Standard.al

Inzagi dhe Milani, me 15 lojtarë drejt largimit  

Tekniku i ri duket se do të ngrejë gjithçka nga fillimi dhe për këtë i duhet të sakrifikojë 15 lojtarë

 inzagiMilani pavarësisht Kupës së Botës ka filluar të ndryshojë gjërat në Milano, duke filluar me marrjen e teknikut të ri Inzagi që ka projektin e tij. Klubi kuqezi është ai që ka lëvizur më shumë në merkato duke afruar pesë lojtarë: Agaxi, Aleks, Menez, Rami dhe Poli. Por organika që ka në dispozicion “Super-Pipo” është e mbipopulluar dhe Administratori i Deleguar i Milanit, Adriano Galiani po punon për të bërë spastrime. Kuqezinjtë do të luajnë në sezonin e ardhshëm vetëm në kampionat dhe Kupë Italie, për këtë arsye nuk është e nevojshme që organika të jetë shumë e pasur. Deri më tani, Amelia, Kopola, Emanuelson dhe Silvestre, në përfundim të kontratës së tyre janë larguar, por lista është ende shumë e gjatë, pasi për momentin Milani numëron plot 35 lojtarë. Një numër i ekzagjeruar, i cili është më i larti në itali. Por cilët janë lojtarët e “padëshiruar” që po bëhen gati t’i japin lamtumirën “Djallit”? Në krye të listës figurojnë emrat e Robinjos dhe Mekses, lojtarë që përfitojnë një rrogë të lartë vjetore dhe nuk janë më në qendër të projektit. Për sa u përket largimeve, nuk mungojnë edhe emrat me peshë si ai i Rikardo Kaka që mund të rikthehet në Brazil dhe ai i Najxhel de Jong që duket se nuk ndihet mirë te klubi pas largimit të Sedorfit. Holandezi kërkohet në Premier League dhe duket se po mendon largimin. Më pas kalojmë te lojtarët që prej disa muajsh nuk figurojnë në planet e Milanit: Zakardo, Birsa, Petanja dhe Saponara nuk gjejnë më vend në organikën e Inzagit. Një kapitull tjetër janë dhe futbollistët që janë rikthyer nga huazimet: Didac Vila, Matri, Niang, Noçerino, Vergara, Traore. Është e paevitueshme që Milani kërkon të gjejë një sistemim për ta. Një tjetër lojtar që Inzagi nuk do të mërzitej në rast se largohet, është dhe mbrojtësi Kevin Konstant, i cili në Milano prej disa kohësh është “non grada” nga Galiani dhe bashkëpunëtorët e tij. Një çështje ende pezull është Adel Tarabt, i huazuar në janar nga QPR. Kontrata e Inzagit do të jetë 2-vjeçare, deri më 30 qershor 2016. Në të vërtetë, gjithçka ishte vendosur kohë më parë, por mungonte lamtumira zyrtare e teknikut holandez dhe emërimi në vend të tij i trajnerit të të rinjve kuqezinj. Në fakt, nuk mund të konsiderohet ndonjë surprizë e madhe, sepse Super-Pipo, ashtu siç prisnin të gjithë, ishte përfolur më parë si zgjedhja e shoqërisë për t’i zënë vendin Klarens Sedorfit. Tratativat për prishjen me konsensus të marrëveshjes nuk u mbyllën me sukses, ndaj klubi kuqezi pa si rrugën e vetme shkarkimin e Sedorfit. Inzagi tashmë ka nisur punën për të ndërtuar një grup të fortë për sezonin e ardhshëm. 40-vjeçari ka pasur disa takime kokë më kokë me presidentin Berluskoni dhe administratorin e deleguar Adriano Galiani, me të cilët ka diskutuar për merkaton. Pikërisht pak ditë më parë, Milani bëri dy goditje të rëndësishme në merkato, duke afruar sulmuesin Zheremi Menez dhe mbrojtësin Aleks nga Paris Sent Zhermeni, me parametër zero.

 

 Jaja Ture qëndron te Siti

 Jaja Ture pret që djali i tij të qëndrojë te Mançester Siti këtë verë, përkundër faktit se mesfushori po lidhet shumë me një largim. Këshilltari i mesfushorit, Dmitri Seluk, ka zbuluar muajin e kaluar se Ture po mendon të largohet, por tani këto pohime janë hedhur poshtë. “Jo, ai nuk do të largohet. Dhe as nuk është dëshira ime që ai të largohet nga Mançester Siti. është thënë se ata që dëshirojnë ndryshimet sjellin suksesin. Dhe unë e rikonfirmoj se ai nuk do të largohet. Jaja thjeshtë ka dashur që klubi të kujdeset më shumë për të dhe të ketë më shumë vëmendje për të. Situata që i ka ndodhur atij me klubin nuk i ka pëlqyer. Andaj ai është një djalosh që nuk e lë stresi brenda por e tregon hapur”, – ka deklaruar babai i lojtarit.

 

Bajerni kërkon dhe Khediran për Toni Krosin

Reali i Madridit është në bisedime të avancuara me Bajernin e Mynihut rreth mesfushorit Toni Kros. “Bild” raporton se futbollisti gjerman e ka refuzuar ofertën e re të bavarezëve dhe planifikon të largohet drejt “Santiago Bernabeu”-t. Agjenti i tij është duke negociuar marrëveshje me drejtuesit e Realit, të cilët janë të gatshëm ta paguajnë Krosin pesë milionë euro në sezon. Ndërkohë, Bajerni është gati të diskutojë çmimin e 24-vjeçarit me klubin spanjoll. Mirëpo, shefat e klubit gjerman duan që në marrëveshje të përfshihet edhe Sami Khedira, i cili do të shkonte në drejtim të kundërt.

 

Junajtid, ofertë marramendëse për Kavanin

Mançester Junajtid duket se është i afeksionuar për Kavanin. Van Gal është i interesuar që ta rindërtojë skuadrën para fillimit të sezonit të ri dhe shumë emra lidhen me mundësinë e kalimit në “Old Trafford”. Sipas “Daily Star”, “djajtë e kuq” do të bëjnë ofertë prej 56 milionë paund për sulmuesin e Paris Sent-Zhermenit, Edinson Kavani. Sulmuesi uruguaian po mendon të largohet nga kampioni i Francës dhe shumë klube janë të interesuara për të. PSG e bleu Kavanin në verën e kaluar për 54 milionë euro nga Napoli.

 

Robles: Lukaku, perfekt për Atletikon

Romelu Lukaku do të ishte një zëvendësues i përsosur i Diego Kostës te Atletiko Madridi. Kështu mendon portieri Evertonit, Xhoel Robles. Sulmuesi me origjinë braziliane ka kaluar ekzaminimet mjekësore te Çelsi dhe do të shkojë në “Stamford Bridge” për 43 milionë euro, pas një sezoni mahnitës me kampionin e Spanjës, ku shënoi 27 gola në 35 ndeshje në La Liga. Pas largimit të tij, Atletiko do të ketë nevojë për një sulmues, ndoshta për dy, pasi edhe David Vija është larguar. Xhoel mendon se Diego Simeones do t’i hynte shumë në punë Lukaku. “Ai është shumë i ngjashëm me Kostën, por do të thosha se është akoma më i fuqishëm fizikisht. Është një kafshë e vërtetë, një përbindësh. Është një lojtar i cili lufton shumë dhe ka aftësi për të shënuar, ngjashëm Kosta”, – ka thënë Xhoel për “Mundo Deportivo”.

 

Blater: Një ditë Botërori mund të zhvillohet në planet tjetër

Presidenti i FIFA-s, Sep Blater, ka thënë se nuk ka arsye të mos mendohet se futbolli një ditë do të luhet edhe në planetët tjerë. Në një kongres të FIFA-s në Sao Paulo, 78-vjeçari ka thënë se Toka nuk është kufiri i futbollit. “Duhet të mendojmë nëse loja jonë një ditë do të luhet në planetët tjerë. Pse jo? Dhe atëherë në vend të Kampionatit Botëror mund të kemi një garë ndërplanetare”, – ka thënë Blater. Komente të këtilla nuk po i shërbejnë aspak presidentit në moment kur pozita e tij është vënë nën presion nga delegatët e lartë të UEFA-s, të cilët të martën kërkuan dorëheqjen e tij. Zvicerani, i cili është në këtë post që nga viti 1998, mendon të kandidojë për mandatin e pestë në zgjedhjet e vitit 2015.

Serxho Ramos me kontratë galaktiku

Serxho Ramos do të vulosë shumë shpejt një akord të ri me Realin e Madridit, falë influencës së jashtëzakonshme në fushën e lojës dhe në dhomat e zhveshjes të ekipit të Ançelotit. Në sezonin e fundit, mbrojtësi i “Los Blancos” ka larguar çdo dyshim që mund të ekzistonte rreth tij në zyrat e drejtuesve në “Santiago Bernabeu”. Në paktin e ri që pritet të firmosë para sezonit të ardhshëm, futbollisti andaluzian do të marrë në duar një kontratë galaktike, të ngjashme me atë të Gareth Bejlit, pra konkretisht 10 milionë Euro neto në vit dhe përveç uellsianit, përpara në listën e më të paguarve do të ketë vetëm Kristiano Ronaldon. Nëse gjatë sezonit të kaluar ishte rinovimi i portugezit që u konsiderua si operacioni kryesor brenda kampit madrilen, tani është kontrata e re e Serxho Ramos që vlen më shumë se çdo gjë. Bëhet fjalë për një futbollist që mund të quhet me plot gojën, pjesë e historisë së Realit. Në sezonin e fundit, me golin e tij në Lisbonë, Ramos bëri të kërcente nga stoli presidentin Perez, duke konfirmuar edhe njëherë vlerat që klubi kërkon të transmetojë.

 

 

 

 

 

 

Comments are closed.