Standard.al

Kosta Rika “e vogël” i jep mësim Uruguait të madh

Skuadra bardhekuqe ka mundur Suarezin me shokë, duke u kthyer në një surprizë të kompeticionit

 

uruguay-v-costa-rica-group-20140614-204038-649Një sfidë që solli epërsinë, përmbysjen dhe dhunën. Një sfidë mjaft emocionuese, e cila në fund nxori si fituese Kosta Rikën. Ndeshja nis me një temp të lartë. Një ndeshje tipike kur përplasen ekipet latine. Uruguajanët janë ata nga të cilët pritet shumë. Kjo, pasi Kavani, Suarezi apo dhe Forlani plotësojnë një nga treshet më të forta të sulmit. Janë të kaltrit të parët që nisën të sulmojnë. Një epërsi që bie ndesh me mbrojtjen e Kosta Rikës, që mundohet të ndalojë sulmet e uruguajanëve. Rreziku i parë do të vinte nga Kavani. Sulmuesi i PSG-së në të 16-ën do të humbiste një mundësi të artë, pas gabimit të mbrojtjes bardhekuqe. Por lojtari do ta rregullonte vetëm 8 minuta më vonë. Pas një faulli të marrë afër portës së Kosta Rikës do të ishte “El Matador” ai që do të realizonte një goditje të përkryer, duke mposhtur kështu gardianin bardhekuq dhe duke kaluar skuadrën e tij në epërsi. Pas golit Uruguai nuk ul tempin, por vazhdon të sulmojë, ndërsa edhe kundërshtarët fillojnë të lëvizin, pasi nuk kanë asgjë për të humbur. Është Kempbëll ai që tenton të shënojë, mirëpo topi kalon afër portës së Muslerës. Pjesa e parë ndërkohë mbyllet me avantazhin e Uruguait dhe skuadrat shkojnë drejt dhomave të zhveshjes me rezultat të pandryshuar.

Pjesa e dytë do të ishte më emocionuese dhe surprizuese në të njëjtën kohë. Kësaj radhe protagonistët duket se nuk ishin uruguajanët, por lojtarët e Kosta rikës. Një përmbysje që nuk pritej dhe që as vetë Kosta Rika nuk e kishte menduar në ëndrrat e veta. Që në minutën e 51-të është Duarte ai që futet mjaft mirë në zonë dhe duket se mungon vetëm finalizimi, por gjithçka ndalohet nga ndërhyrja e Muslerës. Një presion i skuadër së Kosta Rikës që duket se paraprin atë që do të ndodhë pak më vonë. Vetëm tri minuta më vonë do të vinte edhe goli i barazimit. Është Kempbëll ai që trondit uruguajanët duke arritur të finalizojë dhe t’i japë një barazim mjaft të vlefshëm skuadrës së tij. Sulmuesi i Arsenalit arrin të mposhte Muslerën duke çuar skuadrën e tij në delir. Festa do të zgjaste edhe më shumë. Kjo, pasi vetëm në minutën e 57-të do të vinte edhe goli që do ta çonte rezultatin në epërsi për Kosa Rikën. Do të ishte Duarte ai që do të çonte topin në rrjetë, kësaj radhe dhe duke mposhtur Muslerën me të majtën e tij. Një gol që e çon Kosta Rikën në qiellin e shtatë, por që nuk do të mjaftoheshin me kaq. Loja do të hapej edhe më shumë dhe dyluftimet do të ishin më të forta. Kjo, pasi Uruguai do të kërkonte të ndryshimin e rezultatit, ndërsa Kosta Rika kërkonte ta ruante me çdo kusht. Fundi për skuadrën e Uruguait do të vinte në minutën e 84-të, pasi Kosta Rika do të shënonte edhe golin e tretë, i cili ishte edhe goli i sigurisë për ekipin që u nis në këtë fazë të grupeve si “i vogli” i grupit. Një gol i shënuar nga Urena që dukej se do ta mbyllte gjithçka dhe do t’i jepte fund Uruguait. Në minutat e fundit pati shumë presion çka ndikoi edhe në gjendjen e skuadrës uruguajane. Kjo, pasi Perreira do të bënte një ndërhyrje të rëndë ndaj Kempbëllit. Një veprim ky që nuk do të tolerohej nga arbitri, i cili vendosi ta penalizonte me të kuqe lojtarin. Një veprim që ia uli edhe më shumë Suarezit shpresën me shokë se mund të kualifikohen. Kështu, ndeshja u mbyll me shifrat në favor të Kosta Rikës. Një sfidë surprizuese që ndryshon rrjedhën e gjërave në grupin ku gjenden edhe Italia me Anglinë.

 

Kasijas: Jam fajtor për disfatën

Portieri dhe njëkohësit kapiteni i Spanjës, Iker Kasijas, ka deklaruar se është fajtor për humbjen 5-1 nga Holanda. Të zgjedhurit e Luis van Galit u kthyen nga disavantazhi prej një goli të Ksavi Alonsos për ta shkatërruar “La Rojan” me nga dy gola të Arjen Robenit e Robin van Persit dhe një gol të Stefan de Vrijit. Portieri i Real Madridit bëri gabime në pranimin e disa prej golave dhe tani e ka pranuar fajin. “Është momenti për të qenë të qetë, për të reflektuar dhe menduar për ndeshjen e radhës kundër Kilit, si të ishte një finale. Ne kërkojmë falje dhe unë jam i pari… Nuk kam qenë në nivel dhe e pranoj. Kemi qenë pa fat, duke filluar nga unë. Tani po mendojmë për ndeshjen e radhës. Unë e marr fajin”, – ka deklaruar gardiani 33-vjeçar.

 

 

Ramos: Spanja nuk e ka mbyllur ciklin e saj

Qendrori i Spanjës, Ramos, e pranoi se disa ndryshime në formacion do t’i bënin mirë “La Rojas”. Pavarësisht humbjes turpëruese 5-1 në sfidën e parë të tyre në Botëror ndaj Holandës, Serxho Ramos është i bindur se Spanja vazhdon të mbetet ajo skuadër e madhe që fitoi gjithçka. “Grupi është më i bashkuar se kurrë. Të flasësh për fundin e një cikli është një çmenduri. Do të na pëlqente të luanim që sot përballë Kilit për t’i treguar gjithë botës se humbja e thellë ndaj Holandës ishte vetëm një aksident. Nuk e kemi harruar atë që ndodhi në ndeshjen ndaj portokallinjve, por ne jemi më të motivuar se kurrë. Çelësi i suksesit në këtë skuadër është se gjithmonë ka ditur të ringrihet pas një disfate të rëndë”. Më pas Ramos e pranoi se disa ndryshime në formacion do t’i bënin mirë “La Rojas”. “Na duhet të reagojmë menjëherë. Futbollistët e rinj dhe ata më ekspertë duhet ta hedhin pas krahëve këtë disfatë. Kemi në ekip lojtarë të talentuar që mund ta na japin një dorë në ndeshjet e ardhshme. E kemi ende në dorë fatin tonë dhe besoj se do ta kalojmë grupin”. Spanja do të zbresë në fushë në datën 18 qershor, teksa do të ndeshet me Kilin në stadiumin mitik “Maracana”, ndërkohë që do ta mbyllë fazën e grupeve me sfidën ndaj Australisë më 23 qershor në “Arena Baixada” të Kuritibas.

 

 

Arjen Roben: Kemi ende rrugë për të bërë

Arjen Roben ka thënë se fitorja e thellë me rezultat 5-1 kundër Spanjës nuk ishte hakmarrje për humbjen në finalen e Botërorit 2010. “Jemi shumë të lumtur. Jam shumë krenar me skuadrën time, që është vërtet e mbushur me të rinj”, – tha fillimisht Roben për “SporTV” në Brazil. “Ende është faza e grupeve, kështu që kjo nuk është hakmarrje. Ende nuk e kemi fituar Kupën, nuk është viti 2010. Duhet të jemi të qetë”, – theksoi holandezi. “Ne duhet të marrim përparësi nga kjo fitore. Ndoshta na jep një dozë të mirë vetëbesimi, por ende është vetëm fillimi. Do të vazhdojmë të punojmë mirë e fort dhe do të përgatitemi mirë për ndeshjen e ardhshme kundër Australisë, kjo është e tëra që mund të bëjmë”, – përfundoi sulmuesi.

 

 

Mustafi, në dyshim për të ardhmen

Shkodran Mustafi nuk është i sigurt nëse e ardhmja e tij do të jetë te skuadra italiane. Ish-i riu i Evertonit, i cili është në mesin e shqiptarëve që luajnë në Botëror, në rastin e tij për kombëtaren e Gjermanisë, thotë se për momentin është i përqendruar në garën më të madhe të futbollit dhe dëshiron të shfrytëzojë çdo mundësi nga ajo. “Të jem këtu është një përvojë e jashtëzakonshme dhe mezi pres të nxjerr gjithë çfarë mundem nga kjo për karrierën time. Ju mund të shkoni në Ibiza çdo vit, por ju mund të shkoni në një Kupë Botërore vetëm një herë në katër vite. Nuk e di se çfarë do të ndodhë, do të shohim pas përfundimit të Kupës së Botës. Dua të përqendrohem në Botëror për momentin”, – ka thënë lojtari me origjinë shqiptare.

 

 

Januzaj: Edhe Belgjika ka shanse për të fituar

Adnan Januzaj është i ngazëllyer që do të jetë pjesë e Botërorit dhe mendon se të gjitha vendet kanë shanse për ta fituar trofeun. Pas shumë dilemash, 19-vjeçari shqiptar vendosi të vishte fanellën e Belgjikës, skuadër me të cilën do të luajë edhe në Botërorin që këto ditë ka filluar në Brazil. Januzaj mendon se nëse ata japin gjithçka, kanë një shans për të fituar. “Secili vend mund ta fitojë atë, pasi është Kupa e Botës. Duhet të japësh gjithçka. Unë gjithmonë kam thënë, nëse jepni gjithçka që keni në fushë, atëherë mund të keni një shans të kaloni më tej dhe kurrë nuk i dihet në Kupën e Botës”, – ka thënë lojtari me origjinë kosovare.

 

Comments are closed.