Vendimi/ Gjykata e Torinos e shpall të pafajshëm, në dyshim ekstradimi i Ben Qimes

0
121

Sonila Mesareja

gjykata e apelit tr Trupi gjykues rrëzoi akuzat e rënda për të cilat kërkohej ekstradimi, vendimi i Gjykatës dotë depozitohet si provë në Gjykatën e Apelit Tiranë. Pas pafajësisë, pritet lirimi i biznesmenit

Vendimi i Gjykatës së Torinos në Itali për të rrëzuar pjesërisht akuzat ndaj Arben Isufajt, duke e shpallur atë të pafajshëm për akuzën e krijimit të organizatës kriminale me qëllim trafikun ndërkombëtare të lëndëve narkotike, mund t’i sjellë atij lirinë në Apelin e Tiranës. Vendimi është marrë më datë 22 prill 2014 dhe këto ditë ka ardhur në mënyrë zyrtare edhe në vendin tonë përmes Ministrisë së Drejtësisë. Ky vendim ka vënë në alarm Prokurorinë shqiptare, që dyshon se po bëhen tratativa për mosekstradimin e tij drejt Italisë, ndërkohë që vendimi i Gjykatës së Torinos mund t’i japë lirinë Isufajt pasi të paraqitet gjatë seancës në Gjykatën e Apelit, si një provë e fortë në duart e palës mbrojtëse. Akuzat për të cilat kërkohej ekstradimi janë rrëzuar dhe këtu pritet të përqendrohet edhe argumenti mbrojtës i avokatit për klientin e tij. Për akuzën që i mbetet, e cila rrezikon deri në 6 vjet burg, pritet që pala italiane të dërgojë një kërkesë të re ekstradimi, ndërsa kërkesa aktuale, pas pafajësisë, pritet t’i japë atij lirinë.

 

Akuza

Më herët, Prokuroria italiane akuzonte biznesmenin shqiptar Arben Isufaj për “Trafik ndërkombëtar lëndësh narkotike”, neni 74 i Kodit Penal Italian, si dhe “Mbajtje, kultivim dhe shpërndarje lëndësh narkotike”, neni 73 I Kodit Penal Italian. Edhe kërkesa për ekstradimin e Isufajt është bazuar pikërisht në nenin 74 të Kodit Penal Italian, i cili parashikon një dënim deri në 30 vjet burg. Por një muaj pas arrestimit të Isufajt, Gjykata e Torinos e rrëzoi këtë akuzë. Tashmë, Arben Isufaj akuzohet vetëm për një vepër penale që parashikon dënim deri në 6 vjet heqje lirie.

 

Rrëzimi i akuzës

Rrëzimi i akuzës kryesore nga prokuroria, ka vënë në dyshim edhe kërkesën për ekstradim të Isufajt drejt Italisë, çka do të detyrojë gjyqësorin shqiptar të rishohë procedurën e ekstradimit. Kjo pasi kërkesa për arrestimin dhe ekstradimin e tij ishte bazuar pikërisht në nenin 74 të Kodit Penal Italian, pikërisht akuzat për të cilat Isufaj tashmë është i pafajshëm me vendim gjykate. Tashmë që kjo akuzë është rrëzuar nga gjyqtarët torinezë dhe shteti Italian mendohet se do të sjellë një tjetër kërkesë, këtë herë bazuar në nenin 73 të Kodit Penal Italian, dhe më pas drejtësia shqiptare ta marrë edhe një herë këtë kërkesë në shqyrtim. Ndërkohë që, Gjykata e Torinos ka ndarë çështjen e Arben Isufajt nga ajo e të pandehurve të tjerë, të cilët tashmë janë dënuar me vendim të formës së prerë. Ata janë gjetur fajtorë për krijimit të organizatës kriminale me qëllim trafikun ndërkombëtare të lëndëve narkotike, ndërsa për Isufajn kjo akuzë ka rënë.

 

Arrestimi

Biznesmeni fierak Arben Isufaj u arrestua mbrëmjen e 9 marsit të këtij viti në qytetin e Fierit dhe më pas u soll nën masa të rrepta sigurie për në Drejtorinë e Policisë së Tiranës. Arrestimi i tij u bë mbi bazën e një urdhër-arresti të firmosur nga drejtësia italiane, ku kërkohet për “Pjesëmarrje në organizatë kriminale” dhe “Trafik ndërkombëtar lëndësh narkotike”, akuza për të cilat rrezikon të dënohet me 30 vite burg. Dy ditë më vonë, Gjykata e Tiranës caktoi masën e sigurisë “Arrest me burg” ndaj të njohurit si Ben Qimja, në pritje të një kërkese për ekstradim. Më datën 4 prill, Gjykata e Apelit Tiranë e ndryshoi këtë vendim, duke caktuar ndaj Isufajt masën e sigurisë arrest me burg për 30 ditë, duke i hapur rrugë lirimit të biznesmenit nga paraburgimi. Vendimi i Apelit detyroi prokurorinë të veprojë në mënyrë urgjente dhe t’i dorëzojë gjykatës për ekstradimin e “Ben Qimes”. Gjykata e Tiranës pranoi ekstradimin e Arben Isufaj, duke detyruar avokatin e tij t’i drejtohet Apelit për ta ankimuar.

 

Vendimi/ Vjedhja e ikonave, dënohet me 7 vite burg koleksionisti Thimo

Gjykata e Tiranës ka dënuar dje me 7 vite burg koleksionistin Gjergji Thimo, i akuzuar për vjedhjen e ikonave, ndërsa bashkëpunëtori i tij Arben Spaho u dënua me 6 vjet heqje lirie. Sipas vendimit, koleksionisti Thimo u gjet fajtor për vjedhjen e veprave të trashëgimisë kulturore, pasi në banesën e tij u gjetën dhe sekuestruan mbi 70 vepra arti të cilat rezultojnë të vjedhura. Këto vepra, sipas Thimos, janë trashëgimi familjare, por hetuesit e Prokurorisë me ndihmën e ekspertëve konstatuan se këto ikona ishin të vjedhura në kishat e ndryshme në Shqipëri, Maqedoni dhe Greqi. Para gjykatës, Thimo tha se arrestimi i tij është i inskenuar nga politika, duke akuzuar direkt Kryeministrin Edi Rama dhe deputetin Koço Kokëdhima për arrestimin e tij. Shkak sipas koleksionistit, është mos dhënia e një ikone, që kryeministri do t’i dhuronte ish-kryeministrit britanik Tony Blair. Një seancë më parë, koleksionisti kërkoi drejtësi nga togat e zeza, duke pretenduar se nuk ka vjedhur asnjë ikonë të trashëgimisë kulturore por i ka ruajtur ato nga trafikimi. Thimo akuzoi edhe policinë, që sipas tij, ka mbajtur 4 procesverbale të ndryshme për objektet e sekuestruara në banesën e tij. Ai tha se arrestimi është inskenuar me qëllim që Kryeministri Rama dhe deputeti Kokëdhima të grabisnin ikonat e tij. Mbrojtësi tha për togat e zeza se nëse gjykata nuk bindet për pafajësinë e Gjergji Thimos ai duhet të dënohet për përvetësimin e sendeve të vjedhura. Sipas avokatit, Thimo ishte grumbullues i objekteve dhe ikonave të vjetra, ku në mesin e atyre që i janë gjetur dhe sekuestruar në shtëpi, kanë qenë edhe ikona të vjedhura.

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency