Belgjika përmbys rezultatin dhe mposht Algjerinë

0
128

belgjike-algjeriBelgët arritën në pjesën e dytë të shënonin me anë të Fellainit dhe Mertensit, duke marrë kështu një triumf shumë të rëndësishëm në luftën për kreun e grupit H

 Pjesa e parë nis e qetë për të dyja kampet. Një lojë në të cilën të dyja ekipet tentojnë që të njohin lojën e njëra-tjetrës. Që në minutat e para u vu re një aneksim i të dyja ekipeve drejt dy modeleve të lojës. Nga njëra anë ishte Belgjika që mundohej të ndërtonte aksione. Kurse në anën tjetër, Algjeria me lojën e saj tip katenaço. Një model të cilin tekniku boshnjak kishte arritur ta instalonte shumë mirë te skuadra algjeriane. Fraksioni i parë u karakterizua nga një lojë mjaft monotone nga të dyja kampet. Belgjika duket se nuk është në dite të mirë dhe bën shumë gabime, si në anën mbrojtëse, kur lëshon shumë pe me gabimet, duke u dhënë topin kundërshtarëve, por edhe në fazën sulmuese skuadra belge kishte probleme, pasi nuk organizohej mirë në mesfushë dhe në sulm nuk arrinte asnjëherë një top i rrezikshëm. Këtu mund t’i shtosh lojës edhe faullet e shumta, të cilat duket se e bënin edhe më të bezdisshme lojën. Mbrojtja e brishtë e Belgjikës duket se do të sillte edhe disfatën e parë për skuadrën. Pas një aksioni nga algjerianët do të ishte Vertongen ai që do ta tepronte me mbajtjen e Fegohulit në zonë dhe arbitri do të akordonte penallti. Një 11-metërsh që do të kthehej në gol nga Fegohuli, i cili do të mposhte Kurutanë që do ta shikonte topin që i kalonte mbas shpine pa mundur të bënte asnjë. Algjeria kalon në epërsi dhe kjo duket se shton edhe më shumë presionin te Kompani me shokë. Menjëherë skuadra evropiane mundohet që të lëvizë. Mirëpo gjithçka duket si një simfoni e cila prishet në notat e fundit. Aty ku Lukaku ose bën gabime personale, ose nuk shërbehet mirë me topa. Një dështim skematik i skuadrës së Vilmotsit që nuk arrin të depërtojë dot në lojën e ndërtuar nga tekniku Haliloxhiç. Fraksioni parë kështu do të mbyllej pa rezultat të ndryshuar dhe me një Algjeri që është afër një triumfi historik. Pjesa e dytë, siç ka ndodhur në disa ndeshje të këtij Botërori, do të ishte edhe pika e kthesës për skuadrën blege e cila do të tregonte që ka premisa për të qenë surprizë në të ardhmen. Vilmots, duke parë edhe lojën që u bë në pjesën e parë, vendosi që të bëjë disa ndryshime teknike. Në vendin e Cadlit do të hynte lojtari i Napolit, Mertens. Ndërsa minuta më vonë do të do të zëvendësohej edhe Lukaku, i cili nuk bëri një paraqitje të mirë. Kurse i treti dhe i fundit ishte Dembele ai që do të zëvendësohej nga mesfushori i Mançester Junajtidit, Fellaini. Një zgjedhje mjaft e zgjuar e teknikut belg, i cili duket se gjeti mënyrën e duhur për t’i dhënë suksesin skuadrës. Ishin belgët ata që pjesën e dytë filluan që të tregoheshin më të vendosur për të ndryshuar rezultatin. Loja ishte më ekspresive dhe më e saktë për Hazardin dhe De Bruinen, të cilët arritën që të gjenin hapësirat e duhura për të realizuar më shumë lojë. Stoli duket se bëri diferencën dhe algjerianët e panë veten e tyre në vështirësi ndaj zëvendësimeve të reja. Fellaini dhe Mertens duket se ishin dhe kyçi i suksesit që arritën të zgjidhnin edhe lojën. Do të ishte Fellaini ai që do të barazonte rezultatin për skuadrën e tij. Lojtari i Junajtidit do të godiste mjaft mirë me kokë pas një krosi dhe do të ekzaltonte kështu tifozët belgë me këtë gol që duket se çliroi pak ekipin nga barra e humbjes. Ndërsa pas barazimit të shifrave duket se sfida u rregullua edhe më shumë dhe u bë më e hapur. Tashmë belgët duket se arritën të dilnin në lojën e tyre dhe gjetën më shumë zona të lira në mbrojtjen e brishtë algjeriane. Dhe pas kësaj loje do të vinte edhe goli i dytë mjaft shpejt. Do të ishte Mertens ai që do të gjendej mjaft mirë afër zonës dhe do të mposhtte gardianin Bolhi që do të pësonte golin e dytë. Një gol që duket se çoi në qiellin e shtatë skuadrën e Januzat që pak më parë ishte duke humbur. Pjesa tjetër më pas ishte e thjeshtë për belgët që u munduan të menaxhonin rezultatin. Ishte Fellaini ai që pati shansin për të trefishuar rezultatin por që portieri Algjerian arriti që të reagonte mjaft mirë. Kështu sfida u mbyll me një sukses të merituar, por të vuajtur të Belgjikës që merr nj tre pikësh shumë të vlefshëm për kualifikimin në raundin tjetër.

 

Myler: Nuk e provokova Pepen

Tomas Myler u shpreh se ai nuk e provokoi mbrojtësin e Portugalisë, Pepe, që u ndëshkua me karton të kuq nga gjyqtari i ndeshjes. Gjermani e turpëroi Portugalinë me rezultat të lartë prej 4-0, teksa Myler, i cili shkëlqeu me një het-trik, ishte shkaktar që Pepe u përjashtua nga loja me karton të kuq, duke rënduar edhe më shumë gjendjen e skuadrës. “Do të doja ta shihja përsëritjen në TV. Shpresoj që të duket mirë sa i përket anës sime. Unë e ndjeva një goditje me grusht dhe vërtet kështu ndodhi”, – shpjegoi Myler. “Çfarë ndodhi pas kësaj nuk mund të them saktësisht. Shpresoj që nuk jam dukur budalla. Nuk desha të provokoja asgjë, por nuk e di 100% se si kam reaguar në këtë situatë”, – ka përfunduar bavarezi.

 

 Del Boske: E kam përcaktuar kush luan ndaj Kilit

Del Boske deklaroi se tashmë i ka caktuar emrat e lojtarëve që do të startojnë në përballjen e të mërkurës ndaj Kilit. “La Roja” u nëpërkëmb nga Holanda në ndeshjen e parë duke pësuar me rezultat 5-1 dhe pritet të ketë ndryshime në formacionin bazë në ndeshjen e radhës. Portieri Iker Kasijas ishte fajtor për disa prej golave, ndërsa kritikave nuk u ka shpëtuar as mbrojtësi Serxho Ramos. “Kam caktuar njëmbëdhjetë lojtarë që do të luajnë kundër Kilit, mirëpo nuk do t’i njoftoj më herët. Nëse e bëj këtë, kjo mund t’ua ndryshoj disponimin para ndeshjes”, – ka thënë 63-vjeçari. Trajneri i ka mbrojtur lojtarët e tij përkundër kritikave të shumta pas humbjes nga Holanda.

 

 Roben bëhet futbollisti më i shpejtë në botë

Arjen Roben është zyrtarisht futbollisti më i shpejtë në histori, pasi ka arritur shpejtësi maksimale prej 37 kilometrash në orë në ndeshjen kundër Spanjës. Në fitoren prej 5-1 kundër “La Roja”, futbollisti i Bajernit të Mynihut e la pas vetes Serxho Ramosin duke shkuar drejt zonës dhe duke shënuar golin e pestë. Deri më tani futbollisti më i shpejtë ka qenë anglezi Teo Uollkot, i cili ka vrapuar 35.3 kilometra në orë. Më poshtë në renditje janë Antonio Valencia në vend të tretë (35.2 km/h), Gareth Bale i katërti (34.7 km/h), Aron Lenon në vend të pestë (33.8 km/h) dhe Kristiano Ronaldo që mban vendin e gjashtë (33.6 km/h). i shtati në renditje është Lionel Mesi (32.5 km/h) dhe i teti Uejn Runi (32.1 km/h). Usain Bolt mbetet njeriu më shpejtë në botë i të gjitha kohërave. Xhamajkani ka arritur shpejtësi deri në 44.72 km/h në Kampionatin Botëror të atletikës në Berlin në vitin 2009.

 

 Huedes: Arritëm të mbulonim shumë mirë Ronaldon

Benedikt Huedes ka lëvduar fazën mbrojtëse të skuadrës së tij për ndaljen e Kristiano Ronaldos në ndeshjen kundër Portugalisë. Pancerat fituan me rezultat 4-0, ndërsa ylli i Real Madridit nuk arriti të rrezikonte, edhe për faktin se që nga pjesa e parë portugezët luajtën me dhjetë lojtarë, pasi Pepe u përjashtua me të kuq. “Kishim një plan të thjeshtë”, – ka deklaruar Huedes. “Në fushë janë 11 lojtarë dhe duhet të mbështetesh te të gjithë ata për të ndalur lojtarët e tillë të përsosur individualë. Po ashtu, të katër lojtarët mbrojtës u kujdesën për të dhe u mbrojtën mirë nga ai”, – ka shtuar mbrojtësi.

 

 Koentrao: Botërori për mua mbaroi

Galaktiku Fabio Koentrao është i dëshpëruar se Kampionati Botëror mund të ketë marrë fund për të pas lëndimit që pësoi në ndeshjen ndaj Gjermanisë. Mbrojtësi portugez u lëndua vet në pjesën e dytë në ndjekje të topit duke zgjatur muskulin, ndërsa u largua nga fusha me dhimbje të madhe. Pas ekzaminimeve nga stafi mjekësor, është konfirmuar se ai nuk do të luajë më në fazën grupore. “Sinqerisht mendoj se Kampionati Botëror ka marrë fund për mua. Jam i sigurt se është lëndim serioz, megjithëse shpresoj ta kem gabim. Fatkeqësisht, gjëra të këtilla ndodhin në këtë punë. Është një ditë e pikëlluar, një nga ditët më të pikëlluara në jetën time. Mirëpo, është vetëm ndeshja e parë dhe përkundër rezultatit, ne mund të kualifikohemi në fazën tjetër”, – ka thënë mbrojtësi luzitan.

 

 Starrixh: Anglia edhe me Suarezin luan njësoj

Daniel Starrixh shpreson se bashkëlojtari i tij tek Liverpuli, Luis Suarez, të jetë plotësisht i rikuperuar për ndeshjen Uruguai-Angli. Mirëpo, sipas tij, skuadra e tre luanëve do të luajë njëjtë si me të si pa të. Sulmuesi i rrezikshëm, Luis Suarez, pritet të rikthehet nga lëndimi i gjurit për ndeshjen kundër Anglisë, edhe pse mungoi në humbjen turpëruese të Uruguait kundër Kosta Rikës me rezultat 3-1. “Shpresoj që ai të jetë i gatshëm, ne duam të ndeshemi me Uruguain më të fortë të mundshëm. Gjithçka ka të bëjë me skuadrën tonë dhe ne do të luajmë njëjtë sikur me të në fushë, sikur pa të. Unë nuk jam duke kontaktuar për momentin me Suarezin. Nuk besoj që as Stiven Xherard, Henderson, Xhonson apo Sterling po e bëjnë këtë. Nuk mendoj se ai dëshiron t’i flasë për formën e tij. Nuk më ka pyetur mua për asgjë, dhe as unë nuk e kam pyetur atë për asgjë. E kanë ata apo nuk e kanë Luisin në formacion, ne do të luajmë njëjtë”, – ka thënë lojtari i britanikëve.

 

 Mesi: Gjermania dhe Holanda, rivale serioze

Lionel Mesi ka folur për ndeshjet e ardhshme të Argjentinës në Botëror, duke treguar edhe një herë objektivin e kombëtares së tij. “Do të bëjmë gjithçka që të realizohet ëndrra e të gjithëve, por e jetoj këtë moment me qetësi. Jemi Argjentina dhe nuk mund të mendojmë për kundërshtarët tanë. Duhet të vazhdojmë të jemi atë të cilët ishim kur erdhëm. Gjërat mund të përmirësohen me kalimin e kohës. Për atë çka kam parë deri tani, Holanda dhe Gjermania më kanë tërhequr vëmendjen, por ka edhe skuadra të tjera që nuk i kanë treguar ende mundësitë e tyre, kështu që të presim sepse ky turne është ende i gjatë. Është vështirë të japësh konkluzione që pas turnit të parë”.

 

 Shaqiri: Dimë si të fitojmë ndaj Francës

Fitorja me Ekuadorin i ka hapur oreksin Xherdan Shaqirit dhe Zvicrës së tij. Shqiptari i Bajernit të Mynihut është shprehur se tani pret ndeshjen me Francën, që është një kundërshtar i fortë, por beson shumë te Kombëtarja e tij. “Ishte një fitore drithëruese në minutat shtesë. Në pjesën e parë luajtëm dobët, por pastaj… Të premten kemi Francën. Ata janë skuadra favorite e grupit tonë dhe do të jetë një ndeshje e vështirë. Por po kaq e vështirë do të jetë edhe për ta. Ne jemi super. Përpara Kupës së Botës kemi mundur Gjermaninë dhe Brazilin. Dimë si munden të mëdhatë. Do bëjmë lojën tonë dhe shpresojmë te fitorja”, – është shprehur ylli i Bajernit të Mynihut.

 

 Italia, me ndryshime ndaj Kosta Rikës

Italia duket se do të ketë ndryshime në ndeshjen e radhës. Çezare Prandeli e ka pasur grupin e futbollistëve të plotë në seancën stërvitore të radhës, pasi në dispozicionin e tij janë vënë edhe Xhixhi Bufon e Matia de Shiljo. Riaftësimi i tyre mund të konsiderohet i plotë, megjithatë shanset që ata të aktivizohen ndaj Kosta Rikës janë të pakta. Nuk mungoi në stërvitje as mesfushori Daniele de Rosi, i cili pati probleme në shtyllën kurrizore. Në seancën e fundit stërvitore Prandeli ka provuar disa skema loje për t’iu përshtatur kundërshtarit duke lënë të kuptohet se do të ketë disa ndryshime në formacion. Sa i përket portës nuk pritet rikthimi i Bufonit si titullar, ndërsa mbrojtja do të rikompozohet me Kielinin dhe Bonuçin në qendër, ndërsa Darmian dhe Abate do të mbulojnë krahët, që do të thotë se Paleta, i cili hasi vështirësi në sfidën e parë me Anglinë, do të ulet në stol. Ne mesfushë De Rosi do të luajë para mbrojtjes, ndërsa Pirlo – Tiago Mota do të jetë dyshja organizatore, me Verratin jashtë formacionit. Sa i përket sulmit nuk do të ketë asnjë ndryshim, Mario Baloteli do të mbështetet nga krahët nga Markizio dhe Kandreva.

 

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency