Argjentina dhe Shqipëria, ngjashmëri të rrezikshme

0
184

Ervin Kaduku

 

wounded-piggy-bank-recession-webDisa kohë më parë prestigjozja “The Economist” i kushtonte një artikull të veçantë historisë unike 100-vjeçare të Argjentinës. Ky artikull zuri edhe faqen e parë të revistës të publikuar më 15 shkurt. Titulli ishte “Parabola e Argjentinës-Çfarë mund të mësojnë qeveritë e tjera nga 100 vite të rënies ekonomike”. Dhe sigurisht nëse e analizojmë me kujdes këtë shkrim, qeveria shqiptare ka shumë për të mësuar nga gabimet e Argjentinës, pasi në disa raste ngjashmëritë janë të habitshme…

Ekzistojnë shumë ngjashmëri historike, por edhe aktuale midis Shqipërisë dhe Argjentinës. Edhe pas 23 vitesh tranzicion, Shqipërisë i mbeten shumë e shumë reforma të parealizuara. Ashtu si në Argjentinë, edhe në Shqipëri, demokracia dhe institucionet janë ende të dobëta, ndërsa vëmendja përqëndrohet në figura karizmatike. Shqipëria, ashtu si Argjentina, ka një varësi të madhe ndaj eksportit të lëndëve të para dhe e ka mbështetur zhvillimin e ekonomisë në burimet natyrore dhe eksporte.Baret apo lokalet në Tiranë, ashtu si në Buenos Aires, janë plot gjatë gjithë ditës ku të shërbehet kafeja, që me pak muhabet me shoqërinë, mund të “shtyhen” 3 apo 4 orë. Për Shqipërinë gjithashtu, kjo është një sëmundje shumë e rrezikshme.

Ngjashmëri të tjera midis Shqipërisë dhe Argjentinës janë proteksionizmi, nacionalizmi, populizmi, korrupsioni, mungesa e tregut të aksioneve, etj. Në raportin për vitin 2013 të Transparency International, mbi indeksin e korrupsionit, Argjentina renditej në vendin e 106, ndërsa Shqipëria në të 116.

Pra mësimi nga “Parabola e Argjentinës” është se qeveritë e mira kanë shumë rëndësi. Mbase kjo dihej. Por shanset janë shumë të mëdha që në 100 vitet e ardhshme bota të shikojë një tjetër rast si Argjentina – një vend me të ardhme, por që u “mbërthye” nga e kaluara.

 

Artikulli

Një shekull më parë, kur Harrods vendosi të ngrerë pasurinë përtej detit, ai zgjodhi Buenos Aires. Në vitin 1914, Argjentina u cilësua si vendi i së ardhmes. Ekonomia e saj u rrit më shumë se Amerika për katër dekada me radhë. Prodhimi i Brendshëm Bruto i Argjentinës për frymë ishte më i lartë se Gjermania, Franca dhe Italia. Vendi Latin mburrej me tokën bujqësore pjellore, klimën me diell, demokracinë e re, një popullatë të arsimuar dhe kërcimet më erotike në botë.

Emigrantët u dyndën drejt këtij vendi të mrekullueshëm nga të gjitha anët e botës, ndërsa për të rinjtë ambiciozë zgjedhja midis Argjentinës dhe Kalifornisë ishte shumë e vështirë. Gjithsesi, edhe në ditët e sotme ka ende shumë gjërë për të dashur tek Argjentina, duke filluar nga malet e lavdishme të Patagonias e deri tek futbollisti më i mirë në botë, Lionel Messi. Argjentinasit mbeten njerëzit më të pashëm në planet, por vendi i tyre është një rrënojë. Aktualisht, Argjentina është në qendrën e krizës të vendeve në zhvillim.

Për këtë, mund të fajësohet paaftësia e presidentes, Cristina Fernandez, por ajo është e fundit në një seri ekonomistësh populistë analfabetë (Juan dhe Eva (Evita) Perón) dhe për këtë arsye as që mund të përmendet konkurrenca me gjermanët. Edhe fqinjët si Kili apo Uruguaji janë më të pasur. Fëmijët e këtyre dy vendeve, por edhe fëmijët e Brazilit dhe Meksikës paraqiten më mirë në testet ndërkombëtare të arsimit. Kur njerëzit mendojnë më të keqen që mund ti ndodhë vendit të tyre, mendja u shkon tek totalitarizmi. As ekstremizmi nuk është një kërcënim për Argjentinën krahasuar me: institucionet e dobëta, politikanë nativistë (politika që mbrojnë interesat e banorëve vendas dhe kundër emigrantëve), varësi “dembele” ndaj disa aseteve dhe një refuzim i vazhdueshëm për tu përballur me realitetin.

Ashtu si në çdo vend tjetër, historia e Argjentinës është unike. Por ka pasur “bonus” fatin e keq. Eksportet, që ishin shumë të rëndësishme për ekonominë, u goditën nga proteksionizmi gjatë viteve të luftës së brendshme.Argjentina u mbështet së tepërmi në Britani si një partner tregtar. Familja Peron ishte jashtëzakonisht populiste. Ashtu si shumica e vendeve të Amerikës Latine, edhe Argjentina u rendit në favor të Uashingtonit për tregje të hapura dhe privatizime, që nga viti 1990 duke fiksuar normën e këmbimit të pezos në raport me dollarin amerikan. Por kriza, kur ajo erdhi në vitin 2001, ishte shumë e egër dhe largoi çdo dyshim të argjentinasve në lidhje me reformat liberale. Por fati nuk është fajtori i vetëm. Në ekonominë e saj, në politikën e saj, dhe në hezitimin e saj për të reformuar, rënia e Argjentinës ka qënë kryesisht e vetë-shkaktuar.

Lëndët e para, forca e madhe e Argjentinës në vitin 1914, u bë një mallkim. Një shekull më parë vendi ka qënë një adoptues i hershëm i teknologjisë së re. Në anën tjetër, Perons-at ndërtuan një ekonomi të mbyllur që mbrojti industritë e saj jo-efikase. Gjeneralët e Kilit e hapët ekonominë në vitin 1970 dhe ecën përpara, ndërsa proteksionizmi në Argjentinë dëmtoi “Mercosur-in”, paktin lokal për tregtinë. Argjentina nuk ngriti asnjë institucion të nevojshëm për të mbrojtur demokracinë e re nga ushtria dhe për këtë arsye vendi u bë i prirur për “grushte shteti”. Ndryshe nga Australia, një vend gjithashtu i pasur me lëndë të para,Argjentina nuk ka zhvilluar parti politike të vendosura për të ndërtuar dhe për të ndarë këto pasuri natyrore.

Politika u “pushtua” nga presidenti i atëhershëm Juan Perón i cili u fokusua tek personalitetet dhe influenca. Ndërhyrjet politike kanë shkatërruar edhe besueshmërinë ndaj Zyrës së Statistikave, ndërsa korrupsioni është endemik. Argjentina renditet në vendin e 106 në indeksin e korrupsionit të Transparency International.Procesi i ndërtimit të institucioneve është shumë i ngadaltë, ndërsa aktiviteti i bizneseve është anemik. Rënia e ekonomisë së Argjentinës ka qënë graduale.Pavarësisht periudhës së tmershme të viteve ‘70, Argjentina nuk ka vuajtur asnjëherë nga ndonjë figurë monumentale, si ajo e Maos apo Stalinit. Gjatë gjithë rënies së saj, kafenetë e Buenos Aires-it kanë vazhduar të jenë plot dhe të shërbejnë kafe ekspres dhe briosh. Kjo e bën sëmundjen veçanërisht të rrezikshme.

Bota e pasur nuk është imune. Kalifornia gjendet në një fazë të stabilizuar, por nuk është e qartë se është larguar nga varësia zgjidhjeve të shpejta nëpërmjet referendumeve, ndërsa qeveria lokale ende e pengon sektorin privat. Në periferinë jugore të Europës, si qeveritë ashtu edhe bizneset i janë shmangur realitetit, me përbuzje ndaj Argjentinës. Kërkesa idhnake e Italisë, që agjencitë e vlerësimit të kreditit duhet të marrin në konsideratë edhe “pasuritë kulturore”, në vend që të shikojë më afër financat qeveritare, duket si kërkesë e Zonjës Fernandez, presidentes së Argjentinës. Bashkimi Europian mbron Spanjën apo Greqinë, por çfarë do të ndodhë nëse Eurozona shpërbëhet?

Rreziku më i madh, megjithatë, qendron në botën në zhvillim, ku progresi i pandërprerë për prosperitet ka filluar të shihet si i pandalshëm. Shumë vende janë rritur ekonomikisht, bazuar në eksportin e lëndëve të para, por kanë lënë pas dore institucionet e tyre.

Me Kinën më pak të uritur për lëndë të para, dobësitë e vendeve që varen nga këto eksporte mund të jenë të ekspozuara ashtu si Argjentina ishte. Edhe në kohët e fundit, ashtu si në Argjentinë kohë më parë, populizmi ka përfshirë shumë vende në zhvillim, ndërsa kushtetuta po ndryshohet.E varur jashtëzakonisht shumë nga nafta dhe gazi dhe e drejtuar nga kleptokratë të rrezikshëm, Rusia qendron në krye të listës. Por edhe Brazili ka “flirtuar” me nacionalizmin ekonomik, ndërsa në Turqi, autokratiku Recep Tayyip Erdogan ka përzier Evitën (Evita ose Eva Perón ishte gruaja e dytë e ish-Presidentit të Argjentinës Juan Perón) me Islamin. Në shumë vende të tjera në zhvillim, kryesisht në Azi, duke përfshirë Kinën dhe Indinë, kapitalizmi mik mbetet në rend të ditës. Pabarazia ushqen të njëjtin zemërim që prodhuan Peronët (Peróns) në Argjentinë.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency