Gjykatë/ Mbrojtja e Thimos: Aksioni i policisë në shtëpinë e klientit tim, i qëllimshëm

0
150

Sonila Mesareja

 gjergji thimio gjykateI pandehuri akuza kryeministrit dhe deputetit për vjedhje të ikonave

Gjykata ka shtyrë për më 16 qershor shpalljen e vendimit për koleksionistin Gjergji Thimo dhe Arben Spahon, ky i fundit i akuzuar si bashkëpunëtor. Avokati mbrojtës i koleksionistit ka deklaruar para Gjykatës se aksioni i policisë në banesën e klientit të tij ka qenë i qëllimshëm. Gjithashtu, sipas avokatit mbrojtës, gjatë inventarizimit të veprave të artit janë shkelur procedurat. Mbrojtësi theksoi se Thimo nuk mund të akuzohet për vjedhje të ikonave, të cilat i ruajti për 50 vite, bashkë me babain e tij. Ndërkohë vetë koleksionisti Gjergji Thimo përsëriti akuzat ndaj kreut të qeverisë Edi Rama dhe deputetit të Partisë Socialiste Koço Kokëdhima, për inskenimin e arrestimit të tij, me qëllim vjedhjen e ikonave të vjetra. Para se Gjykata e Tiranës të shprehet me vendim për akuzat ndaj koleksionistit Thimo, ky i fundit lexoi mbrojtjen duke deklaruar vetën të pafajshëm. Ai kërkoi drejtësi nga togat e zeza, duke pretenduar se nuk ka vjedhur asnjë ikonë të trashëgimisë kulturore por i ka ruajtur ato nga trafikimi. Thimo akuzoi edhe policinë, që sipas tij, ka mbajtur 4 procesverbale të ndryshme për objektet e sekuestruara në banesën e tij. Ai tha se arrestimi është inskenuar me qëllim që Kryeministri Rama dhe deputeti Kokëdhima të grabisnin ikonat e tij. Mbrojtësi tha për togat e zeza se nëse gjykata nuk bindet për pafajësinë e Gjergji Thimos ai duhet të dënohet për përvetësimin e sendeve të vjedhura. Sipas avokatit, Thimo ishte grumbullues i objekteve dhe ikonave të vjetra, ku në mesin e atyre që i janë gjetur dhe sekuestruar në shtëpi, kanë qenë edhe ikona të vjedhura. Ndërsa i pandehuri tjetër Arben Spaho kërkoi mëshirë nga gjykata duke pretenduar se nuk është ai grabitës i veprave të artit, duke shfajësuar njëherazi edhe koleksionistin Gjergji Thimo. Në seancën e kaluar, Prokuroria e Tiranës kërkoi dënimin me 9 vite burg për koleksionistin Gjergji Thimo, i cili akuzohet për “Vjedhje të veprave të artit dhe kulturës, në bashkëpunim”. Për të pandehurin tjetër Arben Spaho, u kërkua një dënim me 7 vite burg për të njëjtën akuzë. Për shkak të gjykimit të shkurtuar të pandehurit përfitojnë ulje të 1/3 së dënimit. Prokurori Ervin Karanxha tha se nga hetimet rezulton se dy të pandehurit Thimo e Spaho, në bashkëpunim kanë konsumuar veprën penale të “Vjedhjes së veprave të artit”. Sipas prokurorisë, nga hetimet e kryera rezulton se Gjergji Thimo ka qenë bazë për hajdutët që vjedhin kishat dhe ky shtetas është marrë me veprimtari të paligjshme. Madje, sipas Prokurorisë, Gjergji Thimo ka qenë i dënuar më parë për vjedhje dhe, sikurse thekson në pretencë Prokuroria, “hajduti ka thënë kapeni hajdutin”, pasi edhe Spaho ka qenë i dënuar më parë për vjedhje të veprave të artit.

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency