Standard.al

Info/Kult, Një kafe, një cigare…, si u kujtua Bekim Fehmiu

B.fehmiuNjë kafe, cigare dhe një gotë ujë, ishin vendosur në hollin e kinemasë “ABC”, në përkujtim të aktorit të madh Bekim Fehmiu, në katër vjetorin e vdekjes së tij.

E gjithë kjo ishte një simbolikë, pasi që aktori Fehmiu zakonisht ka preferuar këtë vend për të pirë kafe, sa herë që vizitonte Prishtinën.

E miq e familjarë, e kujtonin veprën dhe jetën e Bekim Fehmiut, duke lënë dhe nga një shënim në librin i cili ishte vendosur aty, për të gjithë ata që duan t’i shkruajnë përshtypjet, për aktorin e tyre të preferuar Bekim Fehmiu.

Arsim Fehmiu, axha i aktorit të ndjerë Bekim Fehmiu, i cili së bashku me familjarë të tjerë, qëndronin në hollin e Kinemasë ABC, për t’i pritur vizitorët, në kujtim të jetës dhe vdekjes së aktorit të ndjerë, tha se për Bekimin është e tepërt të flasin, pasi që për të flet vet vepra e tij.

“Sot i mbush katër vjet, prej ditës kur ka ndërruar jetë. Për Bekimin me fol nga ana e ne familjarëv e është e tepërt, kanë fol të tjerët. Më së miri flasin veprat, të cilat i ka lënë. Atje në ekran i keni kolazhet e filmave që i ka xhiruar. Kjo është një ditë e cila na përkujton jetën e tij personale, familjare, jetën studenteske, jetën si aktor teatri dhe filmi. Ka pasur shumë shokë e dashamir”, tha ai.

Ndërsa Milazim Salihu, drejtor i Kinemasë ABC tha se kinemaja do të vazhdojë të përkujtojë aktorin e madh Bekim Fehmiun, duke shpresuar që në një të ardhme të afërt, kjo Kinema do ta mbajë dhe emrin e tij.

“Ka qenë nder i jonë, i gjithë Kosovës dhe i gjithë shqiptarëve, ta njohim Bekimin si Bekim si njeri si aktor, si gjithë bota që e ka pranu. Ne Kinemaja jonë e përkujtojmë, sepse ka qenë pjesë e kinemasë, prej ditës së parë, kur është hap kinemaja ABC, ka qenë pjesë e kinemasë dhe nuk i u ka nda kurrë. Çdo vit pushimet, kujtimet, gjithë kineast e Kosovës, e kanë pasur t lidhur me kinemanë ABC. Ne si kinema e përkujtojmë si artistin, që ka përjetuar të mirat dhe të këqijat e kësaj kinemaje dhe rrugën e saj… Ne si kinema, po shpresojmë që në një të ardhme, kjo kinema do ta merr edhe emrin Bekim Fehmiu”, tha ai.

Por jo të gjithë ishin të kënaqur me përkujtimin që Kosova, po i bënë aktor të madh Fehmiu.

Regjisori Bekim Lumi, tha se është për keqardhje se si institucionet e vendit, po e injorojnë një moment kaq të veçantë.

“Ndërkaq nuk kam si të mos shpreh keqardhjen time, që ky moment i veçantë për ne kalon kryesisht në heshtje, në harresë një injorim total nga ana e institucioneve shtetërore të Kosovës. Gjithashtu është për të ardhur shumë keq, sot këtu në këtë akt me karakter simbolik, mungon pjesa më e madhe e artistëve të vendit tonë. Kujtoj se kjo është më tepër se vetëm shprehje e krizës morale dhe shpirtërore, nëpër të cilën po kalon Kosova. Sepse Bekim Fehmiu, me artin jetën dhe veprën e tij, është dhe do të duhej të ishte testamenti më i fuqishëm i Kosovës në këto qaste”, tha Lumi.

Bekim Fehmiu ishte aktor shqiptar nga Kosova. Lindi në Sarajevë, Bosnja dhe Hercegovina më 1 qershor 1936 dhe vdiq më 15 qershor 2010 në Beograd, Serbia .

 

 

Comments are closed.