Probleme me shëndetin / Dita e 11-të e grevës së urisë, 2 ish-të përndjekur politikë çohen në spital

0
121

Dje ishte dita e tretë ku pranë çadrës së grevistëve nuk ka pasur asnjë mjek dhe ambulancë për dhënien e ndihmës së parë apo dhe kontrollet rutinë të tyre

 

 

largea_grevistet-jpg1400911067Gjendja shëndetësore e ish-të përndjekurve politikë që janë në grevë sa vjen dhe rëndohet. Në ditën e 11-t të grevës së urisë dy grevistë janë çuar në spital. Grevisti i parë u çua në spital rreth orës 11:30 dhe vetëm 30 minuta më pas u shoqërua edhe një tjetër, për shkak të shqetësimeve nga tensioni dhe nga stomaku. Dje ishte dita e tretë ku pranë çadrës së grevistëve nuk ka pasur asnjë mjek dhe ambulancë për dhënien e ndihmës së parë apo dhe kontrollet rutinë të tyre. Ditën e djeshme, vetëm pasi u ndien keq dy pjesëmarrësit në grevë, ambulanca ka ardhur t’i marrë ata, duke i dërguar më pas për mjekim në spital. Mungesa e ambulancës pranë çadrës ku po zhvillohet greva e urisë ka detyruar Fatmir Hoxhën, kreun e grupit të grevistëve, t’i kërkojë Ministrisë së Shëndetësisë që ambulanca të jetë pranë çadrës. Sipas drejtorit të ASHR-së, Edmond Stojku, ambulanca nuk mund të rrijë 24 orë e stacionuar, por në gatishmëri. Sa herë njoftohet, brenda pak minutash gjendet para çadrës. Stojku vuri në dukje se thirrja e parë për ambulancën nga grevistët e urisë ka qenë në orën 11:30 dhe ambulanca ka arritur atje në orën 11:32 minuta kurse në thirrjen e dytë, në orën 12:04 minuta, ka arritur pas një minute, në orën 12:05.

Greva

Që në orët e para të mëngjesit të djeshëm grevistët janë shfaqur të lodhur. Një pjesë e tyre nuk kanë lëvizur fare nga shtrati, ndërsa një pjesë tjetër dilnin për disa minuta jashtë dhe futeshin përsëri në çadrën ku po zhvillohet greva e urisë, përballë Institutit të të Përndjekurve Politikë. Gjatë mesditës, kur janë shoqëruar dhe 2 ish-të përndjekur në spital, situata ka qenë e turbullt, ku të gjithë grevistët pyesnin për shëndetin e bashkëvuajtësve të tyre. Gjatë drekës grevistët janë vizituar nga familjarë dhe miq të shumtë. Të gjithë vizitorët pyesnin për shëndetin e të afërmeve qëndronin disa minuta dhe më pas largoheshin. Ish-të përndjekurit politikë janë të vendosur të mos tërhiqen nga greva e urisë derisa qeveria të bisedojë me ta. Pak ditë më parë ata janë shprehur se do të lënë grevën e urisë vetëm atëherë kur të mblidhet Parlamenti dhe të dënojë figurën e Enver Hoxhës si dhe t’u japë ish-të dënuarve politikë dëmshpërblimin brenda dy viteve.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency