Operacioni antidrogë/ “Gol” për policinë, shkatërrohet rrjeti i trafikut të narkotikëve

0
140

 Anxhela Tato

kokaine ne shpiZbulohet në Muriqan shtëpia “laborator droge”, prodhonte kokainë dhe heroinë të destinuar për tregun e huaj dhe klientët VIP

Banda nën drejtimin e “Baronit të drogës” Gëzim Çela iu arratis sërish policisë

Policia kosovare, nismëtare e operacionit të fuqishëm të antidrogës, zbuloi korrierin në pikën kufitare me 7 kilogramë kokainë të pastër. Sinjalizimi i togave blu të Prishtinës për funksionim e një linje trafiku me destinacion Shqipërinë ka vënë në alarm strukturat e drejtësisë. Krahas punës hetimore të dy policive të vendeve fqinje kanë nisur edhe veprimet e para nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. Nga përgjimi ambiental dhe puna operacionale është zbuluar plani që do të realizonte rrjeti i drogës dhe në orët e para të së mërkurës ka nisur aksioni i menjëhershëm i bluve. Katër të prangosur dhe zbulimi i laboratorit të drogës në Mamurras në banesën e një personazhi të njohur të botës së krimit, Gëzim Çela, i shpallur tashmë në kërkim. Kanë qenë pikërisht kontrollet ambientale të cilat çuan në banesën e Çelës, të shndërruar në një laborator të aftë për prodhimin e drogave të forta si heroinë dhe kokainë. Në banesën e drogës u gjet rreth 15 kilogramë heroinë, 100 kilogramë kanabis, një sërë armësh e municionesh dhe preparatesh për prodhimin lëndëve narkotike. Paralelisht me vrapimet e policisë shqiptare forcat blu të Kosovës arritën që të sekuestronin rreth 18 kilogramë kokainë dhe të vinin në pranga një person. Por “bingoja” e këtij operacioni ishte gjetja e banesës së drogës, e cila, sipas dyshimeve, prej kohësh funksiononte si një pikë e rëndësishme ndërlidhëse në prodhimin e drogës që do të transportohej jashtë vendit. Sipas informacioneve paraprake, ka dyshime se një pjesë shumë e vogël e drogave të forta qëndronte në vend për përdorim nga klientët VIP. Ndërkohë që baroni i drogës dhe ish-efektivi Gëzim Çela ka arritur sërish që t’ia hedhë policisë. Policia dyshon se edhe ky operacioni nuk ka mundur të shpëtojë nga “urithët”, të cilët i kanë spiunuar në vesh baronit Çela. Ndonëse prangosjes së vëllait të tij, asnjë informacion nuk është mësuar nga ai për destinacionin e mundshëm të arratisë së Gëzim Çelës. Blutë kanë bindjen se baroni Gëzim Çela mund të ketë kaluar kufirin, ndërsa është kërkuar kontrolli i sistemit TIMS dhe janë shpërndarë foto të tij në të gjitha pikat doganore.

 

Operacioni

Gjithçka u zbulua falë një super operacioni të përbashkët antidrogë ndërmjet Policisë së Shtetit dhe Policisë së Kosovës, në bashkëpunim dhe me agjenci të tjera ligjzbatuese, të cilat sekuestruan mbi 57 kilogramë kokainë, 18 kilogramë heroinë, 150 kg marijuanë, 9 armë të tipave të ndryshëm, 3 snajperë, granata, eksploziv dhe makina të blinduara. Katër persona janë arrestuar ndërsa rrjeti i drogës drejtohej nga Gëzim Çela, ish-shefi i policisë. Operacioni blic ka përfshirë Antidrogën e Tiranës, Antikrimin e Organizuar në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë, Prokurorinë e Krimeve të Rënda dhe forcat speciale RENEA, ndërsa në terren ka dalë vetë zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Policisë, Sokol Bizhga. Harta gjeografike e operacionit i ka kaluar kufijtë e Shqipërisë, ndërsa vijojnë njëkohësisht shoqërimet edhe arrestimet për të njëjtin rrjet në Prishtinë nga Policia e Kosovës. Operacioni nisi në orët e vona me arrestimin e një korrieri, Reald Hysolli me 7 kilogramë kokainë në Pikën e Kalimit Kufitar në Morinë, në hyrje nga Kosova. Ndërsa në Tiranë është arrestuar pritësi i kokainës. Në Fushë-Kuqe të Mamurrasit, policia ka bërë “Bingo” me gjetjen e laboratorit të drogës, ku janë sekuestruar rreth 15 kilogramë heroinë dhe 150 kilogramë marijuanë, në pranga ka rënë Kujtim Çela, vëllai i baronit të drogës. Ndërsa në Prishtinë u arrestua pjesa tjetër e grupit dhe u sekuestrua sasia prej 18 kilogramët e kokainës. Deri në mesdrekë ishin arrestuar 4 persona, ndërsa numri i arresteve pritej të shtohej, ndërsa vijonin kontrollet në banesa në Tiranë, Durrës, Fushë-Krujë, Mamurras dhe Prishtinë. Sipas burimeve, rrjeti siguronte drogat e rënda, Kokainë dhe Heroinë nga Kosova, ndërsa grumbullonte marijuanën e kultivuar në Shqipëri, të cilat i trafikonte kryesisht në vendet e Bashkimit Evropian. Sipas të njëjtit burim ka pasur raste që organizata kriminale të blinte droga të rënda në Kosovë dhe të dërgonte atje marijuanë.

 

Prokuroria/ Itinerari i drogës, Amerikë Latine – Kosovë – Shqipëri

 Sekuestrohen 57 kg kokainë dhe 18 kg heroinë, bllokohet biznesi privat i Gëzim Çelës

 Prokuroria ka marrë informacion për veprimet që do të realizonte ky grup kriminal dhe në orët e para të ditës së mërkurë (dt. 12.6.2014) në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, ka ndërhyrë për sekuestrimin e lëndës narkotike dhe arrestimin e personave të përfshirë në të. Nga bashkëpunimi ndërmjet strukturave është bërë e mundur arrestimi i shtetasit R. Hysolli në pikën kufitare të Morinës, të cilit iu gjetën dhe sekuestruan rreth 7 kilogramë kokainë. Më pas, operacioni ka vijuar gjatë ditës së mërkurë (12.6.2014) në zonën e Fushë-Kuqes, Mamurras, në shtëpinë e shtetasit K. Çela ku është arrestuar ky i fundit. Në këtë banesë u sekuestruan: 15 (pesëmbëdhjetë) kg lëndë narkotike të llojit heroinë; Mbi 100 kg lëndë narkotike të llojit kanabis sativa; 12 armë zjarri të kalibrave të ndryshëm, si pistoleta, automatikë, snajper, si dhe një sasi fishekësh luftarak; Pajisje për stampim lëndë narkotike të llojit kanabis sativa, pajisje për përzierje të lëndëve narkotike heroinë, kokainë; Sasi e konsiderueshme mbi 200 kg arsenik që shërben si prekusor për lëndën narkotike të llojit kokainë; Disa autovetura të markave të ndryshme; Një sasi prej 143 mijë eurosh, disa sende me vlerë si ora dore, bizhuteri. Ndërkohë, në Kosovë është bërë e mundur që këtij grupi kriminal t`i sekuestrohet në të njëjtën kohë edhe 18.2 kg lëndë narkotike të llojit kokainë, si edhe një laborator për prodhimin, përzierjen dhe paketimin e lëndës narkotike të llojit kokainë. Nga autoritetet kosovare u ndaluan edhe 4 (katër) persona, ndër të cilët një është shtetasja shqiptare V. Tufina, e arrestuar për llogari të Prokurorisë për Krime të Rënda të Shqipërisë. Ndërkohë që nga ana e prokurorisë është kërkuar zbardhja e tablateve të bisedave telefonike të Gëzim Çelës si dhe kontrolli i llogarive bankare. Gëzim Çela tanimë njihet si biznesmen, ku drejton bashkë me familjen e tij një supermarket “Miges” në lagjen “Don Bosko” në Tiranë, ku edhe banon. Menjëherë pas zbulimit të “vilës laborator”, policia kreu kontrolle në banesën e tij në kryeqytet dhe shoqëroi bashkëshorten e Çelës. Policia ka marrë në pyetje bashkëshorten e Gëzim Çelës, ndërsa i është vënë sekuestro preventive supermarketit në pronësi të tij. Në banesën e tij në lagjen “Don Bosko” në Tiranë policia gjeti 2 pistoleta, një sasi të konsiderueshme ora, bizhushë dhe sende të tjera me vlerë që janë sekuestruar në cilësinë e provës material.

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency