Pogradec/ Masakrohet me thikë 26-vjeçari në bilardo, zbardhen dy pistat e policisë për ngjarjen

0
118

vrasja ne pogradec Krimi i rëndë ka tronditur qytetin e Pogradecit, ku një i ri është masakruar me thikë. Ngjarja ka ndodhur në një bilardo në momentin që viktima po lozte me disa miq të tij. Nga të dhënat e para bëhet me dije se viktima dhe autori ende i paidentifikuar janë konfliktuar me njëri-tjetrin duke kaluar në konfrontim fizik. Ka mjaftuar vetëm një çast gjaknxehtësia që autori të nxirrte thikën dhe të qëllonte barbarisht viktimën, i cili ka humbur jetën. Klement Hoxhallari është goditur disa herë në pjesë të ndryshme të trupit, ndërsa autori është larguar me shpejtësi. Të alarmuar klientë të bilardos kanë njoftuar policinë dhe kanë tentuar t’i vijnë në ndihmë viktimës, por ka qenë e kotë. I riu kishte pësuar hemorragji dhe ja humbur jetën rrugës për në spital. Nga ana e forcave të policisë kanë nisur hetimet për zbardhjet e plotë të ngjarjes dhe 10 persona janë shoqëruar në komisariat. Trupi i pajetë i 26-vjeçarit ndodhet në morgun e spitalit, ku do i nënshtrohet ekspertizës mjeko-ligjore. Sipas mjekëve djali ka mbërritur me plagë dhe me çarje të thella të shkaktuara nga një mjet i mprehtë. Ka qenë e pamundur që të ndërmerrej mjekimi i tij apo ndërhyrja kirurgjikale, pasi i riu ka ndërruar jetë për shkak të hemorragjisë. Goditjet me thikë i kanë prekur organet jetike duke i çarë arteriet kryesore. Pritet që në ditët në vijim të përfundojnë autopsia, e cila do t’i dorëzohet forcave të policisë. Ekspertiza mjeko-ligjore do ndihmojë policinë për të zbardhur me detaje krimin. Ka dyshime se autori dhe viktima janë konfliktuar për çështjes femrash ose për shkak të lojës. Por pista është ende e pakonfirmuar dhe policia nuk ka një identikit të qartë të autorit ose autorëve.

 

Ngjarja

Ishte ora 20:30 kur një telefonatë mbërriti në komisariatin  policisë së Pogradecit. Një djalë njoftonte se kishte një të plagosur në një bilardo pas një sherri. Forca të policisë kanë mbërritur menjëherë në vendin e ngjarjes, ku kanë gjetur trupin e pajetë të 26-vjeçarit Klement Hoxhallari. Policia ka këqyrur vendin e ngjarjes dhe ka marrë në pyetje dëshmitarët, të cilat kanë përshkruar atë se çka ka ndodhur. Disa prej klientëve të bilardos ku ndodhi krimi kanë rrëfyer se dy djem janë zënë me njëri-tjetrin dhe janë konfrontuar fizikisht. Por të trembur kanë dalë jashtë bilardos, kur kanë dëgjuar britma dhe kanë parë disa djem të iknin me vrap. 26-vjeçari dergjej në tokë i gjakosur dhe klientët kanë tentuar t’i japin ndihmën e parë por ka qenë  e kotë. Ndërsa ka mbërritur ambulanca, e cila ka transportuar të riun për në spital, por ai ka humbur jetën gjatë rrugës. Ndërkohë që policia ka pyetur dëshmitarët për përshkrimin e autorit, i cili ende nuk është identifikuar nga blutë. Pritet që në pyetej të merren të afërm të viktimës, nëse djali ka pasur konflikte ose probleme me dikën. Ka dyshime se 26-vjeçari mund të jetë konfliktuar për shkak të lojës ose çështje femrash. Por ende nuk është e qartë skena e krimit dhe motiv.

 

Krujë/ Aksident, kamioni i ushtrisë përfundon në lokal, po transportonte municione

Një aksident i rëndë ka ndodhur mëngjesin e djeshëm në Krujë ku një kamion ushtarak, pjesë e një autokolone ushtarake që transportonin fishekë në drejtim të tuneleve të Nuajës, është përplasur me një lokal krah rrugës dhe për pasojë ka humbur jetën drejtuesi i automjetit si dhe është plagosur një kalimtar i rastit. Aksidenti ka ndodhur në rrugën Krujë-QafëShtamë, pranë lagjes “Abazë”, rreth orës 7 e 30 min të ditës së sotme, ku automjeti ushtarak ka humbur kontrollin, ndërsa përplasja ka qenë e fuqishme duke shkatërruar lokalin ndërsa kamioni është shpërbërë duke u tjetërsuar krejtësisht. Mësohet se viktima është drejtuesi i kamionit Petrit Bruci 38 vjeç, i cili ka gjetur vdekjen e menjëhershme, si dhe ka mbetur i plagosur në vend një kalimtar i rastit Saba Lika 50 vjeç nga Kruja i cili është dërguar me urgjencë në spitalin e Krujës ku i është dhënë ndihma e parë e pastaj është dërguar në Spitalin Ushtarak në Tiranë. Gjithashtu bëhet e ditur se në lokal në momentin e aksidentit kanë qenë dhe 2 fëmijë të moshës 9 dhe 10 vjeç por fatmirësisht kanë mundur të largohen në drejtim të pjesës së pasme të lokalit. Ndërkaq po punohet për zbardhjen e plotë të ngjarjes si dhe shkaqeve të aksidentit.

 

Tepelenë/ Goditen nga rrufeja, humbin jetwn 2 persona

Dy të rinj në Tepelenë kanë humbur jetën, pasi janë goditur nga rrufeja. Ngjarjet kanë ndodhur thuajse në të njëjtin orar, kur fillimisht ka humbur jetën 23-vjeçari O.Zeneli në fshatin Dukaj. I riu ka qenë duke kullotur bagëtinë kur është goditur nga shkarkimet, si pasojë e përkeqësimit të motit pasditen e kësaj të hëne. Ndërkohë në fshatin Sinanaj, një 31-vjeçare ka humbur jetën në afërsi të banesës, pasi është goditur nga rrufeja.

 

Luksenburg/ Mafiozi shqiptar dënohet me 3 vjet burg dhe 5500 euro gjobë

Një shqiptar i dyshuar si mafioz është dënuar me 3 vjet burg dhe me 5 500 euro gjobë në Luskemburg. Agjencia e lajmeve “Presheva Jonë” bën me dije se shqiptari 27 vjeç me inicialet Q.B nga Shqipëria, i cili në vitin 2009 rezultonte si azilkërkues në një qendër strehimore në Nuechateau të Luksemburgut është dënuar me tre vjet burg dhe me gjobë prej 5.500 €. Shqiptari dhe i vëllai kohët e fundit ranë në sy për veshjet, makinat dhe jetën luksoze që bënin në Luksemburg. Pas hetimeve që kryen, policia zbulon se shqiptari ishte kthyer në grabitës me dhunë. Rezultoi se në vitin 2010, shqiptari ishte përfshirë dhe në një rrjet të trafikimit të lëndëve narkotike. Duke provuar këto vepra penale, gjykata e Neufchâteau e dënoi të riun shqiptar me 3 vjet dhe me gjobë prej 5.500 €.

 

Shkodër/ Asgjësohen 3 parcela me 539 rrënjë kanabis

Asgjësohen tre parcela me 539 rrënjë kanabis sativa në Shkodër. Operacioni është ndërmarrë ditën e djeshme nga Antidroga në zonën e quajtur “Plan i Madh”. Ndërkohë, policia po punon për identifikimin dhe arrestimin e kultivuesve të lëndës narkotike. Sipas policisë, parcelat ku ishte mbjellë droga janë pa pronar, gjë që e vështirëson akoma më shumë identifikimin e personave që e kanë kultivuar.

 

Kukës/ Përplasi 52-vjeçaren me makinë, largohet drejtuesi

Një grua ka mbetur e plagosur pas përplasjes nga një automjet. Ngjarja në fjalë ka ndodhur mesditën e djeshme në aksin rrugor Kukës-Gostil, ku sipas raportimit të policisë bëhet me dije se, një mjet ka përplasur 52-vjeçare e identifikuar si Lume Cena. Po sipas burimeve të policisë, mjeti që ka përplasur gruan është larguar nga vendngjarja duke mos i ardhur në ndihmë asaj. Kanë qenë kalimtarë të rastit ata që kanë njoftuar policinë, ndërkohë që e plagosura është dërguar drejt Spitalit Ushtarak në Tiranë.

 

Fier/ Përfshihet banesa nga flakët, nuk ka të lënduar

Përfshihet nga flakët një banesë dykatëshe në lagjen “Liria” në Fier. Zjarri ka djegur tërësisht ndërtesën dykatëshe, ndërsa nuk ka të lënduar, por vetëm dëme materiale. Ndërtesa që më parë ishte përdorur, si kopsht fëmijësh është në pronësi të shtetasve, Luljeta Xhafa dhe Liri Lulaj. Zjarri fillimisht ka përfshirë katin e parë dhe më pas është përhapur duke djegur edhe banesën në kat të dytë. Shkak i zjarrit dyshohet një shkëndijë elektrike.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency