Autoblindat në Lazarat/ Plagoset efektivi i FNSH-së dhe 2 barinj, zbulohet laboratori i drogës

0
140

 Anxhela Tato

foto 13 Sulmi ndaj policisë, arrestohen 6 trafikantë dhe plagoset efektivi i FNSH-së

 Efektivët, kontroll 20 banesave, zbulohet laboratori i drogës dhe një sasi e madhe marijuane dhe municionesh

 4 autoblinda futen në brendësi të fshatit, 2 helikopterë në ndihmë

 Trafikantët, rezistencë 24 orë me armë, dyshime se janë fshehur në qendër nën drejtimin e Gate Mahmutajt

 Aksioni i antidrogës së policisë çon në pranga gjashtë personat e parë, katër prej të cilëve nga lista prej 26 trafikantësh, të dyshuar si personat që po bëjnë rezistencë nën udhëheqjen e Gate Mahmutajt. Ndërsa tre persona kanë mbetur të plagosur, mes tyre një efektiv i FNSH-së, i cili fatmirësisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Tashmë nga ana e efektivëve është bërë i mundur rrethimi i pikave kufitare të fshatit në tentativën për t’u futur në qendër. Situata në Lazarat vijon të jetë e tensionuar dhe gjatë 24 orëve ka pasur të shtëna në shenjë paralajmërimi ndaj bluve. Paralelisht nga kontrolli në 20 banesa është bërë e mundur sekuestrimi në sasi të madhe e kanabisit dhe e municioneve si dhe zbulimi i një laboratori droge. Në sulmet e armatosura të trafikantëve kanë mbetur të plagosur aksidentalisht edhe dy barinj. Ndërkohë që Policia e Shtetit gjatë gjithë kohës i bënë thirrje banorëve që të qëndrojnë të mbyllur nëpër banesa dhe të mos vënë jetën e tyre nën rrezik. Prej disa ditësh fshati i vogël i kanabisit është kthyer në një shesh lufte mes 800 efektivëve të policisë dhe një grupi personash me precedentë penal, të cilët ndërrojnë destinacion për t’iu shmangur arrestimit. Rreth 800 forca speciale kanë avancuar me ndërhyrjen në fshatin e Lazaratit, të cilësuar si “Republika e drogës”, ku 4 autoblinda janë futur në brendësi të fshatit kundër kultivimit të lëndës narkotike, por tashmë me një qëllim tjetër final: arrestimin e të gjithë anëtarëve të grupit kriminal që ka sulmuar me armë forcat e policisë.

 

Arrestimi

“Gjashtë persona, 4 prej tyre pjesë e listës të publikuar nga policia me emrat e 26 anëtarëve të grupit kriminal të udhëhequr nga Gate Mahmutaj, janë arrestuar në flagrancë, pasi janë paraqitur në Komisariatin e Policisë së Gjirokastrës dhe kanë dhënë deklarime kontradiktore. Sipas policisë, në bashkëpunim me persona të tjerë, 6 të arrestuarit dyshohen se janë autorët e sulmit ndaj gazetarëve të televizionit “A1 Report”, të cilëve u kanë marrë e dëmtuar edhe kamerat, telefonat, laptonin, si dhe kanë dëmtuar me armë mjetit e këtij televizioni, mjet i cili më pas është djegur. Po ashtu ata janë autorë të dyshuar të sulmit me armë ndaj forcave të policisë në datat 15 dhe 16 qershor, në momentin që këto forca po zhvillonin operacionin policor për identifikimin e sipërfaqeve të kultivuara me bimë narkotike dhe asgjësimin e tyre. Gjithashtu rreth orës 08:30 të datës 16.6.2014, në lagjen Pllakë, si pasojë e të shtënave me armë që vinin nga fshati Lazarat, është dëmtuar nga një plumb rikoshet automjeti në pronësi të shtetasit D. Sh.”, – thuhet në njoftimin e bluve.

 

Plagosja

Grupet kriminale të trafikantëve në Lazarat nuk kanë ndalur të shtënat, ndërsa 2 orë pas mesnatës së të hënës kanë plagosur një efektiv të Forcave Speciale të Ndërhyrjes së Fshehtë, në aksionin e bluve kundër kultivimit të lëndës narkotike në këtë fshat. Pas breshërive të të shtënave me armë të rënda nga 26 pjesëtarët e një grupi kriminal të udhëhequr sipas policisë nga Gate Mahmutaj, 500 forcat speciale të cilat janë përforcuar gjatë natës edhe me 300 forca të RENEA dhe DELTA nga Tirana, kanë tentuar sërish ndërhyrjen në këtë fshat, por të shtënat e trafikantëve kanë plagosur me plumb në dorë dhe në këmbë policin e FNSH-së të Shkodrës, 32-vjeçarin S. M. Një person ka mbetur i plagosur gjatë një shkëmbimi zjarri mes grupeve kriminale në Lazarat dhe Policisë së Shtetit. I plagosuri është transportuar në spitalin e Gjirokastrës, ndërsa burime nga bluzat e bardha të këtij spitali bëjnë me dije se ai është nga Ura Vajguror. Mësohet se bëhet fjalë për një bari 19-vjeçar me inicialet D. R., i cili ndodhet jashtë rrezikut për jetën, ndërsa ka marrë plagë në dorë dhe në këmbë. Rreth orës 17:30 nga të shtënat e grupit kriminal në brendësi të fshatit Lazarat, ka mbetur i plagosur në bark një 20-vjeçar, nga Pogradeci. Ky shtetas aktualisht po merr ndihmën e nevojshme pranë spitalit të Gjirokastrës dhe është jashtë rrezikut për jetën. Policia e Shtetit u bën thirrje të gjithë personave që nuk janë nga Lazarati, që të largohen nga ky fshat, pasi mund të bëhen pre e sulmit nga grupi kriminal për qëllime të caktuara.

 

Përforcohet policia

Strukturat e Policisë së Shtetit vijojnë masat dhe veprimet e ndërmarra në kuadër të planit të operacionit për asgjësimin e sipërfaqeve të kultivuara më bimë narkotike. Në vlerësim të situatës gjatë mbrëmjes së të hënës dhe ditës së djeshme janë përforcuar shërbimet policore, duke vënë në dispozicion dhe forca të tjera shtesë. Aktualisht në terren janë rreth 800 forca policore të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, Drejtorisë së Policisë së Qarkut Gjirokastër, forcave speciale RENEA, forca të FNSH-së së Fierit, Shkodrës dhe Tiranës, si dhe të Delta Forcë në Vlorë. Po ashtu në këtë operacion janë përfshirë dhe shërbime të tjera speciale të Drejtorive të Policisë së Qarqeve të tjera, si forcat elitë të shërbimeve të Tiranës, Shkodrës etj. Këto forca janë të mbështetura nga mjete të posaçme. Bazuar në planin e hartuar do vijojnë veprimet policore për asgjësimin e parcelave të kultivuara dhe kapjen e vënien para përgjegjësisë ligjore të të gjithë personave të implikuar në kundërshtimin me armë të forcave të Policisë së Shtetit. Po ashtu janë ngritur grupe speciale hetimi të orientuara nga Prokuroria për Krime të Rënda dhe Drejtoria për Krimet e Rënda në Policinë e Shtetit, të cilët po vijojnë veprimet paralel me veprimet operacionale të strukturave policore në terren për kryerjen e hetimeve dhe fiksimin e provave material. Policia e Shtetit është e vendosur në përmbushjen e objektivave dhe misionit në kuadër të këtij plan operacioni.

 

Emrat e të arrestuarve

Matjas Muhamet Bocia, vjeç 23, banues në Lazarat, Gjirokastër

Florian Nexhip Shurdhi, vjeç 29, banues në Lazarat, Gjirokastër

Juxhin Avdul Boci, vjeç 19, banues në Gjirokastër

Xhevahir Miftar Doçi, vjeç 29, banues në Dunavat, Gjirokastër

Ali Mato Basha, vjeç 46, banues në Lazarat, Gjirokastër

Emiljano Bejko Aliko, vjeç 31, banues në Lazarat, Gjirokastër

Takimi/ Ashpërsohen tonet mes ministrit dhe kryekomunarit të Lazaratit

 Dashnor Aliko: Situata, jo e qetë, nuk mund të sulmohet fshati për të kapur bandën

 Ministri Tahiri: Orës së kriminelëve në Lazarat po i vjen fundi, nëse Aliko është me ta, për ne është kriminel

 Ministri i Punëve të Brendshme, Saimir Tahiri, ka mbledhur në një takim në Drejtorinë e Policisë së Gjirokastrës kreun e Komunës së Lazaratit Dashnor Aliko. Në takim me ministrin Tahiri edhe kreu i Bashkisë Gjirokastër, Flamur Bime, prefektja Zamira Rami dhe kreu i Policisë së Shtetit Artan Didi. Policia e Shtetit është e vendosur të çojë deri në fund ndërhyrjen në fshatin e Lazaratit kundër kultivimit të lëndës narkotike, por ajo që tashmë është kthyer në një mision pa kthim është kapja e rrjetit të grupit kriminal të trafikantëve që ka rezistuar me armë nga nisja e këtij aksioni. Takimi mes ministrit Tahiri dhe kreut të Komunës së Lazaratit është zhvilluar me tone të ashpra, ndërsa pas disa orëve nga nisja e saj Aliko është larguar nga mbledhja. Ai ngriti pretendimin se është qëlluar edhe ndaj banesave të tjera dhe jo vetëm banesës ku është përqendruar grupi i trafikantëve. Por ky element është kundërshtuar nga kryepolici Didi dhe ministri Tahiri, të cilët thanë se nuk është qëlluar në asnjë banesë të fshatit nga ana e policisë. Menjëherë pas mbledhjes ka ardhur edhe reagimi i ministrit, sipas së cilit kryekomunari Aliko duhet të kryer detyrën përkrah policisë. “Ne jemi të vendosur t’i çlirojmë qytetarët e Lazaratit, t’i çlirojmë nga kriminelët. Ky është një grup që kanë pasur lidhje me politikën e prandaj duhet t’i shkëpusim njëherë e mirë lidhjet. Ky aksion do të vazhdojë. Policia e Shtetit do bëjë detyrën pavarësisht se kjo zonë është konsideruar që nuk mund të vijë kontrolli i shtetit. Atij grushti njerëzish që po vënë dorën mbi policinë iu ka ardhur ora. Jam këtu për të mbështetur policinë që po sakrifikojnë për të vendosur shtetin ligjor. Ora e kriminelëve në Lazarat po iu vjen fundi. Kryetarit të Komunës i kujtova përgjegjësitë që ka para ligjit, detyrën që ka, duhet të jetë përkrahë policisë në të kundërt po është pranë kriminelëve do ta konsiderojmë si të të tillë. Operacioni do vazhdojë derisa të shkelim çdo cep në Lazarat”, – tha ministri Tahiri pas takimit në Drejtorinë e Policisë së Gjirokastrës me kryekomunarin e Lazaratit Dasho Aliko.

 

Policia, trafikantëve/ “Dorëzoni armët, deri tani kemi parandaluar pasojat!”

 “Çdo kundërshtim dhe qëndresë me armë vetëm sa rëndon pozitën ligjore, duke u bërë dhe shkak i pasojave që Policia e Shtetit deri tani është munduar të parandalojë”. Me këtë thirrje Policia e Shtetit u ka kërkuar personave të armatosur të dorëzojnë armët.“Policia e Shtetit, është e vendosur në arritjen e objektivit për asgjësimin e sipërfaqeve të kultivuara me bimë narkotike, vënien para përgjegjësisë ligjore të të gjithë personave që gjatë këtyre ditëve kanë kundërshtuar dhe qëlluar me armë forcat e Policisë së Shtetit, duke sjellë për pasojë dhe plagosjen e një punonjësi policie në orët e para të mëngjesit të ditës së djeshme, si dhe vendosjen e rendit e të sigurisë publike në Lazarat. Njëherazi Policia e Shtetit u bën thirrje të gjithë banorëve të fshatit Lazarat, të bashkëpunojnë me policinë dhe të bëjnë të mundur identifikimin e elementëve kriminalë, që janë duke u konfrontuar me armë me policinë, duke njoftuar Policinë e Shtetit për identitetin e personave që po veprojnë në territorin e fshatit të tyre. Shërbimet e Policisë së Shtetit janë në gatishmëri të plotë dhe të vendosur për të përmbushur me sukses operacionin e ndërmarrë gjatë këtyre ditëve, duke kontribuar në sigurinë e banorëve të Lazaratit dhe të qytetarëve”.

 

Artan Didi/ “Nuk tërhiqemi pa “shkulur” kriminelët”

 Drejtori i Policisë së Shtetit, Artan Didi, i cili udhëheq nga Lazarati aksionin e policisë antidrogë, gjatë orëve të mbrëmjes u shpreh se policia nuk do të tërhiqet nga aksioni në fshatin e Lazaratit pavarësisht rezistencës të pjesëtarëve të grupeve kriminale. “Nuk largohemi pa shkulur grupin e kriminelëve nga Lazarati”, – tha në një prononcim për mediat Didi. Ndërsa është takuar me forcat e policisë, RENEA-s, FNSH-së dhe DELTA-s në fshatin Derviçan, ku ka lajmëruar përparimin e forcave dhe thellimin e operacionit në Lazarat. Ky aksion përbën dhe ndërhyrjen e parë të Policisë së Shtetit në këtë fshat kundër kultivimit të lëndëve narkotike. Kryepolici tha në një prononcim për mediat se personat që kanë qëlluar me breshëri armësh të rënda ndaj forcave speciale të policisë janë identifikuar tashmë dhe sa i përket listës me 26 emrat e grupit të trafikantëve të dyshuar se udhëhiqet nga Razim Mahmutaj, kryepolici Didi tha se lista është paraprake dhe se nuk do të penalizohen të pafajshëm. Megjithatë, Didi shprehu bindjen se personat që qëlluan nuk janë nga Lazarati.

 

 

 

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency