Alonso: Ose fitojmë, ose shkojmë në shtëpi

0
151

Mesfushori spanjoll u shpreh se ekipi po mëson nga gabimet dhe do të mundohen që ndaj Kilit të rregullojnë gjithçka

alonso Humbja e Spanjës duket se është edhe trendi që mori më shumë vëmendje në këto ndeshje të para të sfidave të luajtura në kompeticionin e Brazilit. Kjo, pasi kampionët e botës pësuan një humbje që duket se ndryshoi të gjithë ekuilibrat te iberikët. Mesfushori i Realit i Madridit, Ksavi Alonso, analizoi në një konferencë për shtyp humbjen tronditëse në ndeshjen debutuese me Holandën, duke kujtuar se përballja e dytë me Kilin do të shërbejë për ndryshimin e situatës së kampionëve në fuqi në këtë Botëror. “Pas atij rezultati në ndeshjen me Holandën, po mendojmë hap pas hapi për gjërat që duhet të korrigjojmë. Dhe në fund janë shumë. Gjithsesi kemi të drejtë të besojmë se ndaj Kilit do të jetë momenti ideal për të kthyer situatën”. Iker Kasijas, Ksavi Hernandez morën kritikat më të shumta për humbjen tronditëse ndaj Holandës, por Alonso nuk mendon se këto kritika duhen drejtuar tek individët e veçantë. “Nuk është rasti për të fajësuar individë të veçantë, sepse gabimet janë kolektive. Ose do të shkojmë në shtëpi të gjithë bashkë, ose do të ecim përpara sërish bashkë. Pra, është i gjithë grupi që duhet të reagojë ndaj Kilit”. Më pas mesfushori i Realit komentoi sfidën e radhës me Kilin, duke evidentuar si armën më të fortë të amerikanojugorëve lojën kolektive. “Kili nuk e ndryshon stilin e lojës. Nuk dua të spekuloj, por po them se janë shumë agresivë. I njohim shumë mirë kundërshtarët, për të cilin kemi shumë respekt. Me Australinë, Kili e nisi shumë mirë Botërorin, por ne jemi të detyruar të fitojmë”. Ndërkohë, Visente del Boske siguron se Spanja e ka kaluar tronditjen psikologjike të disfatës me Holandën dhe tani pret të marrë pikë të plota në dy ndeshjet e mbetura në grup. Në konferencën e radhës për shtyp tekniku i “La Roja”-s tha se të gjithë futbollistët janë gati për të bërë kthesën. “Kanë kaluar orë të tëra nga humbja me Holandën dhe mund t’ju them se gjendja shpirtërore është më e mirë. Tani sfida jonë është të fitojmë dy ndeshjet e radhës. Sigurisht që nuk do të jetë e lehtë, por ne i kemi mundësitë për të marrë maksimumin dhe për të kaluar grupin”. I pyetur për mundësinë e uljes në stol të Iker Kasijasit, Del Boske lë të nënkuptohet se ndryshimet mund të ndodhin në të gjitha repartet. “Kam folur me Kasijasin për situatën e krijuar. Ai është i prekur aq sa janë edhe futbollistët e tjerë. Ne kemi një organikë me 23 futbollistë dhe të gjitha janë në formë perfekte. Me Holandën zhvilluam një pjesë të parë të mirë, pastaj e dyta ishte shkatërrimtare. Tani duhet të reagojmë dhe besoj se i kemi mundësitë. A do të ketë ndryshime? Nuk kemi pse japim shpjegime. Duhet të jemi fleksibël”. Në fund Del Boske i snoboi kritikat e panumërta të medias për nisjen shumë të keqe të Botërorit “Nuk ndikohem fare për gjërat që lexoj. Njerëzit kanë opinione të ndryshme. Nuk është hera e parë që përballem me këto kritika dhe nuk dua të harxhojnë energji për t’iu përgjigjur këtyre kritikave. Nëse nuk arrijmë të fitojmë do të thotë se të tjerët janë më të mirë se ne”. Spanja do të ndeshet ne 18 qershor kundër Kilit.

 

Maradona: Runi dështoi ndaj Italisë

Diego Maradona deklaroi se Runi dështoi në skenën e madhe të Botërorit në ndeshjen kundër Italisë. Të kaltrit regjistruan fitore prej 2-1 kundër Anglisë në një ndeshje që e kontrolluan nga fillimi deri në fund. Përzgjedhësi i “tre luanëve”, Roi Hoxhson, e angazhoi sulmuesin e Mançester Junajtidit nga minuta e parë, ndërsa Maradona i është bashkuar listës së njerëzve që e kanë kritikuar paraqitjen e 28-vjeçarit. “Ishte një ndeshje zbavitëse, ku të dyja skuadrat u përpoqën të sulmonin. Italia pati posedimin, por ekipi i ri i Anglisë ishte shumë më i shpejtë kur e kishte topin. Runi, i cili akoma nuk ka shënuar gol në një Kampionat Botëror, dështoi të prodhonte magjinë që pritej nga ai”, – komentoi Maradona.

 

Benzema: Nuk duhet të gjykohem vetëm për golat

 Sulmuesi i “gjelave”, Karim Benzema, është shprehur i lumtur me paraqitjen e tij në fitoren prej 3-0 kundër Hondurasit. Por ai gjithashtu komentoi se njerëzit nuk duhet që ta vlerësojnë vetëm në bazë të rekordit golashënues, por për angazhimin dhe mënyrën si luan në fushë. “Personalisht, i arrita objektivat e ia. Mendoja që të kem një ndeshje të mirë, të fitojmë dhe ta zhvilloja lojën time pa kurrfarë presioni, gjë që e bëra. Jam shumë i lumtur dhe shumë krenar. Por fitorja është gjëja më e rëndësishme. Disa më gjykojnë në bazë të numrit të golave që shënoj, por për mua ka më shumë rëndësi mënyra si luaj”, – ka thënë galaktiku.

 

Berhami: Ndërhyrja ndaj Kolumbisë, më e mira e karrierës sime

Mesfushori shqiptar i Zvicrës, Valon Behrami, thotë se ndërhyrja e tij që pasoi me golin e fitores ndaj Ekuadorit, ishte veprimi më i mirë mbrojtës që kishte bërë ndonjëherë. Derisa rezultati ishte 1-1, në minutat shtesë Mihael Arrojo rrezikoi që t’ia siguronte Ekuadorit fitoren, mirëpo Behrami bëri intervenimin vendimtar dhe pastaj për të vazhduar drejt mesit të fushës dhe për të pasuar topin në fazën ofensive dhe ky aksion përfundoi me golin e fitores së helvetikëve. “Unë bëj shumë ndërhyrje, por ky ishte padyshim më i rëndësishmi që kam bërë ndonjëherë”, – ka thënë mesfushori i Napolit për “Goal”. Lojtari pas aksionit që u kthye në gol në shenjë respekti prek edhe flamurin shqiptar duke treguar anën e tij patriotike.

 

 Eto mungon ndaj Kroacisë

Samuel Eto do të mungojë në përballjen e së mërkurës kundër Kroacisë si pasojë e lëndimit. 33-vjeçari ka konfirmuar përmes “Twiter”-it se dëmtimi i gjurit nuk do ta lejojë të luajë në ndeshjen e xhiros së dytë të grupit A. Ky është lajmi keq për përzgjedhësin Volker Finke, pasi Kamerunit i duhet fitorja për të mbajtur gjallë shpresat për vazhdim në fazën e eliminimit direkt. Edhe Kroacia (nga Brazili) edhe Kameruni (nga Meksika) i kanë humbur ndeshjet e para grupore. “Mjekët kanë konfirmuar, unë nuk do të jem në gjendje të luaj ndaj Kroacisë”, – ka shkruar Eto në “Twitter”

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency