Droga me kontejner/ Kolumbiani i arrestuar në rolin e “koordinatorit” të rrjetit të drogës

0
141

Anxhela Tato

rinas aeroporti Hetimet, Cesar Augustor qëndroi në një banesë me qira, sinjalizime për policinë çuan në prangosjen e tij

 I arrestuari ka mohuar akuzat, duke e justifikuar vizitën e tij si turizëm, por bileta e udhëtimit ishte e thjeshtë

 Pas arrestimit në pikën kufitare në Rinas, kolumbiani Cesar Augusto Pelaez Luiz Triana do të përballet me drejtësinë me akuzën e përfshirjes në trafikun e drogës. Burime nga organi i akuzës bënë me dije se pas një informacioni të marrë nga pala malazeze se një shtetas spanjoll i cili qëndron në Shqipëri ka dijeni për 250 kg kokainë të kapur pak ditë më parë në Mal të Zi, ka ardhur dhe arrestimi i tij. Po të njëjtat burime thanë se aktualisht shtetasi me origjinë kolumbiane dhe banues në Spanjë ka mohuar të ketë dijeni për kokainën dhe ka dëshmuar se në Shqipëri ndodhej për turizëm. Por verifikimet e kryera nga oficerët e policisë gjyqësore kanë nxjerrë në pah se Cesar Augusto Luiz Triana, ka hyrë në Shqipëri më 19 maj të këtij viti dhe 23 ditët që ka qëndruar në Shqipëri nuk rezulton të ketë prenotime turistike, por ka hyrë me një biletë të hapur nga Spanja drejt Tiranës ku dhe ka qëndruar. 36-vjeçari kolumbian do të dalë sot para gjykatës së Krimeve të Rënda, ku nga provat e mbledhura deri më tani dyshohet se Cesar ndodhej në Shqipëri për të marrë pagesën e kokainës të sekuestruar në Tivar të Malit të Zi në dyshemenë e një kantieri me banane të sjellë përmes një anijeje nga Ekuadori. Aktualisht hetimet mbeten të hapura në të dy shtetet, Mal i Zi dhe Shqipëri ndërsa ende nuk është vërtetuar destinacioni përfundimtar i sasisë prej 250 kg kokainë në kontejnerin e bananeve që vinin nga Ekuadori me destinacion firmën shqiptare “Rrapo Kompani”, me seli në Fier.

 

Arrestimi

Mbrëmjen e tre ditëve më parë, rreth orës 21:30 minuta, kolumbiani Cesar Augusto Pelaez Luiz Triana, 36 vjeç, banues në Spanjë, është ndaluar në aeroportin e Rinasit. Burime nga policia kanë bërë të ditur se, ishin marrë disa informacione në rrugë operative për të dhe për këtë qëllim është ndaluar. Fillimisht 36-vjeçari është ndaluar me pretekstin e një dyshimi se, njëri prej dokumenteve që ai kishte me vete, dyshohej se ishte i falsifikuar. Ai është shoqëruar në ambientet e sigurisë së aeroportit fillimisht dhe më pas në atë të Komisariatit të Policisë së Rinasit. Aty është bërë edhe marrja në pyetje e Cesar Augusto Pelaez Luiz Triana, në lidhje me aktivitetin e tij në Shqipëri dhe kohën kur ka ardhur. Ai kishte mbërritur në Tiranë nga Spanja në datën 19 maj dhe kjo është verifikuar edhe nga sistemi TIMS. Hyrje e tij ishte bërë nga Rinasi.

 

Hetimet

Gjatë kohës që kolumbiani ndodhej i shoqëruar në Rinas, janë njoftuar edhe strukturat e larta të Policisë së Shtetit dhe Krimeve të Rënda. Me të marrë këto informacione në drejtim të aeroportit janë nisur një grup hetimor, të shoqëruar edhe nga efektivë të sektorit të Krimit të Organizuar në Policinë e Shtetit. Pas disa pyetje, Cesar Augusto Pelaez Luiz Triana është shoqëruar për në Tiranë. Burime nga policia bëjnë të ditur se 36-vjeçari po hetohet si personi që kishte ardhur në vendin tonë, nga ku do të merrte dhe paratë e kokainës së bllokuar në Mal të Zi. Policia bashkë me Prokurorinë e Krimeve të Rënda janë duke hetuar për aktivitetin e kolumbianit në Shqipëri, për takimet që ka bërë që nga koha që kishte mbërritur në vendin tonë në datën 19 maj të këtij viti deri dy ditë më parë që është vënë në pranga.

 

 Fushë-Krujë/ I zhvatin rojës xhiron e ditës, gjendet e djegur makina e grabitësve

 Një grabitje me armë ka ndodhur mesditën e djeshme në Fushë-Krujë. Ngjarja ka ndodhur në firmën “Shijaku SHPK”, ku disa persona të armatosur dhe të maskuar kanë hyrë në ambientet e firmës, duke grabitur një shumë parash. Si fillim, grabitësit i kanë marrë armën rojës së firmës dhe më pas kanë marrë të gjithë xhiron ditore. Mësohet se kjo firmë, merret me aktivitetin e ndërtimeve, hekurishteve, dhe me shitje materialesh ndërtimi. Pak orë pas ngjarjes, policia ka gjetur të djegur automjetin tip “BMW” me të cilën grabitësit u larguan nga vendi i ngjarjes. Mësohet se makinës i është vënë flaka në vendin e quajtur Ura e Gjolës. Sipas policisë, dyshohet se grabitja është kryer nga 3 persona, ndërsa momentalisht janë shoqëruar në komisariat 6 të rinj, të dyshuar për grabitjen e firmës.

 

Greqi/ Shkatërrohet grupi i trafikut të drogës, pranga shqiptarëve

 Shkatërrohet një grup kriminal i trafikut të drogës në shtetin grek, pjesë e të cilit ishin edhe 21 shqiptarë. Policia greke ka vënë në pranga 6 prej tyre, ndërsa 12 janë shpallur në kërkim dhe 3 të tjerëve u është komunikuar masa e sigurisë “Arrest me burg”. Zbulimi i tyre është bërë në sajë të përgjimit të komunikimeve të tyre në rrjetet sociale “Facebook” dhe “Skype”. Mësohet se shqiptarët, një pjesë e të cilëve të vënë në pranga, së bashku me disa shtetas rumunë trafikonin lëndë narkotike nga Shqipëria drejt Greqisë. Mësohet se ky rrjet trafikantësh ishte krijuar që prej viti 2013 dhe që kishte funksionuar më së miri deri tani. Gjatë ditës së sotme polica greke ka ushtruar kontrolle në banesa, 2 biznese dhe disa automjete, ndërsa janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale, 400 gr marijuanë, 28 gramë kokainë, rreth 11 mijë euro, 13 celularë, 3 libreza bankare, një si e konsiderueshme thikash, si dhe një pistoletë.

Prokuroria/ Sekuestrohet avioni në Gjadër, qëndroi 2 vjet në hangar

 Prokuroria ka sekuestruar dje avionin e një shtetasi të huaj që qëndronte në bazën Ushtarake të Gjadrit. Sipas prokurorisë, avioni dyvendësh, me ngjyrë gri qëndronte prej më shumë se dy vjetësh në hangarin e një bujku nga Lezha, ndërkohë që bëhet me dije se nuk ka dokumentacionin përkatës. Ndër të tjera, Prokuroria sqaron se pronari i këtij avioni është një shtetas i huaj, i cili prej 2 vitesh nuk rinovon lejen e fluturimit. Duke qenë se i kishte përfunduar licenca për fluturim, ky avion paguante parkimin në hangarin e bujkut. Ndërsa bujku, mësohet të ketë thënë për policinë se, mendonte që pronari i avionit ishte një inxhinier që e kishte montuar vetë avionin. Prokuroria pritet të thellojë më tej hetimet për këtë rast.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency