Standard.al

Reforma territoriale/ Nisin konsultimet me shoqërinë civile e vendorët, shmangen bashkitë që preken nga ndarja e re

 Florenc Drizari

komisioni-i-reformes-territKryesisht në kalendarin e publikuar për marrjen e mendimeve lidhur me reformën e qeverisë, shmangen disa prej bashkive të vogla, siç janë Bashkia e Leskovikut, e Gramshit, Cërrikut etj., bashki të cilat, sipas ndarjes me 39 dhe 47 njësi, nuk figurojnë si njësi më vete.

Pas miratimit të dy varianteve të ndarjes së re të hartës administrative-territoriale pak javë më parë, qeveria nisi dje zyrtarisht konsultat me shoqërinë civile dhe përfaqësuesit e bashkive në rrethe. Një ditë më parë, Ministria për Çështjet Vendore publikoi edhe afatet se kur do të përfundojnë konsultat. Data e fundit e diskutimeve të këtij drafti është 20 korriku i këtij viti, ndërkohë që pjesë e konsultave, përveç shoqërisë civile, janë bërë edhe ato bashki të cilat nuk preken nga ndarja e re e hartës territoriale. Kryesisht në kalendarin e publikuar për marrjen e mendimeve lidhur me reformën e qeverisë, shmangen disa prej bashkive të vogla, siç janë Bashkia e Leskovikut, e Gramshit, Cërrikut etj., bashki, të cilat, sipas ndarjes me 39 dhe 47 njësi, nuk figurojnë si njësi më vete. Lidhur me reformën administrativo-territoriale ka pasur debate të gjata si për fillimin e këtij procesi pa prezencën e opozitës, por edhe për sa u përket zonave minoritare. Debatet e fundit janë përqendruar kryesisht për Bashkinë e Himarës, ku vetë deputetë të mazhorancës kanë mbajtur qëndrime të ndryshme. Fillimisht këtë shqetësim e ka paraqitur deputeti i LSI-së, Spartak Braho, i cili ka theksuar se qeveria duhet te jetë e vëmendshme ndaj zonave të minoritetit, për faktin se, sipas tij, vitet e fundit janë rritur qarqet ekstremiste dhe nëse shumë zona të minoritetit ndahen më vete, atëherë rrezikojnë që këto një ditë të kërkojnë referendum dhe bashkim me Greqinë. Një tjetër qëndrim ka qenë ai i deputetit të PS-së, Armando Subashi, i cili ka thënë se Himara është tërësisht shqiptare dhe mazhoranca nuk duhet të druhet nga fakti që ajo të jetë tërësisht një zonë funksionale më vete, e ndarë nga qarku i Vlorës. Sipas propozimit të ri, Himara del bashki më vete, po ashtu edhe disa komuna që janë tërësisht minoritare.

 

Debatet për 39/47 bashki

Rreth dy javë më parë qeveria miratoi jo një variant, siç kishte deklaruar më parë për ndarjen e re administrative-territoriale, por dy të tilla (varianti me 39 dhe 47 bashki) dhe shkak për këtë duket se u bë mosgjetja e konsensusit me Lëvizjen Socialiste për Integrim. Fillimisht, në mbledhjen e fundit që u zhvillua me dyer të mbyllura, Kryeministri Edi Rama ka kërkuar një reformë sa më radikale, mundësisht variantin me 30 bashki, por pas ndërhyrjeve dhe përfshirjes së njësive të zonave minoritare ky variant është zgjeruar. Qëndrimi i kreut të qeverisë ka qenë sa më e madhe të jetë një zonë aq më shumë mundësi ka për të përballuar sfidat e zhvillimit si në burime njerëzore ashtu edhe në ato financiare. Ndërkaq, mes varianteve me 39 dhe 47 bashki, sipas qeverisë pritet që të zgjidhjet një variant i mesëm me rreth 44/45 bashki.

 

Qëndrimi i opozitës

Qysh pas ndryshimit që shumica parlamentare i bëri përbërjes së komisionit të posaçëm parlamentar për ndarjen e re administrative-territoriale dy muaj më parë, opozita e ka kundërshtuar ashpër nismën e shumicës për të miratuar një reformë të tillë pa praninë e saj. Edhe pse mazhoranca në takimet publike që ka mbajtur për këtë çështje, ka shprehur gatishmërinë për ta përfshirë opozitën në proces kurdo që ajo vendos të bëhet pjesë e reformës, opozita ka akuzuar krerët e qeverisjes së majtë se qëllimi i vërtetë i reformës administrative-territoriale është tërësisht elektoral dhe bëhet për të kapur zgjedhjet e ardhshme për pushtetin vendor.

 

Kume: Si ndryshon balancat politike në vend reforma territoriale

 Në një prononcim për gazetën “Standard”, pak ditë më parë, ish-kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kristaq Kume, ka thënë se zvogëlimi i numrit të qarqeve do të ketë rrjedhoja të drejtpërdrejta në rregullat e administrimit të procesit zgjedhor, gjë që do të kërkojë edhe ndryshime në Kodin zgjedhor. Sipas tij, më i rëndësishëm do të jetë efekti që do të ketë zvogëlimi i këtij numri në rezultatin e zgjedhjeve për Kuvendin e Shqipërisë. Eksperti i zgjedhjeve flet për efektet që do të ketë zvogëlimi i këtij numri në zgjedhjet lokale dhe ato qendrore për partitë e mëdha dhe ato të vogla.

“Numri më i vogël i qarqeve do të krijojë mundësi shumë më të mira për konvertimin e votave të partive te vogla në mandate në Kuvendin e Shqipërisë. Partive të vogla ky zvogëlim u intereson. Ndërkohë në zgjedhjet për organet e pushtetit vendor, zvogëlimi i numrit të komunave e bashkive, si rregull do të prodhojë efektin negativ për partitë e vogla. Mundësitë e tyre për t`u përfaqësuar në këshillat komunalë ose bashkiakë, si rregull do të zvogëlohen”, – deklaroi Kristaq Kume.

 

Statusi, Tomasova: Çekia ende s’e ka dhënë qëndrimin e saj

 Dy ditë pas publikimit të raportit nga KE-ja për rekomandimin e statusit të vendit kandidat për Shqipërisë, ambasadorja çeke, Branislava Tomasova, shprehet se vendi që ajo përfaqëson ende nuk e ka dhënë mendimin përfundimtar për këtë çështje.

“Autoritetet tona po e lexojnë rekomandimin që u publikua dy ditë më parë, ne po e studiojmë këtë raport dhe jemi në procesin te vendimmarrjes. Ne, si Ambasadë, jemi duke pritur vendimmarrjen dhe gjithashtu duhet ta dini se ne e vlerësojmë mënyrën e të bërit investime në një vend dhe e vlerësojmë mbajtjen dhe mbrojtjen e investimeve në një vend të caktuar, akoma nuk është dhënë një mendim nga Republika Çeke, por në momentin që do të jepet do ta bëjmë të ditur”, – është shprehur ambasadorja çeke.

Në një intervistë, ambasadorja çeke vlerëson se klima emotive që shfaqet çdo të enjte në Parlament, nuk është ajo që pret Bashkimi Evropian nga klasa politike shqiptare, në prag të vendimit për statutin.

“Sigurisht që ajo që shikohet të enjteve në Parlament, nuk është ajo që natyrisht Bashkimi Evropian pret. Janë ditë të rëndësishme dhe politikanët duhet të shprehen të ndërgjegjshëm në këtë pjesë. Edhe media ndërkombëtare po e ndjek shumë ngushtë këtë proces, unë rekomandoj shpirtin konstruktiv dhe nëse ka sinjale negative në këto media mund të ndikojnë negativisht”, – ka theksuar Tomasova. Sipas ambasadores çeke, vendet anëtare i marrin vetë vendimet e tyre, në bazë të informacionit personal që kanë për vendin, por klima që është në vend, dhe klima emotive ne Parlament, nuk është mirë për sa i përket lidhjes me statusin. “Polarizimi i shoqërisë e dobëson procesin e integrimit dhe kjo është thënë dhe më parë në media. Vendet anëtare e njohin mirë situatën në vend, por nëse vendi vetë (Shqipëria) dëshiron të ecë përpara shpirti konstruktiv duhet të mbizotërojë”, – ka thënë ambasadorja për “News 24”.

 

Comments are closed.