Bullgaria bllokon punimet e “South Stream”

0
132

 Deutsche Welle

gazi south streamPresioni i Brukselit dhe Uashingtonit e dha efektin: Qeveria bullgare i ngriu punimet për gazsjellësin “South Stream” nga Rusia drejt Bashkimit Evropian. Priten bisedime të reja

 Bullgaria do të vazhdojë me ndërtimin e gazsjellësit rus “South Stream”, vetëm pas dritës së gjelbër nga BE-ja. Projekti do të rifillojë, kur BE të mos ketë më rezerva ndaj tij, bëri të ditur kryetari i qeverisë bullgare Plamen Oresharski në Sofje të dielën në mbrëmje. Komisioni Evropian i kishte kërkuar Bullgarisë javën e shkuar të ndalonte punimet për gazsjellësin e kontestuar. Fillimisht duhet të sqarohet nëse ndërtimi i gazsjellësit nga megakoncerni rus “Gazprom” është në harmoni me ligjet evropiane. Pas konsultimeve me BE-në do të vendoset për hapat e ardhshëm. Me 13 qershor në Bullgari priten ekspertë të BE-së.

 

Amerikanët kundër

Sipas rregulloreve evropiane, është e papranueshme që një furnizues me gaz të ketë në të njëjtën kohë edhe monopolin mbi gazsjellësin. Brukseli kishte nisur madje procedimet gjyqësore ndaj Bullgarisë për shkak të gazsjellësit “South Stream”. Në sfond qëndrojnë mosmarrëveshjet mes BE-së dhe Rusisë për shkak të konfliktit në Ukrainë dhe sanksionet amerikane e evropiane ndaj Moskës.

Të dielën në mbrëmje pas një takimi me senatorë amerikanë, kreu i qeverisë bullgare Oresharski u shpreh se “ai ka dhënë urdhër që të bllokohen të gjitha punimet”. Edhe pala amerikane ka shprehur shqetësimet e saj lidhur me dhënien e tenderit të ndërtimit të gazsjellësit një konsorciumi rus “Stroyttransgaz”, i cili është i prekur nga sanksionet amerikane për shkak të konfliktit në Ukrainë.

 

 Linjat përçuese të gazit “South Stream” dhe “Trans-Adriatic”

 Gazsjellësi anashkalon Ukrainën

Gazsjellësi rreth 2.400 km i gjatë do të ndërtohej nën drejtimin e megakoncernit “Gazprom”. Ai do të kalonte nga Rusia përmes Detit të Zi dhe në Bullgari do të prekte sërish tokën. Nga ky vend përmes linjave të reja gazsjellësi do të kalonte përmes Greqisë e Italisë, ndërsa një linjë tjetër do të kalonte përmes Serbisë, Hungarisë, Sllovenisë deri në Austri. Me këtë anashkalohej Ukraina si vend transit.

Qeveria e Bullgarisë, anëtares më të varfër të BE-së synon realizimin e plotë të projektit, me qëllim të shkëputjes së furnizimit me gaz rus nga zhvillimet në Ukrainë. Bullgaria, prej shtatë vjetësh anëtare e BE-së, është tërësisht e varur nga gazi rus. Konflikti mes Rusisë dhe Ukrainës në vitin 2009 e goditi rëndë këtë vend, duke bërë që të bllokoheshin furnizimet me gaz nga Rusia, si pasojë qindra mijëra bullgarë kaluan net ngrice.

 

Inflacioni sërish nën nivelin minimal, 1.6% në maj

Inflacioni sërish ka zbritur nën kuotën e 2 përqindëve, që konsiderohet nga Banka e Shqipërisë si niveli minimal i pëlqyeshëm. Sipas Institutit të Statistikave, gjatë muajit maj, çmimet e artikujve të konsumit masiv janë rritur 1,6% krahasuar me majin 2013. Një vit më parë ky ndryshim ishte 2,1%. Krahasuar me muajin maj 2013, rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 8,0%, pasuar nga grupi “Pije alkoolike dhe duhan” me 6,6%, “Hotele, kafene dhe restorante” me 2,7%, “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 2,1%, etj. Ndërsa ulja me e madhe e çmimeve vërehet në grupin “Shëndeti” me 5,3% pasuar nga grupi “Veshje dhe këpucë” me 2,8%, “Komunikimi” me 1,2% etj.

Rritja vjetore në muajin maj është ndikuar kryesisht nga grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 0,82 pikë përqindje. Në këtë grup çmimet e nëngrupit “Fruta” janë rritur me 16,7% dhe nëngrupit “Zarzavate” me 10,2%. Çmimet e nëngrupit “Vajra dhe yndyra” u ulën me 5,4%, pasuar nga nëngrupi “Sheqer e ëmbëlsira” me 4,1%, “Kafe, çaj e kakao” me 2,3%, “Peshk” me 1,3% etj. Rritja e çmimeve të grupit “Pije alkoolike dhe duhan” ka kontribuar me 0,24 pikë përqindje në ndryshimin vjetor. Krahasuar me një vit më parë çmimi i duhanit u rrit me 11,5%. Çmimet e grupit “Mallra dhe shërbime të ndryshme” kanë kontribuar me 0,39 pikë përqindje.
Çmimet e grupit “Shëndeti” kanë kontribuar me -0,18 pikë përqindje në ndryshimin vjetor. Grupi “Veshje dhe këpucë” ka kontribuar me -0,14 pikë përqindje.
Në muajin maj 2014, çmimet kanë shënuar 1,1% ulje ndaj prillit të po këtij viti. Ulja e çmimeve është ndikuar kryesisht nga grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike me -0,89 pikë përqindje. Çmimet e zarzavateve u ulën me 14,4% ndërsa çmimet e frutave u rriten me 4,4%. Çmimet e grupit “Shëndeti” ndikuan me -0,05 pikë përqindje në ndryshimin mujor. Në këtë grup çmimet e shërbimeve spitalore u ulën me 5,6% dhe medikamenteve u ulën me 0,9%. Çmimet e grupit “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” kanë ndikuar me -0,05 pikë përqindje në ndryshimin mujor. Çmimet e lëndës djegëse janë ulur me 1,0% krahasuar me një muaj më parë.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency