LEGALIZIMET/ Zbardhet harta e zonave që marrin tapitë e para, cfare ndodh me 41 mijë dosjet e ankesave

0
170

Florenc Drizari

zone informaleNë rrethinat e Tiranës si, Kashar, Paskuqan dhe Kamëz, kanë filluar punën grupet e verifikimit të dosjeve

Agjencia e Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave, Ndërtimeve Informale  (ALUIZNI), ka filluar prej tre muajve shpërndarjen e ekipeve që do të përfundojnë përgatitjet e dosjeve në terren. Sipas qeverisë aktualisht janë kryer 11 300 procedura të reja, ndërkohë që procesi ka filluar në kryeqytet dhe në rrethe të tjera të vendit. Burime nga ALUIZNI theksojnë se zonat me përparësi për shqyrtimin e dosjeve do të jenë ato periferike ku numri i ndërtimeve pa leje ka qenë më i madh. Mësohet se në rrethinat e Tiranës si, Kashar, Paskuqan dhe Kamëz, kanë filluar punën grupet e verifikimit të dosjeve. Si pasojë e verifikimeve të reja, qytetarët në këto zona pritet të jentë të parët që do të marrin tapitë e legalizimeve, ndërkohë që procesi ka filluar edhe në rrethe, edhe pse jo me intensitetin e kryeqytetit. Aktualisht numri i vetëdeklarimeve zyrtare për Tiranën është 100141 dhe nga këto 5235 qytetar, kanë marrë tapitë.

 

41 mijë dosjet

Kreu i qeverisë Edi Rama foli një ditë më parë për një numër të lartë ankesash që kishin ardhur nga qytetarë të ndryshëm pranë ALUIZNI-t. Numri i lartë i ankesave të ardhura sipas Kryeministrit kishte të bënte me kohën e qeverisjes së majtë dhe më konkretisht, qytetarët ankoheshin për vonesa në pajisjen me lejen e legalizimeve, ndërkohë që dosjet e tyre rezultonin me probleme. Të kontaktuar nga gazeta, zyrtarë të ALUIZNI-t kanë theksuar se rreth 41 mijë dosjet kishin probleme të theksuara në plotësimin e dokumentacionit, ku sipas tyre, kishte dosje vetëm me faturat brenda dhe asgjë tjetër. lidhur me këto dosje theksohet se po vijon puna në terren për verifikimin dhe plotësimin e tyre. Më konkretisht, qytetarët kur shkojnë tek ALUIZNI, u hapet dosja në prezencë të tyre dhe më pas shihen mundësitë për ta plotësuar dokumentacionin, duke e verifikuar në terren nga punonjësit e agjencisë. Kjo procedurë nuk është se funksionon me të gjithë qytetarët që paraqiten pranë drejtorive të ALUIZNI-t, për faktin se do të duhej një personel më i madh nga sa është aktualisht, por procesi sipas zyrtarëve po shkon paralelisht me verifikimin e dosjeve të tjera dhe mbikëqyrjen në terren.

Më herët drejtues të kësaj agjencie kanë thënë se  kësaj radhe nuk ka më vetëdeklarime, pasi sipas tyre qytetarët kanë nisur nga fillimi të bëjnë deklarime tek ALUIZNI. Verifikimet do të shqyrtohen me blloqe sipas formës së zonave. Këto blloqe sipas ALUIZNI-t janë ndarë në 100, 200, apo 300 banesa. Të gjitha këto pritet të kalojnë në “sitë” dhe thuhet se do të kontrollohen edhe ato persona që kanë bërë një shtëpi më leje dhe pastaj kanë bërë shtesat, përtej atyre që kanë ndërtyar që nga themeli në mënyrë ilegale. Para miratimit të ligjit të ri të legalizimeve, përfaqësuesve të PS-së, por edhe të ALUIZNI-t, kanë thënë see ata qytetarë që kanë ndërtuar në truallin e vet, “nuk do paguajnë asgjë, as për procedurat, as për tokën. Kjo masë është 50- 60%, që do ta marrin dokumentin e pronësisë pa bërë asnjë farë pagese”.

 

Legalizimet pas 2009-ës? Lame: Jo, por nuk do të prishen

Ligji i ri për legalizimet që kaloi në Kuvendin e Shqipërisë pak javë më parë, nuk përfshin legalizimin e të gjitha atyre ndërtesa që janë ndërtuar pas 15 janarit të 2009. Kjo sipas kreut të ALUIZNI-t bëhet për shkak se kodi penal ka një dispozitë shumë të qartë të miratuar në 2009 që thotë që objektet e ndërtuara pas kësa date, n.q.s janë të ndërtuara, nuk mund të përfshihen në legalizim.

“Në bazë të ligjit të ri, këto ndërtesa do të hyjnë në trajtim të veçantë, që sipas dispozitave të ligjit të policisë së ndërtimit, që do të thotë që asgjë nuk do të shkojë dëm. Qytetarët të rrijnë të qetë. Askush nuk do ju vejë në shtëpi, pra nëse ligji hyn në fuqi në datë 20, askush nuk do t’i vejë në shtëpi në datë 21. Ka dy gjera pra, nëse politika do të ketë konsensus dhe do mblidhen të dy palët politike, pra edhe PS edhe PD, sepse kodi penal ndryshohet vetëm me cilësi të caktuar. Nuk mund ta bëjë njëra palë pa marrë miratimin e palës tjetër.”,-ka thënë më parë drejtori i ALUIZNI-t, Artan Lame.

Sot në Kuvend/ Legalizimet në bregdet, si do të regjistrohen pronat e lira

Komisioni për Veprimtarinë Prodhuese, Tregëtinë dhe Mjedisinshqyrton sot nen për nen i projektligjit “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 10 186, dt. 5.11.2009 “Për rregullimin e pronësisë mbi truallin shtetëror në zonat me përparësi turizmin”, të ndryshuar”. Më herët drafti ka kaluar në parim edhe në Komisionin e Ligjeve, komision i cili është përgjegjës për këtë projektligj. Në deskutimet mes palëve, ka pasur debate dhe kundërshtime edhe mes socialistëve. Projektligji në fjalë ndryshon marrëdhëniet e pronësisë mbi truallin dhe objektet e ndërtuara në zonat e stimuluara me përparësi turizmin, që janë dhënë për realizimin e veprimtarive të stimuluara, sipas ligjit në fuqi. Ndryshimet e reja bëhen, sipas qeverisë, me argumentimin se ligji në fuqi përjashton një numër të konsiderueshëm subjektesh, dhe për këtë propozohet të ndryshohet dhe përkufizimi i termit “person i stimuluar”. Nga këto ndryshime pritet të përfitojnë rreth 14 mijë familje që kanë ndërtuar në bregdet, më konkretisht në fshatrat turistik dhe jashtë tyre.  Në mbledhjen e fundit të Komisionit të Lgjeve deputetët e pozitës dhe të opozitës debatuan ashpër me Drejtorin e ALUIZNI-t, Artan Lame, lidhur me mungesën e shifrave për banesat dhe hapësirat territoriale në fshatrat turistik. Sipas kreut të ALUIZNI-t, Artan Lame, fshatra turistik me marrëveshje qiraje që gjenden në arkivin e ALUIZNI-t janë 52 dhe çdo fshat shkon nga 200-300 njësi akomoduese ose shtëpi banimi. Ngërçi që haset sipas përfaqësuesve të qeverisë nga ligji aktual per mungesën e terminologjisë dhe zgjidhjes së çështjeve të lejeve të ndërtimit dhe kontratës së qirasë në apartamentet e ndërtuara në bregdet, pritet të gjejë zgjidhje në ligjin e ri, paçka se drafti ndodhet ende në fazën e diskutimeve.

 

Takimi ndërinstittucional me krerët e agjencive dhe ministritë/ Rama: Jo më zvarritje tek legalizimet

“Ministria e Brendshme, përkatësisht Policinë e Shtetit, duhet të marri një rol të dorës së parë në këtë proces”

Kryeministri Rama zhvilloi dje një takim ndërinstitucional me drejtues e përfaqësues të ministrive dhe Agjencive të lidhura drejtpërsëdrejti me procesin e legalizimeve. Kreu i qeverisë foli për plotësim të një prej zotimeve të bëra nga ai si dhe për një koordinim të frytshëm mes institucioneve përgjegjëse. Gjithashtu Rama vuri në dukje se problematika shkaktuar nga mungesa e koordinimit midis institucioneve i hapur rrugë korrupsionit në çdo nivel. “Nga tetori i vitit të kaluar deri në prill të këtij viti në sportelet e ALUIZNI-t janë paraqitur 41 400 qytetarë, për të kërkuar sqarime për dosjet e tyre, për t’u ankuar për zvarritjet e deritanishme dhe për të plotësuar dokumentacionin e mangët, kur dokumentacioni ka qenë i mangët. Një lum i tërë njerëzish që prej vitesh kanë pritur më kot që të legalizojnë shtëpitë e tyre.”-u shpreh ai.

Kryeministri u shpreh se po përfundon edhe gjithë kuadri i rregullave bazuar tek ligji i legalizimit, por edhe bazuar tek procedura parlamentare për pjesën tjetër të legjislacionit mbi legalizimin. “Nga 1 marsi 2014 ka filluar dalja në terren e ekipeve që do të përfundojnë përgatitjet e dosjeve. Vetëm në këta 3 muaj janë kryer 11 300 procedura të reja.”

Gjithashtu Rama u ndal në rëndësinë e secilit prej institucioneve, në mënyrë të veçante, ku përveç rolit primar të ALUIZNI-t, theksoi domosdoshmërinë e bashkëpunimit të kësaj Agjencie me Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe Agjencinë e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, si tre institucione, që janë bërthamë e këtij procesi dhe që prej disa kohësh kanë një ndërveprim të garantuar mes tyre.

Risia e këtij takimi ishte edhe përfshirja e Policisë së Shtetit, mbështetja e së cilës tha Rama ndaj këtij procesi merr një rëndësi të veçantë. “Jemi këtu për t’i dhënë një sens gjithë kësaj historie dhe për të kuptuar që ka një rol çdonjëri nga institucionet që janë sot këtu të përfaqësuar, pa llogaritur edhe Ministrinë e Brendshme, përkatësisht Policinë e Shtetit, që duhet të marri një rol të dorës së parë në këtë proces.”-u shpreh Kryeministri.

Më herët lidhur me iniciativën e qeverisë për miratimin e një ligji të ri për legalizimet, opozita ka ritheksuar premtimet e PS-së të bëra në fushatën e 23 qershorit. Opozita e ka cilësur ligjin e ndryshuar të legalizimeve si një premtim jo i mbajtur, për faktin se sipas pakicës parlamentare, procesi nuk është falas për qytetarët, ndryshe ku sipas saj është premtuar nga socialistët. Ligji në fjalë iu nënshtrua debateve të gjerë në komisionet parlamentare si dhe seancën plenare, ku të dyja palët mbajtën dy qëndrime të ndryshme. Socialistët kritikuan procesin e legalizimeve në vitet e qeverisjes së djathtë, duke thënë se procesi ishte deformuar, duke ngjallur korrupsionin e ngritur informalitetin, ndërsa demokratët kanë deklaruar se mazhoranca nuk po bën asgjë nga procesi i mëparshëm. Disa prej deputetëve të opozitës kanë thenë se procesi i socialistëve për legalizimet, do t’ju kushtojë më shumë qytetarëve se sa ishte para zgjedhjeve të 23 qershorit.

 

Gjermeni: Akte të tjera nënligjore për legalizimet

Në takim ndërinstitucional të zhvilluar një ditë më parë në ambientet e kryeministrisë, foli edhe ministrja e Zhvillimit Urban dhe Turizmit Englantina Gjermeni, e cila vlerësoi miratimin e ligjit për legalizimet, duke theksuar se implementimi i tij përbën një sfidë për qeverinë. “Kemi kaluar në Këshillin e Ministrave dhe në parlament është miratuar, ligji për legalizimet falas, një nga premtimet qoftë të fushatës qoftë të programit tonë qeverisës. Premtim që e mbajtëm me pjesën e përgatitjes së ligjit dhe miratimin e tij. Tani jemi në pjesën e përgatitjes së akteve nënligjore dhe vendimeve të Këshillit të Ministrave për ta siguruar implementimin e këtij ligji. Tani jemi në një stad tjetër. Jemi në stadin që ligji ka kaluar dhe e gjithë sfida është implementimi i tij. “ ,-deklaroi Ministrja Gjermeni.

 

Ahmetaj: Imitojmë modelin ekonomik kinez

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Arben Ahmetaj, mori pjesë në konferencën e Ministrave të Ekonomisë dhe Tregtisë nga Kina dhe Europa Qëndrore dhe Lindore, e cila u zhvillua në Kinë. Ministri Ahmetaj vuri theksin në sfidat e mëdha që qëndrojnë përpara, pasi kriza e fundit globale ka shteruar disa nga burime kryesure të financimit, të nevojshme për lidhjet ekonomike mes njëri-tjetrit dhe për aftësinë për të konkuruar në tregun global. Në këtë kuptim, tha Ministri, është e rëndësishme që vëmendja të përqendrohet te financimi i jashtëm dhe investimet e huaja direkte. “Mundësitë janë. Ajo që duhet është shtytja nevojshme për t’i kapur ato”,-theksoi Ahmetaj. Duke u ndalur te ekonomia e Shqipërisë, Ministri i Zhvillimit Ekonomik tha se ajo duhet të realizojë kërcimin ekonomik dhe ritme rritjeje që do të revolucionalizojnë tërësisht disa sektorë dhe do ta vënë vendin në lëvizje përpara.

“Ka shumë fusha ku ne jemi duke bashkëpunuar, por shumë më tepër ku ne mund të bashkëpunojmë më mirë. Modeli ekonomik kinez ka qenë prej kohësh i vlerësuar nga vendet e tjera në botë. Cila është rruga më e mirë për ta imituar atë se sa rritja e e mëtejshme e bashkëpunimit tonë? Bujqësia, energjia, turizmi, manifaktura, këto janë të gjithë sektorë të rinj me energji të rizbulurara që kanë nevojë vetëm për një shytje për të nisur startin. Ne jemi duke këkruar për tu lidhur edhe më tej në rajon, për të qenë më afër tregjeve rreth nesh, dhe ato të Bashkimit Europian, dhe për të rritur si prodhimin ashtu edhe konsumin”, tha Ministri Ahmetaj. Sipas Ministrit Ahmetaj, Kina mund të luajë një rol më të madh në shumë programe të integrimit dhe zhvillimit që nuk janë më kombëtarë, por rajonalë dhe ndaj të gjitha vendet duan të përfitojnë më shumë bashkëpunim dhe më shumë zgjerim tregtar. Për të ilustruar mendimin e tij, z. Ahmetaj përmendi Rrugën e Mëndafshit, e cila dikur ishte rruga më e rrezikshme dhe fitim prurëse e tregtisë dhe shkëmbimit ekonomik. Ne të gjithë, tha Ministri, duhet të angazhohemi në vazhdimin e kësaj rruge, në terma modernë, për të rritur lidhjet dhe bashkëpunimin në industri, komunikim, infrastrukturë dhe turizëm.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency