Legalizimet në bregdet/ Si ndahen zonat e lira, Golem, Lalzi dhe Velipoja

0
196

Florenc Drizari

velipoja “Rreth 12-15 mijë subjekte që kanë blerë prona në fshatrat turistike, me probleme të pazgjidhura”

Komisioni për Veprimtarinë Prodhuese miratoi dje nen për nen projektligjin “Për rregullimin e pronësisë mbi truallin shtetëror për zonat me përparësi turizmin”. Drafti pritet të shqyrtohet të mërkurën paradite edhe në Komisionin e Ligjeve, si komision përgjegjës, dhe më pas do të kalojë për votim në seancën plenare të së enjtes.

Në mbledhjen e djeshme deputetët debatuan me kreun e ALUIZNI-t, Artan Lame, lidhur me zgjidhjen e ngërçit se kush do t’i përfitojë zonat e lira në bregdet në fshatrat turistike, qytetarët që kanë blerë banesat e tyre apo personat e stimuluar, ata që kanë ndërtuar këto fshatra.

Fillimisht deputeti socialist Fatmir Toçi tha se ligji “Për rregullimin e pronësisë mbi truallin shtetëror për zonat me përparësi turizmin” krijon konflikte mes qytetarëve që kanë blerë banesa dhe personit të stimuluar. Deputeti i mazhorancës bëri edhe një propozim konkret, duke thënë se “personi i stimuluar duhet të ketë përparësi në blerjen apo në menaxhimin e këtij trualli të lirë. Kjo e zgjidh problemin. Nëse personi i stimuluar nuk do që ta marrë, atëherë të shihet mundësia se si ta marri. Shqetësimi im lidhet me atë që kjo nuk e zgjidh problemin dhe sot gjeneron konflikt”, – tha deputeti Toçi, duke iu referuar nenit 7 në pikën 2 të këtij ligji. Sipas tij, ligji nuk shprehet qartë nëse personi i stimuluar ka të drejtë të kërkojë blerjen e të gjithë truallit të miratuar sipas planit të qeverisë dhe nëse nuk ka kërkesa nga subjektet e interesuara, atëherë subjekti i interesuar mund të jetë edhe një person që jeton larg këtyre zonave.

“Po ato fshatra ku kanë mbaruar dhe dy objekte që s’i kanë bërë dhe është truall i lirë? Pra, ky ligj nuk e zgjidh problemin. Në çdo fshat turistik ka objekte të lira dhe problemi nuk zgjidhet”, – theksoi deputeti socialist.

Nga ana e tij, kreu i ALUIZNI-t tha se në fshatrat ku apartamentet janë shitur, subjekti ndërtues nuk mund të blejë truallin e lirë, ndërsa në fshatrat kur subjekti nuk i ka shitur apartamentet, i lind e drejta që ta blejë subjekti, për faktin se sipas tij, e blen për ta menaxhuar.

Kreu i ALUIZNI-t sqaroi më tej se në fshatrat e Golemit, të Gjirit të Lalzit dhe të Velipojës, fshatrat janë të shitura dhe në këto zona subjekti nuk ka të drejtë të blejë truallin e lirë. Por ai theksoi se ka disa raste që janë duke u ndërtuar dhe ende ka apartamente pa shitur. “Ne tani i themi që shteti të jep të drejtën ta blesh pa e ndërruar destinacionin. Ndërsa në fshatrat që fola më lart ku janë shitur banesat, personi i stimuluar nuk mund t’i blejë më hapësirat, sepse ato janë të shitura”, – deklaroi kreu i ALUIZNI-t, Artan Lame.

Më tej, drejtori i Agjencisë së Legalizimeve sqaroi se të gjitha kategoritë e fshatrave turistike të mbledhura bashkë shkojnë në rreth 12-15 mijë subjekte që kanë blerë apartamente, apo prona në këto fshatra turistik. Aktualisht, sipas përfaqësuesve të qeverisë, këto fshatra janë në një regjim juridik të pazgjidhur, pasi sipas tyre rreth 2-3 mijë persona kanë bërë procedurën e blerjes së truallit, ndërsa pjesa tjetër është në pritje për vijimin e punës së ligjit, për t’u përfshirë në të.

Nga ana e tij, deputeti i opozitës, Genc Ruli, tha se për zonat e lira nga ndërtimet, që kanë një funksion ekonomik, si restorantet, pishinat, fushat e sportit etj., personi i stimuluar mund të marrë pjesë dhe të ketë një lloj detyrimi përparësie ndaj pronarëve, në të kundërt, sipas Rulit, do të ngelen përsëri njolla harte brenda fshatrave turistike, për të cilat do të ketë një grindje dhe status të papërcaktuar pronësie.

 

Rreth 15 mijë persona kanë blerë apartamente në 100 fshatra turistike pa marrëveshje

 Nga të dhënat e ALUIZNI-t, rezultojnë që fshatrat turistike me marrëveshje qiraje janë 52, me 6-8 mijë njësi banimi. Në shifrën prej 6-8 mijë përfshihen (ka fshatra të tjerë që nuk kanë aplikuar ende dhe kjo bën që shifrat të mos jenë të sakta sipas përfaqësuesve të ALUIZNI-t), familje që kanë blerë apartamente në këto fshatra turistike.

Përveç fshatrave turistike me marrëveshje, sipas përfaqësuesve të ALUIZNI-t, ka edhe fshatra turistik pa marrëveshje qiraje. “Është kategoria që ka marrë lejen e ndërtimit dhe kur kanë shkuar në ministri për të lidhur marrëveshje, për një arsye burokratike nuk u është lidhur marrëveshja. Këto sot rezultojnë pa marrëveshje qiraje dhe të tilla janë 63 fshatra me 3-4 mijë banimi, por mund të jenë rreth 100 fshatra. Aktualisht 63 fshatra kanë aplikuar tek ALUIZNI. Kjo kategori nuk përfshihej fare në ligjin ekzistues dhe kjo për shkak të një nxitimi që u bë në 2009. Kategori tjetër janë veprimtaritë që nuk përfitonin as truall apo as iniciativat shtetërore apo doganore, por janë të ndërtuara në fshatra turistik me ministrinë. Tani janë paraqitur rreth 10 deri tani, por duhet të jenë rreth 40 veprimtari të tilla me 1000 apartamente”, – shpjegoi dje para deputetëve të Komisionit të Veprimtarisë Prodhuese, kreu i ALUIZNI-t, Artan Lame. Sipas tij, rezulton vetëm një rast përplasjeje me AKKP-në, veprim që nga ana juridike ka qenë i palejueshëm, sepse, sipas tij, AKKP nuk lejohej të vepronte mbi zonat turistike.

“Ka vetëm një vendim nga AKKP-ja që prek 6 subjekte, fshatra turistike, me rreth 130 banesa. Për këtë arsye është përfshirë një nen më vete sesi do të trajtohet kjo kategori”, – ka thënë Lame.

 

Tre kategoritë se si ndahen fshatrat turistike

 1. Fshatra turistike të ngritura dhe të shitura që janë pjesa dërmuese

2. Fshatra turistike të ngritura dhe të ruajtura destinacioni, që është vetëm një rast Mak Albania.

3. Fshatrat turistike në ndërtim e sipër që ka gjasa të ruajnë destinacionin

 

Rishqyrtim për Kodin Doganor, Xhafaj: Ligje të përkthyera keq

Shqyrtimi i projektligjit për Kodin Doganor në Komisionin e Ligjve një ditë më parë ka ngritur një sërë pikëpyetjesh për deputetët e maxhorancë. Kryetari i Komisionit të Ligjeve Fatmir Xhafaj, ka deklaruar se shumë nene të këtij ligji duhen rishqyrtuar pasi janë të komplikuara e janë marrë shabllon nga shtete të tjera dhe kjo sjell hapësira për korrupsionin.

“Nuk mund të ekzistojnë në logjikën normale. Ligji në shumicën e dispozitave është i përkthyer dhe gjatë përkthimit është bërë një përshtatje edhe me frymën e ligjislacionit edhe me ligjet e tjera, por dhe me gjuhën e thjeshtë për tu kuptuar dhe zbatuar”,-tha Xhafaj Ndërkohë deputeti, Bashkim Fino, ngriti shqetësimin për faktin se nenet e kodit doganor nuk hyjnë në fuqi në të njëjtën kohë. “Një gjë tjetër që hyn në 1 janari të 2015 dhe një tjetër në 2017, por kjo do krijojë problemin e zbatimit të kodit të atyre njerëzve apo vetë punonjësve doganorë”,-tha Fino.

Zëvendësministri i Financave, Ervin Mete u shpreh se nisma synon lehtësimin dhe thjeshtëzimin e procedurave doganore si dhe rritjen e luftës kundër mashtrimit për t’iu përgjigjur zhvillimeve të tregtisë ndërkombëtare si dhe nevojave të operatorëve ekonomikë. Sipas tyre, me anë të projektligjit të ri synohet unifikimi i një numri rregullash dhe praktikash të rëndësishme që përfshijnë masa të cilat çojnë në kalimin në një mjedis doganor elektronik pa letër si dhe dispozita për të futur procedurat doganore për operatorët ekonomikë të autorizuar (“AEO”), përfshirë zhdoganimin e centralizuar.

Më tej kryetari i Komisionit Fatmir Xhafaj kërkoi prej përfaqësuesve të qeverisë thjeshtëzimin e gjuhës së përdorur në hartimin e kësaj nisme, ndërsa vlerësoi risitë që ajo sjell.

Zëvendësministri i Financave, Ervin Mete u shpreh se gjuha e komplikuar për draftimin e këtij ligji vjen nga aktet e BE-së , ndërsa theksoi se një variant i tillë përdoret edhe në të gjithë vendet e tjera të BE-së.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency