Florenc Drizari
Kryetari i PD-së, Lulzim Basha, merr pjesë në kuvendin zgjedhor të degës së Matit
Dega zgjedhore e Matit ishte e para që hapi votimin kryetarin e saj të ri. Pas procesit zgjedhor rezultoi që të dy kandidatët Alfred Ahmetcenaj dhe Basir Çupi të dilnin në balotazh mes tyre. Pas rezultateve të para, zgjedhjet do të përsëriten sërish të hënën, ndërkohë që paralelisht Partia Demokratike ka nisur zgjedhjet për krerët e degëve të saj edhe në disa zona të tjera. Një ditë më parë zgjedhjet u zhvilluan në degën e Sarandës dhe gjatë ditës së diel do të votohet në degën e Lushnjës. Më pas pritet dega e Lezhës e deri në fund tek Tirana, e cila si dega më e madhe ende nuk ka mbyllur procesin e anëtarësimeve të reja. Gjatë këtij muaji, Partia Demokratike do të zgjedhë drejtuesit e saj të rinj në rrethe, një proces që pritet të zgjasë deri në mes të korrikut dhe që do të kulmojë me mbledhjen e Kuvendit Kombëtar, forumi më i lartë i Partisë Demokratike, që ka mandatin të ndryshojë statusin e partisë dhe të zgjedhë Këshillin Kombëtar.
Basha
Kryetari i PD-së Lulzim Basha ishte i pranishëm në kuvendin XI zgjedhor të degës së Matit. Ky proces është paraprirë nga regjistrimit dhe riregjistrimi i anëtarësisë së PD të cilin kryetari i demokratëve, Lulzim Basha, e ka cilësuar jetike për një parti që ka e do të ketë në themel të organizimit dhe sistemit të saj të karrierës votën e lirë të anëtarëve të saj. Zgjedhjet në PD, theksoi zoti Basha, po sjellin forca të reja, energji të reja, frymëzime të reja, synime të reja.
“Me zgjedhjet në seksione, në bazë të statutit dhe udhëzimit të lëshuar, partia ka përjetuar në themelin e saj përtëritjen dhe qarkullimin e nevojshëm të një numri të madh të zgjedhurish, duke sjellë në krye të seksioneve forca të reja, energji të reja, frymëzime të reja, synime të reja, pa të cilat një parti politike nuk ka jetë, nuk ka të ardhme. Qarkullimi drejtuesve politike të çdo niveli është një parim i partive demokratike moderne që zbatohet e duhet të zbatohet në vijimësi, në çdo kohë dhe sidomos në kohën kur partia humbet zgjedhjet, siç i kemi humbur ne, kur kalon në opozitë siç kemi kaluar ne, kur fillon të përgatisë nisjen e re, siç po bëjmë ne”, – tha Basha.
Ndryshe nga mazhoranca e sotme që promovon narkotrafikantë dhe individëve me rekorde kriminale, Partia Demokratike, tha zoti Basha, ka kriter të panegociueshëm kapacitetet politike-intelektuale të drejtuesve dhe të zgjedhurve, integritetin dhe imazhin e tyre pozitiv në publik. Kjo, sipas kryetarit të PD-së, është dhe mbetet e një rëndësie vendimtare për suksesin e PD-së në zgjedhje, në opozitë dhe në qeveri.
“Ne, Partia Demokratike kemi një sfidë dhe një mision qytetar e kombëtar: Të reflektojmë, nga një anë, për çdo rast të degradimit dhe shkarjes nga parimi i meritës dhe vlerave në radhët tona. T’i dalim përballë nga ana tjetër dhe t’i përgjigjemi me vendosmëri, me njerëzit me të zotë që ka nxjerrë familja dhe shoqëria shqiptare, shkolla shqipe dhe shkollat e botës ku kanë studiuar e po studiojnë shqiptarët, projektit ogurzi në veprim të kundërshtarëve tanë të promovimit të narkotrafikantëve dhe individëve me rekorde kriminale në politikë, në administratë, në drejtim, duke poshtëruar popullin e duke rrezikuar seriozisht të ardhmen demokratike të vendit”, – tha Basha.
“Nisma e 12 deputetëve për të shkarkuar një ministër”
Deklarata e Kadelit shkakton përplasje
në LSI, reagon Manjani: Qëndrime personale
Nënkryetari i LSI-së, Manjani: të dallojmë qëndrimin personal, nga ai politik
Deklarata e deputetit të LSI-së, Gjovalin Kadeli, se Lëvizja Socialiste për Integrim do të ndërmarrë një iniciativë, ku do të kërkojë nga Kryeministri Edi Rama dhe Kryetari i Kuvendit Ilir Meta largimin e një ministri të kabinetit qeveritar, ka sjellë edhe reagimin e nënkryetarit të kësaj partie, Ylli Manjani.
Lëvizja Socialiste për Integrim e konsideron si qëndrim personal të deputetit Gjovalin Kadeli deklaratën se 12 ligjvënës të kësaj partie do t’i kërkojnë Kryeministrit Edi Rama largimin e një ministri. Nënkryetari i LSI-së, Ylli Manjani, njëkohësisht zv.ministër i Transporteve, theksoi se deklarata nuk ka lidhje me qëndrimin politik të partisë së dytë qeverisëse në vend.
“Nuk mund të ndaloj asnjë komentues në politikë ose jo që të shprehë kënaqësitë apo pakënaqësitë që ka me raste të caktuara apo me ministra të caktuar. Duhet të dimë të dallojmë qëndrimin personal, nga ai politik. Si nënkryetari i LSI-së, ju them se LSI është e angazhuar 24 orë në 24 në përbërje të qeverisë për të përshpejtuar axhendën e integrimit. Kjo është shumë më e rëndësishme sesa komentet që bëhen mbi persona. Është në historinë e LSI-së që të mos e personalizojë politikën, kjo është shumë e rëndësishme. Nuk ka ndryshuar asgjë në kursin e LSI-së”, – ka thënë Ylli Manjani për “Ora News”.
Ndërkaq, ligjvënësi i LSI-së, Kadeli, duke i qëndruar deklaratës së tij, u shpreh se ai nuk është një mendim personal, por i 12 deputetëve. Duke iu përgjigjur Manjanit, Kadeli e cilëson të pavend reagimin e tij, duke shtuar se zv.ministri i Transporteve nuk është pjesë e grupit parlamentar të LSI-së.
“Deputetët e LSI-së së shpejti do të marrin një iniciativë ku do t’i drejtohen Kryeministrit Rama për largimin e të paktën një ministri. Jo më pak se 12 deputetë kanë vendosur të largohet një prej ministrave të kabinetit për perfomancë të dobët, për mungesën e komunikimit me deputetët, duke mos qenë në rolin e duhur për të qenë pranë votuesve shqiptarë, pranë atyre që na kanë zgjedhur. Është me rëndësi që në Kuvend të mishërojmë zërin e votuesve. Asnjë nga deputetët e LSI-së nuk ka hyrë në zyrat e ministrave për zgjidhjen e problemeve të tyre, por të komunitetit. Fatmirësisht, shumica e tyre janë pa mandat deputeti, që i angazhon më shumë, por kjo nuk do të thotë se pse nuk ke mandat deputeti dhe të mos komunikosh me deputetët mbi problemet që ka për votuesit që përfaqëson. Shkalla e rritjes së përgjegjësisë do jetë më e madhe me këtë kërkesë tonën. Shqipëria është më pranë statusit kandidat dhe opozita ka qenë luajale në këtë pikë dhe Presidenti ka përshëndetur dhe po merr hapat e duhur që t’i shërbejë këtij qëllimi dhe ne jemi të vendosur si grup parlamentar të punojmë sa më shumë që statusi të merret dhe jemi të sigurt që do merret”, – ka thënë Gjovalin Kadeli në një intervistë televizive.