Standard.al

Rivendosja e barrikadës në Mitrovicë, e motivuar politikisht

Nga Deutche Welle

uriForcat paqeruajtëse në Kosovë thonë se vendimi për të mbajtur urën mbi lumin Ibër ende të mbyllur për automjete është shumë simbolike dhe politikisht e motivuar.

 Autoritetet në Prishtinë, ato vendore dhe ndërkombëtare, rivendosjen e barrikadës në urën e lumit Ibër në Mitrovicë e kanë cilësuar të motivuar politikisht. Grupe qytetarësh serbë nga veriu i Mitrovicës, të mërkurën në mëngjes, larguan barrikadën, e cila qëndronte aty tani e tre vjet, ndërsa vetëm disa orë më vonë, grupe serbësh sërish vendosën një barrikadë tjetër. Ata sollën vazo betoni dhe mbollën pisha. Rivendosja e barrikadës se re që u quajt “Parku i paqes” dhe u bë me një vendim të kryetarit të Komunës së Mitrovicës Veriore, Goran Rakiq.

Ndërkohë, Kryeministri i Kosovës në detyrë Hashim Thaçi, pas rivendosjes së barrikadës mbi lumin Ibër nga serbët lokalë, shprehu zhgënjimin me veprimin e serbëve të cilin e quajti veprimin të turpshëm.

“Si Kryeministër i vendit, dje paradite, mirëprita largimin e barrikadës në mënyrë vullnetare nga qytetarët e komunitetit serb, duke shpresuar se ajo ishte një shenjë e pjekurisë qytetare. Fatkeqësisht, u deshën vetëm pak orë që unë dhe qytetarët e Kosovës të zhgënjeheshim përsëri me aktin e turpshëm të rivendosjes së barrikadës mbi urën e lumit Ibër”.

“Kjo lojë e turpshme dhe e rrezikshme, por mbi të gjitha antiligjore, është e papranueshme për vlerat e shoqërisë dhe shtetit tonë demokratik. Ata që janë përgjegjës për këto veprime antiligjore, do të përballën me ligjin herët apo vonë”, – tha Kryeministri në detyrë Hashim Thaçi. Sipas tij, liria e lëvizjes është e drejtë fondamentale dhe ajo nuk mund të cenohet nga askush.

Edhe forcat paqeruajtëse të cilët vëzhguan paraditen e së mërkurës heqjen e barrikadës dhe më vonë rivendosjen e saj nga serbët thanë se “KFOR-i mirëpret vendimin e heqjes së barrikadës fizike në urën mbi lumin Ibër. Por krijimi i një kopshti e pengon lirinë e lëvizjes me automjete. Kuptimi dhe dëshira për të mbajtur urën ende të mbyllur për automjete me anë të një kopshti është shumë simbolike dhe politikisht e motivuar”, – thuhet në reagimin e forcave paqeruajtëse.

Barrikada mbi lumin Ibër ishte vendosur nga banorët lokalë serbë të veriut në korrik të vitit 2011, të cilët kundërshtonin vendosjen e autoritetit të Prishtinës zyrtare në veri të vendit. Në këtë kohë u vra një pjesëtar i policisë së Kosovës dhe veriu u përfshi në trazira duke kundërshtuar funksionalizimin e institucioneve të Kosovës në veri. Prishtina dhe Beogradi më 19 prill të vitit të shkuar nënshkruan një marrëveshje për përmirësimin e raporteve dhe u zotuan për zbatimin e të gjitha pikave të saj. Një ndër pikat e marrëveshjes është edhe qarkullimi i lirë në veri të Kosovës.

 

 

Comments are closed.