Aksioni në Lazarat, “molla e sherrit”/ Ankesë nga policia për mungesën e prokurorëve në terren

0
99

Anxhela Tato

 artan didi aksioni lazarati policia droga hashashi 3 4 (4)Kreu i policisë, Artan Didi: Jemi në moment kritik, policia është lënë vetëm nga prokuroria që duhet të ishte tek provat e krimit

Prokuroria e Përgjithshme: Grup hetimor në Lazarat, dy prokurorë dhe shefi i Krimeve të Rënda

Fshati i kanabisit, “molla e sherrit”, mes policisë dhe prokurorisë, të cilat vihet përballë njëra-tjetrës, pas ankesave të kreut të bluve për mospraninë dhe vonesën e akuzës në terren. Aksioni sfilitës dhe i rrezikshëm i bluve arriti të përfundonte me sukses, duke vënë nën kontroll fshatin “rebel” të trafikantëve të armatosur, të cilët nuk hezituan të mbronin me gëzhoja marijuanën. Por nuk mund të mungonin pakënaqësitë nga ana e uniformave blu, të cilët për pesë ditë e net qëndruan në gatishmëri 24 orë, duke asgjësuar kanabis dhe sekuestruan municione të rënda. Sipas kreut të bluve, ishte më se e nevojshme prania e përfaqësuesve të akuzës, të cilët duhet të qëndrojnë aty ku ndodhen provat e krimit. Por nga ana tjetër, prokurori i çështjes ka qenë i pranishëm për gati dy ditë në Lazarat, duke ndjekur nga afër situatën si dhe duke marrë provat që do të shërbejnë për dosjen ndaj Gate Mahmutajt dhe të arrestuarve të tjerë. Për Artan Didin, policia është lënë vetëm pa mbështetjen e prokurorisë në një situatë kaq delikate. Kësaj deklarate i është bashkuar edhe vetë ministri i Brendshëm Tahiri, i cili ka komentuar se prokuroria po vonohet në verimet procedurale. Ndërsa nuk ka munguar kundërpërgjigjja nga ana e Prokurorisë së Përgjithshme, e cila ka pohuar se gjatë paradites së të premtes janë nisur në Lazarat dy prokurorët Anton Martini e Behar Dibra dhe më vonë është bashkuar me ta edhe vetë drejtuesi i Krimeve të Rënda.

 

Policia

Kreu i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Artan Didi, që prej disa ditësh drejton operacionin në Lazarat, në një komunikim për mediat bën me dije se policia është e vendosur të realizojë deri në fund objektivat e saj. “Operacioni vazhdon, policia është e vendosur të realizojë objektivat e saj, goditjen e grupit kriminal dhe vënien e tij para drejtësisë. Ne jemi të vendosur të çojmë deri në fund operacionin për të eliminuar armët që ndodhen në fshat, që janë të shumta”, – tha Didi. Por, siç shtoi Didi, teksa policia është në këmbë, mungon mbështetja e organit të prokurorisë. Didi akuzoi këtë institucion se nuk ekziston në terren, aty ku janë provat e krimit. “Jemi në një moment kritik për sa i përket mbështetjes nga prokuroria. Kur polica është në këmbë dhe populli po na ndjek, këtu ka prova kriminale, armatime predha e mortaja, bimë narkotike nëpër bahçe e parcela, polica është lënë vetëm nga prokuroria. Prokuroria nuk po bashkëpunon në avancimin me mbledhjen e provave kriminale”, – shtoi Didi. Më tej, kreu i këtij operacioni tha se në polici janë bërë disa shoqërime, ndërsa mohoi zërat se janë bastisur shtëpitë e lazaratasve nga policët. “Ka pasur shoqërime dhe procedime. Ka pasur familje që u kanë dhënë bukë policëve me 2 deri 3 orë gjumë. Banorët të rrinë në banesat e tyre, nuk kanë pse largohen. Në konfidencë po ju them se nuk ka asnjë bastisje, edhe pse këtë duhet ta thotë prokuroria”, – shtoi Didi.

 

Prokuroria e Përgjithshme

Drejt Gjirokastrës janë nisur prokurorë të Krimeve të Rënda, për të parë më nga afër dhe hetuar situatën në Lazarat. Ndërkohë, mësohet se paraditen e djeshme janë nisur dhe drejtuesi i Prokurorisë për Krime të Rënda dhe drejtori i Hetimit në Prokurorinë e Përgjithshme. Lajmi bëhet i ditur nga Prokuroria e Përgjithshme, me anë të një deklarate drejtuar mediave. “Në Gjirokastër, gjatë paradites së të premtes, ka qenë prokurori i gatshëm dhe të gjithë oficerët e Policisë Gjyqësore. Menjëherë pas mbledhjes së përgjithshme të prokurorëve, zhvilluar gjatë paradites së djeshme, sipas një axhende të parashikuar më parë drejt Gjirokastrës janë nisur prokurorë të Krimeve të Rënda, përfshirë drejtuesin e Prokurorisë për Krime të Rënda dhe drejtorin e Hetimit në Prokurorinë e Përgjithshme”, – thuhet në njoftimin për shtyp. Reagimi i Prokurorisë së Përgjithshme erdhi fill pas deklaratës së Artan Didit, drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, i cili nga Lazarati bëri me dije se Prokuroria duhet të ishte e pranishme në këtë operacion. Sipas Didit, në Lazarat ka mjaft prova, të cilat prokuroria duhet t’i hetojë nga afër.

 

Ministri i Brendshëm/ Tahiri: Veprimet e prokurorisë, shumë më të ngadalta sesa ritmi i policisë

Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri ka mbërritur vetë në Lazaratin e çliruar tashmë nga kriminelët, për të garantuar siguri dhe sundim ligji për banorët. Sipas tij, tashmë Lazarati është një fshat si të gjithë të tjerët në Shqipëri. Duke qenë në një mendje me drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, Artan Didi, Tahiri u shpreh se prokuroria i është përgjigjur shumë ngadalë ritmit të policisë. “Lazarati është si çdo pjesë e Shqipërisë, tashmë e shihni dhe ju që kërkonte pak mundim. Unë erdha për të falënderuar Policinë e Shtetit për punën e mrekullueshme, ata djem dhe vajza që kanë bërë shumë për t’i bërë të gjithë të barabartë para ligjit. Siç e patë dhe dëshmuat në këto ditë, banorët e kanë mirëpritur ndërhyrjen e policisë, pasi ky fshat ka qenë peng i disa banditëve që shumë shpejt do arrestohen. Besoj se është momenti për të parë përpara. Ligji u vendos këtu si në çdo vend tjetër”, – komentoi Tahiri. Në lidhje me veprimet e prokurorisë, Tahiri u shpreh: “Veprimet procedurale të prokurorisë kanë qenë shumë të ngadalta. Nuk dua ta vesh me nota ta veçanta boshllëkun e prokurorisë, por nuk i shkon ritmit të Policisë së Shtetit”.

 

Operacioni/ Asgjësohen 30 tonë kanabis, zbulohen 3 mitraloza që u përdorën nga trafikantët

Lazarati i paprekshëm tashmë është vënë nën sundimin e forcave të policisë, pas 5 ditësh beteje dhe kundërshtimi të trafikantëve. Nga ana e bluve ditën e djeshme ka vijuar aksioni për gjetjen dhe asgjësimin e lëndës narkotike, ndërsa vijon gjuetia për bandën e Lilo Brahimajt, i cili strehoi për disa ditë trafikant që qëllonin me armë ndaj bluve. “Policia e Shtetit që prej mëngjesit të djeshëm ka rifilluar veprimet në të gjithë Komunën Lazarat për identifikimin e sipërfaqeve të kultivuara me bimë narkotike dhe më pas asgjësimin e tyre, gjetjen dhe asgjësimin e sasive të lëndëve narkotike, si dhe gjetjen e sekuestrimin e sendeve të tjera të kundërligjshme. Po ashtu po punohet dhe në drejtim të identifikimit të vendndodhjes, kapjes dhe vënies para përgjegjësisë ligjore të personave që kanë kundërshtuar dhe qëlluar me armë forcat e Policisë së Shtetit”, – thuhet në njoftimin e Policisë së Shtetit. Nga kontrolli i ushtruar në 150 banesa është asgjësuar 7 tonë marijuanë si dhe janë zbuluar 32 municione dhe mbi 30 mijë fishekë. “Policia e Shtetit publikon rezultatet e operacionit të sotëm në Lazarat, ku janë kontrolluar 105 ambiente të ndryshme (banesa, stane, magazine) në të gjithë territorin e fshatit. Sipas policisë, gjatë aksionit të djeshëm janë gjetur e asgjësuar 7 ton e 448.7 kg marijuanë, janë gjetur e asgjësuar 25.870 rrënjë bimë narkotike kanabis sativa, janë sekuestruar 32 armë zjarri automatikë e pushkë, janë sekuestruar 4 pistoleta, janë sekuestruar 2 armë të vjetra, janë sekuestruar 2 mitraloz dhe 1 antitank dhe 1 granatahedhës, janë sekuestruar 29.750 fishekë, si dhe 9 arka me fishekë dhe 13 kaseta me fishekë, janë gjetur e sekuestruar 5 automjete me armatim e municion, si dhe 10 automjete bosh, janë sekuestruar 4 kuti predha granatahedhësi, 3 granata, 4 kallëp tritol, janë sekuestruar 2 presa kanabisi.

 

Sekuestrimet

Strukturat e Policisë së Shtetit gjatë ditëve të zhvillimit të këtij operacioni në Lazarat kanë mundësuar asgjësimin e një sasie mbi 30 ton e 852.8 kg kanabis sativa, si dhe të rreth 107.170 rrënjëve bimë narkotike dhe fidanë, duke marrë dhe mostrat përkatëse në cilësinë e provës për ekzaminim. Po ashtu gjatë këtyre kontrolleve janë gjetur dhe 4 laboratorë nga të cilët 2 përpunimi të bimëve narkotike dhe 2 për përpunimin e vajit të hashashit, si dhe sasi të konsiderueshme municioni dhe armë, nga të cilat 17 armë të rënda, si dhe 2 armë gjahu. Është ushtruar kontroll në territoret e mbi 280 banesave dhe një numri të konsiderueshëm ambientesh të tjera në brendësi të fshatit Lazarat, tokave përreth tyre dhe në tokat e komunës në territorin ku forcat e policisë kanë depërtuar në zonë. Në kuadër të këtij operacioni deri në këto momente janë arrestuar 15 persona të dyshuar për sulmet me armë ndaj forcave të policisë, për kultivimin kanabisi, prodhim e shitje të narkotikëve, kundërshtim të punonjësve të policisë, për shkatërrim prone apo mbajtje pa leje të armëve e municionit luftarak.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency