Rrëfehet Kleviol Ahmetaj / Do paguheshim 1 mijë euro për paketimin e drogës në Divjakë

0
1937

Sonila Mesareja

Dëshmia: Një i afërm më prezantoi me Sajmir Bajramaj, takova edhe baxhanakun e tij, shef policie. Na siguroi se nuk do prekeshim nga uniformat blu

 

avioniArrestimi dhe marrja në pyetje e Kleviol Ahmetaj ka nxjerrë në dritë detaje të reja rreth rënies së avionit Piper në plazhin e Divjakës, si dhe sasisë së drogës së kapur krutanit Sajmir Bajramaj. I riu Ahmetaj, i arrestuar tri ditë më parë nga specialët e skuadrës operacionale në Lushnje, ka rrëfyer si i kontaktua për paketimin e drogës në Divjakë, personat që takoi, njohjen me Sajmir Bajramaj dhe një person të prezantuar te ai si shef policie, si dhe përfshirjen e disa shokëve të tij në procesin e paketimit. Më tej, i riu ka rrëfyer për hetuesit edhe ndihmesën e dhënë në uljen e avionit Piper në plazh, si dhe reagimin pas dëmtimit të tij në momentin e uljes. Në këtë moment, i arrestuari i katërt për drogën e kapur në Divjakë jep prova shtesë për implikimin e italianit Giorgio Riformatto, pavarësisht këmbënguljes mohuese të tij dhe deklarimeve se kishte ardhur për turizëm. Dje, Gjykata e Krimeve të Rënda caktoi masën “arrest me burg” për Kleviol Ahmetaj, ndërsa policia është në kërkim të 3 shokëve të tij nga qyteti i Lushnjes që ndihmuan në procesin e paketimit.

Njohja

Para hetuesve, Kleviol Ahmetaj është dorëzuar, duke pranuar se ka marrë pjesë në paketimin e drogës së kapur në Divjakë, ndihmën e dhënë në uljen e avionit në bregdet, si dhe takimet me Sajmir Bajramaj dhe një person i prezantuar si baxhanaku i këtij të fundit. Sipas burimeve, Ahmetaj është shprehur se një person i cili ishte prezantuar si baxhanaku i Sajmir Bajramit dhe që ushtronte detyrën e shefit të policisë, kishte garantuar siguri dhe paprekshmëri në këtë trafik droge. Më tej, Ahmetaj ka shpjeguar edhe si u kontaktua për të ndihmuar në paketimin e drogës. Ai është shprehur se ka qenë një person i afërt i tij, ai që e ka prezantuar me Saimir Bajramaj. Atij i ishte thënë se do të paguheshin 1 mijë euro për paketimin dhe ngarkimin në avionin që dhe përveç kësaj, duhet të gjente dhe tre persona të tjerë për të kryer këtë punë. Mësohet se i riu lushnjar dhe Saimir Bajrami janë takuar në një lokal në Divjakë, ku ky i fundit është paraqitur së bashku me baxhanakun e tij. Sipas dëshmisë së Ahmetaj, baxhanaku i Bajramaj ishte shef policie dhe do t’i garantonte paprekshmëri nga uniformat blu.

Dita e ngjarjes

Kleviol Ahmetaj ka vijuar me dëshminë e tij për hetuesit, duke dhënë detaje rreth ditës së ngjarjes. Sipas të riut nga Lushnja, ditën e uljes së avionit ai ka shkuar në Divjakë së bashku me shokët e tij dhe është takuar me Bajramin, i cili udhëtonte me një makinë Mitsubishi dhe policin misterioz që ngiste një Volsvagen Passat. Pas futjes së drogës në disa thasë të bardhë, makina Passat është larguar nga vendi ku do ulej avioni dhe është vendosur në hotelin përballë. Ndërsa për t’ia bërë punën me të lehtë pilotit Giorgio Riformato, Ahmetaj ka thënë se kanë ngulur disa flamuj të kuq në rërë, për të dalluar vendin. Pas kësaj është shfaqur avioni, ku në ulje e sipër ai ka dëmtuar njërën rrotë. Pas kësaj ka deklaruar i riu, ai është larguar drejt hotelit duke shkarkuar dhe lëndën narkotike, ku i priste shefi i policisë. Mësohet se pas dëmtimit të avionit, i pari që ka lënë vendin e ngjarjes ka qenë “shefi” i policisë, i cili është larguar drejt hotelit përballë për të humbur gjurmët. Ndërkohë që, gjatë kësaj kohe ai ka çarë dhe sadokartin e makinën së tij tip BMW.

Masa

Gjykata e Krimeve të Rënda caktuar dje masën e sigurisë për Kleviol Ahmetaj, i cili është lënë në burg. Në përfundim të seancës, ka reaguar për mediat avokatja Vjollca Pustina, e cila është shprehur se klienti i saj ka pranuar se njeh Saimir Bajramaj, po ka kërkuar masë më të butë ndaj tij duke qenë se ka bashkëpunuar me drejtësinë. “U konfirmua që është i njëjti person që gjykata ka dhënë këtë masë sigurimi. Unë kërkova një masë më të butë duke qenë që personi ka bashkëpunuar, por gjykata vendosi që duhet të vazhdojë kjo masë sigurimi”, thotë avokatja Pustina. Megjithatë, pavarësisht pretendimeve të avokates dhe pranimit të akuzës nga Ahmetaj duke dhënë edhe detaje në ndihmë të drejtësisë, gjykata la në fuqi masën e sigurisë “Arrest me burg”, dhënë në mungesë. Për këtë ngjarje është arrestuar edhe Aurel Pupe, ndërsa janë shpallur në kërkim dy shokët e Ahmetajt dhe efektivi i policisë së Delvinës.

 

Zbulimi i Ahmetaj, pas 11 gjurmëve të gjetura në pakot me drogë

Pas zbulimit të 11 gjurmëve të gishtave në pakot e drogës që do të ngarkohej në avion, u shpallën në kërkim pesë të rinj nga Lushnja, gjurmët papilare të të cilëve vunë në dyshim edhe rrëfimin e Sajmir Bajramit, i cili ishte shprehur më herët se e kishte blerë drogën në Fushë Krujë. Në dëshminë e tij dhënë para hetuesve, Kleviol Ahmetaj ka shpjeguar rolin e tij dhe të katër shokëve për drogën e kapur në Divjakë. Sipas tij, ata ishin thjesht paketues të drogës dhe do e transportonin për në avion, ndërkohë që do shpërbleheshin nga 1 mijë euro për këtë punë që do kryenin.

Dëshmia e Sajmir Bajramaj në pikëpyetje, dalin fakte të reja

Pas dëshmisë së dhënë nga Kleviol Ahmetaj dhe rrëfimit me detaje të gjithë procesit, që nga njohja me Sajmir Bajramaj, bisedat për gjetjen e shokëve dhe pagesën 1 mijë euro për punën që do bënin si paketues, vihet në dyshim dëshmia e dhënë nga Sajmir Bajramaj. Ai deklaroi se nuk ishte i vetmi që do transportonte drogë me avionin e Riformattos, ndërkohë që është përpjekur gjithë kohën të fshejë gjurmët e 5 të rinjve të thirrur për procesin e paketimit, por në mënyrë të veçantë të të prezantuarit prej tij si baxhanak dhe me detyrë shef policie. Ky i fundit është shpallur në kërkim, ndërsa ka ofruar siguri dhe paprekshmëri nga uniformat blu përgjatë procesit të trafikimit të sasisë së drogës.

ulje

 

Sarandë

Kapen 50 kg marijuanë, largohen transportuesit

Policia kufitare e Sarandës ka dje një operacion kërkimi për katër trafikantë droge, që janë parë në malin e Likojanit në Konispol. Katër personat ishin me nga dy çanta nëpër duar duke tentuar të kalonin kufirin në këmbë. Pasi policia u ka bërë thirrje për të ndaluar, ata nuk janë bindur, por kanë hedhur çantat dhe janë fshehur në pyll. Në çantat e tyre ndodheshin rreth 50 kg marihuanë. Policia ka rrethuar pyllin dhe ka nisur operacionin për kapjen e tyre.

Elbasan

Aksidentohet për vdekje 60-vjeçari, përplaset nga automjeti

Një aksident me pasojë vdekjen e një personi ka ndodhur në aksin Librazhd-Elbasan. Mësohet se në aksident janë përfshirë një automjet tip “Fiat Punto”, me targë AA673IC, i cili goditi një motor. Si pasojë e përplasjes ka mbetur i vdekur drejtuesi i çiklomotorit, rreth 60 vjeç. Policia ka shkuar në vendngjarje për të zbardhur shkaqet e këtij aksidenti të rëndë, si dhe për të përcaktuar shkaktarin e aksidentit me pasojë një të vdekur.

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency