Zbulohet dokumenti i Nolit, si dënoi me vdekje Zogun

0
249

Nga Veli HAKLAJ*

2 Mbreti Zogu IRevolucioni i Qershorit ‘24/ Gjykata Politike e Nolit dënon me vdekje Ahmet Zogun

Megjithëse disa muaj para dhe gjatë Revolucionit të Qershorit 1924, Ahmet Zogu nuk kishte administruar post ekzekutiv, ai do të gjendej në qendër të procesit hetimor-gjyqësor politik që do të zhvillohej në periudhën korrik – 12 dhjetor të atij viti. Bazuar në dekret-ligjin mbi gjykimin politik, Gjykata Politike në kohën e qeverisjes së Nolit filloi veprimtarinë e saj më 5 korrik 1924, për ta përfunduar pak ditë para se ai të largohej nga pushteti.

 

1. Ministri i Drejtësisë orienton akuzën dhe harton listën e të pandehurve

Shkresa që ministri i Drejtësisë së Qeverisë Noli i drejton Prokurorisë së Gjyqit Politik, në Tiranë, paraqet modelin se si fabrikoheshin akuzat ndaj kundërshtarëve politikë, por jep dhe bindjen që kishin krijuar këta qeveritarë për Ahmet Zogun, njërin nga protagonistët kryesorë të zhvillimeve politike – shtetërore, në periudhën 1920 – 1924.

Në shkresën nr. 41 Rezervat, datë 16 korrik 1924, që ministri i Drejtësisë Stavro Vinjau i dërgon Prokurorisë së Gjyqit Politik, në Tiranë, ai do evidentonte se “vëllavrasja e fundit qe një ngjarje e hidhur sa dhe shkatërruese. Shkaktarët e saj janë jo vetëm moralisht të dënueshëm, por edhe ligjërisht të përgjegjshëm. Puna është të caktohen cilët janë këta shkaktarë dhe deri në ç’gradë secili nga ta ka marrë pjesë. Sikur të qe se kryengritja nuk impozohej dot, atëherë pa dyshim do të gjykohej se kjo qe pa vend; pra kryengritësit do të hiqnin të gjitha pasojat e veprës së tyre, se insuksesi i tyre provonte se forcat shoqërore në kryengritje qenë më të dobëta nga ato që kishin frenat e Shtetit, pra ato të parat nuk kishin të drejtë të impozoheshin në Shtet”.

Sipas ministrit Vinjau: “Fitimi i kryengritjes provoj se forcat jashtë qeverisë qenë më të forta nga ato që dominonin; këta që qenë në krye kishin për detyrë duke matur dhe peshuar ato forca të mos insistonin në sundimin e tyre po kundërshtimin ta zbutnin; se tjetërsoj shkaktonin, si shkaktuan, kryengritjen. Ay burr’ i shtetit, i cili nuk bën dot këto çmime ose me gjithë se i bën, nga një interes personal ose kllassi, ose një ambicion, ose egoizme të verbër, nuk konformohet me nevojat imperante të këtyre çmimeve, është përgjegjësi i kryengritjevet si shkatarë i tyre dhe i vllavrasjes relative. Të vimë në ngjarjet tona të fundit. Nuk kufizohemi vetëm në shkaktimin e përgjegjësisë në bazë të kritereve që vumë më nalt; nuk kufizohemi vetë të themi se: e tërë ana që mori pjesë në luftë kundra kryengritësve është përgjegjëse e vëllavrasjes posa që humbi luftën”.

Në vijim, pas një parashtrese në planin historik dhe politik, duke ndaluar veçanërisht në vitet 1920 – 1924, ministri i Drejtësisë Vinjau, për të provuar akuzat e tij do të sillte faktet që ai i mendonte si konkrete për njeriun që deshi të akaparonte për gjithmonë fuqinë e shtetit, z. Ahmet Zogun. Sipas tij: “Ahmet Zogu për të mundur të qëndrojë në fuqi dhe kundra dëshirës së kombit organizoi me kohë një fuqi personale; shpërndau armë dhe municion në Mat dhe Dibër, ç’armatosi n’Elbasan gjithë kundërshtarët e tij dhe la t’armatosur gjithë pasanikët e vjehrrit të tij. Pruri në Kosovë të kunatin e tij Ceno Bej Jakovën dhe e la të organizonte një fuqi armate të paguar. Këtë fuqi e organizonte me dy qëllime: 1) Të kish një fuqi që edhe kundra dëshirit të popullit të mund të imponohej. 2) Shokët dhe kundërshtarët e tij të mejtoheshin shumë pa të kundështonin, se do të qe në pozitë t’i bante keq Kombit. Kjo e dyta kish kaq fuqi, sa edhe shokët e tij më besnikë të thonë sheshazi se Ahmeti ishte një aventurier; po ka fuqi personale të mjaftë, që po t’i vemi kundra, të na shkatërrojë shtetin.

Që ky kish organizuar një fuqi personale jashtë shtetit dhe mbi shtetin, prova është në fuqinë që ai vetë, një privat, mundi të kundraparaqiste kundra popullit në kryengritje. Për të organzuar dhe formuar fuqinë personale të tij vrau dhe me njërën ose tjetrën mënyrë eliminoj gjithë kundërshtarët e tij në Dibër, Mat e gjetkë.

Për t’i intimiduar shokët e tij si dhe kundërshtarët, kurdoherë që qe jashtë fuqisë ose qe në rrezik të binte, provokonte turbullime në disa vise të Shtetit, që të kuptojnë të gjithë se pa Ahmetin Shqipëria nuk mund të kishte qetësi. Mendimi i përgjithshëm, shqetësimin e rrethit të Krujës dhe vrasjen e amerikanëve (në Mamurras) kësaj taktike ja hedh.

Për të terrorizuar kundërshtarët e tij vuri dhe u vranë Adem Gjinishi, Haxhi Kazazi dhe në fund Avni Rrustemi. Nuk dihet se çdo të vendosë gjyqi, po s’ka njeri sot në Shqipëri që të mos ja ngarkoj Ahmetit të tëra këto vrasje.

Lista emrash të burrave të shtetit, që qenë dënuar me vdekje prej Ahmetit, silleshin rrotull prej agjentave të tij.

Të gjitha këto provokuan një bindje në një pjesë të madhe të popullit se Ahmeti qe njeri i rrezikshëm për shtetin (atentati kundra tij dhe këtë provon), dhe e pakta duhet larguar që këtej dhe avash – avash fuqia e tij personale të shkatërrohej në mënyrë që në shtet vetëm fuqia e Shtetit dhe jo e personave të mbizotëronte”.

Në fund të kësaj shkrese ministri i Drejtësisë Stavro Vinjau do të caktonte edhe disa nga personat fajtorë (28 persona).

 

2. Prokurori i Gjyqit Politik harton platformën e ndjekjes politike të kundërshtarëve

Më 17 korrik 1924, menjëherë pas marrjes së shkresës nga ministri i Drejtësisë, prokurori i Gjyqit Politik i drejton kërkesën nr. 1 Gjykatësit Hetues pranë Gjykatës Politike, në Tiranë. Po ta analizosh këtë dokument rezulton të jetë një kërkesë pa argumente ligjore, që të sjell në kujtesë tablotë sinoptike të Enver Hoxhës për goditjen e grupeve armiqësore brenda radhëve të Partisë së Punës. Në këtë kërkesë të prokurorit theksohej:

“Gjykata Politike e ngrehun ekstraordiner ka për qëllim të nxjerrë në shesh se cilët janë shkaktarët e vëllavrasjes së fundit. Si kuptohet edhe nga shpjegimet e Ministrisë së Drejtësisë, të cilat po jua bashkëdërgojmë, autorët e shkaktarët principial të kësaj vëllavrasje janë qeveritë e përparshme të kryesueme prej Shefqet Vërlacit dhe Iljaz Vrionit, tue pasë në krye edhe Ahmet Zogun, i cili, simbas fakteve që do të mblidhen në rastin e hetimeve, do të dalin në shesh se âsht përpjekë me çdo mënyrë të organizojë e të formojë fuqi personale të tij përmbi Shtet e me qëllime prapanike.

Thamë se qeveritë e Shefqet Vërlacit dhe t’Iljaz Vrionit janë shkaktarët e kësaj vëllavrasje, se ata duheshin të matshin e të çmojshin që forcat shoqnore të kundërshtarëve të tyne edhe elementat e tjerë që ishin mbledhun rrotull këtyne forcave qenë mâ të forta nga ato që kishin frenat e qeverisë në dorë e kështu duhej që të mos insistojshin në sundimin e tyne e të zbutshin kundërshtimin, se duhej të mendojshin që tjetër soj shkaktonin, si shkaktuen, kryengritjen. Ata burra shteti që nuk mundin të bâjnë këto çmime ose i bâjnë, po me qëllime personale etj. e nuk konformohen në këto nevoja, janë përgjegjës të kryengritjeve si shkaktarët e tyne dhe të vëllavrasjes relative.

Pra rrotull kësaj baze do të kërkojmë nga e ndershmja Gjykatë Hetuese thirrjen e atyne personave që kanë gisht në këtë vëllavrasje, si të pandehun. Prandaj kjo prokurori kërkon të thirren të pandehun si autor principal: Ahmet Zogu, Shefqet Vërlaci, Iljaz Vrioni, Qemal Vrioni, Seit Vrioni, Izedin Vrioni, Eshref Frashëri, Skender Pojani, Xhafer Ypi, Refik Toptani, Zija Toptani, Fuat Toptani, Seit Toptani, Hysref Frashëri, Banush Hamdi, Musa Juka, Abedin Nepravishta, Mustafa Aranitasi, Abdyrrahman Dibra, Myfid Libohova, Koço (Kostaq) Kotta, Petro Harito, Mihal Kasso, Selahudin Blloshmi, Veis Sevrani, Demir Aliu, Kasem Radovicka, Osman Leskoviku (Gazepi)”.

Në përfundim, prokurori i Gjyqit Politik, sqaronte se, si shtojcë të kësaj kemi me i dërgue asaj Gjykate edhe emrat e të implikuarve të vëllavrasjes, pasi të kishin marrë informatat e duhura nga autoritetet.

 

3. Fuqitë e armatosura urdhërohen që të sjellin kundërshtarët politikë para gjyqit

Më 17 korrik 1924, Gjykatësi Hetues Politik Abdyl Kuçi, do të publikonte letër -shtrëngimin nr. 1, ku thuhej se, simbas kërkesës së Prokurorisë së Gjyqit Politik, “meqënëse Ahmet Zogu, Shefqet Vërlaci, Iljaz Vrioni, Qemal Vrioni, Seid Vrioni, Izedin Vrioni, Eshref Frashëri, Skender Pojani, Xhafer Ypi, Refik Toptani, Zija Toptani, Fuad Toptani, Seid Toptani, Hysref Frashëri, Banush Hamdiu, Musa Juka, Abedin Nepravishta, Mustafa Aranitasi, Abdurrahman Dibra, Mufid Libohova, Kostaq Kotta, Petro Harito, Mihal Kasso, Selahudin Blloshmi, Veis Sevrani, Demir Ali, Kasem Radovicka, Osman Leskoviku (Gazepi); janë të pandehun me krime për shkak të vllavrasjes, të pandehunit çdo ftues e fuqi e armatosun âsht e detyrueme t’i sjellë para Gjyqit”.

Për të sqaruar detyrimet që përcaktoheshin nga letër-shtrëngimi, Komandanti i Përgjithshëm i Xhandarmërisë, major Akif Përmeti, më 19 korrik 1924, do t’i dërgonte shkresën nr. 589/153 Gjyqit Hetues Politik, në Tiranë, ku pasi e sqaron se simbas marrëveshjes me Ministrinë e Luftës, oficerët që kërkohen nga ajo gjykatore duhet të thirren nga ana e Ministrisë së naltpërmendun, i kërkonte përgjigje “n’âsht se jeni marrë vesh me Ministrinë në fjalë për këtë gjâ, d.m.th. letër-shtrëngimi për oficerët a ka me u zbatue nga ana e asaj komande, apo jo?”

Po për këtë problem, më 4 nëntor 1924, Komandanti i Përgjithshëm i Xhandarmërisë, major Akif Përmeti, në përgjigje të shkresës nr. 312, datë 2 nëntor 1924, do t’i drejtohej Prokurorisë së Gjyqit Politik, me sqarimin se simbas urdhërit të Ministrisë së Luftës drejtuar kësaj komande, “kur kërkohen prej atij gjyqi oficera të ushtrisë ose të gjindarmërisë me letër-thirrje me përdhun ordinere, ose edhe për zânje, simbas shkresës së sipërme, lutemi t’i drejtohi Ministrisë së Luftës për ekzekutim. Sa për civila mund t’i drejtohi drejtpërdrejtë kësaj komande”.

 

4. Të pandehurit ftohen për t’u paraqitë në Hetuesinë Politike

Sipas procedurave ligjore, Gjyqtari Hetues Politik Abdyl Kuçi me shkresën nr. 1/IX, datë 5 gusht 1924, drejtuar Drejtorisë së Shtypit, i kërkonte për të botuar në numrin më të parë të Fletores Zyrtare, një shpallje mbi thirrjen të pandehurve t’arratisun t’aluduem si anëtar principial të vëllavrasjes së fundit, me këtë përmbajtje:

Simbas përgjigjes që na jepet prej Komandës së Përgjithshme të Gjindarmërisë mbi ekzekutim të letra-shtrëngimeve të nxjerruna më 17 korrik 1924, meqënëse të pandehunit të akuzuem për deliktin e vllavrasjes së fundit janë arratisun e nuk ju dihet vendi ku banojnë, me anën e kësaj shpallje janë të detyruem që të pandehunit e sipërtreguem (në dokument jepen gjeneralitetet dhe funksionet e tyre – V.H.) të paraqiten në zyrën Hetuese Politike në Tiranë brenda 15 ditëve që nga data e shpalljes. Ndryshe do të bahen formalitetet ligjore në mungesë të tyne.

 

5. Hetuesia e Gjykatës Politike vendos për akuzat

Pas një pune disa mujore, më 1, 18 dhe 25 nëntor 1924, hetuesia e Gjykatës Politike do të nxirrte dhe vendimet përkatëse ku do të përcaktoheshin akuzat për të pandehurit, kundështarët politikë të Revolucionit të Qershorit 1924.

Gjykata hetuese pranë Gjyqit Politik, fajet e atribueme të pandehunve të arratisun Xhafer Ypi e Refik Toptani, ish-anëtar të Këshillit të Naltë; Eshref Frashëri, ish-kryetar i Asmablesë; Qemal Vrioni, Skender Pojani, Mihal Kaso, Zija Toptani, Petro Harito, ish-asamblista; Kasem Sejdini, ish-kryetar i Bashkisë e prefekt i Elbasanit; Abedin Nepravishta, ish-prefekt i Shkodrës; Veis Sevrani, Xhemal Aranitasi, Leon Gilardi, Alush Aga Luma, majora; Selahudin Blloshmi, Demir Aliu, Osman Leskoviku, Prenk Previzi e Bahri Begolli, kapitena; Muharrem Bajraktari, Ali Bekteshi, Luigj Shantoja, Hysni Dema e Fiqiri Dinja, togera; Beqir Rexha, Ismail Osmani, Hakik Mema dhe Nesib Bekteshi, nëntogera; Jusuf Hyseni, Selami Çela e Abdi Beqir Bardhi, aspiranta; Syrja Vlona, pronar nga Vlona; Hysref Frashëri e Fuad Toptani, pronar nga Tirana; Musa Juka, ish-kryetar i Bashkisë së Shkodrës; Ali Derhemi, ish-anëtar i Bashkisë së Tiranës; Shaban Fagu, Hysen Keçi, Hamdi Saraçi, tregtar nga Tirana; Qerim Nasufi e Taf Kaziu nga Dibra; Nazif e Hiqmet Baholli, tregtar nga Elbasani; major Kasem Radovicka, Veli Struga, Joan Dhimitresku, Emin Shashari, Musa Ali Hoxha, Rifat Binbashi, nga Elbasani; Bazi Canit, Ibrahim Tari, Xhafer Taga, nga Kruja; Halit Rroji, Kol Ivanaj, Mirash Ivanaj, Halil Hoxha, Gjon Deda, Dan Ceni, Malo Beg Bushati, Hasan Beg Bushati, Gjon Fusha, Nel Sadiku, Luk Lukaj, Martin Ivanaj, nga Shkodra; Duro Deliallisi, Baki Vath Beqja, nga Shijaku; Hysen Vrioni, nëntoger Sul Zdrava e Hysen Selmani; i gjen të përshtatun në nenet 55, 56, 57 e 58 të Kodit Penal komun; dhe fajin e arratisjes së Xhemal Aranitasit, Veis Sevranit, Kasem Radovickes, Leon Gilardit, Alush Ag Lumës, Selahudin Blloshmit, Demir Aliut, Osman Leskovikut, Prenk Previzit, Bahri Begollit, Muharrem Bajraktarit, Ali Bekteshit, Luigj Shantojës, Hysni Demës, Fiqiri Dines, Beqir Rexhës, Ismail Osmanit, Hakik Memës, Nesib Bekteshit, Jusuf Hysenit, Selami Çelës, Abdi Beqir Bardhit, Sul Zdravës e Hysen Selmanit, si oficera i gjente të përshtatun në nenin 132 të Kodit Penal Ushtarak.

Prandaj, në bazë të nenit 91 të Procedurës Penale, vendosi ndalimin e përhershëm të të pandehurve të naltpërmendur dhe kështu, në bazë të dispozitave të Procedurës Penale, çdo fuqi armate e Shtetit ishte e detyrueme që të naltpërmendurit t’i kapte e t’i sillte në burgun politik. Këto vendime u firmosën nga Zv. Gjykatësi Hetues Politik Mihail Lehova.

 

6. Procesi gjyqësor kundra Ahmet Zogut dhe bashkëpunëtorëve të tij

 6.1 Dosjet e të pandehurve të jenë individuale

Në shkresën nr. 32, datë 26 korrik 1924, të Prokurorit të Gjyqit Politik drejtuar Gjykatës Hetuese të Gjyqit Politik, në Tiranë, theksohej: “Tue qenë se ndjekja e të pandehunve në grup ka me sjellë pengime, sidomos në mbledhjen e provave, kjo Prokurori pas këndej si edhe për ata persona të shënuem në kërkesën e parë, në bazë të shkresave e raporteve të ministrive si edhe të argumenteve që do të mblidhen nga autoritetet, ka me paraqitë kërkesa të veçanta për çdo person, që kështu çdo person të ketë dosjen e tij.

Prandaj ju lajmërojmë që ndjekjet do të bahen në bazë të këtyne kërkesave”.

 

6.2 Dokumentet në dosjen në ngarkim të Ahmet Zogut

Në përmbushje të kësaj porosie, në dosjen që do t’i përcillej Gjykatës Politike për të pandehurin Ahmet Zogu ndodheshin: Procesverbali i gjyqit, 12 copë telegrame me listën relative, kërkesa e prokurorit, të datës 26 korrik 1924; bisedë e prokurorisë me 9 copë telegrame, e datës 16 shtator 1924; bisedë e Ministrisë së Luftës me një listë ushtarësh të vram’ e të plagosun, e datës 29 shtator 1924; bisedë e Ministrisë së Punëve të Brendshme me 25 copë akte, të datës 4 tetor 1924; bisedë e Ministrisë së Luftës me një listë t’ushtrisë të vram’ e të plagosun, e datës 3 tetor 1924; telegram dërguar Prefekturës së Elbasanit, i datës 7 qershor 1924; shkresë e Ministrisë së Luftës me një t’ushtarëve të vramë e të plagosun, e datës 7 tetor 1924; procesverbal i mbajtun në Bytyç, më 5 tetor 1924; procesverbal mbi thanjet e Niman Ferizit, i datës 6 tetor 1924; shkresa e Komandës së Përgjithshme [të Xhandarmërisë] dhe një telegram bashkalidhun, e datës 20 tetor 1924; telegrame të kapiten I. H. Korçës, të datës 21 tetor 1924; një shkresë kundra Sulejman M. Beut dhe një shkresë e Ahmet Zogut për një hua, të datës 8 qershor 1924.

Me shkresën nr. 1, datë 28 korrik 1924, prokurori i Gjyqit Politik I. Deda, do t’i kërkonte Gjykatës Hetuese Politike që të thirrej Ahmet Zogu si i pandehun për krim. Në referimin që bën prokuroria më 25 tetor 19245 për të pandehurin Ahmet Zogu, e quan të kundraligjshëm vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 260, datë 26 maj 1924, për emrimin e Ahmet Zogut si komandant i Operacionit të Veriut, duke e konsideruar arbitrar këtë veprim të kabinetit të Iljaz Vrionit. Më pas duke iu referuar telegrameve të dosjes nr. 1, do të evidentonte si shkelje ligjore faktin se “Ahmet Zogu, tue mbledhun fuqitë vullnetare, tue thirrë paritë e Maleve për bashkëpunim, e shtyni këtë në kryengritje kundra interesave të Shtetit. Fuqitë personale i përdori kundra ushtrisë dhe për qëllimet e tij personale”. Prandaj Prokuroria kërkonte të vendoset nga Pyetsija nevoja e gjykimit të Ahmet Zogut dhe bashkëpunëtorëve të tij.

 

6.3 Lista e dëshmitarëve

Si dëshmitarë në këtë proces do të ftoheshin Hysni Curri, Tiranë, Major Ibrahim Gjakova, Durrës, Niman Ferizi, Berat, Abdullah Struga, Durrës, Major Shefqet Korça, Tiranë, major Mustafa Maksuti, Shkodër, Tahir Zajmi, Kosovë, Ismail Haki Korça, Shkodër, nëntoger Burhan Ruli, Kosovë, kapiten Halo Kuçi, Shkodër etj.

 

6.4. Zhvillimi i Gjyqit Politik dhe dënimet

Më 26 tetor 1924, Prokurori i Gjykatës Politike i kërkonte Komandës së Përgjithshme të Xhandarmërisë me i dhënë urdhër të gjithë fuqisë armate për zânjen dhe dërgimin para Gjyqit Politik të Shefqet Vërlacit, Iljaz Vrionit, Myfid Libohovës, Kostaq Kottës, Abdurrahman Dibrës, Mustafa Aranitasit, Banush Hamdiut, Ahmet Zogut dhe Ceno Beg Jakovës.

Meqënëse nuk ishin dorëzuar vetë dhe as nuk ishin kapur nga fuqitë armate, në vendimin e Kryetarit të Gjykatës Politike, shpallur më datë 7 nëntor 1924, personave të pandehur u jepej afat dhjetë ditë për t’u dorëzuar, ndryshe, në bazë të nenit 371 të Procedurës Penale, do të humbnin të drejtat civile, do t’u konfiskoheshin pasuritë e tundshme e të patundshme, dhe do të gjykoheshin në mungesë.

Ditën e hënë, më 1 dhjetor 1924, ora nëntë paradite, në Tiranë, do të zhvillohej seanca e parë e Gjyqit Politik kundër të pandehurve Ahmet Zogu, Shefeqet Vërlaci, Iliaz Vrioni etj., në mungesë të tyre. Në ditët në vijim do të zhvilloheshin seancat e tjera.

Më datën 12 dhjetor 1924, Trupi Gjykues Politik i përbërë nga Zëvendësishtkryetari Rasim Babameto, anëtarë major Nazif Voshtina, major Lutfi Përmeti, Lano Borshi dhe ndihmës Mihael Lehova, me sekretar Gjush Banussin, tue marrë parasysh edhe mendimin e Prokurorisë, me vota të përbashkëta vendosi dënimin e të pandehurve.

Ahmet Zogu, ish-asamblist nga Mati, i akuzuar ai autor principial i vllavrasjes së 25 majit 1924, në bazë të paragrafit 2, t’artikullit 4, të shtojcës së Kodit Penal komun, datë 18 nanduer 1922, i cili thotë: “Ata që ndajnë armë ose formojnë banda t’armatosuna për me prishë qetësinë e vendit, dënohen me vdekje”, si dhe në bazë të paragrafit 1 t’artikullit 56, i cili thotë: “kushdo që armatosë popullin dhe e shtyn të vritet me shoqi-shoqin, dënohet me vdekje” e të paragrafit të fundit t’artikullit 51 të Kodit Penal, i cili thotë: “ata që shkaktojnë të hidhen n’anë t’armikut oficerë e ushtarë të Shtetit dënohen me burg të përjetshëm”, u dënue me vdekje.

Me vdekje u dënuan edhe Ceno Beg Jakova (Kryeziu), nënshtetas e nëpunës Jugosllav, nga Jakova; Shefqet Vërlaci, nga Elbasani, ish-kryeministër; Myfid Libohova, ish-ministër i Financave e i Drejtësisë; por duke u mbështetur në paragrafin 1, t’artikullit 4, të dekret – ligjës mbi formimin e Gjykatës Politike, datë 2 qershor 1924, ju kthye dënimi n’ekzpulzim (burgim) të përjetshëm.

Nënkoloneli Banush Hamdi u dënue me 20 vjet burgim. Përpos këtyre dënimeve, kolonel Mustafa Aranitasi dhe nënkolonel Banush Hamdi u dënuan edhe me degradim, duke u larguar nga rreshti ushtarak.

Nëse nuk do të kundërshtohej pas një muaji nga publikimi në fletoren zyrtare, ky vendim do të merrte formë të prerë.

Por, siç dihet, dymbëdhjet ditë më pas, më 24 dhjetor 1924, Ahmet Zogu me mbështetësit e tij do të hynte në Tiranë, duke sjellë Triumfin e Legalitetit në Shqipëri.

 

*Studiues

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency