Standard.al

Zgjedhjet në Kosovë/ LDK, AAK dhe Nisma lidhin marrëveshje. Haradinaj kryeministër, Thaçi në opozitë

Në Kosovë krijohet blloku opozitar për qeverinë e re

Ramush Haradinaj, Isa Mustafa, Fatmir Limaj Tri parti politike, LDK, AAK dhe Nisma, nënshkruan një marrëveshje për krijimin e qeverisë së re. Ky koalicion pritet të mbështetet edhe me votat e lëvizjes Vetëvendosje, e cila nuk do të jetë pjesë e qeverisë.

Lidhja Demokratike e Kosovës, LDK, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, AAK, dhe subjekti më i ri politik, Nisma, nënshkruan këtë të martë (10.6) një marrëveshje për krijimin e koalicionit qeveritar. Ky koalicion i pamundëson Hashim Thaçit dhe Partisë Demokratike të Kosovës; e cila fitoi zgjedhjet e tetë qershorit të formojë qeverinë. Në një deklaratë të lëshuar nga partia e Ramush Haradinajt, AAK, deklaratë e nënshkruar nga Isa Mustafa, Ramush Haradinaj dhe Fatmir Limaj, thuhet se LDK, AAK dhe Nisma janë bashkuar dhe kanë vendosur që vendit t’i japin një qeveri të kthimit të shpresës.

“Qeveria e kthimit të shpresës do të fokusohet në zhvillim ekonomik, krijimin e vendeve të reja të punës, luftë të pakompromis kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Qeveria do të punojë me ngulm për anëtarësimin e Kosovës në NATO dhe Bashkimin Evropian. Ne bashkërisht kemi vendosur që Ramush Haradinaj të jetë i nominuari ynë i përbashkët për Kryeministër, Kryetari i Kuvendit t’i takojë Lidhjes Demokratike të Kosovës e po ashtu edhe Presidenti në harmoni më Kushtetutën. Nisma do të përfaqësohet me një zëvendëskryeministër. Të gjitha përgjegjësitë e tjera politike dhe institucionale do të ndahen proporcionalisht sipas fuqisë politike në kuvend. Zotohemi t’i vazhdojmë konsultimet me pjesën tjetër të spektrit opozitar dhe partitë e komuniteteve”, – thuhet në deklaratën e përbashkët.

Ky koalicion qeverisës thuhet se do ta ketë edhe mbështetjen e lëvizjes Vetëvendosje, mirëpo kjo lëvizje nuk do të jetë në qeveri. Nga rezultatet preliminare të zgjedhjeve, PDK mori 30.71%, LDK 25.75,% Vetëvendosja 13.51%, AAK 9.61% dhe Nisma 5.24%.

Partia Demokratike e Kosovës dhe lideri i saj, Hashim Thaçi, akoma nuk janë deklaruar lidhur me marrëveshjen e arritur ndërmjet LDK, AAK dhe Nismës për krijimin e qeverisë.

 

Nëpër Kosovë duhet të fryjë një erë ndryshimi

Nuk është parësore se kush i fitoi zgjedhjet në Kosovë, sepse nga ana e programeve partitë e mëdha pak dallojnë nga njëra-tjetra. Rezultatet më të rëndësishme të këtij votimi janë zhvillimi në qetësi i zgjedhjeve – një provë për demokracinë, si edhe pjesëmarrja e serbëve në votime në të gjitha rajonet e Kosovës – një hap në drejtimin e duhur. Pakica serbe e përqendruar me shumicë në veriun e Kosovës mori pjesë për herë të parë që nga pavarësimi i saj në zgjedhjet për Parlamentin e Prishtinës. Serbët e Veriut, ndryshe nga ata në pjesë të tjera të vendit, i refuzojnë në mënyrë kategorike institucionet e shtetit të ri. Qëndrimin e tanishëm të serbëve në Veriun e Kosovës mund ta kuptosh kështu: vërtet lufta dhe konfliktet na kanë ndarë më dysh, por me plotësimin e disa kushteve, ne do të jemi gati për pajtim.

 

Kompromise të vështira, por të nevojshme

Pjesëmarrja në zgjedhje është një shenjë rrugëdaljeje nga konflikti shqiptaro-serb, që ende nuk mund të quhet i shuar. Por rruga drejt shtetbërjes ka ende shumë pengesa përpara. Për Serbinë, Kosova është ende territor serb. Për të lënë pas një të kaluar të rëndë, Prishtina dhe Beogradi negociojnë nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian. Guri i themelit për normalizimin e marrëdhënieve u vu me planin 15-pikësh, i cili u nënshkrua nga të dy kryeministrat e Kosovës dhe Serbisë para një viti. Tani duhet që ky plan ende i pajetësuar plotësisht, të bëhet realitet. Ai do të shërbejë si matës për procesin e afrimit të Serbisë dhe të Kosovës me Bashkimin Evropian. Serbia ka filluar ndërkohë procesin e negocimit për anëtarësim në Bashkim Evropian, ndërsa Kosova ende po negocion në kuadrin e Marrëveshjes së Stabilizimit-Asocimit me BE-në.

Kësaj i shtohet që Kosova ende nuk është njohur nga të gjitha vendet e OKB-së. Shteti i ri – pa ushtrinë e vet dhe pa një mëvetësi të plotë në drejtësi dhe institucionet e tjera të shtetit të së drejtës – ndeshet me kufizime të mëdha. Trupa e NATO-s dhe KFOR-it kujdesen për sigurinë ndërsa misioni i BE-së, EULEX-i ndihmon në ngritjen e strukturave të shtetit ligjor dhe sistemit gjyqësor.

Në listën e detyrave të Parlamentit të ri qëndrojnë shumë lart tema jopopullore, që bartin potencial konflikti: Njëra prej tyre është themelimi i ushtrisë kosovare. Pikërisht kjo problematikë çoi në zgjedhjet e parakohshme parlamentare, sepse pakica serbe e lidhi miratimin e saj për ushtrinë me një kusht: Rregullorja kushtetuese që u garanton serbëve dhjetë mandate duhet të mbetet në fuqi edhe për legjislaturat e tjera. Ndryshime të tilla kushtetuese kërkojnë kompromise shumë të vështira. Përfaqësuesit e zgjedhur duhet të përgatiten për këtë.

Last but nor least – së fundmi por jo e fundit, Kosova duhet të ballafaqohet me të shkuarën. 15 vjet pas luftës vendi ende nuk është përballur me fakte me të shkuarën. Një gjykatë e posaçme ndërkombëtare do të duhet së shpejti të zbardhë krimet e mundshme të kryera nga shqiptarët dhe përgjegjësit e tyre – përfshi këtu edhe politikanë të njohur – do të nxirren para drejtësisë. EULEX-i ka nisur ndërkohë hetimet. Proceset që priten ndoshta mund të jenë shkak për trazime të mëdha brenda politikës apo mund të ndezin zemërimin në shoqëri. Ish-luftëtarët shihen si heronj nga populli. Megjithatë nuk ka alternativë tjetër për demokratizimin e vendit.

Në rrugën drejt Evropës janë të domosdoshme jo vetëm katarsisi në lidhje me të shkuarën, por edhe lufta kundër korrupsionit – Kosova renditet nga Transparency International si vendi më i korruptuar i rajonit. Me pjesëmarrjen e ulët në këto votime qytetarët i dhanë një lloj ndëshkimi politikës për situatën e vështirë në vendin më të varfër të Evropës. Për këtë arsye nëpër Kosovë duhet të kalojë një erë ndryshimi. Ndryshe Evropa do të mbetet vetëm një përfytyrim.

 

BE: Zgjedhjet në Kosovë u zhvilluan në mënyrë të rregullt

Përfaqësuesja e lartë e BE-së për Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë, baronesha Catherine Ashton, vlerësoi se zgjedhjet e 8 qershorit janë një hap përpara në konsolidimin e demokracisë së Kosovës. Nëpërmjet një deklarate për media e lëshuar nga zyra e përfaqësuesit të saj në Kosovë, Ashton thotë: “Tani presim me padurim krijimin sa më të shpejtë të qeverisë, e cila do të vazhdojë punën në të gjitha sfidat kryesore, përfshirë reformat ekonomike, përpjekjet për të përmirësuar sundimin e ligjit si dhe vazhdimin e zbatimit të Marrëveshjes së prillit 2013, e cila rrjedh nga dialogu për normalizimin e raporteve me Serbinë. Bashkimi Evropian mbetet plotësisht i angazhuar në perspektivën evropiane të Kosovës dhe do të vazhdojë të mbështesë përpjekjet e saj në këtë drejtim”, – thotë Catherine Ashton. Ajo përgëzon vëzhguesit e BE-së për punën e tyre në Kosovë. E këta të fundit konfirmuan të hënën (9.6.2014) se zgjedhjet në Kosovë janë mbajtur në mënyrë të rregullt. Edhe forcat paqeruajtëse të KFOR-it, të cilat ishin të angazhuara kryesisht në veri të Kosovës, vlerësuan atmosferën e qetë, në të cilën u mbajtën zgjedhjet. “Atmosfera e qetë, në të cilën u zhvilluan zgjedhjet tregon edhe një herë pjekurinë demokratike dhe ndjenjën e detyrimit qytetar tek të gjithë njerëzit e Kosovës, si dhe tregon shkallën e lartë të efikasitetit dhe profesionalizmit të Policisë së Kosovës. Pjesëmarrja e lartë e qytetarëve të grupeve të ndryshme etnike dhe minoriteteve është një manifestim i qartë i shpirtit demokratik, i cili i karakterizon qytetarët e kësaj pjese të Ballkanit”, – tha komandanti i KFOR-it, gjeneral Salvatore Farina, nëpërmjet një deklarate për media.

Comments are closed.