Zonat më të varfra të Shqipërisë

0
166

varferiStudimet e INSTAT-it tregojnë se një sërë familjesh në Shqipëri janë “të mbërthyera” nga varfëria. Në një anketë e cila përfshin një kampion prej 6671 familjesh që përbëjnë dhe njësinë e vrojtimit. Kampioni është zgjedhur me short duke përdorur zgjedhjen me dy raunde. Si bazë zgjedhjeje shërbyen të dhënat e Regjistrimit të Popullsisë dhe Banesave, tetor 2012. Në raundin e parë, u zgjodhën në mënyrë të rastit 834 Njësi Primare të Zgjedhjes (NJPZ) për të përfaqësuar të gjithë territorin e vendit. Më pas, u përzgjodhën për t’u intervistuar në raundin e dytë 8 familje për çdo NJPZ me procedurën e zgjedhjes sistematike. Gjithashtu, u zgjodhën edhe 4 familje të tjera për çdo NJPZ që do të shërbenin si zëvendësuese të të parave në rastet e mospërgjigjeve apo pamundësisë së kontaktit duke bërë të mundur realizimin e objektivit 6671 intervista pranë familjeve.

 

Varfëria monetare: 

Për llogaritjen e kufirit të varfërisë monetare është përdorur metodologjia e “Kostos së Nevojave Bazë”. Kufiri i varfërisë është llogaritur duke përdorur shportën ushqimore që konsumohet nga individët që ndodhen në decilen e dytë deri në të katërt . Duke patur parasysh rekomandimet e FAO për konsumin minimal të kalorive sipas moshës dhe gjinisë dhe duke i përshtatur këto kërkesa për kalori sipas shpërndarjes së popullsisë në Shqipëri në vitin 2001, marrja e kalorive të nevojshme për frymë u përllogarit në 2,288 kalori në ditë. Komponenti jo-ushqimor i varfërisë u llogarit duke marrë në konsideratë përqindjen e shpenzimeve për artikujt jo-ushqimorë të atyre familjeve që shpenzonin për artikuj ushqimorë një vlerë të përafërt me kufirin e varfërisë për ushqim. I llogaritur në këtë mënyrë, kufiri i varfërisë për ushqim (ose kufiri i varfërisë së tejskajshme) u vendos në 3,047 Lekë për frymë në muaj ndërsa kufiri i plotë i varfërisë, i plotësuar me nevojat për artikujt bazë jo-ushqimorë, u vendos në 4,891 Lekë për frymë në muaj me çmime konstante (2002).

Të gjitha llogaritjet e bëra, bazuar në vitet 2005, 2008 dhe 2012, kanë si bazë krahasuese vitin 2002. Për këtë arsye të gjitha rezultatet janë deflatuar për t’i sjellë në vlera reale, që do të thotë se janë pastruar nga influenca e ndryshimit të çmimeve në periudhat përkatëse.

Për llogaritjen e kufirit të plotë të varfërisë, është llogaritur në fillim një kufi varfërie për ushqimet (ose për koston e marrjes së një sasie minimale kalorish) dhe më pas është shtuar për të përfshirë artikujt bazë jo-ushqimorë të konsideruar minimalisht të nevojshëm për të jetuar. Pjesa përbërëse jo-ushqimore është llogaritur si një mesatare e përpjesës jo-ushqimore të shpenzimeve të atyre familjeve që shpenzojnë gati të njëjtën vlerë për ushqim siç përcaktohet nga kufiri i varfërisë ushqimore.

 

Varfëria jo-monetare

Varfëria jo-monetare përbëhet nga tregues që nuk kanë lidhje me aspektin monetar por me aksesin në shërbimet bazë dhe cilësinë e tyre. Shpesh, për të plotësuar aspektin monetar të varfërisë me atë jo-monetar përdoret indeksi i nevojave bazë të paplotësuara (NBP). Ky indeks është i përbërë nga pesë tregues të vendosur së bashku që tregojnë: papërshtatshmërinë e furnizimit me ujë dhe tualetit (mungesë e ujit të rrjedhshëm dhe ËC me kanalizim në banesë), papërshtatshmërinë e kushteve të strehimit (sipas perceptimit të vetë familjes), papërshtatshmërinë e furnizimit me energji elektrike (ndërprerje për 6 orë e më shumë në ditë), mbipopullimin e banesës (3 ose më shumë persona për dhomë) dhe papërshtatshmërinë e nivelit arsimor të kryefamiljarit (me arsim primar ose më të ulët). Një familje do të konsiderohet e varfër nëse nuk janë plotësuar dy ose më shumë nga nevojat bazë dhe ekstremisht e varfër kur nuk janë plotësuar tre ose më shumë nga ato.

 

Nevojat bazë të paplotësuara

– Papërshtatshmëria e furnizimit me ujë dhe WC me kanalizim
– Papërshtatshmëria e kushteve të strehimit
– Papërshtatshmëria e furnizimit me energji elektrike
– Mbipopullimi i banesës
– Papërshtatshmëria e arsimimit të kryefamiljarit

 

Si ka ndryshuar varfëria përgjatë 10 viteve

Si pasojë e krizës globale financiare dhe situatës së përgjithshme makroekonomike lidhur me normat e ulëta të rritjes që nga viti 2008, varfëria në Shqipëri është rritur. Pjesa e popullsisë, konsumi mujor real për frymë i së cilës është nën 4.891 lekë (me çmimet e vitit 2002), u rrit nga 12.4% në 2008 në 14.3% në vitin 2012. Në vitet e mëparshme, varfëria ka rënë nga 25.4% në 2002 në 18.5% në vitin 2005 dhe 12.4% në vitin 2008. Kjo do të thotë se rreth 28.896 individë në shtesë të 373,137 individëve të varfër në vitin 2008 kanë rënë në varfëri. Popullsia ekstremisht e varfër, e përcaktuar si personat që kanë vështirësi në përmbushjen e nevojave bazë ushqimore, është rritur nga 1.2% në vitin 2008 në 2.2% në vitin 2012. Varfëria ekstreme kishte rënë nga 4.7% në vitin 2002 në 3.5% në 2005 në 1.2% në vitin 2008 Në vitin 2012, varfëria ekstreme është rritur si në zonat urbane 2.2% ashtu dhe në ato rurale 2.3%.

 

Treguesit

Dy tregues të tjerë alternativë, përveç shkallës së varfërisë (përqindja e të varfërve), janë hendeku i varfërisë dhe ashpërsia e varfërisë. Hendeku i varfërisë (nganjëherë referuar si thellësi e varfërisë) tregon se sa larg janë familjet nga linja e varfërisë. Ky tregues përftohet nga raporti i shumës së diferencave të konsumit të të varfërve nga linja e varfërisë për të gjithë të varfrit ndaj totalit të popullsisë, duke e shprehur atë si përqindje të linjës të varfërisë. Pra, një hendek varfërie prej 2 për qind do të thotë se shuma e përgjithshme që do t’u duhej të varfërve për të arritur nivelin e linjës së varfërisë është e barabartë me popullsinë shumëzuar me 2 për qind të linjës së varfërisë. Avantazhi kryesor i hendekut të varfërisë është se kontributi individual i një të varfëri në varfërinë e përgjithshme është më i madh sa më i varfër është individi. Treguesi i dytë alternativ është ashpërsia e varfërisë, përparësia kryesore e të cilit është ndjeshmëria e tij ndaj pabarazisë midis të varfërve. Ashpërsia e varfërisë merr parasysh jo vetëm distancën e të varfërve nga linja e varfërisë por edhe pabarazinë midis të varfërve. Kështu, të varfrit që janë më larg linjës së varfërisë kanë një peshë më të madhe. Të dhënat tregojnë se hendeku i varfërisë është rritur nga 2.3% në 2008 në 2.9% në vitin 2012. Megjithatë, numri vazhdon të jetë shumë më i ulët në krahasim me 5.7% në vitin 2002. Hendeku i varfërisë kishte rënë nga 4.0% në 2005 në 2.3% në vitin 2008. Ashpërsia e varfërisë është rritur lehtësisht nga 0.7% në vitin 2008 në 1% në vitin 2012. Më parë, ky tregues ka rënë nga 1.9% në vitin 2002 në 1.3% në vitin 2005.

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency