërkohë, bilanci i llogarisë korente pritet të përkeqësohet, nga -10.3% e PBB-së në vitin 2014, në -14.8% të PBB-së në 2016, duke qenë më i larti në të gjithë rajonin e Evropës Qendrore, Lindore e Juglindore, pas Malit të Zi.

Rritja e konsumit privat do të vijojë të jetë negative, edhe për vitin 2014, me -1.2%, për t’u kthyer pozitive në vitet në vijim, përkatësisht 4.3% dhe 4.7% në 2015-n dhe 2016-n.

Për ekonominë globale, raporti parashikon që pavarësisht dobësive fillestare, rritja pritet të gjallërohet me kalimin e vitit dhe PBB-ja botërore pritet të zgjerohet me 3.4% në vitin 2015 dhe 3.5% në vitin 2016 – duke qenë gjerësisht në linjë me parashikimet e mëparshme.

 

Telashe në rritje për Evropën Juglindore

Veçanërisht për Evropën Juglindore (Shqipëria, Bullgaria, Bosnja dhe Hercegovina, Maqedonia, Mali i Zi, Serbia), ka rreziqe që do të ndikojnë në rritjen ekonomike, duke iu referuar përmbytjeve shkatërruese (veçanërisht në Serbi dhe Bosnjë-Hercegovina), dhe në afatin e mesëm ndaj papunësisë ende të lartë, borxhin e lartë të sektorit publik dhe rimëkëmbjen e ngadaltë të huas bankare dhe në disa raste, rritjen e kredive me probleme (NPL). Edhe pse niveli i lartë i NPL-ve nuk ka shkaktuar paqëndrueshmëri serioze në sektorin financiar deri tani, teksa këto hua janë të mirëprovigjionuara dhe të mbështetura nga kapital i mjaftueshëm, nëse këto rreziqe nuk zgjidhen, mund të destabilizojnë më tej sektorin e brishtë financiar dhe të kërcënojnë rimëkëmbjen e kredisë dhe perspektivën e rritjes.

Në të njëjtën kohë, paralajmëron raporti, mungesa e progresit në konsolidimin fiskal dhe përpjekjet e pamjaftueshme në zgjidhjen e problemeve strukturore (p.sh., fatura e madhe e pagave në sektorin publik, transfertat e kushtueshme sociale, ristrukturimi i ndërmarrjeve shtetërore) lënë pak hapësirë fiskale për veprime të guximshme të politikave që do të përballeshin me kërcënimet deflacioniste.

 

Shqipëria në vendet e rrezikshme

Vendi ynë renditet në të njëjtin rang me shtete të tilla si Tanzania, Pakistani, Nikaragua, Ukraina, Turqia, Bjellorusia, Mozambiku. Në raportin e fundit të Bankës Botërore, Shqipëria renditet mes 27 vendeve në botë që kanë nevoja të larta financimi të jashtme, si rrjedhojë e deficitit të lartë të llogarisë korente dhe sasive të mëdha të borxhit afatshkurtër dhe si rrjedhojë mund të jetë e brishtë ndaj shtrëngimit të kushteve financiare. Më keq se Shqipëria në grafik paraqiten vendet të tilla si Tanzania, Pakistani, Nikaragua, Ukraina, Turqia, Bjellorusia, Mozambiku.

Sipas raportit të Bankës Botërore të qershorit, “Perspektiva Ekonomike Globale”, deficiti i llogarisë korente të Shqipërisë, pritet të përkeqësohet, nga -10.3% e PBB-së në vitin 2014, në -14.8% të PBB-së në 2016, duke qenë më i larti në gjithë rajonin e Europës Qendrore Lindore e Juglindore, pas Malit të Zi.

Ndërsa nevojat e jashtme financiare sipas grafikut të paraqitur nga Banka Botërore janë rreth 28% të PBB-së, apo rreth 120% e rezervave ndërkombëtare.

Në një zonë të tillë e rendiste vendin dhe raporti i mëparshëm i FMN-së, ku deficiti i llogarive korente, ishte dukshëm mbi zonën e rrezikut, që FMN e kishte llogaritur në nivelin e -6% e PBB-së. Ndërsa në treguesin “Nevojat e financimit fiskal/PBB), Shqipëria kishte nivelin më të keq në të gjithë rajonin, prej 28% të PBB-së të pritshëm për vitin 2014, nga 18% që është zona ku ndahet kufiri i rrezikut.

 

Rreziqet nga financimet e jashtme

Sipas raportit të Bankës Botërore, nevojat për financim të jashtëm kanë rënë në disa vende, por mbeten në rrezik në disa të tjerë.

Nevojat e larta për financim të jashtëm (deficiti i lartë i llogarisë korente dhe shumat e mëdha të borxhit afatshkurtër) e bëjnë vendin më të brishtë ndaj ndryshimit të rrjedhës së flukseve ndërkombëtare të kapitalit dhe rritjeve në normat e interesit. Më të brishtët ndaj përkeqësimit të kushteve të financimit përfshijnë vendet që varen më shumë në flukset e portofolave (përballë investimeve të huaja dhe remitancave që janë të luhatshme) për të siguruar monedhën e huaj. Rreth 18 shtete në zhvillim (ku përfshihet dhe Shqipëria- shën.i Monitor) e gjejnë veten me nevoja të larta financiare që i kalojnë rezervat e tyre valutore, me kërkesa që i tejkalojnë 10% të PBB-së në shumë raste.

 

FMN: Shqipëria në zonën e rrezikshme për borxhin

Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) në raportin e tij të fundit ka matur brishtësinë e vendeve të Europës Qendrore Lindore e Juglindore (CESEE) ndaj goditjeve të jashtme financiare. Në një tabelë krahasuese mes 18 vendeve të CESEE, ku përfshihet dhe Shqipëria, janë shënuar me të kuqe, për treguesit përkatëse, vendet që i kanë këta tregues mbi kufirin e rrezikut (shiko shpjegimin e treguesve dhe tabelën në fund).

Shqipëria paraqitet në zonën e rrezikut (me të kuqe) në tre tregues:

-deficiti i llogarive korente, i cili për vitin 2014 pritet në nivelin e -10% të Prodhimit të brendshëm Bruto, duke qenë një ndër treguesit më të përkeqësuar në rajon, së bashku me Bjellorusinë, që dhe ajo e ka deficitin në këtë kufi. Kufiri ku ndahet zona e rrezikut është -6% e PBB-së.

-Borxhi publik në raport me PBB-në, që për vitin 2013 është në kufirin e 70% të PBB-së, niveli i tretë më i lartë në CESEE pas Hungarisë, që e ka 79%; dhe Sllovenisë 73%. Vetëm këto tre shtete, së bashku me Serbinë (66% e PBB-së) janë në zonën e rrezikut, ndërsa 14 shtetet e tjera e kanë këtë tregues nën 60% të PBB-së, që është dhe niveli ku ndahet kufiri i rrezikut.

-në treguesin “Nevojat e financimit fiskal/PBB), Shqipëria ka nivelin mëtë keq në të gjithë rajonin, prej 28% të PBB-së të pritshëm për vitin 2014, nga 18% që është zona ku ndahet kufiri i rrezikut. Pas nesh në zonën e kuqe janë Serbia, Kroacia dhe Hungaria, që e kanë treguesin përkatës në nivelin e 19-20% të PBB-së.

Ndërkohë, Shqipëria paraqitet stabël në treguesit e huave/depozitave, që është më i ulëti në rajon në 53%; borxhi i jashtëm që duhet paguar (maturiteti i mbetur) në 2014, që është vetëm 2% e PBB-së, sërish më i ulëti; pjesës së borxhit publik të ekspozuar ndaj rrezikut të monedhës, në 19% të PBB-së; pjesa e borxhit privat të financuar nga fonde jo të qëndrueshme, konkretisht marrja hua nga jashtë përfshirë kreditë përmes kompanive dhe huat nga mëma te degët, që është sërish më e ulëta në rajon, në 10% të PBB-së.

 

Shqipëria, interes për turizmin meksikan, Konsulli Ndroqi kërkon rritjen e bashkëpunimit.

Çdo vit, Shtetet e Bashkuara të Meksikës janë destinacioni turistik i miliona njerëzve nga e gjithë bota, të cilëve u urohet mirëseardhja në 52 aeroporte ndërkombëtare të shtrirë në gjithë territorin. Turizmi është një shtyllat e ekonomisë së vendit, dhe një aset që çmohet nga qytetarët meksikanë dhe nga qeveria e vendit. Turizmi kulturor, bregdetar, aventurier dhe së fundmi edhe ai i mirëqenies (health and uellbeing) e kthejnë Meksikën në unike.

102 Konsujt e Nderit të Shteteve të Bashkuara të Meksikës, që po qëndrojnë në Meksiko Siti, u njohën nga ministrja e Turismit, Claudia Ruis Masseiu (Kludia Rui Masjë) me mundësitë pa kufi që ofron ky shtet në këtë sektor.

“Meksika është një vend ndryshe, me shumë destinacione turistike. Plazhet janë të populluara, dhe të krijojnë përshtypjen se bregdeti është turizmi më i preferuar në Meksikë. Por gaboheni, vendin e parë e mban turizmi kulturor. Por edhe turizmi aventurier, sportiv, ai luksoz,i shoqëruar me ushqim të mirë, tërheqin vëmendjen e njerëzve nga e gjithë bota. Sot Kankuni, i ngritur 40 vjet më parë, apo Akapulko, janë brende ndërkombëtare. Janë të gjitha këto alternativa, që lehtësojnë punën tonë në thithjen e turistëve, dhe shpresoj edhe tuajën, të nderuar konsuj, në promovimin e vendit tone”, – u shpreh ministrja e Turizmit, Claudia Ruis Masseiu.Meksika, edhe pse një destinacion i largët gjeografikisht nga Shqipëria, po kthehet ndër më të preferuarit nga shqiptarët. Megjithatë, ka ende shumë punë për të bërë. I bindur për këtë, Konsulli i Nderit të Shteteve të Bashkuara të Meksikës në Shqipëri, Ylli Ndroqi, pyeti:

“Meqenëse ne jemi Konsuj Nderi dhe bëjmë një detyrë të rëndësishme për promovimin e kulturës dhe turizmit të Meksikës, dhe në Shqipëri ka shumë shqiptarë që janë të interesuar të vijnë dhe të vizitojnë dhe të njohin Meksikën. Cilat mund të jenë mundësitë që ju mund të kemi për të ndërmarrë sëbashku, për të rritur bashkëpunimin në këtë fushë të rëndësishme të kulturës dhe turizmit meksikan, qoftë në Meksikë dhe atë në Shqipëri”.

“Ne kemi një qendër rajonale në Evropë për promovimin e turizmit, andaj mund të krijoni kontaktet për fushat që mund të bashkëpunohet jo vetëm me Shqipërinë, por me gjithë Ballkanin. Kjo agjenci bën promovimin e turizmit meksikan dhe marrëveshje të veçanta me agjenci të ndryshme turistike, andaj mund të punohet për një plan strategjik për promovimin e turizmit në Meksikë, dhe në Shqipëri. Hapi i tretë, nëse ka panaire vjetore të turizimit që zhvillohen në Shqipëri, me kënaqësi sjellim një përfaqësi tonën e cila do të promovojë turizmin meksikan”, – u përgjigj ministrja. Pas kësaj fjale të mbajtur në mbledhjen e Konsujve të Nderit, ministrja e Turizmit Claudia Ruis Masseiu (Kludia Rui Masjë), pati një bisedë të shkurtër me Konsullin e Nderti të Shteteve të Bashkuara të Meksikës në Shqipëri, Ylli Ndroqi.

Ai ftoi Ministren Masjë të vizitojë Shqipërinë, ftesë të cilën ministrja e pranoi me kënaqësi.

 

Kriza në Ukrainë ndikon tek bizneset gjermane

Për shumë kompani perëndimore bizneset me Evropën Lindore janë zhvilluar shumë mirë – deri në krizën e Krimesë. Ndërkohë, BE-ja dhe SHBA-të kanë vendosur sanksione kundër Rusisë dhe këto kompani po ndjejnë humbje të mëdha.

Frank Becker e quan veten si njohës i Rusisë. Drejtori ekzekutiv i një kompanie në Berlin udhëton shpesh në Evropën Lindore për t’i kuptuar më mirë partnerët e tij të biznesit. “Ti duhet ta kuptosh shpirtin rus”, – thotë ai. Por edhe nëse e bëjnë këtë – ata nuk e kuptojnë se çfarë synimesh ka presidenti rus Vladimir Putin.

 

Eksportet në Ukrainë shumë të rrezikshme

Frank Becker përballet me një sërë problemesh. Në Rusi, tregun e tij më të rëndësishëm, është problem zhvlerësimi i madh i rublës, në Ukrainë ka probleme logjistike. Me fjalë të tjera, në disa zona aktualisht është shumë e rrezikshme për të ofruar mallra. Kompania që ai drejton quhet Collonil dhe prodhon bojë këpucësh dhe produkte të tjera për mirëmbajtjen e këpucëve. Rreth një dekadë më parë kompania Collonil qe kryesisht e suksesshme në Gjermani me. Sot 65 për qind e mallrave shkojnë për eksport.

Kompanitë gjermane që angazhohen në Rusi, ndihen nën presion. Për shembull, nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Komisioni për Marrëdhëniet Ekonomike me Evropën Lindore njofton se ka kompani dhe firma që i ndjejnë qartë pasojat e kërkesës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të ndërprerë marrëdhëniet e biznesit me rusët. Sipërmarrësit kanë gjithashtu frikë se partnerët rusë tani do të kërkojnë mundësi të reja për biznes në Azi.

 

Potenciali mbetet e lartë – pavarësisht nga kriza

Komisioni për Marrëdhëniet Ekonomike me Evropën Lindore nuk jep rekomandime të përgjithshme për kompanitë gjermane. Por drejtori ekzekutiv, Rainer Lindner, thotë se kompanitë duhet të tregojnë kujdes. Aty ku zhvillohen luftime, është e nevojshme të mbrohen punëmarrësit. “Megjithatë si Rusia dhe Ukraina mbeten tregje të rëndësishme. Ka shumë sipërmarrje që duan t’i vazhdojnë bizneset me këto vende dhe prandaj ne nuk u rekomandojmë të largohen nga ky treg”, – thotë Lindner.

 

Alternativa në Lindjen e Mesme dhe Japoni

Shefi i Collonil-it është optimist, se gjendja e komplikuar në Ukrainë do të zgjidhet së shpejti. Por ai është edhe në kërkim tregjesh të reja në Emiratet e Bashkuara Arabe ose në Japoni.

Por në rast se qeveria gjermane vendos sanksioneve ekonomike kundër Rusisë, Shoqata gjermane e Industrisë BDI do t’i mbështesë ato. Paqja dhe liria janë mbi interesat ekonomike, thotë Rainer Lindner. Por nga ana tjetër Komisioni për Marrëdhëniet Ekonomike me Evropën Lindore sheh në Rusi dhe Ukrainë shanse edhe në kushtet e vështira aktuale. Çmimet e pasurive të patundshme janë ende shumë të ulëta. Po ashtu në zonat që nuk janë prekur nga trazirat ka ende kuptim për t’u angazhuar”, – thotë Lindner.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency