…me gra që ndjellin shpresë

0
137

Sylvia Plath (1932 – 1963)

balthusSilvia Plath ka qenë konsideruar vogëlushe vunderkinde. Për shumë arsye, Silvia Plath përfaqësonte kulmin e gruas së shtresës së mesme: e bukur, me një inteligjencë të pashembullt, me një talent të madh; Plath në poezitë që shkroi për këtë jetë familjare, tregon në të vërtetë një pamje krejt të kundërt; të zymtë, plot ankthe dhe panik, rraskapitje dhe velje

 

                SHTËPIA E ERRËT

Ja shtëpia e errët, shumë e madhe.

E kam ndërtuar vetë.

Katror pas katrori ç’prej një qoshku të qetë,

Duke u mbllaçitur mbi letrën e irnosur,

Duke hedhur pika zamke,

Duke fërshëllyer, duke luajtur veshët,

Duke menduar për diç tjetër:

 

Këtu ka kaq shumë bodrume,

Kaq shumë transhe-ngjala rrëshqitëse!

Jam e rrumbullt, si kukuvajkë,

Vetë e ndriçoj veten.

Mund t’i flak lodrat kur të më teket

Apo të bëj bijë në shpirt një kalë. Barku im llokoçitet.

Duhet të skicoj më shumë harta.

 

Tunele-kungullesha!

Kam kthetrat e urithit, e brej rrugën time.

Goja gjithëgëlltitëse lëpin shkurret

Dhe vegshat me mish.

Ai banon në bunarin e vjetër,

Në gropën e gurtë. Ai është fajtor.

Ai është prej race të majmurish.

 

Kundërmim stërqokash, dhoma-repa. Stërfryhen flegrat dromcake.

Dashuri të vocrra, të shkordhura!

Budallushe dhe pa skelete, si hundët.

Këtu, brenda kësaj rrënje,

Është ngrohtë dhe aspak keq.

Ja dhe përqafjet e ëmbla të mamkës.

 

      KUSH

Kaloi muaji i lulimit. Frutat në shtëpi

Janë ngrënë ose kalbur. Jam e gjitha gojë.

Tetori është muaji i grumbullimit.

 

Ufmë në kasolle, si në bark të nënës:

Veglat e vjetra, bishtat, grabuja të ndryshkura.

Këtu, midis kokash të vdekura, jam në shtëpi.

 

Lermëni të prehem në saksinë e luleve,

Merimangat nuk do të më pikasin..

Zemra ime – një elbarozë e mpirë.

 

Ja sikur era të dilte prej mushkërive.

Një surrat qeni u merr erë luleve.

Petalet rriten këmbëpërpjetë.

Ata kërcasin, si shkurre hortensie.

Mua që kam ardhur mbrëmë tek trarët,

Më ngushëllojnë kokat që kalben,

Që s’flenë dimrit.

 

Kokat e lakrave: të purpurta, si krimba, të sermta,

të veshura me veshë mushkash dhe flatra fluturash,

Por me zemra të blerta.

Venat i kanë të bardha, si dhjamë derri.

 

O bukuri e konsumit!

Kunguj portokalli të pasy.

Këto salla janë plot me gra që ndjellin shpesë.

Ja se ç’shkollë e mërzitshme. Jam rrënja, guri, klithma e hutit.

Asnjë ëndërr nuk më shtiret.

 

Mama, ti je mu njajo gojë,

në të cilën do të kisha qenë gjuhë.

O nënë pangjashmërie, hamë!

Hije e derës së tremesë,

Që përthithet në koshin e plehrave.

 

Unë thashë se ndoshta, e kujtoj këtë nga fëminia.

Atje rriteshin të tilla lule gjigande,

gojë të purpurta e të kuqe, thjesht të magjishme.

 

Rrathët prej kërcejve të manaferrave m’i ndillnin lotët në grykë.

Tani ato më ndezin si një llampë.

Herëdokur me javë të tëra nuk ndërmend asgjë.

 

          E HËNA E PËRJETSHME

Ti do të jetosh në të hënën e përjetshme

Dhe do të rrish në dritën hënore.

 

Njeriu hënor rri në moluskun e tij,

I mbëltucur përnën thurjen

E thuprave. Bie drita – ftohërimë dhe tebeshir –

Ndër çarçafët tanë.

Dhëmbët e tij kërcëllijnë midis lebrozëve

Heshtave dhe kratereve të atyre vullkaneve t’fikur.

 

Ai gjithaq është kundër thëllimit të zi

Thupra mund të kishte mbledhë, s’do kishte pushuar,

Gjerkur dhoma e tij e ndritshme t’eklipsonte

Fantazmën e ringjallur të diellit;

E tash veprat e hadit të tij të së hënës në lëmshin hënor,

Privuar zjarrit, shtatë detëra t’pashpirt farkëtonin syrin e tij të këmbës.

 

Përkthyen nga origjinali: Agron TUFA dhe Elvana ZAIMI

 

Shënim: Silvia Plath ka qenë konsideruar vogëlushe vunderkinde. Poezitë e parë i publikoi në moshën 8 vjeçe. Ka qenë presidente e kolegjit. Revista “Mademuazel” bëri për të një reportazh si për një studente-model dhe shpresën e letërsisë amerikane. Fitoi bursën Fullbrajt për studime në Kembrixh dhe atje u njoh dhe u martua me poetin e famshëm Ted Hjuz. Më vonë qe lektore në universitet, mandej jetoi në Angli. Tentativa e parë të vetëvrasjes dhe që i parapriu depresionit të saj nervor, është përshkruar në romanin e madh “Kolba” (botuar në 1971). Dhjetë vjet më vonë pasoi tentativa e dytë – Silvia Plath provoi të përplaset me makinë, por shpëtoi për një fije. Ndaj të gdhirë ajo u gatoi fëmijëve mëngjesin, mbylli dyert dhe dritaret puthitshëm dhe futi kokën në furrën me gaz. Ndoshta Plath shpresonte se atë mund ta shpëtonin – gjithsesi, ajo la një pusullë me porosinë t’i telefonin mjekut të saj.

Për shumë arsye, Silvia Plath përfaqësonte kulmin e gruas së shtresës së nesme: e bukur, me një inteligjencë të pashembullt, me një talent të madh.

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency