Operacioni/ Policia hyn në qendër të fshatit të Lazaratit, arratiset banda e armatosur

0
129

 Anxhela Tato

lazarat lufta policia aksioni hashashi droga 2 qeni antidroge 3Zbulohet mitralozi dhe baza ku për 5 ditë rresht u strehuan trafikantët që sulmuan policinë, sekuestrohen tonelata droge dhe armatimi

 Dyshime se Lilo Brahimaj kryeson grupin e trafikantëve, gjenden 2 laboratorë për vaj kanabisi

 Policia zbarkon në Lazarat, fshati “rebel” i kanabisit, ku për 5 ditë iu bë rezistencë bluve nga një grup trafikantësh të armatosur, disa prej të cilëve dyshohet se mund të jenë fshehur pas mësymjes së efektivëve. Vetë banorët iu dorëzuan forcave të policisë, duke u hapur dyert e banesave për kontroll, ku u asgjësuan sasi të mëdha lënde narkotike. Ndërsa fshati u mbulua nga reja e tymit të bardhë, shenjë e drogës që digjej dhe fushave me plantacione të cilave banorët i vunë flakën. Fshati është marrë në kontroll nga 800 efektivë policie, të cilët po ruajnë rendin e qetësinë dhe paralelisht po vijojnë kontrollet për zbulimin e vendit se ku janë fshehur 12 të shpallurit në kërkim. Blutë kanë arritur që të gjejnë banesën, ku u strehuan për disa ditë trafikantët që sulmuan blutë me armatime të rënda, mitraloz dhe mortaja. Nga kontrolli është gjetur një sasi e madhe municionesh, por vetë Lilo Brahimaj dhe trafikantët kanë mundur që të arratisen, me dyshimin se janë fshehur në brendësi të fshatit. Gjatë aksionit të djeshëm të bluve u zbulua në një banesë mitralozi, i cili ka hapur zjarr ndaj bluve për disa ditë resht. Në banesë u gjet edhe një sasi e konsiderueshme e kanabisit, ndërsa në total janë asgjësuar 12 tonë e 800 kg hashash dhe 80 mijë rrënjë kanabisi. Në pranga kanë përfunduar 14 persona, të akuzuar për armëmbajtje pa leje, prodhim lëndësh narkotike dhe tentativë vrasjeje të policisë. Mes të arrestuarve është edhe djali i Gate Mahmutajt, Vandam Mahmutaj, i cili ka mohuar akuzat. Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e shtetasit Vandam Mahmutaj janë gjetur e sekuestruar në cilësinë e provës materiale 1363 kg hashash, 8500 rrënjë bimë narkotike, 1000 fishekë model 56.225 gëzhoja model 56, 1 granatë dhe një armë pistoletë shenjëdhënëse, si dhe një sasi e konsiderueshme fishekësh të llojeve të ndryshme.

 

Operacioni

Rreth orës 15:00, nga ana e Policisë së Shtetit nisi aksioni për të marrë në kontroll qendrën e Lazaratit. Në ndihmesë të bluve u vunë dy helikopterë, të cilët transportuan efektivë të FNSH-së dhe armatimet që do të ishin të nevojshme. Me ndërhyrjen nga ajri është bllokuar çdo lloj daljeje e lazaratasve. Kështu, është bllokuar dalja nga mali i Sopotit dhe nga pjesa veriperëndimore e jugore. Vetëm pas dy orësh është bërë e mundur zbarkimi në qendrën e fshatit, ku blutë kanë nisur nga kontrollet. Rreth orës 17:40 FNSH kanë hyrë në qendër të Lazaratit, nga pjesa e poshtme, ndërsa forcat RENEA kanë hyrë nga zona e sipërme e Malit duke vendosur kështu kontrollin në “fshatin rebel”. Mësohet se janë ngjitur në qendër të fshatit 8 autoblinda të policisë, të cilat kanë nisur kontrollin shtëpi më shtëpi. Janë gjetur shumë banesa të braktisura, të tjera me njerëz, por që janë treguar bashkëpunues me policinë, kanë hapur derën për kontroll. Kishte edhe nga ata që pranuar se kishin kultivuar hashash, por që tashmë nuk do ta bëjnë më. Ndërkohë që forcat speciale, të transportuara me helikopter, kanë arritur në vendin ku qëllohej me mitraloz të rëndë, duke marrë kështu një nga bazat e “rebelëve” që prej 5 ditësh sulmojnë policinë, për ta ndaluar të përparojë drejt fshatit. Forcat speciale kanë mundur të sekuestrojnë edhe mitralozin, me të cilin banorët e Lazaratit sulmonin policinë. Mësohet se banesa ndodhet në pjesën veriore të fshatit. Policia ka zbritur në këmbë nga mali i Sopotit. Ndërkohë, operacioni po drejtohet nga afër prej drejtorit të Policisë, Artan Didi. Policia bën me dije se në shtëpinë e R. Gevenit u gjetën 150 kg dhe 200 rrënjë kanabis, ndërsa në shtëpinë e E. Mahmutaj u gjetën 18 thasë dhe të mbjella me kanabis.

 

Sekuestrimet

Forcat e Policisë së Shtetit po vijojnë me depërtimin hap pas hapi për në brendësi të fshatit Lazarat, duke ushtruar kontroll në territoret e banesave, tokave përreth tyre dhe në tokat e komunës. Gjatë veprimeve në terren forcat policore janë të pajisura me mjete të posaçme për veprime kundër grupeve dhe bandave të armatosura dhe armatim i rëndë për t’iu përgjigjur reagimit me armë të grupit kriminal. Për transportin e forcave dhe të pajisjeve policore janë përdorur edhe helikopterët. Gjatë paradites së djeshme është ushtruar kontroll në territoret e një numri të konsiderueshëm banesash dhe ambientesh të tjera në brendësi të fshatit Lazarat, tokave përreth tyre dhe në tokat e komunës në territorin, ku forcat e policisë kanë depërtuar në zonë. Në kuadër të këtyre kontrolleve janë gjetur e asgjësuar mbi 287 kg marijuanë, si dhe sasi armatimi e municioni. Policia e Shtetit do të vijojë me vendosmëri operacionin e ndërmarrë gjatë këtyre ditëve deri në përmbushjen e plotë të objektivave. Sipas policisë, gjatë ditës së djeshme janë vënë në pranga 5 persona, të dyshuar si autorë të sulmit me armë ndaj efektivëve. Në pranga kanë rënë shtetasit: Rustem Mahmutaj, 19 vjeç, banues në Lazarat; Teslim Mahmutaj, 22 vjeç, banues në fshatin Lazarat; Vandam Mahmutaj, 19 vjeç, banues në Lazarat; Hysen (Neni) Çela, 48 vjeç, nga Lazarati.

 

Policia: Jemi të pranishëm në gjithë Komunën e Lazaratit

 Në vijim të aksionit që po zhvillohet në Lazarat, Policia e Shtetit njofton se është e pranishme në të gjithë komunën, duke mbajtur nën mbikëqyrje situatën. Sipas policisë, banorëve të Lazaratit po u ofrohet rend dhe siguri, ndërsa shprehet falënderim ndaj tyre për mbështetjen e që i kanë dhënë forcave të policisë. Ndërkaq, u bëhet thirrje banorëve të Lazaratit që të qëndrojnë në banesat e tyre dhe të asistojnë veprimet procedurale të Policisë së Shtetit. Sipas Policisë së Shtetit, “kështu garantohet një veprim profesional, ligjor dhe në përputhje me standardet dhe në respekt të plotë të lirive dhe të drejtave të njeriut”.

 

Arrestimi/ Prangoset djali i Gate Mahmutajt, nën akuzë për tentativë vrasjeje të policëve

Pas vetëdorëzimit të dy ditëve më parë të kreut të organizatës kriminale në Lazarat, Razip Mahmutaj, Policia e Shtetit ka mundur të vërë në pranga dhe një prej djemve të tij, Vandam Mahmutajn 19-vjeçar. Arrestimi i Vandam Mahmutajt, sipas Policisë së Shtetit, është bërë së bashku me 4 persona të tjerë mes tyre Rustem Mahmutaj, Telsim Mahmutaj kushërinj mes tyre. Vandam Mahmutaj do të përballet tashmë me drejtësinë me akuzën e vrasjes së mbetur në tentativë të punonjësve të policisë kryer në bashkëpunim, armëmbajtje pa leje, kultivim narkotikësh. Aktualisht, Vandam Mahmutaj së bashku me 3 shtetasit e tjerë të arrestuar Telsim dhe Rustem Mahmutaj si dhe Neni Çela do të sillen në Tiranë për t’u gjykuar nga Krimet e Rënda. Pas arrestimit të këtyre shtetasve policia ka mundur të sekuestrojë një sasi të konsiderueshme municioni luftarak, 1000 fishekë model 56, 225 gëzhoja model 56, 1 granatë dhe një armë pistoletë shenjëdhënëse, si dhe një sasi e konsiderueshme fishekësh të llojeve të ndryshme në banesën e Vandamit. Aktualisht numri i të arrestuarve ka arritur 13 deri këtë të enjte që është dita e 5-të e ndërhyrjes policore në fshatin Lazarat. Në “kor”, familjarët e Gate Mahmutajt kanë shfajësuar të afërmin e tyre, duke këmbëngulur se nuk ka lidhje me sulmin ndaj policisë dhe nuk është marrë me kultivimin e hashashit. Behanime Meçi, motra e të akuzuarit Mahmutaj, deklaroi dje se ai nuk ka lidhje me asnjë prej ngjarjeve në të cilat e implikojnë. “Vëllai im nuk ka qëlluar. Ai ishte me bagëti”, – tha Meçi. Në një prononcim për mediat, Nasip Mahmutaj, vëllai i personazhit më të shumëpërfolur përgjatë tri ditëve të fundit, e mbase dhe për një kohë të gjatë në të ardhshmen, theksoi se Gatja po viktimizohet, pasi ai nuk ka as vila e pasuri dhe, sipas tij, po vuan pasojat e një fshati. “Vëllai im po viktimizohet. Kjo është një lojë politike, ai nuk është bos”, – tha vëllai i Mahmutajt.

 

Lazarat/ Zbulohen dy laboratorë për prodhimin e vajit të kanabisit

 Kontrolli i uniformave blu ka zbuluar dy laboratorë droge në një banesë të braktisur. Nga të dhënat e bluve mësohet se këto laboratorë përdoreshin për prodhimin e vajit të kanabisit që nxirret nga procesi i distilimit. Në banesë janë gjetur pajisje për presim të kanabisit dhe makineri që realizojnë nxjerrjen e vajit nga bima. Sipas policisë, në brendësi të banesës u gjet edhe një sasi e madhe kanabisi dhe armë. Ndërkaq, njoftohet se vijon aksioni i policisë për kontrollin e banesave të fshatit Lazarat. Por nuk dihet ende se në pronësi të kujt ka qenë banesa, e cila dyshohet se menjëherë pas mësymjes së bluve është braktisur. Ndërkohë që menjëherë pas mbërritjes në Lazarat forcat e policisë kanë zbuluar bazën më të madhe të municioneve. Kjo bazë, nga e cila grupi i banditëve qëllonte me armë ndaj policisë, i përket shtetasit Lilo Brahimi, rreth 60 vjeç. Në bazën e municioneve u gjetën mortaja, eksploziv, armë zjarri, si dhe dylbi me infra. Nisur edhe nga objektet dhe sendet e gjetura në këtë bazë rezulton se të kërkuarit nga policia janë strehuar aty, dhe më pas janë larguar bashkë me Lilo Brahimin. Sipas policisë, këta shtetas, të armatosur, nuk kanë arritur të largohen nga Lazarati, dhe strehohen diku brenda fshatit. Ndërkaq, vajza e Lilo Brahimit, rreth 35 vjeç, ka tentuar të ndalojë forcat e policisë së ushtrojë kontroll në banesë dhe në bazën ku mbaheshin municionet. Dyshohet se municionet janë marrë nga depot e armëve të Gjirokastrës, ndërsa dylbitë me infra, rezultojnë të jenë angleze. Në bazën e Lilo Brahimit rezulton se janë gjetur dhe sekuestruar armë, tritol, granata, dhe 7 automatikë, me të cilët dyshohet se është qëlluar drejt policisë.

 

Policia/ “Falënderim banorëve që na mbështetën”

 Polica e Shtetit ka falënderuar dje ata banorë në Lazarat që e kanë mbështetur operacionin e policisë. “Policia e Shtetit falënderon banorët e Lazaratit për mbështetjen që po i japin policisë gjatë këtij operacioni. Vijon përparimi i strukturave të policisë në brendësi të fshatit Lazarat”, – thuhet në njoftimin më të fundit nga Policia e Shtetit. Disa banorë nga Lazarati shprehen se nuk kanë asnjë shqetësim nga policia. Ata tregojnë se netët e para të operacionit kanë ngelur pa gjumë për shkak të të shtënave. Madje, dy ditë janë larguar në Gjirokastër.

Ministri i Brendshëm/ “Falënderoj policinë për këtë aksion”

 Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, ka komentuar operacionin e djeshëm të FNSH-ve, të cilat përparuan në brendësi të fshatit. Ai nuk ka ngurruar të falënderojë policinë për këtë aksion. “Vazhdon progresi. Policia tani gjendet në shtëpinë prej nga gjuante mitralozi i rëndë. Bravo çuna, bravo! Është marrë nën kontroll objekti ku ishte vendosur mitralozi i rëndë që qëllonte me armë drejt policisë”, – komentoi më tej Tahiri.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency