Standard.al

Meksika mund Kamerunin e Etonë dhe shpreson kualifikimin

arien robenSkuadra amerikano-jugore arriti që të mposhte ndaj afrikanëve, duke marrë një trepikësh shumë të rëndësishëm duke u barazuar me Brazilin

Magjike është atmosfera edhe në sfidën Meksikë-Kamerun, e vlefshme për kualifikimin e në grupin A. Topin e nisin meksikanët. Një nga katër skuadrat që ka më shumë prezenca në Botëror me plot 15 të tilla në kompeticonin madhështor. Janë të parët amerikano-latinët ata që mundohen të formojnë diçka nga krahët, duke u munduar që të organizojnë një lojë të bukur, por që mbrohen mirë nga kamerunasit. Afrikanët vihen në vështirësi që në minutat e para dhe nuk arrijnë dot që të ndërtojnë lojën e tyre. Ndërkohë, loja vazhdon të luhet më shumë në mesfushë aty ku duelet janë edhe më të forta. Është Hektor Herrera ai që provon i pari, por që topi është lart traversës. Është Dos Santos ai që ngre të tërë meksikanët në këmbë, por arbitri pa se lojtari ishte në pozicion jashtë loje, duke e quajtur të pavlefshëm golin. Pozicioni ishte pak i dyshimtë, pasi lojtari dukej në një vijë me mbrojtësit e Kamerunit, por rëndësi ka përfundimi dhe rezultati mbetet i pandryshuar. Ndërkohë, janë kamerunasit të cilët përgjigjen me një gol, por që edhe kësaj radhe ishte pozicion jashtë loje dhe u shpall i pavlefshëm. Është Eto ai që tregohet i rrezikshëm para portës, por që ndalohet nga mbrojtja meksikane. Një ndeshje shumë ekuilibruar dhe me shumë aksione nga të dy krahët. Duket që krahët janë më të zhvilluar dhe që andej vjen shumica e aksioneve. Është përsëri kapiteni Samuel Eto ai që dërgon nj top fluturimthi drejt gardianit meksikan, por topi kalon afër portës. Ndërkaq, në mesin e fraksionit të parë duket se frenat e lojës i kanë marrë në dorë afrikanët. Të verdhët tregohen të rrezikshëm dhe e vënë në vështirësi skuadrën amerikanojugore. Rafa Markez është ai që tenton me kokë, por që nuk arrin dot të shënjestrojë portën, duke humbur një shans mjaft të mirë për ekipin e tij. Është përsëri Dos Santos që shënon duke ekzaltuar meksikanët, por përsëri pozicioni ishte i parregullt dhe goli u shpall i pavlefshëm. Përsëri i dyshimtë, por që nuk ndikoi mbi rezultatin. Pas kësaj kamerunasit tentojnë të shtyhen drejt zonës së meksikanëve. Minutat e tjera duket se janë më të qeta. Vihet re një rënie loje nga të dy krahët. Mesfusha duket reparti më i fortë, ku ka edhe dyluftime më shumë, pasi të dyja skuadrat fillojnë që aty të ndërtojnë gjërat. Peralta është ai që gjendet mirë me topin para zonës, por që nuk arrin ta prekë për ta kthyer në gol. Është përsëri Dos Santos ai që kishte shansin e artë, por që u pengua në zonë dhe nuk arriti që të kthente aksionin në gol. Lojtari pengohet në aksionin e radhës në zonë, por që për arbitrin është vetëm goditje nga këndi. Pas krosit të Markezit është Peralta ai që hidhet me kokë, por që përsëri meksikanët janë pozicion jashtë loje. Kështu, skuadrat do të shkojnë drejt dhomave me rezultate të pandryshuara. Një lojë e bukur nga të dyja skuadrat që treguan se nuk janë ekipet të lehta dhe se do të tentojnë të shkojnë në fazën tjetër.

Fraksioni i dytë nis mjaft shpejt me aksione. Janë meksikanët ata që hidhen të parë në sulm. Është Paelta ai që gjendet mjaft mirë në zonë përballë portierit, gjuan, por topi do të prekte trupin e portierit kamerunas që do t’u mohonte golin. Nga ana tjetër do të ishin kamerunasit ata që do të mundoheshin të dilnin para në lojë. Është Song që ndërhyn fortë ndaj Dos Santos, por që për arbitrin është vetëm faull dhe nuk e ndëshkon Songun. Është përsëri Dos Santos që lëshon një asist drejt zonës, por pa adresë. Ish-lojtari i Barcelonës tregohet edhe më i lëvizshëm për Meksikën, duke u munduar të krijojnë aksione për skuadrën e tij. Provojnë kamerunasit nga krahu tjetër, por pa rrezik. Ndërkohë, nga krahët i rrezikshëm është lojtari i Amerikas Lajun. Lojtari gjuan në drejtim të portës, por që ndalet mjaft mirë nga portieri kamerunas. Ndërkohë që minutën e 58 është Stefan Mbia ai që tenton të kalojë tek për tek Mornon, i cili ndërhyn duke shkaktuar faull. Lojtari ndëshkohet më të verdhë duke marrë edhe kështu të parin për këtë sfidë. Në minutën e 60-të do të zhbllokohej edhe rezultati. Do të ishte Peralta ai që do të shënonte dhe që do të gëzonte teknikun Herrera. Pas një aksioni të mirë të Meksikës do të gjuante Dos Santos, por do të pritej mjaft mirë, por më pas do të vinte Peralta që do të tundte rrejtën dhe do të ngrinte latinët në qiellin e shtatë. Do të provonte përsëri Meksika me Dos Santosin të lirë në zonë, por që nuk arrin të thithë mirë topin për të rrezikuar Kamerunin. Pas golit, të dyja skuadrat tentojnë të shtojnë tempin e lojës njëra në kërkim të barazimit, ndërsa tjetra në kërkim të golit të sigurisë. “Tigrat” afrikanë tentojnë që të hidhen në sulm, që e kanë të vështirë të çajnë qendrën e Meksikës, që duket se dallon duke bllokuar aksionet. Aksionet nga krahu të skuadrës së verdhë duket se tashmë janë të lexueshme dhe ndalen mjaft mirë. Ndërkohë, për të freskuar skuadrën dhe për shkak dëmtimi Guardado do t’i linte vendin Mauro Fabianit. Pak më vonë vjen edhe momenti i zëvendësimit të dytë për meksikanët. Vjen momenti për Chicharito që është edhe një ndër më të njohurit te skuadra meksikane. Lojtari i Junajtid do të zinte vendin e shënuesit të golit Peraltës që bëri mjaft mirë detyrën e tij. Është Eto ai që pret mjaft mirë një top në ajër por që ndalohet mjaft mirë nga meksikanët që shfrytëzojnë gjatësinë për të ndalur lojtarin. Skuadra jeshile futet mjaft mirë në zonë me anë të Fabianit që pengohet pak afër 11-metërshit. Në minutën e 78-të do të jetë Song ai që do të zëvendësohet nga Pier Uebo. Janë kameruanit ata që tentojnë përsëri. Në minutën e 88-të do të ishin kamerunasit ata që rrezikojnë, por pa rezultat. Afrikanët mundohen që të shfrytëzojnë të gjitha mundësitë, duke vënë në presion meksikanët. Në minutën shtesë ishin kamerunasit ata që tentojnë, por ndalohen mjaft mirë nga superpritja e Koronës që tregohet mjaft vendimtar. Meksika bën edhe ndërrimin e fundit, duke zëvendësuar Herrerën për Helsidon. Shansin e artë e kishte Chicharito i cili gjendet vetëm para portës por që nuk e gjuan mirë topin pas krosit. Kështu do të mbaronte edhe ndeshja pa shifra të ndryshuara me Meksikën që merr një trepikësh mjaft të rëndësishëm ndaj Kamerunit, me këtë triumf që është shumë i rëndësishëm për kalimin grupit. Kjo, pasi rivali kryesor për vendin e dytë, Kroacia, humbi ndaj Brazilit. Kështu, kjo fitore ndihmon shumë frymën e skuadrës që e shikon edhe më afër kalimin. Ndërsa nga ana tjetër, Kameruni do ta ketë edhe më të vështirë, që të realizojë surprizën.

 

Meksika

Pjesëmarrjet e mëparshme: 6

Tituj: 0

Renditja sipas FIFA-s: 56

 

Kameruni

Pjesëmarrjet e mëparshme: 14

Tituj: 0

Renditja sipas FIFA-s: 20

 

 Si vijnë skuadrat në Kupën e Botës

Meksika

Meksika është një kombëtare, e cila tradicionalisht nuk ka luajtur keq në kampionate botërore. Këtë herë arritën me vështirësi në Brazil 2014, meqë u desh të kualifikoheshin përmes “play-off”-it, por në dy ndeshje e shkelën Zelandën e Re me rezultat 9-3. Në pesë kampionatet e fundit e kanë kaluar fazën grupore, por janë eliminuar në fazën e eliminimit direkt, prandaj nëse shikohet kjo statistikë, atëherë mund të paramendohet që krahas Brazilit, nga grupi A do të vazhdojë edhe Meksika.

 

Kameruni

Përfaqësuesja e Kamerunit vjen në Botëror pas problemeve në shtëpi. Lojtarët hynë në grevë për shkak të pakënaqësisë rreth premiove që u ka ofruar Federata e Futbollit e atij vendi. Lojtarët refuzuan të niseshin me aeroplan në ditën e caktuar për të udhëtuar në Brazil. Mirëpo, më pas arritën marrëveshje me federatën dhe vendosën të udhëtonin në Kampionatin Botëror. Pavarësisht nga emrat e lojtarëve që ka në skuadër kjo përfaqësuese, gjithmonë ekziston mundësia për të befasuar.

 

 Del Boske: Lojtarët e mi nuk janë të moshuar

Trajneri i Spanjës, Visente del Boske u shpreh se nuk mendon se lojtarët e tij janë të moshuar, por thotë se ata janë të pjekur. Kampioni në fuqi i ka shtatë lojtarë mbi 30 vjeç në Botëror dhe aty bëjnë pjesë shumica e yjeve që e fituan turneun në Afrikën e Jugut. “Ne cilësohemi jo si ekip veteran, por si ekip i pjekur. Nuk kemi frikë nga asgjë dhe jemi në formë të mirë. Kurse ata (mbi 30 vjeç) janë dhe kanë qenë të jashtëzakonshëm”, – ka deklaruar tekniku.

 

Viali: Baloteli e meriton një vend në formacion

Ish-sulmuesi i Juventusit, Xhanluka Viali, beson se Mario Baloteli meriton vend në formacionin bazë të Italisë në Kampionatin Botëror. Axurrët do të përballen me Anglinë në ndeshjen e parë të fazës grupore, në të cilën pritet të angazhohet sulmuesi i Milanit. “Mendoj se është shumë e drejtë që të startojë Baloteli. Ai ishte shumë i mirë në Euro 2012 dhe në Kupën e Konfederatave. Ai e meriton vendin e startuesit në ekipin e Italisë, derisa e kryen punën e vështirë dhe luan për skuadrën. A do të jetë ky Botërori i Imobiles? Nëse do të bëhet turneu i tij, atëherë do të kuptojmë menjëherë nëse po ndodh diçka”, – ka deklaruar Viali për “Sky Sport Italia”.

 

Shaqiri: Jemi skuadër e bashkuar

Xherdan Shaqiri ka thënë se Zvicra është e përgatitur për sfidat e Botërorit, teksa ai komentoi edhe penalltinë e paqenë të Brazilit në sfidën ndaj Kroacisë. Futbollisti kosovar i përfaqësueses së Zvicrës, Xherdan Shaqiri, ka folur para sfidave të helvetikëve në Kupën e Botës në Brazil. Në konferencën për media, Xherdani theksoi se Franca do të mundohet të luajë e bashkuar, pasi vetëm ashtu mund të arrijë sukses. “Ne nuk jemi Franca, Spanja apo Brazili. Ne jemi Zvicra e vogël dhe duhet të luajmë si skuadër. Kësisoj ne mund të arrijmë diçka”, – tha Shaqiri. Ai gjithashtu komentoi penalltinë e paqenë të Brazilit në sfidën ndaj Kroacisë. “Sigurisht se ajo nuk ishte një penallti. Por, nuk është e lehtë të vendosësh diçka. Vetëm mund të them se nuk dua të jem në këpucët e gjyqtarit”, – u shpreh ndër të tjera, Shaqiri. Ndryshe, Zvicra ndeshjen e parë të Botërorit e zhvillon ndaj Ekuadorit, për të vazhduar më pas me ndeshjet ndaj Francës e Hondurasit.

 

Roben: Gabimet ndaj Spanjës, të pafalshme

Një ndër lojtarët më të rëndësishëm te tulipanët, Arjen Roben, ka pranuar se dështimet e tij për të shënuar në raste të pastra në finalen e Botërorit të kaluar ndaj Spanjës vazhdojnë ta ndjekin thellë në ndërgjegje. Roben kishte një mundësi të artë në vitin 2010 pas një pasimi monumental nga Shnajder, por ishte Kasijas ai që ndali gjithçka para një Robeni egoist. “Ky ishte një moment, një goditje në jetën time. është pjesë e jetës time, pjesë e karrierës time, dhe do të jetë me mua për gjithë jetën. Por, e kaluara është e kaluar”.

 

 Ronaldo do të luajë ndaj Gjermanisë

Kristiano Ronaldo nuk rrezikon paraqitjen në ndeshjen e parë për Portugalinë ndaj Gjermanisë. CR7 është mirë, edhe pse stërvitjen e së enjtes e ka lëshuar para kohe. Ylli i Realit të Madridit do të jetë në dispozicion të trajnerit Paulo Bento që për ndeshjen e parë kundër Gjermanisë, e cila luhet të hënë në Salvador. “Fasha me akull në gjurin e Kristiano Ronaldos erdhi vetëm si masë parandaluese, siç ju ndodh të gjithëve kur na rastis të kemi ndonjë problem të vogël”, – ka deklaruar Zhoao Mutinjo në konferencën për media. Fituesi i Topit të Artë vuan nga problemet në gju që prej disa muajsh. 29-vjeçari luajti kundër Irlandës ku u duk në formë të mirë, madje ishte vetë ai që theksoi se ndihej i gatshëm për të nisur aventurën braziliane.

Comments are closed.