Mat/ Prokuroria dërgon të pandehur në gjykatë ish-shefat e financës

0
129

 Anxhela Tato

??????????????????????????????? Investimi në ujësjellës, dëmi i shkaktuar shtetin në vlerën 18.5 mln lekë, pajisjet iu shitën firmave private

Të pandehurit lanë pa ujë 65 mijë banorë duke iu rrezikuar shëndetin, nuk u realizua kurrë përmirësimi i sistemit të kanalizimeve

Prokuroria e Matit dërgon në gjykatë dy ish-shefta e financës së Ujësjellësit, të cilët përfituan 19 milionë lekë investime duke lënë pa ujë 65 mijë banorë. Të pandehur në bankën e të akuzuarve janë Besim Suçin, ish-shefi i Financave për 11 vite rresht, nga viti 1997 deri në vitin 2008 si dhe Saimir Ruçin, edhe ky ish shef-Financash nga viti 2008 deri në vitin 2013. Hetimi erdhi pas kallëzimit të Kontrollit të Lartë të Shtetit i cili zbuloi dëmin e shkaktuar në vlerën e 18.5 mln lekëve të rinj. Kjo shumë financiare ishte deklaruar si e përdorur për investime në ujësjellës, por u konstatua se nuk është realizuar asnjë përmirësim i rrjetit të ujësjellësit, siç janë nxjerrje të materialeve nga magazina, të cilat nuk kanë shkuar për ujësjellësin, por u janë shituar kompanive private të ndërtimit. Për këtë shkak, situata në cilësinë e rrjetit të furnizimit me ujë të rreth 65.000 banorëve të rrethit Mat (ku përfshihen Burreli, Klosi dhe 10 komuna) është e rënduar. Depozitat e ujit të pijshëm janë të hapura dhe tubacionet të ndryshkura, të cilat rrezikojnë seriozisht shëndetin e banorëve.

 

Kallëzimi

“Pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Mat është depozituar kallëzimi i bërë nga Kontrolli i Lartë i Shtetit. Në këtë kallëzim është referuar si më poshtë vijon: Kontrolli i Lartë i Shtetit në zbatim të programit të auditimit datë 06.09.2012 ka ushtruar auditim në shoqërinë ‘Ujësjellës-Kanalizime’, sh.a Mat në lidhje me aktivitetin ekonomik dhe financiar të kësaj shoqërie. Nga grupi  i auditimit u konstatuan një sërë shkeljesh dhe parregullsish. Më konkretisht Drejtoria e Përgjithshme e Ujësjellës-Kanalizimeve Tiranë ka përfunduar në fund të vitit 2006 kryerjen e investimit me fond total prej 47,000,000 NOK (monedha norvegjeze) si kontribut i qeverise Norvegjeze, për rehabilitimin e sistemimin e ujit të pijshëm dhe ujërave të zeza në Rrethin e Burrelit, qarku Dibër. Me përfundimin e punimeve nga DPUK (Drejtoria e Përgjithshme e Ujësjellës-Kanalizimeve), ato janë marrë zyrtarisht në dorëzim nga NUKB (Ndërmarrja e Ujësjellës-Kanalizimeve Burrel. Me marrjen në dorëzim të investimit dhe të magazinës së materialeve të mbetura nga projekti, drejtori dhe shefat e financës sipas periudhave duhej të regjistronin në kontabilitetin e shoqërisë ‘Ujësjellës-Kanalizimeve’, sh.a Mat, të gjitha mallrat e ndodhura në magazine. Ndonëse nga ana e NUKB_se, nuk janë zbatuar kërkesat e mësipërme ligjore, nga ana e kësaj ndërmarrjeje janë kryer një sërë daljesh nga magazina drejt subjekteve të ndryshëm fizik dhe juridik (në disa raste dhe ndaj subjekteve private), për të cilat mungojnë dokumentet justifikuese dhe vërtetuese për përdorimin e materialeve të bëra dalje si kërkesa për materiale, urdhra pune për defekte të ndryshme, preventiva për shërbimin që do kryhej, procesverbale për marrje dorëzim të punimeve të kryera apo situacione e kryerjes së shërbimit.

 

Hetimet

Të pandehurit Besim Suçi dhe Saimir Ruçi kishin detyrimin që mallrat e lëna nga projekti norvegjez  në vitin 2007 t’i pasqyronin edhe në aktivin dhe pasivin e bilancit financiar dhe të gjitha veprimet e hyrjeve dhe daljeve nga kjo magazinë, duke u regjistruar në ditaret përkatës dhe të kontabilizoheshin për të pasqyruar efektin e tyre në koston e aktivitetit të shoqërisë. Gjithashtu rezulton se i pandehuri Besim Suçi ka qenë dhe pjesë e komisionit për inventarizimin fillestar të mallrave të lëna nga projekti norvegjez, ndërsa i pandehuri Saimir Ruçi ka qenë pjesë e komisionit për inventarizimin të mallrave të lëna nga projekti norvegjez në vitin 2010. Nga ana e të pandehurve Besim Suçi dhe Saimir Ruçi nuk janë përmbushur detyrimet që rrjedhin nga ligji dhe VKM e sipërcituar, mallrat e lëna nga projekti norvegjez si dhe lëvizjet e këtyre mallrave përgjatë viteve, pasi këto mallra nuk  janë pasqyruar në asnjë dokument financiar. Bazuar në dokumentacionin e siguruar gjate auditimit shoqëria ‘Ujësjellës-kanalizime’ sh.a Mat, ka përfituar si pasojë e projektit norvegjez materiale të ndryshme të ndodhura në magazine në shumën 31.260.271 lekë dhe qe nga ai moment e në vazhdim aktiviteti i kësaj magazine ndryshe nga magazinat e tjera të shoqërisë është mbajtur jashtë kontabilitetit si dhe nuk është pasqyruar në bilancet financiare të vitit të kësaj shoqërie. Sipas inventarit të fundit rezulton gjendje në magazinë për 245 artikuj në vlerën totale 12.631.373 lekë dhe diferenca në vlerë midis inventarit fillestar dhe inventarit të fundit 31.260.271 minus 12.631.373 e barabartë me 18.628.898 leke, shumë e cila përfaqëson daljen në vlere të materialeve në magazinë për periudhën 4-vjeçare nga vitit 2007 deri në vitin 2011. Sa më sipër nëpërmjet mosveprimeve (duke mos i pasqyruar mallrat e lëna nga inventari norvegjez në bilancet si dhe pasqyrat financiare të vitit 1997 deri në vitin 2007) të pandehurit Besim Suçi dhe Saimir Ruçi kanë konsumuar elementët e veprës penale të parashikuar nga neni 248 i K.Penal duke cënuar në këtë mënyrë marrëdhëniet juridike për të siguruar veprimtarinë e rregullt shtetërore të mbrojtura posaçërisht nga legjislacioni penal nga veprimet apo mosveprimet kriminale.

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency