Vendimi për statusin/ Rama: Këtë herë Këshilli s’ka asnjë justifikim për Shqipërinë

0
113

Gëzim Saliu

rama me studentet Kryeministri: Borxhi nga FMN-ja vendosi ekonominë në lëvizje dhe krijoi stabilitet

Kryeministri i vendit, Edi Rama, deklaron se raporti i Komisionit Evropian certifikoi shumë qartë seriozitetin e Shqipërisë në përmbushjen e detyrimeve të saj. Në një bashkëbisedim me studentët e një universiteti privat, kreu i qeverisë theksoi dje se u përmbushën kërkesat e vendeve anëtare për ecurinë e reformave dhe se vendimi për statusin tashmë është në dorë të Këshillit të Ministrave të Jashtëm. “E rëndësishme është që këtë herë, Këshilli nuk ka asnjë justifikim të mundshëm në raport me vetë Shqipërinë. Sepse ajo që Këshilli kërkoi në dhjetor ishte “pak më shumë kohë”, për të thënë: A është Qeveria e Shqipërisë garanci se çfarë u pa në muajt e parë vazhdon pa probleme në vijim, apo muajt e parë ishin vetëm flakë kashte? Dhe ne ia dolëm kësaj. Tani mbetet për të parë reagimin e Këshillit”, – tha Rama.

 

Ekonomia dhe reforma

Në bashkëbisedimin me studentët, Kryeministrit iu kërkua të komentonte rreth situatës ekonomike në vend pas dhënies së kredisë nga FMN-ja. Sipas Ramës, me borxhin e marrë nga FMN-ja u sigurua që ekonomia të vihej në lëvizje si edhe nga ana tjetër u sigurua stabiliteti i saj. “Marrja e borxhit nga FMN dhe BB, me terma shumë avantazhues, u bë në radhë të parë, për të paguar mbrapsht këto borxhe dhe sigurisht, për t’i dhënë një frymëmarrje ekonomisë, përmes pagesës së këtyre borxheve. Një injektimi që praktikisht ka filluar të japë efektet e para. Kështu që, unë besoj që kemi marrë 2 efekte pozitive: E para, kemi rikthyer ekonominë në lëvizje dhe e dyta, kemi futur ekonominë në rrugën e stabilitetit, duke vënë rregull mbi gjithë ato libra llogarish që ishin thuajse duke dalë jashtë kontrollit”, – deklaroi Rama. Duke u ndalur në reformën në arsim, kreu i qeverisë e konsideroi atë tepër të rëndësishme që kërkon kontributin sa të sektorit publik, aq edhe atij privat, po ashtu edhe të ekspertëve të fushës. Rama nënvizoi se dy kriteret themelore mbi të cilat do të bazohet kjo reformë janë merita dhe konkurrueshmëria. “Ka dy gjëra shumë të thjeshta: E para, konkurrenca. E dyta, merita. Pa këto të dyja është e kotë që të pretendojmë të ndërtojmë një Shqipëri evropiane, në të gjitha aspektet. Universitetet duhet të hyjnë në një sistem konkurrence të barabartë. Dhe nuk duhet të ketë më universitete private dhe shtetërore, por duhet të ketë vetëm universitete publike. Universitete publike që financohen nga shteti, universitete publike që financohen nga privati. Që të ndodhë kjo duhet një sistem akreditimi i besueshëm, nga një agjenci akreditimi ndërkombëtare që thotë në bazën e kritereve se kush e meriton dhe kush nuk e meriton të qëndrojë në këtë fushë”, – u shpreh ai. Sipas shefit të qeverisë shqiptar për një sistem të shëndetshëm të arsimit të lartë duhet që universitetet t’i nënshtrohen konkurrencës së barabartë dhe për këtë, është i nevojshëm edhe një sistem akreditimi i besueshëm.

 

Lobimi/ Rama dhe Bushati në Francë, sot takim me Presidentin Hollande

Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar edhe nga ministri i Jashtëm Ditmir Bushati, u nis dje për një vizitë zyrtare në Francë, ku do të zhvillojnë takime të nivelit të lartë në Paris për të lobuar për marrjen e statusit të vendit kandidat në BE. Burime zyrtare nga Kryeministria bënë të ditur se gjatë kësaj vizite, shefi i qeverisë shqiptare do të zhvillojë një takim me Presidentin francez, François Hollande, takim në të cilin do të kërkohet mbështetja franceze për çështjen e statusit kandidat. Gjithashtu në axhendën e Ramës në Paris është parashikuar një takim edhe me përfaqësues të biznesit dhe botën akademike.

 

 Qëndrimi zyrtar/ Çekia: CEZ-i, jo kusht për statusin, vendimi i Pragës merret javën tjetër

Sekretari i Shtetit për Çështjet e Bashkimit Evropian në Republikën Çeke, Tomas Prouza, hodhi poshtë të gjitha shkrimet në mediat e vendit të tij, duke i cilësuar ato spekulime në lidhje me statusin e Shqipërisë. Sipas tij, Republika Çeke nuk do të bazohet në një çështje të vetme tregtare për statusin e Shqipërisë, por do të shohë progresin e bërë nga Shqipëria. “Kjo nuk është aspak e vërtetë, është një spekulim i medias dhe realisht mbeta i habitur kur pashë këto spekulime sepse qeveria ende nuk e ka diskutuar çështjen e statusit kandidat të Shqipërisë, kjo do të diskutohet javën tjetër. Pra, nuk ka pasur asnjë diskutim të këtij lloji. Nuk mund ta imagjinoi që qeveria do ta mbështesë vendimin e saj në një çështje të vetme tregtare, por ajo që do të bëjmë është të shohim hapat që ka ndërmarrë Shqipëria në 6 muajt e fundit: si ka ndryshuar situata, sa mirë janë zbatuar ligjet, cili ka qenë progresi në drejtësi dhe pika të tjera. Pra, ne do të shohim këto çështje dhe nuk do të merremi me një çështje të vetme tregtare”, – shpjegoi Prouza në një intervistë telefonike për “Top Channel”. Ndërkaq, lidhur me vlerësimin e Shqipërisë nëse ka bërë apo jo progres në muajt e fundit, ministri tha: “Ajo çfarë Komisioni Evropian ka komentuar shumë pozitivisht në raport lidhur me progres-raportin ishte e rëndësishme. Si vendi ka ecur përpara, si është zbatimi i ligjit, si shteti mbron të drejtat e individëve dhe të kompanive. E gjithë kjo është pjesë e tablosë përfundimtare. Nga ajo që ne kemi parë dhe raporti që kemi lexuar nga Komisioni Evropian, në Shqipëri është bërë shumë progres dhe ky është një lajm i mirë”.

 

 Ambasadori holandez/ De Labej: Në 17 qershor, Parlamenti vendos për Shqipërinë

Në datën 17 qershor pritet një vendim nga Parlamenti i Holandës, në lidhje me statusin e vendit kandidat për Shqipërinë. Kështu deklaroi dje ambasadori i Holandës ne Tiranë, Martin De Labej, duke shpjeguar se qeveria e tij do të diskutojë shumë shpejt qëndrimin e saj përfundimtar me parlamentin. “Ministrat janë ata që vendosin për statusin e vendit kandidat. Ne do të diskutojmë qëndrimin e qeverisë, por janë ministrat ata që do të konsultohen edhe në parlament. Qëndrimi jonë është formësuar dhe ministri do i nis një letër parlamentit, me anë të cilit do i jepet shpjegimet e qëndrimit gjatë takimit të Këshillin e Evropës. Diskutimi do të zhvillohet në datën 17 qershor”, – tha ai. Në fillim Holanda ishte një nga vendet më skeptike në lidhje me statusin kandidat të Shqipërisë, por në këto 6 muaj qëndrimi i saj ka ndryshuar. Në muajin Dhjetor të vitit të kaluar, Holanda ishte një nga vendet që i tha “Jo”, Shqipërisë, pasi parlamenti i saj votoi bllokimin e dhënies së statusit.

 

 Takimi i Gjoshës me Lidingtonin/ Anglia, ende pa vendim: Po studiojmë raportin

Ministrja e Integrimit Evropian, Klajda Gjosha, e cila ndodhet për një vizitë zyrtare pune në Mbretërinë e Bashkuar, zhvilloi takime dje me ministrin e Shtetit për Çështjet Evropiane, David Lidington, dhe me ministrin e Shtetit për Çështjet e Drejtësisë dhe të Drejtave Civile, Simon Hughes. Gjatë takimit me Lidingtonin, ministrja e Integrimit e informoi atë për masat e marra nga qeveria shqiptare sidomos në luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe reformën në drejtësi. “Vendimi pozitiv i Këshillit të Ministrave të BE-së, do të ishte një sinjal i rëndësishëm motivues për Shqipërinë, për të ecur përpara në rrugën e saj drejt BE-së, duke ndikuar në krijimin e një klime me pozitive për vendin”, – u shpreh Gjosha. Ndërkaq, Lidington u shpreh se Anglia mbështet politikën e zgjerimit në BE, dhe aspiratën e Shqipërisë për të qenë pjesë e Unionit, por kjo duhet të jetë e bazuar në evidence të arritjeve konkrete pra në bazë të meritave të një vendi. “Jemi duke studiuar me vëmendje raportin e progresit të Komisionit Evropian dhe do të marrim një vendim pasi të nxjerrim përfundimet tona”.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency