Vendimi/ Vrasja e Musa Sukrës, dënohet me burgim përjetë Fitim Alla

0
172

Sonila Mesareja

fitim alla dhe dy shoket e tij Seanca, nën masa të rrepta sigurie, mbi 10 oficerë policie në sallë. Pas vendimit, reagimi i familjarëve: Drejtësia nuk ka marrë si bazë të vërtetën

 Burg përjetë për 19-vjeçarin Fitim Alla, i riu që vrau një vit më parë komisarin e Burrelit, Musa Skura. Ky ka qenë verdikti përfundimtar i Gjykatës së Krimeve të Rënda, ndërsa me 10 vjet burg janë dënuar dy bashkëtëpandehurit Vilson Mulkurti e Edison Lleshi, si të pa implikuar në këtë krim. Për dy të rinjtë u ngrit vetëm akuza e “Armëmbajtjes pa leje” për të cilën u dënuan me nga 4 dhe 6 vite burg secili. Vendimi është pritur nga familjarët e të dy palëve, në njërën anë familjarët e Skurës dhe në tjetrën familjarët e tre të akuzuarve. Seanca është zhvilluar nën masa të rrepta sigurie, ndërsa mbi 10 oficerë policie qëndruan në sallë për të shmangur ndonjë konfrontim mes palëve pas dhënies së vendimit. Megjithatë, ashti si pretenca, edhe verdikti i Gjykatës është kontestuar nga familjarët e të dënuarve, duke deklaruar se drejtësia nuk ka marrë për bazë të vërtetën, ndaj dhe ata kërkojnë rizhvarrim të Musa Skurës, pasi në trupin e tij sipas tyre janë 3 plagë me armë zjarri. Sipas Gjykatës, komisari Skura, së bashku me disa efektivë policie, kishin marrë informacion se në vendin e quajtur Përroi i Keçit, në fshatin Suç të Burrelit, po bëhej shitja e 12 arkave me municion dhe armëve luftarake. Sapo janë afruar në vendin e ngjarjes, uniformat blu, janë vënë në ndjekje të personave, që po tregtonin armatimin dhe ne ndjekje e sipër, 19-vjeçari Alla ka qëlluar drejt komisarit, duke e lënë atë të plagosur rëndë. Disa ditë më pas, komisar Skura gjeti vdekjen në një klinikë në Itali, ku ishte dërguar për mjekim.

 

Akuza

Dhjetë muaj më parë, Prokuroria për Krime të Rënda solli për gjykim te Krimet e Rënda dosjen me tre të pandehur për ngjarjen ku mbeti i vrarë komisari Musa Skura. Të pandehur ishin Fitim Alla, i cili akuzuar për vrasjen e komisarit Musa Skuraj, ngjarje e ndodhur në janar të vitit të kaluar. Sipas Prokurorisë, Fitim Alla në bashkëpunim me dy persona të tjerë do të shisnin një sasi të konsiderueshme municionesh dhe për këtë arsye komisari Musa Skura, së bashku me punonjësit e policisë është vënë në ndjekje të tyre. Ai është përleshur me Fitim Allën, i cili ka qëlluar një herë me automatik në drejtim të komisarit duke e plagosur rëndë. I ndjeri Skura ndërroi jetë disa ditë më pas jashtë vendit ku ishte dërguar për mjekim të specializuar. Sipas përfaqësueses së akuzës, të pandehurit e pranojnë faktin se ndodheshin në vendin e ngjarjes, ku do të kryenin shitjen e një sasie të konsiderueshme municioni luftarak, të cilin e kishin siguruar në bashkëpunim me njëri-tjetrin. Lidhur me momentin e vrasjes së komisarit, prokurorja Imeraj u shpreh se ai është qëlluar një herë të vetme nga një distancë e afërt nga i pandehuri Alla, i cili ishte i vetmi që dispononte një armë zjarri tip automatik. “Të pandehurit Fitim Alla dhe Vilson Milkurti, pasi kanë kuptuar praninë e forcave të policisë kanë tentuar të largohen dhe në këtë moment efektivi i policisë Musa Skuraj pasi ka thirrur disa herë “Nal Policia”, është vënë në ndjekje të tyre. Në ndjekje e sipër, pasi ka arritur të kapë të pandehurin Fitim Alla, ky i fundit duke qenë i pajisur me armën tip automatik ‘model 56’ ka realizuar qitje drejt efektivit të policisë”, – bëri me dije për gjykatën prokurorja Imeraj. Sipas akuzës, i pandehuri Fitim Alla është përleshur me efektivin e policisë Musa Skuraj, duke gjuajtur dhe me armë luftarake në drejtim të tij. “I pandehuri Fitim Alla së bashku me të pandehurit Vilson Milkurtaj dhe Edison Lleshi në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë marrë masat për të gjetur, mbajtur, siguruar një sasi të konsiderueshme municioni me qëllimin për ta shitur atë”, – u shpreh prokurorja. Referuar municionit të sekuestruar në vendin e ngjarjes, sipas akt-ekspertimit rezulton se janë fishekë të rregullt teknikisht dhe të përshtatshëm për të realizuar qitje. Ky fakt është pranuar edhe nga të pandehurit, të cilët kanë deklaruar se kanë qenë të pranishëm në vendngjarje dhe janë ndjekur nga efektivët e policisë, të cilët kishin organizuar shërbime për arrestimin e të dyshuarve për shitjen e municioneve luftarake.

 

Kërkon lirim nga burgu/ Prokuroria paraqet 3 provat që e implikojnë, rrëzohet kërkesa e biznesmenit Karçini

 Gjykata e Krimeve të Rënda rrëzoi dje kërkesën e biznesmenit të gazit Ilir Karçini për lirimin nga burgu. Me ndihmën e avokatit Theodhori Sollaku, biznesmeni Karçini, i cili akuzohet si porositës për ekzekutimin e Pirro Bares, kërkoi ndryshimin e masës së sigurisë. Ai pretendoi se nuk ka prova që e implikojnë në porositjen e vrasjes, por gjithashtu nxori edhe probleme shëndetësore për të argumentuar këtë kërkesë. Por, këto pretendime u kundërshtuan nga prokurori, i cili i paraqiti gjykatës 3 prova kryesore, atë të fotografisë, që Karçini i ka dhënë vrasësit Julian Sinanaj, komunikimet me email me këtë të fundit, si dhe pamjet e filmuara nga një kamera sigurie, ku duken bashkë Karçini dhe vrasësi Sinanaj. Gjykata, pasi u njoh me provat e akuzës dhe pretendimet e mbrojtjes, vendosi të rrëzoje kërkesën për lirimin e Karçinit dhe ky i fundit do të vazhdoje të qëndroje në qeli, nën masën e sigurisë “Arrest me burg”.

 

 Memorandumi/ ZRPP dhe Noteria firmosin marrëveshje bashkëpunimi për çështjet e pronave

Nënshkruhet memorandumi i bashkëpunimit mes Dhomës Kombëtare të Noterëve dhe Zyrës Qendrore të Regjistrimit të Pasurive të paluajtshme që ka si qëllim forcimin e marrëdhënieve mes dy institucioneve duke përmbushur qëllimin e përbashkët për regjistrimin në kohë dhe me efikasitet të pasurive të paluajtshme. Marrëveshja u firmos paraditen e djeshme në ambientet e Ministrisë së Drejtësisë, nga kryetarja e Dhomës së Noterisë, Mimoza Sadushi, dhe kreu i Zyrës Qendrore të Regjistrimit të Pasurive, Ilirjan Muho. I pranishëm ishte dhe ministri i Drejtësisë, Nasip Naço. Ministri Naço përshëndeti marrëveshjen duke e quajtur si shumë thelbësore në rritjen e cilësisë së shërbimeve dhe transparencën për qytetarin. “Nëpërmjet këtij bashkëpunimi marrëdhëniet ndërmjet këtyre dy institucioneve do të hyjnë në një fazë të re dhe produkti pozitiv i këtij bashkëpunimi do të jetë real, i prekshëm për të gjithë qytetarët. E vërteta është se këto dy institucione, kryesisht, nuk japin tituj pronësie, por pranë këtyre institucioneve, qytetarët dhe secili prej nesh shkon për të formalizuar, sipas kërkesës së ligjit, vullnetin e tij, për veprime të ndryshme kryesisht të karakterit juridiko-civil”, – tha Naço. Sipas tij, në këto institucione, qytetarët, bizneset, shoqatat, organizmat e ndryshme publike dhe private, vendas apo të huaj, për çdo veprim juridik ku kërkohet prezenca e tyre, janë të detyruar të paraqiten dhe të shprehin vullnetin e tyre të lirë. Ky vullnet fillimisht materializohet në akte të ndryshme noteriale dhe më pas ato depozitohen në zyrat e regjistrimit, të cilat kanë për detyrë mirë administrimin dhe regjistrimin e çdo akti të bërë, sipas frymës së ligjit dhe procedurave të përcaktuara prej tij, duke e pajisur qytetarin me certifikatën e pronësisë apo dokumentin që vërteton të drejtat e fituara apo të tjetërsuara.

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency