Takimi/ Ndërmjetësimi, efikas për zgjidhjen e konflikteve pa i çuar në gjykata  

0

Sonila Mesareja

Loading...

ligji gjyqNë një vit, u zgjidhën me ndërmjetësim 75% e çështjeve të regjistruara. Ministria e Drejtësisë: 270 ndërmjetës të certifikuar për shuarjen e konflikteve

Ndërmjetësimi është parë si një mjet mjaft efikas për zgjidhjen sa më të shpejtë të konflikteve, duke parandaluar në këtë mënyrë dërgimin e tyre në gjykatë. Për këtë arsye, Ministria e Drejtësisë në bashkëpunim me USAID-in kanë nisur një projekt për zyrat e ndërmjetësimit në zgjidhjen e konflikteve. Gjatë një takimi të zhvilluar dje në ambientet e këtij institucioni, ministri i Drejtësisë, Nasip Naço, u shpreh se ndërmjetësimi është një mundësi për zgjidhje të shpejtë të konflikteve. Sipas Naços, ministria e që ai drejton po punon për përmirësimin e legjislacionit. Ministri tha se zgjidhja e konflikteve me ndërmjetësim do të ulë numrin e çështjeve në gjykata, që sipas tij janë të mbingarkuara. “Rezulton një trend rritës në këtë formë, si një metodë për parandalimin dhe zgjidhjen e konflikteve, duke mos vrapuar dyerve të gjykatave”, – tha ministri i Drejtësisë, Nasip Naço. Në këtë aspekt, Ministria e Drejtësisë e ka fokusuar punën e saj në përmirësimin e legjislacionit të brendshëm me qëllim rritjen e performancës së veprimtarisë së këtij shërbimi, si një aktor i rëndësishëm në realizimin e dhënies së drejtësisë. Më tej në fjalën e tij përshëndetëse, ministri u shpreh se “vlen të theksohet se me asistencën e Programit JuST, të USAID-it, roli i institutit të ndërmjetësimit është forcuar dhe konsoliduar në disa rrethe gjyqësore, si Durrës, Korçë, Gjirokastër dhe nëse i referohemi të dhënave statistikore të përcjella nga këto gjykata, zbatimi i formave alternative të zgjidhjes së mosmarrëveshjeve ka rezultuar histori suksesi”. Ministria e Drejtësisë bën me dije se janë 270 ndërmjetës të certifikuar, të cilët do të punojnë për shuarjen e konflikteve pa kaluar nga dyert e gjykatave.

 

Arritjet

Ministria e Drejtësisë bën me dije se për vitin 2013 dhe 2014 janë të regjistruara me ndërmjetësim gjithsej 167 çështje. Nga ky total, 90 çështje i përkasin Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Korçë; 35 çështje i përkasin Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës; 43 çështje i përkasin Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Sarandë dhe 5 prej tyre Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër. Nga këto, rreth 75% janë raste të zgjidhur me ndërmjetësim. Sipas ministrit Naço, nisur nga rezultatet e mësipërme, rezulton një trend rritës të çështjeve që zgjidhen me këtë formë të re të zgjidhjes alternative të mosmarrëveshjeve. “Qëllimi i ndërmjetësit është si ai i një katalizatori, që nënkupton pikërisht, ofrimin e një rruge alternative të reagimit, për të motivuar rëndësinë e procesit të ndërmjetësimit, si një nga metodat më efektive të parandalimit, menaxhimit dhe zgjidhjes së konflikteve midis palëve” mbylli fjalën e tij ministri i Drejtësisë.

 

Tiranë/ Gjykata i rrëzon padinë, gruaja padit bashkëjetuesin se e përplasi me makinë

 Ditën kur gjykata vendosi të rrëzonte kërkesën e Dëshira Lamit për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes ndaj bashkëjetuesit të saj Gersi Gjini, ajo akuzoi këtë të fundit se e përplasi me makinë dhe u largua, duke i shkaktuar dëmtime në gjymtyrë. Gruaja, në muajin e 8-të të shtatzënisë, u shpreh për uniformat blu dhe personat e tjerë të pranishëm, por edhe për mediat, se bashkëjetuesi i saj e dhunonte shpesh dhe për këtë arsye kishte kërkuar urdhër mbrojtje dhe kjo ka qenë edhe arsye e dhunës së ditës së gjyqit nga ana e këtij të fundit. Në vendimin e zbardhur në Gjykatës së Tiranës konstatohet se gjykata e ka rrëzuar padinë e Dëshira Lamit, pasi nuk vërtetohej ushtrimi i dhunës, ndërsa prej Gersi Gjinit deklarohej se ishte shkëputur prej saj dhe nuk kishte as dëshirën më të vogël për t’iu afruar. Në deklarimet e tij, Gjini u shpreh për togat e zeza se për fëmijën do përgjigjej deri në fund, ndërsa për Dëshirën nuk donte të dinte asgjë. “Me paditësen jemi bashkëjetues prej 14 muajsh. Unë e kam njohur në një moment të vështirë, kur familja e saj e ka dërguar në polici. Pasi u njohëm, vendosëm të jetonim bashkë, megjithëse as prindërit e saj nuk ishin dakord dhe as familja ime. Ata më paralajmëruan për vështirësitë që do të kisha në lidhjen time me Dëshirën, por unë sakrifikova për të dhe nisëm jetën bashke. Debati ynë ishte në datën 30.4.2014. Unë dola të pi kafe me një shok. Ajo më tha mos dil dhe për këtë shkak filluam të debatonim me njëri-tjetrin, por nuk e kam goditur dhe nuk kam ushtruar dhunë ndaj saj. Pasi u larguam nga Komisariati, unë shkova në shtëpi, por ajo nuk pranonte që të rrija në shtëpi. Në këto kushte shkova të fle tek halla ime. Më pas më mori në telefon dhe më kërkoi që të kthehem në shtëpi. Unë i thashë që nuk kthehem në shtëpi dhe më pas ajo më ka kërcënuar me mesazh në telefon, duke më thënë që do të djeg makinën. Natën vonë tek shtëpia e hallës kane goditur me gur në xhamat e shtëpisë dhe është thyer xhami i pasqyrës së shtëpisë së hallës. Pastaj janë djegur çadrat e lokalit të hallës që është poshtë pallatit. Ajo më dërgoi në polici. Unë nuk kam precedentë penalë dhe nuk dua të kem probleme. Pas kësaj sjellje të saj, unë nuk mund të vazhdoj lidhjen time me të, por për fëmijën do të përgjigjem për çdo gjë. Unë nuk do t’i afrohem palës paditëse. Nuk dua të kem asnjë lidhje me të. Qiranë e shtëpisë e kam paguar për këtë muaj dhe ajo mund të rrijë aty. Për fëmijën tim do të përgjigjem deri në fund” dëshmon para gjykatës i padituri Gjini, duke përfunduar: “Unë nuk kam më asnjë lidhje me Dëshirën. Ajo ka jetën e saj dhe unë kam jetën time. Unë kam detyrime vetëm ndaj fëmijës kur të lindë dhe jam shprehur i gatshëm që do të përgjigjem për fëmijën”.

 

 

 

 

Loading...