Viziton Tiranën më 21 shtator/ Fjala e plotë, Papa Fraçesku: Ja arsyeja pse do vij në Shqipëri

0
126

papa“Konfirmoj besimin e Kishës tek Shqipëria dhe të dëshmoj inkurajimin tim për një vend që ka vuajtur gjatë si rezultat i ideologjive të së kaluarës”

Jam i lumtur t’ju njoftoj se kam pranuar ftesën e peshkopëve dhe autoriteteve shqiptare dhe do të vizitoj Tiranën ditën e dielë më 21 shtator. Me këtë udhëtim do të doja të konfirmoja besimin e Kishës tek Shqipëria dhe të dëshmoj inkurajimin tim për një vend që ka vuajtur gjatë si rezultat i ideologjive të së kaluarës. Me këtë mesazh Papa Fraçesku ka konfirmuar vizitën e tij në Shqipëri në shtator. Një vizitë historike pas viztës së Papa Gjon Palit të II më 23 prill të vitit 1993. Papa i Vatikanit Jorge Mario Bergoglio ka lindur në Buenos Aires, më 17 dhjetor 1936, me origjinë nga një familje piemonteze. Papa Françesku (Jorge Mario Bergoglio) nga Argjentina u zgjodh në mars të vitit 2013. Ai studioi së pari si një inxhinier kimik, pastaj në seminar, dhe në vitin 1958 ai u bashkua si një rishtar i Shoqërisë së Jezusit, duke kaluar një periudhë në Kili dhe më pas u kthye në Buenos Aires për një diplomë në Filozofi. Nga 1964 ai mësoi për tre vjet Letërsinë dhe Psikologjinë në kolegjet e Santa Fe dhe Buenos Aires. Ndërsa më 3 qershor 1997, Jorge Mario Bergoglio u emërua ndihmës kryepeshkopi i Buenos Aires, ku pas vdekjes së kardinalit Antonio Quarracino, më 28 shkurt 1998, ai bëhet primat i Argjentinës.

 

“Shenjë dashurie”

Imzot Rrok Mirdita e ka cilësuar vizitën e Papa Fraçeskut si një shenjë dashurie për popullin tonë.“Vizita e Papa Françeskut bën pjesë në atë akt që quhet udhëtim apostolik. Shën Pjetrin Jezusi e caktoi kreun e apostujve. Papa vjen në Shqipëri për të forcuar vëllezërit e vet. Vjen për të takuar kishën tonë, për tu lutur me ne dhe për ne. Për të na dhënë porositë që vijnë nga ungjilli. Kisha është e integruar në jetën e popullit dhe mban marrëdhënie me institucionet shtetërore. Kur viziton një kishë Papa gjatë një udhëtimi apostolik u drejtohet edhe të gjithë autoriteteve njerëzore me të cilat ndërvepron kisha në një vend. Kjo është shenjë e fortë e dashurisë së tij për popullin tonë. Jemi të sigurt që do jetë një festë pa dallim për të gjithë” -, u shpreh  Imzot Rrok Mirdita gjatë një prononcimi ditën e djeshme.

 

Detajet e vizitës

Nunciatura Apostolike e Shqipërisë përveçe konfirmoi vizitën e Papa Fraçeskut, bëri të ditura disa nga detajet e festës. “Papë Françesku ka pranuar me kënaqësi ftesën që i ishte drejtuar, qoftë nga Konferenca e Ipeshkopëve katolikë të Shqipërisë, qoftë nga autoritete e Shtetit Shqitpar dhe ka vendosur të bëjë një vizitë të shkurtër në Shqipëri. Konkretisht ditën e dielë të datës 21 shtator 2014. Ky lajm, është bërë publik edhe nga vetë Papa gjatë lutjes “Angelus” në Vatikan në orën 12:00’’- përmendi Nunci apostolik Ramiro Ingles në një deklaratë për mediat. Kjo sipas Nunciaturës Apostolike Shqiptare do të jetë një udhëtim apostolik gjatë cilit, Ati i Shenjtë, do të ketë mundësi, jo vetëm të takojë dhe të forcojë në fe bashkësinë katolike të Shqipërisë, por edhe të inkurajojë dhe të thellojë raportet e mira tashmë ekzistuese ndërfetare, si dhe të nxisë shoqërinë dhe popullin shqiptar të përballet me guxim, shpresë, zemërgjerësi e shpirt solidariteti në sfidat e të tashmës dhe të ardhmes që ndërthuren me ndërtimin e shqipërisë së re të rilindur.  Ky udhëtim i Papa Françeskut do të ndodhë, pas 21 vitesh nga vizita historike dhe e paharrueshme e Papa Gjon Pali të Dytë më 25 Prill 1993, në agimin e asaj dite të re, që për Shqipërinë, pas rënies së komunizmit shënoi hapjen e demokracisë, së lirisë fetare dhe të gjitha të dretjave themelore të burrit dhe gruas. Ky do të jetë udhëtimi i katërt ndërkombëtar që kur zgjodh Ipershkëv i Romës, më Mars 2013. 22-29 Korrik 2013 Pap vizitoi Brazilin në ditën Botërore të të rinjëve. Udhëtimi i dytë i tij ishte në Izrael. i treti do të jetë ai i muajti gusht në Azi, Korenë e Jugut, ndërsa i katërti do të jetë udhëtimi drejt vendit tonë.

 

Ja çfarë ndodhi në vizitën historike të Papa Gjon Palit të II në Shqipëri

– 23 prill, ora 08: 00 – Papa Gjon Pali II-të mbërrin në Aeoroportin e Rinasit, ku u prit nga autoritetet zyrtare. Pasi përshëndeti të pranishmit me dorë, Ati i Shenjtë u ul dhe puthi tokën shqiptare.

– Shenjtëria e Tij, Papa Gjon Pali II-të, iu drejtua popullit shqiptar me fjalët: “I dimë të gjitha ngjarjet e trishtueshme që të është dashur të përballosh veçanërisht në 25 vjetët e fundit, vite të një mundimi të vërtetë, pasojat e të cilit koha me vështirësi do të arrijë t’i fshijë”.

– Disa minuta më vonë, Ati i Shenjtë u nis drejt qytetit të Shkodrës.

– Ora 10: 45 – Papa hyri në rrethin e Shkodrës, ku u prit përzemërsisht nga banorë të Komunës së Bushatit e të zonave përreth.

– Ora 11: 25- Papa Gjon Pali II-të mbërrin në Katedralen e Shkodrës, i pritur nga mijëra besimtarë katolikë e të besimeve të tjera fetare.

– Ora 11: 40- kori i këngëtarëve nga Tirana, Durrësi dhe Kosova, nis këngën e hyrjes, një rit për pritjen e Papës në Katedrale.

– Ora 11: 45- Papa Gjon Pali II-të hyn në Katedrale dhe shkon para Altarit për fillimin e meshës.

– Ora 12:00. Pas përshëndetjes së Nuncit Apostolik, Ivan Dias, nis mesha në Katedralen e Shkodrës. Në vazhdim pas ceremonisë së Alelujës, Nunci apostolik i paraqiti Papës, emrat e kandidatëve për Ipeshkëv. Ati i Shenjtë i bekon ata në emër të Zotit si udhëheqës të Kishës Katolike Shqiptare.

Ati i Shenjtë në mesazhin e tij vuri në dukje përvojën tronditëse të kishës, në vitet e regjimit komunist në Shqipëri.Më pas shuguroi katër ipeshkvët e rinj, Monsinjor Frano Ilia, Monsinjor Zef Simoni, Monsinjor Rrok Mirdita dhe Monsinjor Robert Ashta.Nën tingujt e muzikës kishtare filloi kungimi. E para që u kungua nga Papa Gjon Pali II-të ishte Nënë Tereza.Ati i Shenjtë u dhuroi besimtarëve të Shkodrës dhe gjithë Shqipërisë, figurën e Zonjës së Këshillit të Mirë dhe bekoi gurin e themelit të këtij kulti, që do të rindërtohej për të tretën herë në Kalanë e Rozafatit në Shkodër.Prej këtej Papa shkoi në Arkipeshkopatë, përballë Katedrales dhe nga dritarja e saj përshëndeti gjithë besimtarët që kishin mbushur rrugët dhe sheshet e Shkodres.Papa Gjon Pali II prezantoi drejtuesin e ri të Arkidioqezës së Shkodrës, monsinjor Frano Ilia dhe ndihmësin e tij, Monsinjor Zef Simoni.Ati i Shenjtë kaloi një drekë së bashku me peshkopët dhe anëtarët e shpurës papale.

25 PRILL NE MBREMJE – Papa Gjon Pali II-të kthehet në Tiranë. Fillimisht shkon ne Pallatin e Brigidave, ku u prit nga Presidenti i Republikës dhe personalitetet më të larta të shtetit dhe komuniteteve fetare në Shqipëri.Në vazhdim Shenjtëria e Tij, shkoi në Nunciaturën Apostolike dhe prej këndej u nis me makinën e Tij, për një shëtitje nëpër Tiranë, ndërkohë që në sheshin “Skënderbej” ishin mbledhur mijëra vetë nga e gjithë Shqipëria për të pritur Atin e Shenjtë.Shenjtëria e Tij, Papa Gjon Pali i Dyte, zuri vend në podiumin e vendosuar para Muzeut Historik Kombëtar. Në mitingun madhështor të organizuar me këtë rast Ati i Shenjtë mbajti fjalimin e lamtumirës duke i’u drejtuar gjithë popullit shqiptar me fjalët: “Vellezër dhe motra shqiptarë dhe fort të dashur! Zoti e ruajtë atdheun tuaj. Zoti e mbrojtë popullin shqiptarë në mbare botën. Në emër të zotit ju perqafoj dhe ju bekoj të gjitheve!”

 

Vizita e Papës/ Rama: Ogur i mrekullueshëm në vigjilje të statusit

“Harmonia e bashkëjetesës mes të krishterëve dhe myslymanëve, meriton të ruhet si drita e syve”

Urimi i Ramës: Zoti e bekoftë gjithmonë kështu Shqipërinë

Vizita e Papa Françeskut në 21 shtator të këtij viti në Shqipëri është një ogur i mrekullueshëm në vigjilje të vendimit që Bashkimi Europian duhet të marrë për statusin. Kështu e cilësoi kryeministri Rama lajmin e vizitës së Papës, ku theksoi se ky është një privilegj i rrallë që i bëhet Shqipërisë ndaj dhe sipas tij duhet të përgatiten të gjithë për ta pritur ashtu si duhet Atin e Shenjtë. Sipas kreut të qeverisë, vuajtjet unikale dhe të lavdishme, jo thjesht për klerin katolik shqiptar, por për mbarë historinë botërore të krishtërimit e bëjnë Shqipërinë posaçërisht të dashur për Atin e Shenjtë. “Kjo tokë ku harmonia e bashkëjetesës mes të krishterëve dhe myslymanëve, meriton të ruhet si drita e syve dhe të promovohet si një rreze shprese dhe kurajoje për mbarë botën e rrezikuar nga konfliktet fetare.  Prandaj dhe zbritja e afërt në tokën tonë e këtij njeriu qiellor, është një vizitë që i bëhet çdo shqiptari pa dallim feje. Por, po ashtu përmes Tiranës dhe Shqipërisë dhe çdo banori të rajonit tonë, pa dallim etnie, njësoj si çdo qytetari të Europës, pa dallim ideje, në emër të dashurisë mes njerëzve, të paqes mes popujve, solidaritetit mes vendeve të kontinentit tonë. Unë besoj se edhe lajmërimi sinkron sot nga Durrësi këtu, dhe nga Sheshi i Shën Pjetrit në Romë i kësaj vizite, që përbën një privilegj të rrallë për Shqipërinë dhe shqiptarët, është në vetvete një ogur i mrekullueshëm në vigjilje të vendimit që BE duhet të marrë për statusin e vendit tonë”, u shpreh Rama nga Muzeu Arkeologjik i qytetit të Durrësit.

 

Mesazhi

Në fjalën e tij dedikuar vizitës së Papa Françeskut në Shqipëri, Rama tha se ajo mbart një mesazh të dyfishtë shprese dhe inkurajimi. Duke bërë të ditur se Papa i është përgjigjur pozitivisht ftesës së tij për të vizituar Shqipërinë, kryeministrit tha se mes qeverisë dhe Selisë së Shenjtë, ka nisur puna për përgatitjet e 21 shtatorit. “Dua të ndaj me ju kënaqësinë e jashtëzakonshme për faktin se kjo do të jetë vizita e parë zyrtare e Papës së ri në Europë. Siç kuptohet, prej vetë kontekstit kohor dhe historik, ky rrugëtim i Atit të Shenjtë për Tiranë, mbart një mesazh të disafishtë shprese dhe inkurajimi. Shpresë dhe inkurajim për Shqipërinë që të vazhdojë në rrugën e vështirë, por të mbarë, të rilindjes dhe të ribashkimit me Europën; Shpresë dhe inkurajim për rajonin që të shkojë më tej në rrugën e sapoçelur të paqes, pas më shumë se 100 vjet luftëra dhe konflikte vëllavrasëse; Shpresë dhe inkurajim dhe për vetë Europën, BE, që të shohë më larg në rrugën e vetë drejt të ardhmes, duke parë me kurajë, pasojat gjithnjë e më të dukshme të dritëshkurtësisë së një zhvillimi ekonomik dhe social, polarizues, mes më të kamurve dhe më të varfërve të kontinentit tonë ”, tha Rama. Kreu i qeverisë e mbylli fjalën e tij me një urim për të gjithë shqiptarët duke pohuar: “Lejomëni ta mbyll sot me një urim të pazakonshëm, por që vjen krejt natyrshëm. Zoti e bekoftë gjithmonë kështu Shqipërinë”. Vizita e Papa Franceskut do të jetë vizita e dytë e një personaliteti të rëndësishëm të Vatikanit, pas vizitës së Papa Gjon Palit të Dytë në vitin 1993 në Shqipëri.

 

Ish-kryeministri/ Berisha:Vizitë historike për Shqipërinë dhe shqiptarët

Ish-Kryeministri Berisha përshëndeti dje vizitën që Papa Francesku do të zhvillojë në Shqipëri në datën 21 shtator, duke e cilësuar atë historike për Shqipërinë dhe shqiptarët.  “Burime zyrtare dhe mediat njoftojnë se Papa Françesku në shtator do vizitojë Shqipërinë. Kjo është një vizitë historike për Shqipërinë dhe shqiptarët. Në një akt të veçantë miqësor, respekti dhe dashurie për shqiptarët, 18 muaj pas inaugurimit, me 19 mars 2013, si shenjtëria e tij Papa Françesku dhe ftesës që pata kenaqësine t’i bëj ditën e inagurimit, Ati i Shenjtë do të vizitojë Shqipërinë”, theksoi Berisha në një reagim në rrjetin social facebook. Më tej, ish-kreu i qeverisë tha se ashtu si edhe në rastin e Papa Gjon Pali të II, i cili 21 vjet më parë i cili përzgjodhi Shqipërinë si vendin e vizitës së tij të parë në gadishullin e Ballkanit, ashtu edhe Papa Françesku përzgjodhi vendin tonë si vendin e parë të vizitës në Evropë.  “Le t’i shprehim në nderimin tonë më të madh dhe mirënjohjen tonë më të thellë Atit të Shenjtë për vizitën e tij të ardhshme në Shqipëri!”, përfundoi Berisha në mesazhin e tij.

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency