Pretenca/ Vrau hasmin dy javë pasi la qelinë, Festim Korra rrezikon 35 vite burg  

0
268

Sonila Mesareja

gjykata e krimeve te renda 2Prokuroria e deklaron fajtor për vrasjen e Hyqmet Pishës, i dënuar 17 vjet burg për vrasjen e vëllait të të pandehurit, Qemal Korra

 Vetëm dy javë pasi hasmi u la i lirë, merr hak në qendër të qytetit, duke e vrarë atë. Për këtë krim, Festim Korra rrezikon 35 vite të jetës së tij në burg, nëse do të pranohet kërkesa e prokurorit, i cili dje e deklaroi fajtor për akuzat “Vrasje për gjakmarrje” dhe “Vrasje me dashje e mbetur në tentativë”. Sipas prokurorit, kjo masë dënimi kërkohet pasi është provuar që i pandehuri Korra ka vrarë Hyqmet Pishën në qendër të Elbasanit, pak ditë pasi ky i fundit u lirua nga burgu. Sipas akuzës, por edhe dinamikës së ngjarjeve mes dy familjeve, kjo është viktima e tretë e shënuar mes familjeve Korra e Pisha në qytetin e Elbasanit. Vetëm pak ditë pasi kishte dalë nga burgu, Hyqmet Pisha u ekzekutua me 7 plumba në një lokal në qendër të Elbasanit nga personi i shpallur në kërkim Festim Korra. Edhe kjo vrasje, sipas hetuesve, është në vazhdën e gjakmarrjes mes dy familjeve në Elbasan, që i ka fillesat në vitin 1994. Sipas prokurorisë, gjithçka ka nisur në verën e vitit 1994, kur pas një zënke të momentit, Qemal Korra ka vrarë nipin e Hyqmet Pishës. Tre vjet më pas, Hyqmet Pisha ekzekuton në qendër të Elbasanit, autorin e vrasjes së nipit të tij, Qemal Korrën. Për këtë vrasje, Pisha u dënua nga Gjykata me 13 vjet burg. Por, edhe pse kishte vuajtur vitet e burgut, sapo la qelinë, Festim Korra, ekzekutoi me 7 plumba autorin e vrasjes së vëllait të tij. Për këtë vrasje të kryer për gjakmarrje, në Gjykatën e Krimeve të Rënda prokurori kërkoi dënimin e tij me 35 vjet burg. Në sallë mungonte i pandehuri, i cili është shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi policia nuk ka arritur ta gjejë dhe ta arrestojë atë. Ndërsa avokati edhe pse ka pranuar se klienti i tij është autor i vrasjes, kërkoi nga togat e zeza dy javë kohë për të përgatitur mbrojtjen. Kjo kërkesë u pranua nga Gjykata e Krimeve të Rënda.

 

Krimi

Një histori vrasjesh që zë fill në vitin 1994 ka marrë sërish jetë. Rreth orës 14:00 të mesditës në një nga ditët e qershorit të vitit të kaluar, një makinë tip “Mercedes-Benz” me targa angleze KJ 53 LUD, është afruar tek një lokal pranë zyrave të gjendjes civile, ose pranë kryqëzimit të teatrit “Skampa” dhe një person që gjendej brenda mjetit ka qëlluar me pistoletë në drejtim të 45-vjeçarit. Menjëherë u identifikua viktima nga policia nga ku u mësua se bëhej fjalë për shtetasin Hyqmet Pisha, babai i një fëmije, ndërsa dyshohet se vrasja është bërë për hasmëri. 45-vjeçari Pisha, kishte lënë qelinë 2 javë para ngjarjes, ku kishte vuajtur dënimin për vrasjen e personit që i vrau nipin. Duket se kjo pistë ka ndihmuar blutë e Elbasanit të arrijnë shumë shpejt tek emri i autorit të dyshuar, që pohohet të jetë 35-vjeçari Festim Korra. Sipas grupit hetimor, viktima Pisha, ka vrarë para 16 vitesh shtetasin Qemal Korra që është vëllai i autorit të dyshuar Festim Korra. Ndërkaq, nga të shtënat ka mbetur e plagosur edhe një kalimtare e rastit, Lindita Çalladej, e cila ka marrë një plumb në krah, por që pas ndihmës së parë nuk pati probleme serioze për jetën.

 

Dyshimi

Pas ngjarjes, policia hodhi menjëherë dyshimin se atentati lidhej me pistën e hakmarrjes nga familja e personit që kishte vrarë Hyqmet Pisha në vitin 1997. Për këtë krim ai ishte dënuar me 17 vite heqje lirie dhe kishte dalë nga burgu 2 javë para ngjarjes, pra më 29 maj të vitit të kaluar, në liri me kusht. Policia ka identifikuar si autor të dyshuar të këtij krimi shtetasin Festim Korra, 35 vjeç, vëllai i Qemal Korrës, personit të vrarë nga Hyqmet Pisha. Dy orë pas ngjarjes policia gjeti të braktisur në afërsi të Fabrikës së Çimentos në Bradashesh, automjetin e autorit. Mësohet se Pisha, ishte pronar i një pike të grumbullimit të makinave në Elbasan.

 

 Krimet e Rënda/ Lihen në burg këngëtarët grekë, dyshohet se u paguan me drogë për të kënduar

 Çifti i këngëtarëve grekë, të cilët u kapën me drogë në pikën kufitare të Kakavijës gjatë kthimit për Greqi, dyshohet se u paguan me drogë për dy netët që performuan në diskot e Sarandës dhe Vlorës, ose me paratë e dhëna blenë mallin prej 63.5 kg marijuanë, i kapur në makinë. Me lot në sy, dy këngëtarët grekë dolën para Gjykatës së krimeve të Rënda për t’u njohur me akuzën e “Trafikut të narkotikëve” në bashkëpunim. Në një seancë me dyer të mbyllura, çifti ka mohuar dje para togave të zeza se ishin ata pronarë të sasisë së drogës, duke deklaruar se u ishte bërë një kurth, duke iu vendosur drogë në makinë. Por, deklarimet e tyre janë hedhur poshtë nga Prokuroria, e cila bën me dije se këngëtarët grekë Panajotis Markopulos dhe Anastasia Vogiatzi janë posedues të lëndës narkotike dhe do e trafikonin atë drejt Greqisë. Megjithatë, pavarësisht deklarimeve para gjykatës, mohimit të akuzës dhe aludimit për ngritje kurthi, dy këngëtarët do qëndrojë në burg deri në përfundim të hetimeve. Dyshohet se dy këngëtarët janë paguar me drogë në këmbim të parave për dy netët që performuan në lokalet me muzikë në Sarandë dhe Vlorë. Hetuesit kanë marrë në pyetje edhe pronarët e lokalit ku këngëtarët kanë kënduar për dy netët e fundjavës. Ata kanë thënë se këngëtarët janë paguar me euro për dy ditët e qëndrimit në Shqipëri, ndërsa gjatë kontrollit personal mësohet se atyre nuk u është gjetur shuma e pretenduar nga pronarët. Dy këngëtarë grekë të ftuar për të kënduar në lokalet me muzikë të Sarandës, në fundjavë janë kapur në pikën kufitare të Kakavijës në kthim për në Greqi me 63.5 kilogramë marijuanë, për ta trafikuar në drejtim të shtetit helen. Policia e Gjirokastrës raportoi arrestimin e 27-vjeçarit Panajotis Markopulos dhe 30-vjeçares Anastasia Vogiatzi, pasi me automjetin e tyre tip “Seat” me targa IPP 3885, në një vend të fshehtë u gjet droga e ndarë në 95 pako.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency