Komisionet parlamentare/ “Një deputet për një komision”, PS: Ndryshim rregullores. PD: Refuzuat tri hetime kuvendore

0
101

Gëzim Saliu

kuvendi Subashi: Riformatim, deputetët në komision, sipas profesionit. Bumçi: Kërkesa e PS qesharake

Partia Socialiste kërkon ndryshimin e rregullores së Kuvendit në kuadër të riformatimit të formës dhe përbërjes së komisioneve parlamentare. Deputeti i PS-së, njëkohësisht sekretari i komisionit për çështjet ligjore, Armando Subashi, deklaroi dje se vonesa e miratimit të projektligjeve për shkak të mungesës së kuorumit si edhe fryrja e komisioneve me deputetë do të detyrojë mazhorancën që të propozojë tkurrjen e numrit të ligjvënësve që janë pjesë e tyre. “Nëse komisionet do të jenë më të pakta në numër, do të jenë më fleksibël dhe mundësia për të bërë punë të vërtetë do të jetë më e madhe. Nuk është problem që do të tkurren komisionet, por të riformatohen edhe një herë. Të përcaktohet në parim një numër i caktuar. Rregullorja detyron që çdo deputet të marrë pjesë në të paktën një komision, një shpërndarje e mirë e 140 deputetëve në 8 komisione që ka Kuvendi është plotësisht e mundshme të bëhet dhe ku secili deputet të shkojë atje ku do të ketë rendimentin më të madh”, – tha Subashi. Më tej, ai tha se në komisione duhet të jenë deputetë sipas diplomimit dhe profesionit, duke nënvizuar se riformatimi do të shërbejë për komisione më efikase. “Komisionet duhet të jenë më efikase, ndërsa deputetët të jenë më aktivë në komisionet parlamentare”.

 

Reagimet

Aleati i Partisë Socialiste, LSI, përmes kreut të grupit parlamentar Petrit Vasili, theksoi se është i interesuar më shumë për cilësinë e ligjeve që prodhohen nga komisionet. “Unë jam i përqendruar kryesisht në thelbin dhe në kualitetin të diskutimit të gjërave në këto komisione. Kjo mazhorancë është demonstruar shumë e kujdesur, kur e ka kërkuar nevoja kritike, në mënyrë që kualiteti i legjislacionit të prodhuar të jetë më i miri”, – tha ai. Ndërkaq, demokratët e cilësojnë si qesharake këtë kërkesë në kushtet kur, theksoi deputeti Aldo Bumçi, mazhoranca ka refuzuar tri kërkesa për komisione hetimore nga ana e opozitës. “Kjo është qesharake, që shumica të shqetësohen për funksionimin e komisioneve parlamentare dhe të mos shqetësohet për shkeljen flagrante që i bën Kushtetutës të të drejtave të opozitës, duke mos aprovuar 3 nismat tona për komision hetimor. Kushtetuta e ka përcaktuar shumë qartë të zezën mbi të bardhë, që nuk ka nevojë për aprovim, mjafton kërkesa e ¼ të deputetëve dhe komisioni hetimor është automatikisht i aprovuar”, – tha Bumçi. Sipas rregullores së Kuvendit, është e lejueshme që një deputet të jetë i pranishëm në më shumë se një komision. Nisur nga kjo hapësirë, mazhoranca pretendon se kjo ka bërë që opozita të shtojë në mënyrë artificiale numrin e pjesëtarëve të saj në komisione, dhe si alternativë ka parashikuar ndryshimin e rregullores, ku do të detyrohet pjesëmarrja e deputetit në një komision të vetëm.

 

 Mazhoranca kalon ligjin te Ekonomia/ AMF vendos vetë pagat e saj, Bode: Qoshe për elementë të PS-së. Braçe: Kërkesë e FMN dhe BB

