Ronaldo: Për Botërorin kthehem në superformë  

0
125

ronaldo boterorFituesi në fuqi i Topit të Artë u shpreh se do të jetë për ndeshjet e Botërorit në formën e tij më të mirë

Lojtari zhvilloi një paraqitje të mirë me Irlandën, duke treguar se është përmirësuar nga dëmtimi

  Ditët e mira për Ronaldon dhe të këqija për ekipet kundërshtare që do të përballen me të. Luzitani është rikthyer pas 17 ditësh. Gjatë ndeshjes së fundit luajti 65 minuta me ritëm të plotë me Portugalinë dhe u vu menjëherë në dukje me disa nga veprimet e tij. Fintja e me takë që liroi Koentraon për krosin që shkaktoi autogolin e 2-0 si dhe një traversë në ekzekutimin e një goditjeje dënimi. Portugalia me të në fushë mposhti 5-1 Irlandën në miqësore. Kristiano Ronaldo është gati për debutimin me Gjermaninë në 16 qershor. Ndeshja e fundit që kishte luajtur Ronaldo ishte finalja e Ligës së Kampioneve në 24 maj, ndeshje para së cilës kishte ndalur për disa javë për një problem muskulor në kofshën e majtë. Ylli i Realit më pas i humbi të gjitha miqësoret me kombëtaren e tij, duke u stërvitur i veçuar pothuajse gjatë gjithë grumbullimit. Nuk është një rastësi që rikthimi i tij në fushë rastis me goleadën e parë portugeze në vigjiljen e Botërorit. Kristiano Ronaldo nuk shënoi, por u shfaq jashtëzakonisht i inspiruar. Për golat menduan Hugo Almeida me një dygolësh, Koentrao që me krosin e tij shkaktoi autogolin e Koegh dhe firmosi rezultatin përfundimtar 5-1, ndërsa në mes ishin finalizimet e Vierinja dhe ai irlandez i Mklin. Pas paraqitjes në fushë Ronaldo nxitoi të qetësonte të gjithë fansat e tij edhe me një deklaratë ku siguroi për gjendjen e tij fizike. “Jam stërvitur mirë dhe kam patur gjithmonë në mend këshillat e doktorëve. Progresi është inkurajues dhe jam çdo ditë e më mirë. Në Botëror duhet të arrish në maksimum, si psikologjikisht ashtu dhe fizikisht. Unë përfundimisht do të jem aty plotësisht i rikuperuar, mos u shqetësoni”. Ndërkohë që për lojtarin pati thashetheme që nuk sjellin lajmë të mira për lojtarin më të mirë në botë. Diagnoza ishte ajo e një problemi në tendinën e gjurit të majtë. Lajmi i dhënë nga Federata Portugeze e Futbollit shpjegoi edhe arsyen e mungesës së tij në miqësoren e fundit ndaj Greqisë, mungesë e cila erdhi edhe si pasojë e një tërheqjeje muskulare në kofshë. Por ato që shqetësojnë më shumë janë zërat që rrëfejnë se Botërori “Brazil 2014” ishte në rrezik serioz për Kristiano Ronaldo. Mjekët e Portugalisë nuk dhanë shumë detaje, por ylli portugez mendohet të humbasë miqësoret me Meksikën më datë 6, me Irlandën më 10 dhe pritet të rikthehet në fushë vetëm në ndeshjen e parë të Botërorit, atë ndaj Gjermanisë më 16 qershor. Stafi mjekësor i luzitanëve kishte folur gjatë këtyre ditëve për probleme muskulare, por jo për dëmtim në gju, nga çfarë u lexua në komunikatën e Portugalisë. Reali ishte shumë i shqetësuar për gjendjen fizike të lojtarit më të mirë të skuadrës dhe komunikata mjekësore është një shenjë e qartë se Kristiano Ronaldo rrezikon shumë të dëmtohet nëse sforcohet gjatë Botërorit.

 

Andrea Pirlo rinovon kontratën me Juventusin

Andrea Pirlo do të jetë lojtar i Juventusit edhe për dy vitet e ardhshme. Marrëveshja e arritur para disa javës tashmë u bë zyrtare nga klubi bardhezi. 35-vjeçari do të përfitojë 4 milionë Euro në sezon, plus bonuset. Në komunikatën për shtyp të publikuar në faqen e klubit thuhet: “Aventura e Andrea Pirlos me fanellën bardhezi vazhdon. Profesori ka firmosur rinovimin e kontratës që do ta lidhë e Juventusin deri më 30 qershor të 2016”. Protagonist absolut në tre titujt kampionë radhazi në Serie A nën drejtimin e Antonio Kontes, Pirlo mbërriti në Torino më 24 maj të 2011 nga radhët e Milanit. Me kampionët e Italisë është aktivizuar në 131 ndeshje, ku ka shënuar 14 gola dhe ka dhënë 30 asiste. Mesfushori i përfaqësueses së italisë do të jetë regjisori i Juventusit edhe për të paktën dy sezonet e ardhshme. Drejtuesit bardhezi kanë arritur marrëveshjen edhe me Storarin dhe Kielinin dhe është vetëm çështje orësh zyrtarizimi i rinovimit të tyre. Mbrojtësi do të jetë i lidhur me Juventusin deri në vitin 2017.

 

Roberto Mançini largohet nga Gallatasaraji

Roberto Mançini nuk është më trajner i Gallatasarajit. 49-vjeçari ka shfrytëzuar klauzolën e vendosur në kontratë për të ndërprerë në mënyrë të njëanshme bashkëpunimin me klubin Turk, me të cilin ishte i lidhur deri në verë të 2016. italiani nuk do të marrë asnjë penalizim për këtë vendim, pasi e ka dhënë dorëheqjen brenda datës 30 Qershor, sikurse parashikohej në kontratë. Ditët e fundit Mançini u kishte kërkuar drejtuesve turq 4 përforcime, kërkesë kjo që nuk është pranuar nga presidenti Unal Aysal, çka solli edhe divorcin e parakohshëm pas një bashkëbisedimi të gjatë mes palëve. Gjatë sezonit që lamë pas Gallatasaraji arriti të fitonte Kupën e Turqisë, ndërsa në Champions League shkoi deri në 1/8 e kompeticionit, ku u eliminua nga Çelsi. Tashmë hapen skenarë të rinj për të ardhmen e ish-trajnerit të Interit dhe Mançester Sitit, i cili nuk e ka fshehur dëshirën për të marrë drejtimin e një përfaqësueseje, gjë që mund të ndodhë pas “Brazil 2014”. Mançini shihet me sy të mirë në Angli si pasues i Roi Hoxhson, por edhe në Rusi, pavarësisht që për momentin pozicioni i Fabio Kapelos duket i paprekshëm.

 

Modriç: Rakitiçin e doja te Reali

Luka Modriç ka deklaruar se drejtuesit e klubit ta sjellin mesfushorin kroat të Seviljes, Ivan Rakitiç, në Ramon Sançez Pizjuan. “Është e qartë se nëse do të isha unë, do të kisha dashur që ai të nënshkruante për Realin, por në fund nuk ishte në dorën time dhe ai tani shkoi te Barça. Jam i ngazëllyer për të. Ai e meriton këtë. Kur shkoni te një klub si Barça, që ka një ndjekje mbarë botërore, është e rëndësishme për karrierën tënde si lojtar. Kur je lojtar i Barcelonës, je lojtar i një dimensioni më të lartë dhe jam kureshtar të shohim çfarë do bëjmë në Botëror”, – ka thënë Modriç.

 

Reali vihet pas Mandzukiçit

Listës së klubeve të interesuara për sulmuesin e Bajern Mynihut, Mario Mandzukiç, i është bashkuar edhe Real Madridi. Qëkur u njoftua se Robert Levandovski do të luante për bavarezët, ishte e ditur se për kroatin nuk kishte vend në “Allianz Arena”. Ditë më parë, ai e konfirmoi vet largimin duke thënë se stili i lojës që aplikon Pep Guardiola nuk i përshtatet. “Los Blancos” janë përfshirë në garën për nënshkrimin e Mandzukiçit. Reali është duke e kërkuar me ngulm Luis Suarezin e Liverpulit, por nëse dështon tashmë e ka alternativën zëvendësuese.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency