Standard.al

Ekspertët/ Ku mund të blesh një shtëpi jashtë Shqipërisë?

(Marrë nga shtypi i huaj)

shtepiShumë herë, për shkak të kushteve familjare, atyre shëndetësore, të punës apo edhe për kënaqësi, vlerësohet si një mundësi blerja e një shtëpie në një shtet tjetër. Shpeshherë mund të konsiderohet si investim, nëse merren në konsideratë faktorë të tillë, si valuta e vendit, avantazhet e tregut të pasurive të paluajtshme, por edhe kthimi ekonomik që mund të garantojnë. Ekspertët thonë se për të vendosur nëse do të blini një shtëpi të dytë jashtë vendit tuaj, atëherë duhet të vlerësoni argumentet pro dhe kundër. Pasi të keni përcaktuar shtetin në të cilin dëshironi të shkoni, duhet të informoheni për të gjitha rregullat lokale, ligjore dhe ekonomike. Por, disa nga argumentet pro që mund të përdoren për blerjen e një shtëpie të dytë janë: shfrytëzimi i valutave të huaja, pavarësisht krizës së euros që ka qëndruar e fortë; shfrytëzimi i tregjeve të pasurive të paluajtshme në vendet në zhvillim, më pak të shtrenjta dhe që garantojnë kthim investimi; shfrytëzimi i lehtësive fiskale që shumë shtete ofrojnë për të blerë një shtëpi të dytë. Ka vende shumë interesante ku mund të bëhet një “shopping” i tillë, si në:

Evropë (Londër, Zvicër, Gjermani, Spanjë/Kanarie), SHBA (Florida, Tampa, Majami), Kosta Rika, Nikaragua, Brazili, Santo Domingo, Kenia, Panama, Egjipti, Meksika.

Shtëpi jashtë, mundësitë nuk mungojnë…

Në vende të ndryshme të botës, rastet e favorshme nuk mungojnë. Blerja e një apartamenti (për biznes) me vlerë 400,000 euro mund të jetë diçka e vlefshme, por mos e ndërmerrni si hap, nëse nuk i keni hedhur një sy tregut të gjerë imobilar.

Bullgari: 15.000 euro për një “studio” në male, afër pistës së skive

Po kaq mund të shpenzoni për struktura të tilla nëse dëshironi të blini në lokalitetin malor Gondola (Bullgaria), që ka edhe një resort të madh skish. Në këtë zonë, studiot shiten të arreduara dhe në kushte shumë të mira ndërtimore. Shpenzimet për hapësirat e përbashkëta llogariten në 15 euro për metër katrorë. Nëse dëshironi, mund ta lini me qira si në verë, ashtu edhe në dimër.

Portugali: 150.000 euro për një apartament

Ky është çmimi mesatar për shitjen e një apartamenti në Praia da Luz, një nga zonat më të famshme në Algarve, e cila rrethohet nga Oqeani Atlantik. Bëhet fjalë për apartamente luksoze që gjenden vetëm pak metra larg detit, që kanë të gjitha shërbimet dhe përbëhen nga dy dhoma, një tualet, sallon dhe kuzhinë. Kjo është zonë shumë e mirë, pasi kërkesat për turizëm janë si në dimër ashtu edhe në verë. Ka lidhje shumë të mirë me aeroportet, që gjenden afër. Më kryesori është ai i Faros.

SHBA, Florida: 177.000 euro vila me gjysmë distanca mes dy brigjeve

Një pozicion strategjik në mes të dy brigjeve të Floridës. Kjo gjë lehtëson aksesin ndaj lokaliteteve bregdetare si të brigjeve atlantike, ashtu edhe ato të Gjirit të Meksikës, gjithashtu nuk është shumë larg edhe nga Orlando (Disney World). Zona quhet Haines. Në të mund të gjeni vila me këto çmime që kanë edhe pishina. Mund të jepet edhe me qira, veçanërisht në zonën e dimrit.

Spanjë, Majorka: 196.000 euroapartamente buzë detit

Cala D’Or është një zonë turistike që vlerësohet për afërsinë me Porto Cristo në ishullin e Majorkës. Në afërsi të saj gjenden qendra të ndryshme sportive. Apartamentet në këtë zonë kanë kushte mjaft të mira, madje mund të kenë edhe pishina. Ka potencial që të jepet me qira për të paktën 4-5 muaj. Zona është e rrethuar nga shkëmbinj dhe plazhe me rërë. Afër gjendet parku natyror Mondragó, ku gjenden plazhe me bukuri të rrallë.

Ishujt Barbados: 290.000 euro vila në ishull, si super të pasurit

Mes gjithë këtyre propozimeve që vijnë nga tregje të ndryshme, ishujt Barbados pa dyshim mbeten më të këndshmit. Në të mund të gjeni vila të stilit amerikan që kanë në përbërje sallon të madh, dy dhoma, pishinë. Ky është një shtet i pavarur dhe gjendet në kufirin mes Karaibeve dhe Oqeanit Atlantik dhe ka një sipërfaqe prej 430 km².

Në të nuk mungojnë qendrat sportive dhe tregtare. Gjithashtu ambientet që mund të blini, mund t’i jepni me qira pasi ka shumë avantazhe fiskale. Mes shumë propozimesh që analizohen, ky mbetet një ndër më të favorizuarit, pasi ka një kthim investimi shumë të lartë.

 

Jeta e dytë në Evropë

A do të dëshironit të ndryshonit jetë, por pa u larguar nga Evropa? Është një ëndërr që mund të bëhet realitet, veçanërisht për ata persona me të ardhura të larta e që duan të shijojnë kohën e pensionit (Kanariet, Bullgaria, Letonia, Sllovenia). Por kjo mund të jetë edhe një mundësi për të rinjtë që duan të mësojnë një gjuhë të huaj dhe duan të krijojnë përvojë pune (Irlanda).Kjo e fundit ofron avantazhe për personat mbi 65 vjeç, sepse nuk taksohen për të ardhura deri në 18.000 euro dhe për çiftet kjo shifër mund të arrijë deri në 36.000. Duhet thënë që Irlanda ka një kosto jetese të lartë. Produktet ushqimore kushtojnë mesatarisht 20-30% më shtrenjtë se në vendet e tjera të Evropës, veçanërisht frutat dhe perimet. E njëjta gjë vlen edhe për çmimet e produkteve të teknologjisë, si kompjuter, telefona, tabletë etj. Ndërsa çmimet e veshjeve janë më të ulëta. Taksat? Të ardhurat mbi 32,000 euro taksohen në masën 42%, ndërsa taksa ndaj fitimit korporativ llogaritet në 12.5%.

Një vizitë te doktori kushton 50 euro, shërbimi i ndihmës së shpejtë 100 euro dhe shtrimi në spital është gjithashtu me pagesë. Në rast se personi është i papunë, gjithçka mbulohet nga shteti. Të gjitha shoqëritë e sigurimeve kanë të përfshirë sigurimin privat të shëndetit që mbulon: vizitat mjekësore, te specialistët, shërbimi i ndihmës së parë, shtrimi në spital etj. Një siguracion i mirë shëndetësor në vit kushton rreth 700 euro.

Çmimet e shtëpive gjatë viteve të fundit kanë pësuar rënie gjatë viteve të fundit për shkak të krizës së rëndë të pasurive të paluajtshme që pësoi vendi.

Sipas agjencive imobiliare në një zonë të Dublinit siç është Sandymount llogaritet nga 4.700-7.500 euro, kjo është një ndër zonat më të preferuara. Zona të tjera janë: Ballsbridge ku metri katror kushton nga 3.500-6.300 euro, Foxrock (3.000-6.000 euro), Dublin Mountains (2.800-5.300 euro) e Booterstown (2.600-4.200 euro).

 

Në Kanarie…

Gjatë gjithë vitit, temperaturat variojnë nga 18 deri në 30 gradë celsius, kostoja e jetesës është e leverdishme në disa aspekte. Pra, ishujt Kanarie kanë se çfarë të ofrojnë për të gjithë ata që vendosin të ndryshojnë vendbanimin, veçanërisht pensionistët.

Këta ishuj, territor spanjoll, edhe pse janë pjesë e BE-së kanë një regjim më të favorshëm fiskal. Kjo është një nga arsyet kryesore se përse arrin të tërheqë shumë njerëz. Pensionistët janë më të shumtë në numër sesa të rinjtë,pasi për ta është më e vështirë që të ndërmarrin një aktivitet sipërmarrës, duke qenë se ishujt në aspektin turistik janë një treg i konsoliduar.

Edhe “tulla” është një biznes i favorshëm sepse kriza spanjolle i shtriu “krahët” edhe në këta ishuj. Sot, mund të blihet një apartament për një shifër që nuk i kalon 80,000 euro. Për një vilë me ambient të gjelbëruar dhe fushë golfi, çmimet nisin nga 200.000 euro.

Çmimet rriten në rast se dëshirohet që të blihet ndonjë vilë me pamje panoramike. Klima e favorshme ju lejon që të mos keni shpenzime për ngrohjen. Për të pasur ujë të ngrohtë, të gjitha shtëpitë kanë panele diellorë.

Kostoja e jetesës? Nafta kushton rreth 1 euro, ndërsa benzina 1.1 euro, TVSH-ja është 7%, por zbret në 2% për produktet ushqimore. Ofrohen shumë lehtësi edhe në aspektin fiskal.

 

 

 

Comments are closed.