Standard.al

Konferenca/ Gjuhëtarët rezolutë për gegnishten:Të integrohet zyrtarisht në shqipe!

fishtaInstituti i Promovimit të Vlerave në gjuhën Shqipe organizoi konferencën e dytë mbarëkombëtare në Elbasan, prej së cilës u hartua një rezolutë drejtuar instancave gjuhësore dhe shtetërore për të mbështetur praninë e përbërëses gege brenda standardit të përmirësuar dhe të pasuruar të shqipes.të cilën e botojmë më poshtë të plotë

 Ditën e shtunë, datë 14 qershor, në një nga sallat e bibliotekës publike të qytetit të Elbasanit, dega elbasanase e Institutit të Promovimit të Vlerave në Gjuhën Shqipe (IPVGjSh) zhvilloi konferencën e dytë mbarëkombëtare me temën “Gegnishtja sot dhe elbasanishtja”. Në të morën pjesë studiues, filologë,  pedagogë dhe njerëz të letërsisë dhe gjuhësisë nga disa rrethe si dhe specialistë të disiplinave sociolinguistike që dhanë kontributin me kumtesat dhe diskutimet e tyre.

“Kjo konferencë u zhvillua në vijim të një debati të gjatë në mediat shqiptare rreth problemit të trajtimit të gjuhës si një trashëgimi specifike e etnosit shqiptar, e cila, në kushtet e reja të gjeopolitikës ballkanike të pas viteve ’90, realisht i ka përmbysur shumë të dhëna të periudhës së mëpërparshme dhe kërkon ridimensionim dhe hapësira të reja zhvillimi”, tha kreu i Institutit, studiuesi Primo Shllaku. Sipas tij, kumtuesit që e morën fjalën janë pjesëmarrës aktivë të debatit mbarëshqiptar lidhur me gjuhën dhe propozues të një sërë modifikimeve që duhen zbatuar për ta rilancuar shqipen në kushtet e riunifikimit kulturor të Shqipërisë me Kosovën, si dhe të sfidës së impaktit me gjuhët e mëdha europiane në prag të integrimit të shqiptarëve në BE.

Mbi vështrimet socio-linguistike nuk munguan kritikat për politikat e ngushta gjuhësore të së kaluarës dhe për praktikat e ndrojtura ndaj vetë parimeve të Kongresit të Drejtshkrimit 1972. Nga të gjithë kumtuesit pothuajse u theksua me të madhe nevoja për një prani më të gjërë dhe pa paragjykime të gegërishtes në shestimet e reja dhe përmirësimet e standardit.

“Por theksi kryesor u vendos mbi nevojat urgjente të “shpëtimit” të gegnishtes, të mirëmbajtjes së saj dhe të mbrojtjes së saj si kryedialekt konstitutiv i shqipes që mbart një letërsi të pandërprerë prej rreth 500-600 vjetësh e që deri në ditët e sotme jep një produkt serioz  me vlera të spikatura”, tha Shllaku si një nga “mbrojtësit” konsistentë të integrimit të sotëm të gegnishtes, përkundër erës së mohuar.

Konferenca tërhoqi vëmëndjen që institucionet, të cilat merren me gjuhën dhe gjuhën e letërsisë duhet të trajtojnë më me kujdes ekuilibrat e brendshëm të gjuhës që kanë të bëjnë me shprehësinë, me ruajtjen e traditës, me imunitetin ndaj agresionit të barbarizmave si dhe me promovimin e sa me shumë stileve të ligjërimit letrar dhe jo vetëm. Në fund konferenca doli me përfundimet e saj në formën e një rezolute që u drejtohet instancave gjuhësore dhe shtetërore për të mbështetur praninë e përbërëses gege brenda standardit të përmirësuar dhe të pasuruar të shqipes. Teksti i rezolutës është ky:

 

Rezoluta

Dega e qytetit të Elbasanit e Institutit për Promovimin e Vlerave në Gjuhë Shqipe (IPVGjSh), në konferencën e saj mbarëkombëtare të mbajtur në Elbasan datë 14.06.2014, pasi shqyrtoi një sërë faktorësh objektivë dhe subjektivë që kanë të bëjnë me nevojat imediate të rilancimit të gjuhës shqipe në kushtet e zmadhimit të arealit ndërkomunikues shqiptar, si dhe me perspektivën njëkalimëshe që ka bota shqiptare për t’u integruar në familjen e madhe europiane, gjë që do ta rrisë impaktin gjuhësor të saj me gjuhët e mëdha të kulturës dhe shprehësisë, shprehu shqetësimin për fatin e papërcaktuar të gegërishtes si pjesë e madhe konstitutive e gjuhës shqipe, që flitet prej rreth katër milionë shqiptarësh dhe shkruhet prej një grupi përherë në rritje letrarësh cilësorë.

Specialistë, njohës dhe përdorues të vetdijshëm të gjuhës u shprehën kritikë me praktikat e Kongresit të Drejtshkrimit, i cili, megjithë përshkrimin e ekuilibruar të marrëdhënieve mes dialekteve në shestimin e profilit të standardit, në realitet nuk arriti t’i kapërxejë me sukses zotimet e veta fillimore për një gërshetim dialektor. Qoftë për shkak të parimit fonetik të toskërishtes që u vu në bazë të standardit, qoftë për zhvillim të paparashikueshëm të një prirjeje autotelike të vetëmjaftueshmërisë, gegërishtja e famshme e boshtit vertikal dhe horizontal të kulturës mbarëshqiptare, e  të folurit dhe e shkrimit letrar u “dëbua” faktikisht nga gostia gjuhësore e shqiptarëve. Për arsye që gjenden në instinktet e së shkuarës moniste, gegërishtja u rrëzua në prestigj dhe ajo iu lëshua një fati të papërcaktuar. Kjo vlerë e madhe e qytetërimit shqiptar u zhgrrye e u përqesh, u difamua dhe u la pas dore, thua se në të nuk ishte shkruar një letërsi e mbushur me parësi, që nga agu i Rilindjes europiane ku duhet të zgjoheshim edhe ne, e deri tek modernistët shqiptarë të fundshekullit XX. Kërkesave të përsëritura nga ana e jonë për një përgjigje të përgjegjshme se, po të humbiste gegërishtja, çfarë do të bëhej me letërsine e madhe gege, me monumentet e shpallura si të tillë të gjuhës shqipe, me « Eposin e Kreshnikëve », me « Përrallat Kombëtare » dhe me « Kanunin e Lekë Dukagjinit », qendrat e mëdha të studimit e të prestigjit shkencor nuk i kanë dhënë ende asnjë përgjigje. Kjo na detyron të mendojmë se ata nuk merakosen për humbjen e gegërishtes dhe pasojat e kësaj humbjeje.

Një pjesë e madhe e debatit të ndezur kohët e fundit lidhet me faktin se disa gjuhëtarë të shkollës gjuhësore preskriptiviste të Tiranës e kanë kuptuar se standardi nuk mund të zhvillohet në asnjë drejtim tjetër përveç se atij të gegërishtes, me format e saj të reduktuara sociolinguistikisht ekonomike si dhe me morinë e nuancave që i mungojnë motrës së tij të vogël, toskërishtes. Ky fakt e bën të domosdoshëm vijimin e debatit dhe përfshirjen në të të sa më shumë specialistëve, jo vetëm nga fusha e gjuhësisë, por ajo e sociolinguistikës, psikologjisë, filozofisë, antropologjisë, jurisprudencës, moralistikës, fesë dhe shumë nga ajo e forcave krijuese letrare.

Duke peshuar sesa rëndësi jetësore ka për ruajtjen e kulturës kombëtare si dhe për afirmimin e pertinencave specifike identitare gjuha, kultura e gjuhës dhe gjuha e kulturës, të cilën ne e kemi për fat të mirë ende, kërkojmë të sensibilizohet jo vetëm shoqëria që e ndien, por s’e identifikon dot si pengesë, por edhe qendrat e kërkimit gjuhësor e letrar, katedrat e gjuhës e letërsisë në universitetet tona të dy kryeqyteteve e kryeqendrave tona brenda dhe jashtë shtetit amë, qendrat e studimit specifik gjuhësor dhe Akademia e sotme e Shkencave, e Tiranës dhe e Prishtinës, QSA-ja,  Ministria e Arsimit e Sporteve që harton kurrikula, ajo e Tiranës dhe e Prishtinës, si dhe Ministria e Kulturës, ajo e Prishtinës dhe, sidomos, ajo e Tiranës që ka marrë përsipër të ruajë trashëgiminë jomateriale dhe të rijetëzojë gjuhën.

 

Kërkojmë:

* shteti shqiptar që, me vetdije dhe përkushtim, po i afrohet BE për t’u bërë pjesë e establishmentit të tij, të respektojë marrëveshjet e ratifikuara prej tij dhe të respektojë parimet e mrekullueshme të shpirtit unitar europian mbi ruajtjen dhe zhvillimin e diversitetit kulturor

* të përgatiten shkallë-shkallë kushtet për një normëzim modern e praktik të gegërishtes e cila, që në krye të herës, është shfaqur e gatshme për të “shkarkuar” elementet joqenësore të fjalës

* katedrat e gjuhës shqipe pranë fakulteteve të fokusohen në studimin e veçantive të këtij kryedialekti dhe të bëjnë shkallë-shkallë propozime për afrime drejtshkrimore të standardit me format e reduktuara gege që kanë 100 vjet që e kanë fituar qytetarinë në shqipen

* të bëhen studime, sipas udhëzimeve shumë serioze të Çabejt, për studimin e gegërishten me perspektivën e përafrimit të dy kryedialekteve tona në një shtrat të përbashkët jopreskriptiv, por evolutiv

* të adoptohen nga institucionet tona të monitorimit gjuhësor metodat eksperimentale dhe teknologjia e matjeve gjuhësore për përcaktimin e prirjes zhvillimore të gjuhës

* për dëmtimet dhe humbjet e saj gjatë këtyre 70 viteve të fundit gegërishtja të planifikohet që të vihet në mbrojtje me statusin e vlerës jomateriale që “MBROHET  NGA SHTETI”

* t’i hiqet gegërishtes çdo pengesë formale dhe joformale për t’u shkruar, botuar dhe promovuar

* të rilancohet gegërishtja si një idiomë e gjuhës amtare që ka derdhur e derdh kontribute të mrekullueshme në llogarinë e letërsisë mbarëkombëtare me cilësi artistike dhe me spikamë estetike

* elementë të gegërishtes të futen pa vonesë e gradualisht nëpër shkollat e sistemit unik parauniversitar dhe të mundësohet përthithja pa firo e letërsisë historike dhe të sotme gege.

* të promovohen vepra dhe krijime në gegërisht. Madje do të ishte e udhës që shteti duhet të marrë përsipër të subvencionojë gegërishtshkruesit, të cilët, për hir të së vërtetës, janë të sakrifikuar qysh në çastin kur ata mendojnë se i drejtohen një auditori më të kufizuar.

* në të gjitha mbledhjet, tubimet, konferencat e takimet vendimmarrëse të botës shkencore gjuhësore shqiptare gegërishtja të konstituohet si PALË dhe të përfaqësohet prej studiuesish që kanë dhënë prova se nuk kanë qenë kurrë për përjashtimin e gegërishtes nga gignesthe-ja gjuhësore e letrare e kulturës shqiptare.

Konferenca II e IPVGjSh-s

Elbasan, qershor 2014

Comments are closed.