Standard.al

Analiza e BSH: Konsumi në rritje, por investimet në ulje!  

Ervin Kaduku

bsh 2–   “Skenari grek”, tashmë një realitet më i prekshëm. Subjektet private shpenzojnë gjithnjë e më pak për të zgjeruar aktivitetin e tyre

Ndonëse prej kohësh kundërshtohet nga qeveritarët si një perspektivë e pamundur, “skenari grek” nuk është diçka e shmangur për Shqipërinë, madje të dhënat statistikore tregojnë se ka shenja të qarta që ekonomia po shkon pikërisht drejt një humnere të ngjashme me atë të fqinjit jugor.

Ndërsa konsumi është rritur vitet e fundit, nuk ka ndodhur e njëjta gjë me investimet private. Studimi “Vlerësime të konsumit dhe investimeve private në Shqipëri: Si kanë ecur ato”, me një paraqitje grafike të komponentëve të kërkesës agregate për periudhën 1996-2008, tregon se konsumi privat në vendin tonë zë peshën më të madhe, me rreth 81%, ndërsa pjesa e investimeve private gjatë kësaj periudhe është mesatarisht 26%.Gjetjet e studimit sugjerojnë se konsumi është rritur në terma të PBB-së për periudhën 2009-11, ndërsa përpjesa e investimeve private ka vijuar në rënie.

Raporti i konsumit ndaj Prodhimit të Brendshëm Bruto në vitin 2011vlerësohet të ketë shënuar rritje me 8.7 për qind krahasuar me vitin 2008, duke arritur vlerën 87.8%, ndërsa raporti i investimeve private gjatë vitit 2011 vlerësohet rreth 21.2%, duke qenë rreth 7.4 për qind më poshtë se raporti i vitit 2008.

Këto tendenca vihen re edhe në vlerësimet e paraqitura në raportet e Bankës Botërore dhe në Vendimet e Këshillit të Ministrave (2013), edhe pse madhësia e këtyre zhvillimeve është e ndryshme midis materialeve.

Vlerësimet e studimit për konsumin dhe investimet private gjatë viteve 2009-11 janë krahasuar me ato të Bankës Botërore dhe të Ministrisë së Financave, ku vihen re se tendencat e vlerësuara për këto dy tregues në raport me PBB-në janë të ngjashme, por madhësia e ndryshimeve është e ndryshme. Sipas Bankës Botërore, raporti i konsumit privat ndaj PBB-së shënon një rritje graduale nga 85.2% në vitin 2008 në 89.5% në vitin 2011; ndërsa raporti i investimeve private ndaj PBB-së ulet nga 23.5% në vitin 2008, në 20.5% në vitin 2009, për të qëndruar pothuajse në të njëjtin nivel dhe në dy vitet pasardhëse. Ngjashëm, vlerësimet e Ministrisë së Financave sugjerojnë një rritje të raportit të konsumit ndaj PBB-së në vlerën 82.5% në vitin 2011, dhe rënie të investimeve private në vlerën 25.8%.

Duke u nisur nga këto të dhëna pesimiste të ekonomisë, gjatë fjalës së tij për median në janar të këtij viti, kryetari i PD-së, Lulzim Basha, u shpreh se “me këto që po ndodhin sot, skenari grek do të ishte skenari më i mire, sepse skenari grek kishte me të vërtetë një spirale të rënies si rezultat i papërgjegjshmërisë, mungesës së transparencës dhe abuzivitetit, që janë tri tipare që ne i shohim qartësisht tek kjo mazhorancë me veprimet që ka ndërmarrë në këtë muaj, po kishte dhe krahun e Bashkimit Evropian që u fut dhe hodhi, jo lopata, as karroca,po vagonë me euro, miliarda pas miliarda eurosh,për të shpëtuar ekonominë greke. Në Shqipëri kjo nuk ka shans të ndodhë. Të gjitha këto të çojnë drejt një skenari shumë më të keq sesa të atij që i referohemi ne si skenari grek”.

Fondi Monetar Ndërkombëtar deri tani ka thënë se ka pak të ngjarë ekzistenca e një skenari grek për Shqipërinë. Deklaratat janë bërë nga shefi i FMN-së, Nadeem Ilahi, i cili ka thënë se duhet pasur kujdes kur flitet për këto tema të nxehta. “Zhbalancimet e Greqisë ishin shumë më të mëdha se këto të ekonomisë suaj. Ju keni një borxh shumë më të ulët sesa ishte ai i Greqisë dhe për rrjedhojë edhe konsolidimi fiskal që nevojitet është shumë më i vogël. Dhe të mos harrojmë që ekonomia shqiptare ka potencial të madh për t’u ringritur. Ka një treg pune shumë fleksibël, me çmim të ulët, ka një sektor publik të vogël dhe nuk ka kufizimet që kishte ekonomia greke”, – tha Ilahi.

Pra, borxhi publik nuk u gjet në nivele të ekzagjeruara, siç po pretendohet sot nga qeveritarët. Këtë e pranon hapur Fondi Monetar. Por rreziku qëndron pikërisht në paaftësinë e këtyre qeveritarëve për të zëvendësuar zhvillimin real dhe shtimin e PBB-së me thithjen e borxheve pa fund nga jashtë e brenda vendit. Këtë parametër negativ ndërkombëtarët nuk e llogaritin si të rrezikshëm, por është pikërisht ky që duhet të shqetësojë më tepër një qeveri të përgjegjshme.

 

Comments are closed.