Komisioni i Ekonomisë ka miratuar me votat pro të mazhorancës ligjin i cili u jep të drejtë anëtarëve të rinj të bordit të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare të vendosin vetë për pagën e tyre dhe të kryetarit. Në këtë mënyrë listës së institucioneve të pavarura të cilat vendosin vetë pagën e tyre, i shtohet edhe Autoriteti, i cili ka në dorë tregun e sigurimeve, ai i Mbikëqyrjes Financiare. Ky projektligj ka sjellë reagimin e opozitës, e cila përmes deputetit Ridvan Bode theksoi se ai është në kundërshtim me nevojën për të forcuar disiplinën financiare. “Këto ndryshime janë absurde dhe kërkojnë spastrime në institucione. Këtu ka të bëjë me një veprim të paramenduar të qeverisë për të krijuar një qoshe të ngrohtë për elementë specialë të mazhorancës të cilët ose kanë humbur ose do të humbasin mandatin e tyre në parlament dhe që do të mund të përfitojnë shpërblime të majme dhe trajtime speciale, specifike sipas këtij ligji. Prandaj ne nuk shprehemi dakord”, – tha ish-ministri i Financave. Ndërkaq, kryetari i Komisionit të Ekonomisë, deputeti socialist Erjon Braçe, theksoi se akuzat e opozitës për projektligjin janë paragjykuese. “Ajo që duhet të bëjmë mirë të gjithë këtu ne bashkë në komision është që të lexojmë edhe projektligjin, por edhe relacionet që vijnë. Relacioni i shkruan qartë referencat në dokumentet e FMN dhe BB, që kërkojnë qartësisht pavarësi operacionale, administrative dhe financiare të autoriteteve rregullatore”, – pohoi ai. Ndërsa deputeti i PD, Sherefedin Shehu, tha: “Situata ekonomike në vend është e vështirë, pasi nuk ka rritje të punësimit. Shumica të tërheqë mbrapsht ndërhyrjet në AMF, por edhe ato që ke thënë për Bankën e Shqipërisë”. Nga ana e tij deputeti socialist Anastas Angjeli nënvizoi: “Kriteri ligjor, rekomandues dhe profesional s’na lejon të devijojmë. Kriterin politik dhe personal s’kemi pse ta diskutojmë”. Komisioni i Ekonomisë më anë të një rezolute pak ditë më parë i rekomandoi Bankës së Shqipërisë të bënte kujdes me pagat e larta dhe bonuset që shpenzohen për punonjësit e saj. Në fakt piramida e pagave në shumë institucione të pavarura nuk respekton hierarkinë institucionale, pasi guvernatori i Bankës Qendrore e ka rrogën më të lartë se Presidenti.

 

Debatet

Braçe- Ju keni qenë ministër i Financave, na duhet pavarësia, na duhet pavarësia.

Bode- Po nuk është AMF bankë.

Braçe- A e drodhe tani prapë.

Bode- Këto ndryshime janë absurde dhe kërkojnë spastrime në institucione. Këtu ka të bëjë me një veprim të paramenduar të qeverisë për të krijuar një qoshe të ngrohtë për elementë specialë të mazhorancës të cilët ose kanë humbur ose do të humbasin mandatin e tyre në parlament dhe që do të mund të përfitojnë shpërblime të majme dhe trajtime speciale, specifike sipas këtij ligji. Prandaj ne nuk shprehemi dakord.

Braçe- Relacioni shkruan qartë referencat në dokumentet e FMN dhe BB, që kërkojnë qartësisht pavarësi operacionale, administrative dhe financiare të autoriteteve rregullatore.

Shehu- Shumica të tërheqë mbrapsht ndërhyrjet në AMF, por edhe ato që ke thënë për Bankën e Shqipërisë.

Angjeli- Kriteri ligjor, rekomandues dhe profesional s’na lejon të devijojmë. Kriterin politik dhe personal s’kemi pse ta diskutojmë.

Emiri i Katarit pret Nishanin: Toleranca fetare në Shqipëri, model për t’u ndjekur

Presidenti Bujar Nishani u prit dje nga Emiri i Katarit, Sheik Tamin Bin Hamad Bin Khalifa Al Thani, ku ky i fundit pasi vlerësoi fjalën e kreut të shtetit në Forum, tha se harmonia dhe bashkëjetesa fetare në Shqipëri përbëjnë një përvojë, e cila i duhet bërë e njohur gjithë botës si model për t’u ndjekur. Më tej Emiri i Katarit tha se Shqipëria është një vend shumë i rëndësishëm për Katarin dhe se marrëdhëniet mes dy vendeve duhet të forcohen më tej. “Duam të investojmë në Shqipëri dhe jemi të gatshëm t’ju ndihmojmë në të gjitha format”, – theksoi ai. Nga ana e tij, Presidenti Nishani pohoi se Shqipëria dhe shqiptarët ndiejnë mirënjohje për Katarin dhe Lartësinë e Tij për mbështetjen dhe ndihmesën e dhënë dhe i kërkoi bashkëbiseduesit që ta konsiderojë Shqipërinë si vend kontribuues dhe mbështetës për çdo nismë të kësaj natyre.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency