Spanja pëson tërmet 7-ballësh… po tani çfarë?

0
128

spanja kiliIberikët pësuan një tërmet 7-ballësh me humbejn e pësuar nga Kili, që i nxori edhe nga lufta për Botëror, por pas kësaj pritet që të ndryshojnë disa gjëra. Kush do të largohet dhe çfarë parashikohet për të ardhmen

 Spanja “game over”. Kjo ishte ajo çka u pa pas ndeshjes me Kilin. Një superskuadër, e cila ka fituar gjithçka nga viti 2008 dhe tashmë i duhej që të skualifikohej që në fazën e grupeve. Një tronditje për të gjithë opinionin publik. Kjo, pasi skuadra e kuqe shihej si një nga favoritet kryesore për të luftuar për titullin. Një ekip që ka të gjithë elementët e duhur për të qenë padronë të lojës më të ndjekur në botë. Mirëpo bashkë me mitin e Barcelonës, ra edhe miti i Spanjës. Krisja u duk që ndeshjen ndaj Holandës. Tulipanët u hakmorën rëndë për humbejn e tyre në atë finale të “Afrikës 2010”. Skuadra e drejtuar nga Van Gali në pjesën e dytë të lojës e shkatërroi ekipin e Del Boskes, si në aspektin taktik, ashtu edhe në atë teknik. Një humbje 5-1 që la pasoja të mëdha për ekipin. Lojtarët senatorë të ekipit u kryqëzuan nga mediat për gabimet e tyre. Kryesorët ishin Kasijas me dy gafat e bëra, ndërsa mbrapa nuk mbetës as Ksavi me Pike që nuk qenë në formë të mirë. Një goditje si nga ana mediatike, por ashtu edhe ajo morale. Kampionët e botës në fuqi u mundën që ndeshjen e tyre të parë dhe nuk ishte diçka pozitive. Del Boske deklaroi para takimit se do të bënte ndryshime. Të gjithë ishin me sy e veshë për të parë shpëtimin taktik të Del Boskes, mirëpo nuk patën asnjë rezultat edhe ndaj Kilit. Aty ku do të vinte edhe disfata e dytë. Një lojë e cila provoi edhe një herë që Spanja është e dobët për momentin ose nuk po gjen rrugën e duhur për të shkuar drejt golit. Risi e ekipit nga viti 2010 ishte vetëm Diego Kosta në formacion dhe Havi Martinez me Azpilikuetën dhe Zhordi Albën. Pjesa tjetër ishte ajo e 2010-ës. Mirëpo në ndryshim nga 2010-ta kishim një Iniestë të dobët dhe një Ksavi Alonso që humbiste topin shumë shpejt. Nga ana tjetër, as Serxhi Buskets nuk arrinte të bënte punën e tij mirë në fazën mbrojtëse, duke lënë shumë hapësira. Ndërsa Azpilikueta dhe Zhordi Alba nuk kishin detyra shumë të mëdha për të kryer dhe nuk nxorën asnjë gjë në pah. As faza sulmuese nuk bindi. Silva nuk arrinte që të driblonte tek e tek, ndërsa Pedro e kishte shumë të vështirë që të çante vetëm në krahë, kurse nga krahu tjetër, Diego Kosta, që bëri një sezon shumë të mirë me Atletikon, nuk arriti që të bënte në asnjë aksion diferencën. Kasijas në këtë sfidë nuk ishte në gjendje të dobët, por nuk arriti të shpëtonte ekipin atëherë kur duhej. Një ekip ky me shumë probleme që duket se Del Boske nuk i shikonte. Spanjollët pësuan dy gola në pjesën e parë dhe nuk arritën dot që të ngriheshin dhe të bënin diferencën. E vetmja gjë pozitive te Spanja e shëmtuar ishte futja e një elementi të ri si Koke dhe Karzola. Mesfushori i Atletikos tregoi menjëherë që ka dell fitimtari dhe do t’i shërbejë shumë mirë ekipit në të ardhmen. Me futjen e tij ekipi fitoi freski dhe arriti që të kishte dy shanse të arta për shënim goli që nuk u bënë konkrete nga Kosta dhe Buskets. Edhe Karzola, sa u fut u mundua të provonte dhe të krijonte raste. Një pikë dritë në një errësirë të madhe që sjell paralajmërimin se gjërat duhet të ndryshojnë te ekipi spanjoll. Një skuadër e cila mund të ketë gjithçka. Elementë të pafund që mund t’i ketë në skuadër dhe që duhet të ingranohen në të ardhmen. Fatmirësisht, brezi i ardhshëm duket se është edhe më potencial se ky që ishte. Duke parë shumë lojtarë të rinj që luajnë në ekipe të mëdha, krijohen shpresat se gjithçka mund të shkojë mirë. Një gjë është e sigurtë. Gjërat duhet të ndryshojnë te Spanja.

 

Kush pritet të largohet?

Tashmë projekti duket se do të fillojë shumë shpejt dhe sigurisht që do të ketë të sakrifikuar, pasi diçka duhet bërë patjetër. Disa nga lojtarët që janë edhe ata që i kanë sjellë triumfin, mund të jenë larg në kompeticionet e ardhshme. Mund të nisim me trajnerin, i cili nuk do ta ketë të gjatë pas kësaj disfate. Vetëm në qoftë se do të ketë një këmbëngulje nga Federata, atëherë tekniku mund të vazhdojë të qëndrojë në krye të “La Roja”. Ndërsa nga krahu tjetër duket se larg skuadrës mund të jetë Ksavi Hernandez. Fantazisti i cili i ka dhënë shumë ekipit spanjoll thuhet se ka nënshkruar një kontratë me një skuadër arabe. Kjo mund të sjellë që lojtari t’i largohet futbollit kompetitiv dhe për këtë fakt mund të shikohet larg. Ndërkohë, larg është edhe Torres. Lojtari ka kohë që nuk është në gjendje të mirë dhe nuk duket se ka shumë shanse për t’u rikthyer, ndërkohë që Albiol apo dhe Reina nuk duket se janë të duhurit për këtë kombëtare.

 

Të rinjtë, ata që japin shpresë

Për të folur për shkollën spanjolle, duhet shumë. Kjo, pasi modeli i ndërtimit të shkollave të futbollit te iberikët është një filozofi mjaft e madhe që ka sjellë frytet e veta. Ka shumë lojtarë të rinj, të cilët kanë dhënë provat e para që mund të jenë yje në të ardhmen dhe që do të shërbejnë shumë për “La Roja”. Në portë duket se zëvendësuesi i Kasijasit është i denjë. Bëhet fjale për De Gean, që luan te Junajtid, ndërkohë që mbrapa nuk mbetet mbrapa as Blanko. Mbrojtja është relativisht e re, edhe pse ka nevojë për disa shtesa. Karvahal, Bartra dhe Arebto Moreno mund të jenë risi dhe mund të sjellin më shumë freski në ekip. Ndërkohë, në mesfushë ka shumë opsione. Ander Herrera, Tiago, Isko, Ilarramendi dhe Koke janë ata që mund t’i sjellin ekipit ide të reja në lojë. Ndërsa në fazën sulmuese treshja Xhesi Rodrigez, Morata dhe Doefleu janë ata që mund të bëjnë diferencën e madhe. Lojtarët kanë bërë shumë paraqitje të mira me moshat, ndërsa këtë sezon të ri duket se do të kenë edhe më shumë prezenca në arenën profesioniste për të treguar veten e tyre. Të tërë këta lojtarë mund të mbështeten edhe nga Mata, Montoja apo Karzola dhe Azpilikueta që janë edhe këta elementë të rinj për ekipin. Një skuadër e cila premton që do të sjellë spektakël edhe në brezat e ardhshëm. Ndërkohë, që pasuria nuk mbaron këtu, pasi nëse do të kalonim edhe në breza pak më të vegjël, gjejmë elementë të cilët do të shpërthejnë shumë shpejt. Mjafton të përmendim këtu Oliver Torresin, që është magjik në ndeshjet që bën me moshat dhe që sezonin e kaluar ka qenë pjesë e ekipit të parë të Atletiko Madridit. Naço dhe Inigo Martinez mund të jenë mjaft të mirë për të ardhmen. Ndërkohë që yje në fazën sulmuese pritet të jen edhe Traore dhe Denis Suarez bashkë me Serxhi Samperin dhe Munir dhe të cilët kanë statistika të frikshme, edhe pse janë akoma shumë të rinj.

 

Në internet plas gazi

Duket se humbja e Spanjës nuk ka mbetur pa zhurmë edhe për sa i përket web-it. Kjo, pasi skuadra përveçse shumë mbështetës ka edhe shumë rivalë. Humbja e tyre ishte një rast i mirë për t’u tallur me ekipin që u eliminua në mënyrë surprizë. Shumë e kanë krahasuar Spanjën me “Titanikun” që është duke u mbytur, ndërsa Kasijas me shokë janë ata qëndrojnë të fundosen bashkë me të. Ndërsa në një tjetër shfaqet ekipi dhe fraza “Game Over” që është e famshme për lojërat elektronike. Kurse një tjetër merret me Diego Kostën, i cili duket se pas disfatës së Spanjës do të kthehet te kombëtarja e tij mëmë, Brazili. Janë këto mënyra për t’i treguar Spanjës se ata nuk janë më kundërshtarët nga të cilët frikësohen të gjithë.

 

Deklarata pas disfatës/ Kosta: Qëndroj te Spanja

Diego Kosta u shpreh se ai do të vazhdojë të luajë me këtë kombëtare, përkundër kampanjës së dobët të këtij Botërori. Kosta, i cili fitoi kalimin e tij te Çelsi me 27 gola shënuar sezonin e kaluar, thotë se ai nuk e ka ndërmend të tërhiqet nga kombëtarja e Spanjës. “Natyrisht se do të vazhdoj me Spanjën, po ëndërroj të arrij suksese të mëdha me Spanjën, që tashmë i ka arritur kjo kombëtare. Ne kërkojmë falje, por jeta vazhdon. Ne do të vazhdojmë të punojmë dhe të mbajmë kokën lart. Ne kemi pasur shumë ambicie, askush nuk lodhet së fituari. Na mungoi diçka, por jo cilësia. Kili ishte më mirë fizikisht se ne”, – ka thënë Kosta.

 

Alonso: Na mungoi dëshira për sukses

Ksavi Alonso ka pranuar se Spanjës i mungonte “uria” për mbrojtjen e titullit të kampionit të botës. “La Roja” i humbi dy ndeshjet e para grupore (5-1 nga Holanda dhe 2-0 nga Kili) duke u larguar shumë herët nga Kampionati Botëror. Ky eliminim shënon njëherësh edhe përfundimin e mbretërimit të tyre në turnetë e mëdha, pas triumfit në dy Kampionate Evropiane dhe një Kampionat Botëror. “Nuk kemi arritur të ruajmë nivelin e njëjtë të ambicies dhe urisë ose ndoshta nuk e kemi pasur bindjen e duhur për ta kërkuar titullin. Suksesi dhe lumturia e të kaluarës është zhdukur, ka shkuar dhe ne nuk kemi qenë në gjendje që ta mbajmë. Mendërisht nuk ishim të gatshëm, edhe fizikisht ndoshta njësoj, por duke i bërë bashkë – nuk ishim në formë të mirë”, – deklaroi lojtari.

 

Murinjo: U zbulua futbolli bajat i Spanjës

Ish-tekniku i Realit të Madridit, Hoze Murinjo, ka kritikuar Spanjën, duke thënë se është bërë shumë e parashikueshme dhe se tashmë futbolli i saj është shumë i bajatshëm. Sipas teknikut të madh portugez, futbolli i Spanjës është zbuluar nga të gjithë dhe se ai është i bezdisshëm. “Njerëzit janë mësuar si të luajnë ndaj Spanjës. Ata besuan se filozofia e tyre është më e mira, por nuk doli të jetë kështu. Ata bënë atë që unë mendoj se duhet të bëni në futboll modern. Ju duhet të jeni strategjik. Holanda dhe Kili ishin shumë strategjikë dhe Spanja nuk arriti që të përballonte këtë. Spanja ishte fantastike në vitin e fundit, ata janë studiuar nga të gjithë. Van Gal analizoi shumë mirë lojën e tyre, Sampaoli edhe më mirë. Mendoj se duhet të jemi ferr e të themi se trajnerët ishin meritorë për sukseset e Kilit dhe Holandës dhe se futbolli bajat i Spanjës mori fund dje”, – deklaroi tekniku.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency